jump to navigation

Pjesë të tjera që përdoren për të mbështetur shpëtimin e kushtëzuar

Postuar tek: Një herë në Krishtin në Krishtin përgjithmonë

Në këtë kapitull do të shikojmë pjesë të ndryshme që disa herë përdoren për të mbështetur pikëpamjen e shpëtimit të kushtëzuar. Shumica e tyre nuk përbëjnë qendra për debat, por përsëri do të jetë mirë t’i shqyrtojmë ato dhe të shohim nëse me të vërtetë kanë vlerë për çështjen që shtrohet.

Pjesa e parë është Romakëve 11:22:

Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë; rreptësinë mbi ata që u rrëzuan dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.

Fjalët e fundit në këtë varg “edhe ti do të këputesh” kur merren jashtë kontekstit duken sikur japin një provë se besimtari mund të humbasë. Por nëse duam ta studiojmë Biblën me kujdes, ne duhet t’i interpretojmë këto fjalë në kontekstin e tyre: Kujt u drejtohen këto fjalë dhe ç’do të thotë “të këputesh”? Le të shikojmë rrjedhën e mendimit në këtë kapitull. Tema është e ardhmja e Izraelit. Në nëntë vargjet e para, Pali mëson se Perëndia e hodhi poshtë Izraelin, por jo plotësisht. Apostulli vetë provon se Perëndia kishte ruajtur një mbetje izraelitësh besimtarë.

Vargjet 11 dhe 12 konfirmojnë rënien e Izraelit, por ngulmojnë duke thënë se kjo nuk është përfundimtare. Kombi do të rindërtohet. Ndërkohë, johebrenjtë bekohen. Është e rëndësishme të kujtojmë kontekstin. Këto vargje nuk u shkruhen individëve të krishterë dhe as Kishës. Pali e bën të qartë këtë në vargun 13: “Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve…” Duke thënë këtë ai i dallon johebrenjtë nga hebrenjtë dhe nga kisha e Perëndisë (1 Kor. 10:32).

Pastaj ai përdor figurën e një peme ulliri me degët e saj natyrore dhe pastaj me degët e saj të egra. Trungu i pemës është linja e privilegjit të Perëndisë gjatë shekujve. Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo. Trungu nuk është Izraeli. Trungu është vendi i privilegjuar në mënyrën se si Perëndia trajton njerëzit. Izraeli, degët natyrore, e mbanin këtë vend, vendin e nderit, si populli që Perëndia kishte zgjedhur mbi tokë. Por për shkak të mosbesimit, kombi “u hodh poshtë” ose “u këput” nga pozita e të privilegjuarit dhe johebrenjtë (degët të egra të ullirit, ullastrat) u shartuan. Mund të themi se ata u bënë populli i Tij i pëlqyer. Krishti gjen më shumë besim mes johebrenjve, sesa mes popullit të Izraelit (Mat. 8:10; 15:28). Në këtë kuptim, johebrenjtë qëndrojnë me anë të besimit. Meqenëse hebrenjtë e gjykuan veten si të padenjë për jetën e përjetshme (Vep. 13:46), Perëndia ua dërgoi shpëtimin e Tij johebrenjve (Vep. 28:28).

Por johebrenjtë nuk duhet ta konsiderojnë pozitën e tyre të privilegjuar si diçka të pavlerë. Nëse ata nuk do të vazhdojnë të jenë të hapur ndaj Fjalës së Zotit, ata do të priten. Kjo nuk do të thotë se johebrenjtë e shpëtuar do të humbasin shpëtimin e tyre, por se johebrenjtë si tërësi do të humbasin pozitën e tyre të privilegjuar. Ne e dimë prej pjesëve të tjera nga Shkrimi se kështu do të ndodhë. Ullastrat (johebrenjtë) do të priten dhe Izraeli që do të besojë do të fitojë pozitën e tij të privilegjuar para Perëndisë.

Le të shkojmë te një pjesë tjetër që sjell konfuzion, por në një drejtim tjetër. Kemi trajtuar më parë në këtë libër se fjala “shpëtoj” ka kuptim të gjerë; nuk ka gjithmonë kuptimin e shpëtimit të shpirtit nga ferri. Edhe fjala “humb” ka disa kuptime, siç do ta shikojmë:

Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq. Prandaj le të mos shahet e mira juaj, sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë. Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit. Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit. Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin; vërtet, të gjitha gjëra janë të pastra, por bën keq kur dikush ha diçka që i është pengesë. Është mirë njeriu të mos hajë mish, as të mos pijë verë, as të mos bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë të pengohet, ose të skandalizohet ose të dobësohet. A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton. Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat (Rom. 14:15-23).

Para së gjithash në këtë pjesë Pali po trajton çështje të parëndësishme moralisht siç janë ngrënja e mishit dhe vlerësimi i ditëve. Për këto gjëra rrezikohej të fillonin grindjet midis hebrenjve dhe johebrenjve. Kështu apostulli thotë se megjithëse një njeri mund të ketë liri të krishterë në këto fusha, ai nuk duhet ta përdorë këtë liri, nëse një tjetër pengohet. Dhe nëse ndërgjegjja e një vëllai nuk e lejon atë të hajë mish derri, por vazhdon dhe e ha, ai ka mëkatuar, sepse çdo gjë që nuk bëhet me besim është mëkat.

Problemi që ngrihet ka të bëjë me fjalën “humb” në vargun 15 dhe fjalën “prish” në vargun 20. “Mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq” (vargu 15). “Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin” (vargu 20). Kjo nuk do të thotë se kjo shkakton humbjen e tij në ferr. Kuptimi është të pengosh dikë dhe t’i vesh pengesë rritjes së tij frymërore. Do të thotë të prishësh atë që Perëndia po bën në jetën e një njeriu. Njeriu me ndërgjegje të dobët nuk e humb shpëtimin e tij, por mirëqenia e tij frymërore është ndikuar për keq. Tani le të konsiderojmë një varg tjetër që disa herë përdoret nga arminianët për të mbrojtur tezën e tyre.

Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj, sepse për shkak të besimit ju qëndroni të patundur (2 Kor. 1:24).

Ky varg, sidomos pjesa e fundit, përdoret për të mësuar se shpëtimi i vazhdueshëm varet nga vazhdimësia e besimit. Jemi të shpëtuar vetëm kur vazhdojmë të besojmë. Pali po thotë diçka krejt të ndryshme. Duke folur hapur me korintasit, ai nuk po përpiqej të kontrollonte jetët e tyre. Qëllimi i tij ishte gëzimi i tyre. për sa i përket besimit të tyre, ata qëndronin të patundur. Pali nuk po korrigjonte doktrinën, por sjelljen e tyre. Në pjesën që vijon flitet më shumë për këtë:

Se mos kur të vij sërish, Perëndia im do të më përulë në mes tuaj dhe unë do të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më parë dhe nuk u penduan për fëlliqësinë, kurvërinë dhe shthurjen që praktikuan. Ja, kjo është e treta herë që po vij te ju. «Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve». E thashë edhe më parë, kur isha i pranishëm te ju për të dytën herë, dhe po e them tani që jam larg jush. Po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar më përpara dhe të gjithë të tjerëve se, po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri. Sepse ju kërkoni provën e Krishtit që flet në mua; dhe ai s’është i dobët ndaj jush, por është i fuqishëm në ju. Sepse, megjithëse ai u kryqëzua në dobësinë e tij, ai po rron nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të rrojmë me të nëpërmjet fuqisë së Perëndisë ndaj nesh. Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar (2 Kor. 12:21-13:5).

Është e trishtueshme të themi se besimtarët mund t’i kryejnë tre mëkatet e përmendura te 12:21. Apostulli nuk thotë se ata do të shkojnë në ferr. Por ai paralajmëron se kur të vijë në Korint nuk do t’i kursejë, por do t’i ndëshkojë ata në bazë të dëshmisë së dy a tre dëshmitarëve. Ndërsa thotë këtë, ai e dinte se disa mësues kishin bindur disa nga korintasit se ai nuk ishte apostull i vërtetë. Prandaj ai thotë: “Sepse ju kërkoni provën e Krishtit që flet në mua…analizoni veten tuaj a jeni në besim” (pjesa e fundit e vargut 3 dhe i gjithë vargu 4 janë një fjali e ndërmjetme). Vetë korintasit ishin prova se ai ishte apostull.

Ai i kishte çuar te Qengji i Perëndisë (1 Kor. 9:2) dhe ai vetë u kishte shërbyer si babai i tyre frymëror. Prandaj ai thotë: “Analizoni veten tuaj a jeni në besim. A thua nuk e njihni veteveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar. Por unë shpresoj se ju do ta njihni se ne nuk jemi të përjashtuar” (vargjet 5b-6). Nëse Krishti nuk ishte në ta, ata nuk e kalonin provën e të qenurit besimtarë. Por ata e dinin se Krishti ishte në ta dhe kjo kishte ndodhur nëpërmjet shërbesës së Palit. Pra, në fund të fundit, ai nuk ishte skualifikuar si apostull. Le të shkojmë te Letra që Pali u drejton Galatasve. Në këtë letër ai po korrigjonte një problem tjetër: herezinë e shpëtimit me anë të veprave.

Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri (Gal. 5:4).

Ky varg ka qenë një varg i preferuar për ata që besojnë në shpëtimin e kushtëzuar. Ata e citojnë këtë pjesë për të treguar se kur një i krishterë mëkaton, ai bie poshtë nga hiri dhe për këtë arsye nuk është më i krishterë.[1] Por a e thotë këtë gjë kjo pjesë?

Është e qartë se apostulli nuk po u flet të krishterëve. Shprehja “ju kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit” provon se ata nuk ishin shfajësuar kurrë. Ata ende po përpiqeshin të konsideroheshin të drejtë para Perëndisë. Por ata po përpiqeshin në mënyrën e gabuar, rrugë që nuk do t’i çonte kurrë në shfajësim, sepse është e pamundur të shfajësohesh duke zbatuar ligjin. “Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para Tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit” (Rom. 3:20).

Ata që kërkojnë të shfajësohen duke zbatuar ligjin janë ndarë nga Krishti. Kjo nuk do të thotë se njëherë ata ishin në Krishtin dhe pastaj u ndanë prej Tij. Përkundrazi do të thotë se ata vetë e ndanë veten nga çdo e mirë që mund të merrnin prej Krishtit. Ata duhet të zgjidhnin mes Krishtit dhe ligjit. Nëse zgjedh njërin, ndahesh nga tjetri. Mund të zgjedhësh ose njërin, ose tjetrin; nuk mund t’i kesh të dy. Krishti duhet të jetë ose gjithçka, ose asgjë.

Disa mund të pyesin pse Pali u drejtohet të pashpëtuarve në një letër që është e qartë se është për të krishterët. Apostulli ishte realist. Ai e dinte se në shumë, për të mos thënë në pjesën më të madhe të kishave kishte një “turmë të përzier”, besimtarë të vërtetë dhe njerëz që nuk kishin rilindur kurrë. Kjo ishte e vërtetë edhe për kishat në Galati; ato ishin mashtruar nga mësues të rremë që predikonin një ungjill të rremë. Prandaj ai nuk hezitoi të përfshinte mes lexueve të tij edhe jobesimtarët.

Pjesa që vijon, Ef. 3:17, përdoret nga ata që besojnë në shpëtimin e kushtëzuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë si 2 Kor. 1:24, që është trajtuar më lart:

Që Krishti të banojë në zemrat tuaja nëpërmjet besimit… (Ef. 3:17a).

Është gabim të thuhet se kjo pjesë nënkupton se Krishti banon në zemrat tona për aq kohë sa ne vazhdojmë të besojmë. Gabimi qëndron në dy pika të rëndësishme. Së pari, kur Krishti banon[2] në jetën e një besimtari, Ai nuk largohet kurrë. Ai ka premtuar: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Heb. 13:5b). Dhe përsëri: “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mat. 28:20).

Së dyti, ideja se një i krishterë i vërtetë vendos të mos besojë më, nuk gjendet në Shkrim. Ne jemi të shpëtuar nëpërmjet besimit, ne jetojmë nëpërmjet besimit (Gal. 2:20). Ai që na e jep jetën e përjetshme si një dhuratë falas na garanton se do të na mbajë që ta gëzojmë atë përgjithmonë. Nëse shpëtimi ynë do të varej nga vazhdimësia jonë besnike, do të ishte diçka e pasigurt. Por kur ky shpëtim është vetëm nga Perëndia, ai është krejtësisht i sigurt.

Në letrat që Pali i dërgoi Timoteut, ka disa pjesë ku Pali e udhëzon Timoteun për rreziqet e mënyrës së gabuar të jetës dhe mësimet e rreme. Cilat ishin këto rreziqe? Le t’i shohim:

Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe për më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më keq se një jobesimtar (1 Tim. 5:8).

Kur në bashkësi ka të veja që kanë nevojë që dikush të kujdeset për to, përgjegjësia bie së pari mbi ata të shtëpisë së tyre dhe të afërmit. Nëse dikush refuzon të mbajë një të ve që e ka të afërme, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar. Në çfarë kuptimi e ka mohuar ai besimin? Ai ka vepruar në një mënyrë që është krejtësisht në kundërshtim me gjithçka që mësojnë mësimet e krishtera. Nuk thuhet se ai e ka hedhur tutje besimin e tij. Ai ka vepruar në një mënyrë egoiste, pa dashuri dhe pa kujdes.

Në ç’kuptim është ai më i keq se një jobesimtar? Në këtë kuptim: jobesimtarët kujdesen për ata që duan dhe që janë të familjes së tyre, kur këta njerëz janë të varfër e nevojtarë. Ata tregojnë një sjellje më njerëzore se ky i krishterë i papërgjegjshëm. Vargu nuk ka të bëjë aspak me shpëtimin e besimtarit. Në këtë pjesë nuk lihet të kuptohet se ai mund ta humbasë shpëtimin nëse nuk përkujdeset për nënën e tij që është e ve. Megjithatë, qortimi i fortë i Palit duhet ta zgjojë nga mosbindja e tij.

Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe në shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e të gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje. Por ti, o njeri i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë. Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve (1 Tim. 6:9-12).

Duke e paralajmëruar Timoteun për lakminë për para, Pali thotë se ata që lakmojnë të pasurohen bien në pasione që e çojnë njeriun në rrënim dhe shkatërrim. Fjalët e fundit nuk kanë si kuptim humbjen e qenies, por humbjen e mirëqenies. Ato tregojnë rrënimin e qëllimit të jetës së tyre. Për një besimtar ato mund të kenë kuptimin e humbjes së familjes, parave, shtëpisë dhe dëshmisë.

Mund të përfshijnë edhe burgosjen për përfitim, ryshfet, përvetësim a vjedhje. Lakmia për para i largoi disa nga besimi. Ata u larguan, lanë rrugën e lartë të shenjtërisë për t’u endur në fushat e mëkatit. Ata nuk i mohojnë bazat e besimit të krishterë, por nga ana tjetër nuk jetojnë në mënyrë të denjë për Ungjillin. Ata akoma mund të kenë besim, por ata nuk ecin siç duhet sipas besimit.

Timoteu i ri nuk duhet të jetë një kontradiktë e tillë; por duhet të nderojë doktrinën. Ai duhet të rrokë jetën e përjetshme “duke përvetësuar të gjitha të mirat, privilegjet dhe përgjegjësitë që ajo sjell” (W.E. Vine). Asgjë në vargun 12 nuk të lë të kuptosh se Timoteu duhet ta rrokë jetën e përjetshme nëpërmjet karakterit të tij ose veprave. Ai tashmë e kishte atë, por Pali e inkurajonte ta gëzonte atë në maksimum këtu dhe tani.

Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar, të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë, duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme (1 Tim. 6:17-19).

Këtu të krishterët e pasur mësohen ta rrokin jetën e krishterë jo duke mbledhur paratë e tyre, por duke bërë të mira, duke u bërë të pasur në vepra të mira, duke qenë të gatshëm për dhënë dhe për të ndarë me të tjerët. Ky nuk është shpëtim me anë të veprave, por fryt i shpëtimit.

O Timote, ruaj atë që të është besuar, duke u shmangur nga fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë, të cilën e përqafuan disa dhe dolën nga besimi (1 Tim. 6:20-21a).

Pali përdor përsëri figurën e daljes nga besimi. Disa nga të krishterët në Efes kishin pranuar fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë. Të merresh me biseda të paperëndishme dhe mësime kontradiktore që në mënyrë të rreme quhen shkencë, do të thotë të gabohesh për sa i përket besimit. Përsëri nuk është fjala për shpëtimin e përjetshëm, por për devijimin nga doktrina kryesore.

Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërrasin në ndihmë Zotin me zemër të pastër. Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje. Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij (2 Tim. 2:22-26).

Mendohet se vargjet 25 dhe 26 tregojnë se të shpëtuarit mund ta humbasin shpëtimin duke rënë në lakun e djallit. Por a thuhet me të vërtetë kështu? Kjo pjesë i tregon Timoteut si të veprojë me ata që flasin kotë dhe shkaktojnë përçarje në bashkësi. Ata drejtohen nga Satani për të shkaktuar grindje e ndarje. Timoteu duhet t’i trajtojë ata me durim, përulësi dhe me hir, duke shpresuar se ata do të pendohen për marrëzinë e tyre dhe do ta njohim të vërtetën. Atëherë ata do ta kuptojnë se po silleshin si shërbëtorë të djallit duke e ndihmuar atë në punën e tij të ligë për të shkaktuar përçarje mes popullit të Perëndisë.

Përsëri, pjesa nuk provon se njerëzit e shpëtuar mund të humbasin, po tregon se ata mund të shkaktojnë grindje për çështje të parëndësishme dhe kështu mund të bashkëpunojnë me qëllimin e Satanit. Jakobi ua shkroi letrën e tij lexuesve që deklaronin se ishin besimtarë. Fatkeqësisht, shumë nga ata jetonin në një mënyrë të tillë sa shpëtimi i tyre vihej në pikëpyetje. Prandaj nuk duhet të habitemi që kjo letër përmban disa paralajmërime me fjalë therëse:

Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan. Askush kur tundohet të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia», sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vetë nuk tundon asnjeri. Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si kryhet, ngjiz vdekjen (Jak. 1:12-15).

Në vargun 12, Jakobi mund të jetë duke folur ose për sprova të shenjta, ose për tundime të pashenjta. Në gjuhën origjinale është e njëjta fjalë. Ai që ngulmon në këto do të marrë si shpërblim kurorën e jetës, jo jetën e përjetshme. Flitet për shpërblimet, jo për shpëtimin.

Vargjet 13-15 flasin qartë për tundimet e pashenjta. Ato nuk vinë nga Perëndia, por nga natyra e rënë e njeriut. Jakobi e krahason rrjedhën e mëkatit me jetën njerëzore: ngjizja, lindja, rritja dhe në fund vdekja. Ai nuk nënkupton se sa herë që një i krishterë mëkaton, ai vdes. A nuk premtoi Jezusi se ai që ha nga buka që vjen nga lart nuk do të vdesë (Gjo. 11:26)?

Jakobi e dinte shumë mirë se dikush mund të ishte besimtar e përsëri të mëkatonte. Pse, pra, paralajmëroi se mëkati në fund sjell vdekjen? E bëri këtë për t’u kujtuar lexuesve sa i neveritshëm është mëkati. Në rastin e besimtarëve të vërtetë, mëkatet e tyre shkaktuan vdekjen e Zëvendësuesit Hyjnor. Në momentin që ata besuan në Krishtin, ata vdiqën në Të. Në rastin e atyre që vdiqën jashtë Krishtit, mëkatet e tyre shkaktojnë vdekjen e përjetshme. Pra, vdekja është gjithmonë pagë e mëkatit (Rom. 6:23), ose vdekja e Zëvendësuesit, ose vdekja e mëkatarit.

Nëse një njeri pretendon se është i shpëtuar edhe pse jeta e tij sundohet nga mëkati, ai tregon se dëshmia e tij është e rreme. Ai kurrë nuk ka qenë besimtar, dhe nëse nuk pendohet dhe nuk beson në Krishtin, ai është i dënuar përgjithmonë.

O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë. Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: «Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë»? Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: «Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve». Nështrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju. Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë (Jak. 4:4-10).

Ngrihet pyetja: “Në këto vargje, kujt i drejtohet Jakobi – të krishterëve apo jobesimtarëve?” Përgjigjja është se me qëllim ai është i dyanshëm. Jakobi është një dishepull që kërkon një provë. Ai do prova nga një njeri që deklaron se ka besuar, sepse “besimi pa vepra është i vdekur” (Jak. 2:26).

A do t’u drejtohej ai besimtarëve me fjalët “shkelës të kurorës”? Ka mundësi që po. Ndonjëherë është e nevojshme të përdoren fjalë të forta që të zgjohen njerëzit. Më kujtohet një herë kur Dr. Donald Grey Barnhouse po u drejtohej të krishterëve në Çikago për gjendjen në qytet dhe duke bërtitur tha: “Kush e ka fajin për këtë? Ju, o fondamentalistë të paperëndishëm!” Ai përdori hiperbolën apo ekzagjerimin e frytshëm për t’i tronditur të krishterët që këta të fundit të
viheshin në lëvizje.

Pra, Jakobi po i paralajmëron njerëzit për miqësinë me botën. Ajo është armiqësi me Perëndinë. Kuptimi është i qartë: Nëse je miku i botës, atëherë mos moho që je armiku i Perëndisë! Vargu 5 është i vështirë. Më lejoni të jap dy interpretime të zakonshme.

1. A mendoni se prania e Frymës do të krijojë ose do të çojë në miqësi me botën?
2. A mendoni se Shkrimi thotë më kot se Fryma e Shenjtë lakmon deri në smirë për një kushtim të plotë ndaj Zotit? (Asnjë varg në Bibël nuk e shpreh këtë koncept me kaq shumë fjalë, por sigurisht që kjo është përmbajtja e Shkrimeve).

Asnjë nga shpjegimet nuk ka të bëjë me diskutimin tonë për sigurinë e përjetshme. Fakti është se ne, si besimtarë, jemi të tërhequr dhe të ndikuar nga bota më shumë se sa duam ta pranojmë. Diku ka një vijë ndarëse që kur kalohet e bën njeriun mik e të dashur të botës. Asnjë se di ku është kjo vijë. Të krishterët duhet të rrinë sa më larg që të jetë e mundur prej saj.

Në betejat frymërore të jetës, Perëndia u jep hir atyre që nuk kanë besim në vetvete dhe nuk janë arrogantë. Ne duhet t’i nënshtrohemi Perëndisë dhe t’i themi “Jo!” djallit. Kur ecim në bashkësi me Zotin, mund të jemi të sigurt për praninë dhe afërsinë e Tij të veçantë. Në vargun 8b, Jakobi u drejtohet lexuesve duke i quajtur mëkatarë dhe njerëz me dy mendje. A mund të jenë këto epitete të vërteta për bijtë e Perëndisë? Po! Mëkatarët këtu janë njerëz që kanë nevojë të pastrojnë duart dhe njerëzit me dy mendje janë ata që kanë nevojë të pastrojnë zemrat. A mund të jenë të krishterët fajtorë për vepra dhe shtysa të papastra? Po. Atëherë, emërtimi u shkon. Dy vargjet e fundit përshkruajnë pendimin dhe thyerjen e vërtetë. Ato janë rruga për shërimin frymëror.

Tani le të shkojmë te Letra e Parë e Pjetrit. Ai e përshkruan besnikërinë e Zotit ndaj nesh dhe përgjegjësinë tonë ndaj Tij në këtë mënyrë:

Që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit. Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme, që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit, të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megjithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme, duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave… Prandaj, ngjishni ijet e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do të vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit (1 Pje. 1:5-9, 13).

Kjo është një pjesë e fortë për sigurinë e përjetshme të besimtarit. Na siguron pa kushte se për ne ruhet një trashëgim të lavdishëm dhe se ne ruhemi për trashëgimin. Megjithatë, ata që besojnë në shpëtimin e kushtëzuar theksojnë shprehjen “që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur për shpëtimin” dhe argumentojnë se jemi të shpëtuar për aq kohë sa vazhdojmë të besojmë. Cila është përgjigjja? Ideja se një besimtar i vërtetë pushon së besuari është një hipotezë. Bibla nuk flet për diçka të tillë. Është e paimagjinueshme që një njeri në të cilin banon Krishti mundet ose arrin ta nxjerrë Atë jashtë.

Kur një njeri shpëtohet, Shpëtimtari ka përgjegjësinë e plotë dhe është Shpëtimtari ai që i jep atij garancinë se nuk do të humbasë kurrë. Në kohë depresioni dhe dobësie mendore, biri i Perëndisë mund të dyshojë për shpëtimin e tij, por çfarë lehtësimi është të dijë se Jezusi e mban fort! Ne nuk ndihmojmë për shpëtimin tonë me anë të besimit. Besimi është thjesht dora e hapur që pranon atë që Perëndia na jep. Ne jemi të shpëtuar nëpërmjet besimit dhe jetojmë nëpërmjet besimit (Gal 2:20). Besimi nuk na jep merita. Të gjitha meritat i takojnë Krishtit, objektit të besimit. Kështu, nëpërmjet besimit ne pranojmë faktin se ruhemi me anë të fuqisë së Perëndisë për shpëtim në kohën e ardhshme të tij, domethënë shpëtim prej pranisë së mëkatit në qiell.

Ndërkohë ne kalojmë prova që provojnë vëretësinë e besimit tonë. Besimi ynë, dhe jo ne vetë, provohet me anë të zjarrit. Kur provohet se është i vërtetë, ai i jep lëvdim, nder e lavdi Zotit Jezus dhe neve gjithashtu. Ne nuk e kemi parë Atë ende, por besimi na e bën Atë real dhe ne e duam. Ne jemi të mbushur me hare të lavdishme duke marrë përmbushjen e besimit, shpëtimin e shpirtrave.

Në vargun 13, fjala “shpresë” përdoret nga arminianët për të krijuar një pasiguri për shpëtimin përfundimtar. Ky është një rast tjetër ku përkufizimet janë thelbësore. Shpresa e të krishterit është hiri që ai do të marrë në zbulesën e Jezu Krishtit, me fjalë të tjera, gjendja e përlëvduar. Nuk ka asnjë dyshim e asnjë pasiguri të lidhur me shpresën për këtë. Ajo është e bazuar në Fjalën e pagabueshme të Perëndisë dhe prandaj është aq e sigurt sikur të kishte ndodhur tashmë.

Dy pjesët e fundit kanë të bëjnë me paralajmërime për ata që shtrembërojnë Fjalën e Perëndisë:

Ashtu si bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për humbjen e tyre. Ju, pra, shumë të dashur, duke i ditur këto gjëra, ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj, të tërhequr nga gabimi i të pabesëve (2 Pje. 3:16-17).

Pali përshkruan njerëzit që marrin pjesë nga Shkrimi që trajtojnë doktrina të rëndësishme të Biblës dhe i shtrembërojnë ato që të thonë atë që ata duan të thonë. Ata e shtrembërojnë me qëllim Fjalën për të mësuar atë që është gabim dhe kjo çon në humbjen e tyre. Besimtarët paralajmërohen për ata që i trajtojnë Shkrimet në këtë mënyrë, që të mos tronditet themeli i tyre i fortë i besimit dhe të mos ndoten nga mësimet e rreme. Këtu nuk flitet për të krishterë që humbin shpëtimin e tyre. Është e mundur që besimi i një njeriu të ndotet e ky njeri të mos e mohojë besimin.

Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t’u shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër (Zbu. 22:18-19).

Është diçka serioze të shtrembërosh Fjalën e Perëndisë, ose duke shtuar me ligësi, ose duke hequr prej saj. Personi që e bën, vepron sikur ai di më shumë dhe më mirë se Perëndia. Ai është një arrogant jobesimtar. Dënimi për atë që u shton Shkrimeve është shtimi i plagëve. Dënimi për atë që i heq nga Shkrimet është heqja e pjesës prej pemës së jetës,[3] prej qytetit të shenjtë dhe prej bekimeve të përshkruara në Bibël.

Çdokush mund të ketë pjesë në pemën e jetës nëse pendohet për mëkatet e tij dhe pranon Krishtin si Zot dhe Shpëtimar, por duke qenë krejtësisht mosbesues dhe duke u përpjekur të “rishkruajë” Shkrimet, ky njeri nuk mund të arrijë deri aty. Ai nuk mund të pretendojë për shpëtimin e tij. Ai i është hequr. Vargu 19 nuk flet për një njeri që mund të ketë qenë i krishterë dhe pushon së besuari; ai flet për një jobesimtar që mohon se Bibla është e frymëzuar dhe e pagabueshme.

Shënime
1. Ky mësim njihet me emrin “doktrina e rënies nga shpëtimi”.
2. Është e nevojshme të thuhet se fjala “banon” përdoret në një formë më të theksuar se sa folja në origjinal. Kuptimi mund të jetë edhe “vendosem” ose “ndihem si në shtëpi”.
3. Shumica e përkthimeve përdorin shprehjen “pema e jetës” në vend të shprehjes “libri i jetës”, por kjo nuk ndikon drejtpërdrejt mbi trajtim e problemit.