jump to navigation

Si gjendet partneri?

Postuar tek: Martesat Bëhet Në Qiell më: 11, 22, 2009

Kemi vënë re tashmë se shërbëtori i Abrahamit, i cili u dërguar për të gjetur një grua për Isakun, u lut seriozisht për këtë çështje. Krahas shpëtimit të shpirtit, zgjedhja e partnerit të duhur është ndoshta vendimi më i rëndësishëm në jetë. Prandaj është me rëndësi jetësore që për këtë të lutemi, dhe që për këtë çështje, ashtu si për gjithçka tjetër, të mos mbështetemi veç në arsyen tonë. Ndihma dhe këshillat e besimtarëve të urtë do të jenë të vlefshme përpara se të marrim një vendim të madh. Fëmijëve të Izraelit u ishte ndaluar të martoheshin me ata të kombeve të tjera përreth tyre, duke qenë se ata ishin idhujtarë, dhe kështu do t’i kthenin shpinën Perëndisë së gjallë e të vërtetë. Në kohën e Nehemias, pasi hebrenjtë ishin kthyer nga mërgimi në Babiloni, u vërejt se shumë prej tyre ishin martuar me gra të huaja, dhe fëmijët madje nuk mund ta kuptonin leximin e ligjit të Perëndisë. Në kapitullin e fundit të librit të tij Nehemia e qortoi popullin ashpër, duke e kujtuar për shembullin e tmerrshëm të mbretit Salomon, i cili, pavarësisht nga urtësia e tij, iu kthye në moshë të thyer perëndive të grave të tij të shumta, e madje bëri diçka që ishte ligësi për Zotin, i cili i ishte shfaqur atij dy herë në moshë të re.

Duke e zbatuar këtë te një i krishterë, është e qartë se partneri ynë duhet të jetë besimtar. «A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?» (Amosi 3:3). Pali, duke u shkruar korintasve, përdor një numër argumentesh të tilla: «Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?» (2 Korintasve 6:14-15). Ku duhet të kërkojmë një partner për jetën? Nëse e kërkojmë në një disko, në një koncert rroku a në një shtëpi publike, nuk ka të ngjarë se do të gjejmë atë që synon Perëndia për ne. Është kënaqësi kur dikush na thotë: «E takova Benin në një takim për lutje», ose «U takuam në një grup për studim biblik». Sigurisht, kjo mund të ndodhë në një familje të krishterë a gjatë një një takimi me familje të tjera të krishtera. Më e rëndësishmja është që të martohemi «në Zotin». Thjesht pse dikush është besimtar, nuk do të thotë se ai ose ajo është automatikisht individi me të cilin Perëndia dëshiron që ne të martohemi. Ky është vendim që nuk duhet bërë duke nxituar. Duhet të njohim jo vetëm individin në fjalë, por edhe rrethin e tij familjar dhe shoqërinë e krishterë ndaj së cilës të gjithëve u bëhet thirrje që të jenë besnikë. Shumë shpesh kjo nuk vihet re, dhe dy të rinj fillojnë jetën së bashku duke shkuar në drejtime të kundërta, ndonëse janë që të dy besimtarë.

Në këtë vendim, ashtu si në të gjitha vendimet e tjera, duhet të jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë, duke e ditur, po të jemi të ndershëm, se kjo duhet të jetë në fund të fundit më e mira për ne. Të mos përsëritim fjalët e një vajze të re, e cila tha: «U bëftë vullneti Yt, o Zot, por më jep Tomin!» Kjo do të thotë të tallesh me përpjekjen për të ditur mendjen e Zotit. Shkrimi thotë: «[Zoti] do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij» (Psalmi 25:9). Shpirti vërtet i përulur ia lë vendimin Perëndisë, dhe Ai nuk do të na zhgënjejë kurrë. Disa i interpretojnë fjalët e Palit te 1 Korintasve 7:16 për të justifikuar martesën me një jobesimtar. Apostulli thotë: «Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose çfarë di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?» Nga konteksti është e qartë se bëhet fjalë për një çift që është martuar kur të dy ishin jobesimtarë, por tani njëri prej tyre është bërë i krishterë.

A duhet të ndahen? Jo, nëse partneri tjetër është i gatshëm të vazhdojë, dhe shpesh kemi parë se si Zoti ka vepruar plot hir në zemrën e tjetrit, saqë ata janë bashkuar përfundimisht në Zotin. Nga ana tjetër, nëse një besimtar martohet me dikë që njihet se është jobesimtar, ose me dikë që nuk e ka rrëfyer pozitivisht Zotin, kjo është një hap mosbindjeje ndaj mësimit të qartë të Biblës. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një barrë e pabarabartë, çka ndalohet shkoqur në tekstin e cituar më lart. Mund të bëjmë pyetjen e drejtuar në një kontekst tjetër: «A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai» (1 Korintasve 10:22).

Shumë veta, ashtu si vetë apostull Pali, janë zgjedhur për një detyrë të veçantë, ku një grua do ta vështirësonte zbatimin e detyrës. Në Dhiatën e Vjetër në mënyrë që të kufizohemi te katër profetë kryesorë, vërejmë se Isaia dhe Ezekieli ishin burra të martuar, por duket se Danielit dhe Jeremias iu mohuan gëzimet e jetës familjare. Shumë gra që kanë marrë thirrjen për t’i shërbyer Zotit si misionare, e kanë pranuar se do të mbeten të pamartuara, edhe nëse mund të kenë pasur plane për martesë, thjesht sepse Zoti u ka kërkuar që ta vënë Atë përpara gjithçkaje tjetër. E dimë se njerëz të tillë do të shpërblehen në në ditë të ardhshme, por edhe tani, në këtë jetë, ata gëzohen ngaqë po përdoren për lavdinë e Tij, dhe, duke cituar përsëri Palin, ata kujdesen për gjërat e Zotit, që të jenë të «shenjtë në trup e në frymë» (1 Korintasve 7:34). Për të gjitha këto çështje, ashtu si për hollësitë më të vogla të jetës, duhet të shtrohet pyetja: «O Zot, çfarë do Ti që të bëj?»

Share|