jump to navigation

Dashuria në familje

Postuar tek: Martesat Bëhet Në Qiell më: 11, 22, 2009

Tek Efesianëve 5 vërejmë se krijimi i burrit dhe i gruas në fillim, si dhe marrëdhënia e përditshme e burrave dhe grave të tyre, është tablo e Krishtit dhe e bashkësisë së Tij. Prandaj ka shumë rëndësi që të shohim se çfarë thuhet për marrëdhënien e burrit dhe të gruas në këtë kapitull. Në mënyrë që të formojmë një ide të plotë për këtë çështje, është e nevojshme të vërejmë se çfarë e paraprin këtë pjesë. Më parë në kapitull u jepen udhëzime më të përgjithshme atyre që, sipas fundit të kapitullit pararendës, janë falur «në Krishtin». Ata janë «fëmijë të dashur të Perëndisë»; jo më errësirë, por dritë në Zotin, të thirrur për të qenë pasues të Perëndisë, duke ecur, si shembulli i madh i dhënë në vargun 2, në dashuri të Vetë Krishtit, i cili dha Vetveten për ne, «si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë». Kjo e bën apostullin, nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, të paralajmërojë për çdo lloj papastërtie morale, madje për lakmi dhe të folur pa mend, të cilat janë të pahijshme për besimtarët. Prej këndej ai paralajmëron për dehjen, duke dëshiruar që besimtarët të mbushen me Frymën, çka do të shprehej në adhurim, në ngritje frymërore dhe në lavdërim të Zotit tonë dhe Perëndisë, Atit tonë. Kjo pjesë përfundon me fjalët kuptimplota: «Nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!».

Në qoftë se të gjithë besimtarët së bashku janë të gatshëm t’i nënshtrohen njëri-tjetrit, nuk do të duket e paarsyeshme në qoftë se gruas i bëhet thirrje t’i nënshtrohet burrit të saj, «porsi Zotit». Si gjithmonë, kur na jepen udhëzime, nuk na thuhet t’u bindemi pa ditur arsyen. Arsyeja për këtë nënshtrim është se burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është Kreu i bashkësisë së Tij. Nuk do të merrej dot me mend që bashkësia të zinte vendin e Zotit tonë, Kreut të gjithë bashkësisë. Atëherë nuk mund të merret me mend që një grua të dëshirojë të zërë vendin që Perëndia i ka dhënë burrit. Sigurisht, është me rëndësi që burri ta kuptojë përgjegjësinë e tij si kreu i familjes. Sa herë që një grua udhëhoqi në historinë e Izraelit, kjo ishte ose për shkak të dobësisë së vendit, se asnjë burrë nuk po e zinte postin me përgjegjësi, ose për shkak të poshtërsisë, si në rastin e Jezebelës në Izrael, e cila e kishte Ashabin plotësisht nën kontrollin e saj, ose të Athalisë në Judë, vajzës së Jezebelës, e cila u përpoq të vriste të gjithë princat në Judë, dhe u bë mbretëreshë. Lumturisht, kjo grua sundoi vetëm për gjashtë vjet, pasi princi i vogël Joasi ishte ruajtur nga halla e tij dhe ishte rritur nga për t’u ulur në fronin e Davidit, për të mbajtur vijën nga e cila duhet të vinte Mesia.

Kur ka vetëm dy veta për të marrë vendime të rëndësishme, njëri duhet të hedhë votën vendimore, po të shprehemi në terma të botës. Perëndia e ka bërë të qartë se burri duhet ta marrë vendimin përfundimtar. Sigurisht, ai do të diskutojë me gruan rreth çështjes, pasi ata janë bashkëtrashëgimtarë të hirit të jetës (1 Pjetrit 3:7). Në letrën drejtuar Timoteut Pali shpjegon se «së pari u formua Adami dhe më pas Eva. Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje» (1 Timoteut 2:13-14). Ajo që është thënë më parë për ndryshimin midis burrit dhe gruas, përmendet ndoshta këtu në këtë përsëritje të historisë së hershme të njeriut. Efesianëve 5:24 e bën të qartë se norma e nënshtrimit të gruas është nënshtrimi i bashkësisë ndaj Krishtit: «Ashtu si bashkësia i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’u nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë». Te Kolosianëve 3:18 kjo shprehet ndoshta disi ndryshe: «Ju bashkëshorte, nënshtrohuni bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin». Pjetri na kujton se «kështu [d.m.th., me shpirt të butë dhe të qetë] stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre, ashtu si Sara, e cila i bindej Abrahamit duke e quajtur atë «zot»; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë» (1 Pjetrit 3:5-6).

Çdo letër ka mesazhin e saj për burrat. Në Shkrim ka gjithmonë drejtpeshim të përsosur. Pjetri, për shembull, u thotë burrave: «Jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni, sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja» (1 Pjetrit 3:7). Këtu shohim, ashtu siç u vu re në fjalët drejtuar Timoteut, se prej burrit dhe gruas pritet që ata të luten së bashku, krahas lutjeve vetjake të secilit. Vini re përsëri se nuk është fjala për inferioritet të gruas: burrit i thuhet ta nderojë atë, jo vetëm përpara njerëzisht të tjerë, por edhe në shtëpi dhe përpara fëmijëve. Fisnikëria dhe mirësjellja janë cilësi që një burrë i krishterë duhet t’i shfaqë ende në ditët tona, jo vetëm në lidhje me gruan e tij, por edhe ndaj ndaj të gjitha grave. Më parë në letër lexojmë: «Nderoni të gjithë». Nga kjo nxjerrim se, po të mos e nderojmë njëri-tjetrin, kjo do të ketë ndikim mbi lutjet tona: «Që të mos pengohen lutjet tuaja».

Në fillim të jetës martesore nuk është gjithmonë e lehtë t’i përshtatemi marrëdhënies së re. Natyrisht që në fillim ekziston një lloj vetëpërmbajtje kur është fjala për të diskutuar. Në qoftë se dashuria e vërtetë është e pranishme, dhe ekziston një dëshirë e vërtetë për të qenë «një në Zotin», gruaja dhe burri do të jenë shpejt në gjende të diskutojnë të gjitha çështjet pa kufizim. Dashuria e përbashkët do t’i kapërcejë në fund të gjitha problemet që lindin nga ndryshimet në temperament, edukim dhe pikëpamje. Kur e kuptojmë se sa i durueshëm është Zoti me ne, me siguri mund ta dëgjojmë njëri-tjetrin me vëmendje! Bibla përdor (në origjinal) shprehen e të folurit «gojë më gojë». Nuk duhet të jetë një shprehje e njëanshme «gojë më vesh»e mendimit. Çdo partner duhet të jetë i gatshëm ta dëgjojë tjetrin, duke mos harruar se Vetë Zoti është gjithmonë Dëgjues i padukshëm.

Te Kolosianëve fjalia që u drejtohet burrave, është e shkurtër, por e rëndësishme: «Ju bashkëshortë, t’i doni bashkëshortet tuaja dhe mos u bëni të ashpër ndaj tyre» (3:19). Sa keq që duhen thënë fjalë të tilla! është e lehtë që të lejohet të zhvillohet një rrënjë ashpërsie. Ajo fillon, ndoshta, duke vëzhguar në mënyrë kritike se si gruaja bën gjëra të caktuara. Në vend që kjo të diskutohet me njëri-tjetrin, ngacmimi lejohet që të kthehet në ashpërsi, kështu që burri, ose gruaja, mund të tërheqë vëmendjen e dikujt tjetër për sa u përket dobësive të partnerit, çka e vë në pozitë të vështirë partnerin, madje edhe mikun. Në qoftë se burrat do t’i donin me të vërtetë gratë e tyre, ata do të ishin të gatshëm të falnin çfarëdo dobësie të vogël, dhe do t’i ndihmonin gratë e tyre ta kapërcenin atë. Pali sapo i ka urdhëruar kolosianët të tregojnë dashuri, e cila është lidhje e përsosur, dhe Pjetri na tregon se «dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh» (1 Pjetrit 4:8). «Shumë të dashur, le ta duam njëri-tjetrin» (1 Gjonit 4:7).

Tek Efesianëve 5 burri urdhërohet ta dojë gruan e tij; para se gjithash, sepse ai duhet të jetë mishërim i gjallë këtu në këtë botë i Krishtit, i cili e deshi bashkësinë dhe dha Vetveten për të. Kjo është një temë e rëndësishme, të cilën apostulli e trajton në pjesën e mbetur të kapitullit, duke treguar se si historia e Adamit dhe e Evës ishte hije e misterit më të madh: Krishtit dhe bashkësisë së Tij. Zoti ynë i bekuar dha Vetveten: nuk mund të kishte dhënë më shumë. Burri duhet ta dojë gruan e tij në të njëjtën mënyrë. Sa dështojmë si në të kuptuarit e dashurisë së përsosur të Krishtit, ashtu edhe në zbatimin e urdhërimit të Tij: «Ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin» (Gjoni 13:34). Për burrin kjo ka një domethënie të veçantë. Atij i bëhet thirrje ta tregojë këtë në dashurinë për gruan e tij. Apostulli na tregon se «kush do gruan e vet, do vetveten. Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me bashkësinë» (Efesianëve 5:28-29). Gjithashtu, ai thekson: «Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre».

është e drejtë që të kujdesemi për trupat tanë, pasi ata janë tempujt e Frymës së Shenjtë; por, burra, në këtë mënyrë duhet të doni edhe gratë tuaja. Zoti ynë e ushqen dhe kujdeset për bashkësinë e vet. Përsëri na jepen fjalët nga faqet e para të Biblës: «Prandaj burri do të lërë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm» (Efesianëve 5:31). Apostulli e thotë këtë «mister të madh» në lidhje me Krishtin dhe bashkësinë e Tij, por ai nuk mund të largohet nga kjo çështje pa i kujtuar lexuesit e tij: «Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin» (Efesianëve 5:33).

Share|