jump to navigation

Martesat bëhen në qiell

Postuar tek: Martesat Bëhet Në Qiell

Në ditën e gjashtë të krijimit, siç lexojmë te Zanafilla 1, Perëndia u kujdes që gjithçka që Ai kishte bërë, të ishte «shumë e mirë». Kjo vepër e krijimit arriti kulmin me formimin e njeriut nga pluhuri i tokës, tek i cili Perëndia fryu «frymën e jetës». Në këtë kapitull të parë thjesht lexojmë se njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe se ata ishin mashkull e femër. Hollësitë e mrekullueshme të formimit të pashoq të njeriut i gjejmë në kapitullin e dytë, por madje që në kapitullin e parë lexojmë se Perëndia i bekoi ata, dhe u bëri të njohur krijesave të Tij qëllimin e Tij: «Jini të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën dhe nënshtrojeni». Njeriut iu dha, gjithashtu, sundimi mbi të gjitha krijesat e gjalla mbi tokë, në ujë dhe në ajër.

Te Zanafilla 2 lexojmë se si Perëndia formoi njeriun, dhe se si nëpërmjet frymës hyjnore të marrë në vrimat e hundës ai u bë «qenie e gjallë». Më pas, në vargun 18, lexojmë për diçka që «nuk është shumë mirë». Zoti Perëndi tha se nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. «Unë do t’i bëj një ndihmë në dobi të tij». Adami u lejua t’u vinte emra të gjithë zogjve dhe kafshëve, ndërsa për të nuk kishte shok. Atëherë Perëndia e bëri Adamin të binte në një gjumë të thellë, dhe nga një brinjë të marrë nga ija e tij Ai formoi Evën, shoqe e përshtatshme për burrin. Nuk është për t’u çuditur që Adami thirri: «Kjo është së fundi kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim». Me këtë na parashtrohet parimi hyjnor, madje përpara se të lindnin fëmijët: «Prandaj burri do të lërë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm».

Këto fjalë i citon Zoti ynë i bekuar në përgjigje të pyetjes së dishepujve për shkurorëzimin, si dhe apostull Pali, nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, tek Efesianëve 5, ku vihet në dukje se marrëdhënia e burrit dhe e gruas tipizon Krishtin dhe bashkësinë e Tij. Për sa i përket Adamit dhe Evës, mund të kundërshtohet se ata nuk iu nënshtruan një ceremonie civile. Por ligjet njerëzore nuk ekzistonin ende; është e qartë se Perëndia e gjykoi të nevojshme që ne të kemi këtë dokumentim të «martesës» së parë. Sigurimin e Partnerit e bëri Perëndia, dhe askush tjetër nuk mund ta kishte plotësuar këtë nevojë në mënyrë kaq të përshtatshme. Kjo vërteton diçka në të cilën besojnë shumë prej nesh, pikërisht se «martesat bëhen në qiell». Ndoshta do të ishte mirë të sillnim ndër mend dokumentimin hyjnor se Ai i bëri ata «mashkull dhe femër». Armiku i njerëzve, duke e dalluar se Perëndia synonte për krijesat e Tij pikërisht një jetë të shëndoshë familjare, është përpjekur qysh në fillim ta prishë marrëdhënien e burrit dhe të gruas. Është synuar që ata të plotësojnë njëri-tjetrin; ata janë ndërtuar nga ana fizike dhe psikologjike për të formuar një shoqëri të plotë dhe të kënaqshme. Në komunitete të përbëra plotësisht nga burra, ose nga gra, vërejmë shpesh një qëndrim të njëanshëm për jetën, i cili çon shpesh në një dëshirë të tepruar dhe të pazakontë për gjininë tjetër.

Shumë herë në historinë e njerëzimit lexojmë për sjellje morale të prishur, e cila buronte shpesh nga një mosnjohje e natyrës vetjake. Ligjet e sotme kundër «diskriminimit» përpiqen në mënyrë të ngjashme të mohojnë se ne jemi rrënjësisht burra, ose gra dhe kemi detyra e funksione të ndryshme. Nuk është fjala per ndonjë inferioritet nga ana e grave; ne jemi të ndryshëm, sepse Perëndia na ka bërë të tillë. Disa burra dëshirojnë që të ishin lindur gra dhe disa gra dëshirojnë që të ishin lindur burra, por është me mend që të kuptojmë se të tillë na ka bërë Perëndia, duke ditur më së miri se si mund ta plotësonim qëllimin e Tij këtu në tokë; pasi në qiell nuk ka burra a gra. Është vënë në dukje shpesh s si gratë i marrin vendimet nën ndikimin e zemrës, ndërsa burrat priren më shpesh të ndjekin urdhrat e mendjes. Gratë kanë zakonisht më shumë sy për pamjen e jashtme dhe mund të dallojnë më shpejt një paqëndrueshmëri të karakterit nëpërmjet një ‘intuitë femërore», ndërsa burrat ndoshta do të presin deri sa të mësojnë të gjitha hollësitë para se të marrin një vendim.

Përsëri, këto ndryshime mund të plotësojnë njëri-tjetrin, aq më shumë kur ballafaqohen me problemet e ndryshme prindërore. Kur vijmë te Zanafilla 24, lexojmë për një shërbëtor që është dërguar nga Abrahami per t’i gjetur të birit, Isakut, një grua. Vërejmë se si shërbëtori lutet seriozisht për këtë detyrë dhe se si lutja e tij merr përgjigje pothuajse sapo ai e kishte thënë atë. Ai i bën të ditur Rebekës dhe familjes së saj gjithçka që e kishte urdhëruar i zoti. Ai i tregon, gjithashtu, pse kishte bërë një udhëtim kaq të gjatë, në vend që të zgjidhte një nuse për të birin e të zotit nga një vend më afër vendbanimit të përkohshëm të Abrahamit. Më në fund, çështja i shtrohet vetë Rebekës. Abrahami kishte bërë vend për një mospranim të mundshëm: «Në qoftë se gruaja nuk dëshiron të të ndjekë, atëherë ti do të lirohesh nga ky betim». Por vajzës së re i lanë aq shumë mbresa ato që i kishte treguar shërbëtori për pasurinë e të zotit dhe bekimin e Perëndisë, saqë ajo nuk ngurroi fare. «Po, do shkoj». Ky është përsëri një faktor i rëndësishëm në një martesë të lumtur. Në qoftë se vajza ka ndonjë dyshim në kokë, është me mend që vendimi të shtyhet derisa ajo të jetë e sigurt që ai është partneri Perëndisë për të; dhe në qoftë se dyshimi vazhdon, është me mend që ajo të mos pranojë të detyrohet që të marrë një vendim që mund t’i rrënojë jetën asaj, si dhe burrit të saj të mundshëm. Në rastin e Rebekës nuk kishte dyshim, dhe lexojmë se Isaku e deshi atë dhe u ngushëllua pas vdekjes së nënës së tij.

Kur arrijmë te historia e Jakobit, ballafaqohemi me një situatë të ndryshme. Kokëfortësia dhe mashtrimet dinake që karakterizonin Jakobin, janë të njohura, dhe kur, pasi kishte mashtruar të atin dhe i kishte marrë të vëllait bekimin, ai shkoi për të punuar te daja i tij Labano, duket sikur u mat me një kundërshtar të denjë. Nuk ka dyshim që për sa i përket Rakelës, ajo ishte «dashuri me shikim të parë». Kjo mund të jetë fillimi i një martese të kënaqshme; por jo gjithmonë. Në këtë rast Labano veproi siç deshi, dhe, ndonëse pati një ceremoni të duhur martese sipas zakoneve të vendit, nusja vuri vello, dhe kur ata ishin më vete në tendën e tyre, Jakobi zbuloi se në vend te Rakelës i kishin dhënë Lean! Ky mashtrim dhelparak nga ana e Labanos e bëri Jakobin të zhytej në praktikën pagane,- e cila u bë më vonë fare e zakonshme në Izrael,- të të pasurit më shumë se një grua. Ishte e qartë se kjo nuk ishte qysh në fillim synimi i Perëndisë, dhe në historinë e Jakobit mund te shikojmë problemet që shkaktoi. Rasti i parë i bigamisë (martesa me dy gra njëkohësisht) në Bibël është kur Lameku, pasardhës i Kainit, mori dy gra, dhe i gostiti ato me këngët e gjalla të dhunës së tij. Ndonëse bigamia dhe poligamia nuk ndalohet kurrkund shkoqur në Shkrim, ka shumë shenja që Perëndia nuk e synon këtë për njerëzimin. Në Dhiatën e Re, në mënyrë të veçantë, theksohet se një plak a mbikëqyrës në bashkësi duhet të jetë «burri i një gruaje». Në ligjet rreth emërimit të një mbreti në Izrael, njëri prej kushteve ishte që ai nuk duhet «të shumonte gra»- urdhërim që nuk arriti ta mbante as mbreti Salomon.