jump to navigation

Ku të jetojmë?

Postuar tek: Martesat Bëhet Në Qiell më: 12, 14, 2009

Jo gjithë të sapomartuarit janë në gjendje të gjejnë një vend të përshtatshëm për të jetuar. Në zgjedhjen e shtëpisë ka natyrisht shumë faktorë që duhen marrë parasysh: punësimi, shërbimet publike, së fundi shkolla – por një pikë shumë e rëndësishme është të jemi afër bashkësisë lokale.

Kur populli i Izraelit po udhëtonte nëpër shkretëtirë, vendi i adhurimit, tabernakulli, ishte në mes të kampit. Priftërinjtë dhe levitët i kishin tendat pranë tij, ndërsa të gjitha fiset e tjera fushuan përreth tyre, tri fise në çdo anë. Kur arritën në tokën e premtuar, Vetë Perëndia e zgjodhi vendin ku do të vinte Emrin e Vet. Jerusalemi, siç mund të shohim në hartë, u vendos aq në qendër, saqë izraelitët mund të vinin në tempull për të festuar Zotin nga çfarëdo zone e vendit.

Zgjedhja e një shtëpie nga e cila bashkësia lokale nuk mund të arrihet me lehtësi, mund të sjellë me kalimin e kohës pjesëmarrje të parregullt në të, dhe madje «shkuarje në kishën pranë shtëpisë» për rehati, duke përfunduar në mosvajtje kurrkund fare. Kjo mund të duket sikur nuk ka të ngjarë dhe si pesimiste, por përvoja tregon se kjo rrjedhë ngjarjesh është mjaft e zakonshme.

Është kënaqësi kur kemi një shtëpi që mjafton nga madhësia për të argëtuar njerëzit e Zotit, por duhet të tregojmë kujdes që të mos jemi krenarë për shtëpinë, sa t’i mbajmë larg të gjithë mysafirët. Qoftë e ngushtë a e gjerë, duhet të mos harrojmë se shtëpia jonë është njëra prej dhuratave të Perëndisë, e cila duhet përdorur ashtu siç na thotë Ai.

Ç’prehje duhet të ketë pasur Zoti ynë i bekuar kur u ftua në shtëpinë e Martës dhe të Marisë a në atë të çiftit mikpritës në Emaus! Apostujt, gjithashtu, u kënaqën kur morën ftesa të tilla, dhe është privilegj të argëtosh ata që janë të Krishtit. Mund të gëzohemi kur i mobilojmë shtëpitë tona me shije, e megjithatë duhet të mos harrojmë se jemi shtegtarë rrugës për në shtëpi. Kur u paraqiti me krenari të dërguarve babilonas thesaret e tij, mbreti Ezekia u pyet: «Çfarë kanë parë në shtëpinë tënde?» Profeti i tha se gjithçka që kishte grumbulluar ai dhe etërit e tij, duhej çuar në Babiloni. Edhe të krishterët duhet t’i mbajnë të gjitha zotërimet tokësore me dorë të liruar, që, në qoftë se Ai na thërret për të braktisur gjithçka, për shembull, për të shkuar dhe për të shërbyer si misionarë, ne të mos i bëjmë zotërimet tona pengesë për t’iu bindur Atij. Ai na i ka dhënë të gjitha me begati për t’i gëzuar, por ato janë ende të Tijat, dhe neve na kërkohet që të jemi kujdestarë besnikë të asaj që na ka besuar Ai.

Share|