jump to navigation

Çfarë të japim?

Postuar tek: Martesat Bëhet Në Qiell më: 12, 14, 2009

Asnjë shtëpi nuk mund të drejtohet pa një lloj buxheti, dhe është detyrë e të dy partnerëve që të kujdesen në mënyrë që të jetojnë brenda mundësive të tyre. Edhe në këtë çështje, ashtu si në çdo tjetër, «dashuria është përmbushja e ligjit». Nuk ka arsye pse gruaja të mos blejë për vete rroba të mira herë pas here, as nuk është gabim që burri të blejë një libër, ose të jepet pas një hobi të padëmshëm, nëse e lejon buxheti. Në Dhiatën e Re lexojmë se Perëndia «na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar» (1 Timoteut 6:17), por e njëjta pjesë e Shkrimit vazhdon të na tregojë se ne kemi përgjegjësinë për ta përdorur me mend pasurinë tonë (sado e vogël që të na duket). Prandaj vargu vijues i nxit të kamurit «të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë», d.m.th., ta ndajnë me të tjerët atë që kanë. Siç vë në dukje edhe apostulli, kjo nuk është thjesht një detyrë, por një investim - «duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen», dhe në të njëjtën kohë duke shtënë në dorë atë që është me të vërtetë jetë - «jetën e përjetshme».

Zoti ynë tha se «bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës» (Luka 16:8), dhe vuri në dukje se besnikëria jonë «në të vogla» (në këtë rast pasuri materiale) tregon besnikëri në gjëra frymërore. Jo çdo kryefamiljar shënon llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, por nuk është ide e keqe që të fillohet në këtë mënyrë, që të shmanget hyrja në borxh, e cila prish dëshminë tonë përpara botës.

Lexova dikur për një predikues, tema të cilit titullohej «Paraja». Ligjërata e tij ishte e ndarë në tri pjesë: e para, «Merrni sa të mundni», pastaj «Kurseni sa të mundni» dhe e treta, e cila kishte shqetësuar të paktën njërin prej të pranishmëve, «Jepni sa të mundni». Mund të mos pajtohemi për frymën për të grumbulluar sa më shumë, e cila kishte përshkruar pjesën e parë, por Zoti Jezus nuk ka lënë të dyshojmë se «ka më shumë lumturi të japësh, sesa të marrësh» (Veprat e Apostujve 20:35). Ai dhe dishepujt e Tij nuk ishin kurrë të pasur, por Juda, administratori i tyre, duhet të ketë qenë udhëzuar shumë herë «t’u jepte diçka të varfërve» (Gjoni 13:29) si dhe të blinte atë që nevojitej për festat.

Nën ligjin, populli i Izraelit ishte urdhëruar t’ua jepte të dhjetën e të gjitha të ardhurave levitëve, të cilët, nga ana e tyre, ua jepnin një të dhjetën e tyre priftërinjve. Ne nuk jemi nën ligjin, por besimtari sot ka mundësi të investojë në atë që i sjell Perëndisë lavdi dhe që do të japë fryte për përjetësinë. A mund të japim ne më pak se Izraeli i atëhershëm? Xhepit tonë i bëhen thirrje të ndryshme dhe mund të mos jemi në gjendje të vendosim gjithmonë se çfarë kauze të mbështetim më shumë; por edhe për këtë duhet të lutemi vazhdimisht: «O Zot, çfarë do Ti që të bëj?»

«Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij» (Psalmi 25:14) dhe, po të qëndrojmë pranë Atij, Ai do të na japë urtësi në këtë çështje dhe në çështje të tjera.

Share|