Si u Mblodh Bibla
Postuar tek: Kujdes Me BiblënKapitullin e parë e filluam duke bërë pyetjen e thjeshtë por themeltare: Pse e kemi Biblën? Jemi mësuar kaq shumë me ekzistencën e saj saqë rrallë, për të mos thënë kurrë, ndalemi për ta bërë këtë pyetje.
Por ka dhe një pyetje tjetër themelore që duhet të bëjmë. Si u mblodh Bibla – këta gjashtëdhjetë e gjashtë libra të ndryshëm të shkruar gjatë një periudhe shumëshekullore – në një vëllim të vetëm?
A të dhanë, kur ke qenë i ri, një kartë të vogël me një pikturë të një rafti librash të ndarë në një sërë seksionesh, ku secili përmban libra të ndryshëm të Biblës? A ishin këto seksione të titulluara ‘historia’, ‘poezia’, ‘biografia’ e kështu me radhë? Kjo kishte për qëllim të na mësonte se Bibla nuk është një libër i vetëm, por një përmbledhje librash, një librari e së vërtetës së Perëndisë e përpiluar gjatë shumë viteve, që përmban lloje të ndryshme literature. Por nga e dimë ne se cilët libra duhet të jenë në librari? Si e gjetën vendin e tyre gjashtëdhjetë e gjashtë librat që kemi? Si mund të jemi të sigurt se ne kemi librat e duhur? A mund t’i shtojmë libra të tjerë Biblës? Dhe, tek e fundit, ç’rëndësi praktike ka kjo?
Tridhjetë e nëntë Nenet e Anglikanizmit, dhe Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë (Gal. 6:16). Gjatë shekujve të parë të jetës së kishës, ajo filloi të përdorej për përmbajtjen e Dhiatës së Re: së bashku ato formuan ‘rregullën e besimit dhe jetës’ me të cilën e gjithë kisha dhe të krishterët personalisht qeverisnin jetën e tyre. (1643) i Presbiterianizmit na tregojnë të dyja se gjashtëdhjetë e gjashtë librat që ne kemi në Bibël formojnë ‘Kanunin’ e Dhiatës së Vjetër dhe të Re. ‘Kanuni’ është një fjalë greke. Ajo do të thotë stap, apo shkop i drejtë. Ajo filloi të përdorej, natyrisht, si një fjalë për masë, apo rregull, dhe kështu për një rregull veprimi. Ajo përdoret në Dhiatën e Re në këtë kuptim (2 Kor. 10:13,15,16), dhe më qartë në fjalët mbyllëse të Palit drejtuar Galatasve:
Por si erdhën në ekzistencë Dhiata e Vjetër dhe e Re?
Kanuni i Dhiatës së Vjetër
Moisiu u urdhërua të shkruantë në një formë të qëndrueshme zbulesën që Perëndia i dha atij: Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: “Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë”. Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit. (Eksodi 24:3,4)
Kur Ligji i Përtërirë regjistron fazën përfundimtare të jetës së Moisiut, ai na tregon për rregullimet që ai bëri për udhëheqësinë e ardhshme të popullit të Perëndisë. Ai i foli Jozueut në një mbledhje të madhe publike, ia caktoi ofiqit të udhëheqësit, dhe e siguroi për ndihmën e Perëndisë. Por ai bëri dhe një furnizim tjetër për popullin:
Kështu Moisiu e shkrojti këtë ligj dhe ia dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbajnë arkën e besëlidhjes të Zotit dhe të gjithë pleqve të Izraelit. Pastaj Moisiu i urdhëroi ata, duke thënë: “Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktuar si vit i faljes, në festën e Kasolleve, kur tërë Izraeli do të vijë të paraqitet përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve. Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji, kështu që bijtë e tyre që akoma nuk e njohin, të dëgjojnë Zotin, Perëndinë tuaj, dhe të kenë frikë prej tij, për të gjithë kohën që do të jetojnë në vendin që ju po hyni ta pushtoni, duke kaluar Jordanin.” (Ligji i Përtërirë 31:9-13)
Në të vërtetë, megjithëse Perëndia caktoi një udhëheqës dhe i dha njerëzve një Shkrim, ai e bëri të qartë se ky i fundit ushtron gjithnjë autoritet mbi të parin. Fjala e tij për Jozueun në fillim të shërbimit të tij ishte:
Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh. (Jozueu 1:7,8)
Fjala e Perëndisë, në formë të shkruar, si Shkrim, u bë rregulla me të cilën Jozueu dhe i gjithë populli i Perëndisë duhej të qeverisnin jetën e tyre. Ajo duhet të ishte ‘Bibla’ e tyre.
Gjatë leximit të mëtejshëm të faqeve të Dhiatës së Vjetër zbulojmë se e gjithë jeta e Izraelit përcaktohet nga besnikëria, ose jobesnikëria e tyre ndaj kësaj urdhërese të Zotit. E gjithë historia interpretohet prej këtij parimi; i gjithë adhurimi është një pasqyrim i tij. Çelësi për të kuptuar mesazhin e profetëve është se ata janë njerëz të dërguar nga Perëndia për të theksuar dështimin e popullit për të ecur sipas fjalës së Perëndisë; ata i paralajmërojnë ata se gjykimet që ai premtoi për të pabesët janë shfaqur tashmë në horizontin e historisë. I njëjti Perëndi i cili foli duke dhënë Ligjin po flet përsëri nëpërmjet profetëve. Ai i thërret njerëzit që t’i kthehen besnikërisë ndaj detyrimeve të tyre të besëlidhjes dhe bindjes ndaj Ligjit. Si rrjedhim, njerëzit besimtarë të kohës së Dhiatës së Vjetër e panë se e njëjta fjalë e Perëndisë që dëgjohej në shkrimet e Ligjit dëgjohej edhe në predikimet e profetëve.
Çifutët vlerësuan diçka që shpesh u shpëton lexuesve joçifutë të Biblës. Ata i përfshinë librat e tillë si Jozueu, Samueli, Mbretërit dhe Kronikat në Profetët. Ata e kuptuan se parimet që përshkruheshin kaq qartë në predikimin e profetëve ishin po kaq fuqimisht të pranishme në mënyrën me të cilën ‘librat historikë’ të Dhiatës së Vjetër e regjistruan historinë kombëtare. Ata u shkruan nga pikëvështrimi i Ligjit të Perëndisë. Shfaqja e profetëve të tillë si Elija dhe Eliseu në kronikat e marrëdhënieve të Perëndisë me popullin e tij ishte thjesht maja e aisbergut. Perëndia po e gjykonte gjithnjë popullin e tij nën dritën e Ligjit, madje edhe kur ai nuk dërgonte asnjë lajmëtar për t’i kujtuar ata se kishin ngritur krye kundër tij.
Kështu, shohim tashmë se në ‘kanun’, Shkrimet që Perëndia po i jepte popullit të tij, kishte dy ndarje. Ishte Ligji, dhe pastaj duke u zhvilluar prej tij, Profetët. Këtyre iu shtuan ato që u bënë të njohura si ‘Poezia’; libra si Psalmet dhe Fjalët e Urta, libri i Jobit, Ruthi, Kantiku i Kantikëve, Vajtimet, Predikuesi dhe Esteri. Ka një mister të madh për mënyrën me të cilën këta libra në veçanti arritën të konsideroheshin si Shkrime. Pesë librat e fundit (të njohur si Pesë Rrotullat) kanë qenë të lidhur për shumë shekuj me Festimet e mëdha çifute. Për një kohë të gjatë ata u lexuan publikisht në raste të tilla, dhe u përdorën si shembuj të rrugëve të Perëndisë me njerëzit. Ata ishin protrete grafike të parimeve të shtjelluara në Ligj dhe të theksuara në Profetët.
Mund të mos jemi në gjendje t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve rreth mënyrës se si këta libra u bënë pjesë e Biblës. Ajo që është megjithatë e qartë, është se me kalimin e kohës populli i Perëndisë e kuptuan se ata i transmetonin njerëzimit zërin e vërtetë të Perëndisë. Me gjithë ndryshimet e tyre në autorësi, stil, lloj literature dhe kohë, ata i bashkonte një fill bashkues. Kjo filloi të njihej nga zemra e dëgjuesit besnik: zëri i Perëndisë foli me një autoritet të palëkundur; të njëjtat parime që ai u kishte dhënë në mënyrë dramatike njerëzve në Sinai shfaqeshin dhe ilustroheshin në këtë librari shkrimesh të ndryshme.
Gjatë shekullit të parë pas Krishtit, Rabinët çifutë u takuan në Xhamnia dhe diskutuan përmbajtjen e Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër. Ata nuk po kërkonin dhe aq të formulonin kanunin e Dhiatës së Vjetër, sesa të diskutonin nëse librat që përgjithësisht njiheshin si Shkrime të Dhiatës së Vjetër ishin në fakt librat të cilët duhet të njiheshin si të tillë apo jo. Shumë kohë më vonë, gjatë Reformacionit Protestant, kur mësimi i pranuar për një kohë të gjatë i Kishës Romake mbi kanunin e Shkrimit u vu në dyshim, pati një diskutim të mëtejshëm për të.
Megjithatë, për shumicën e të krishterëve është e mjaftueshme të dihet se Dhiata e Vjetër që ne kemi është, me aq sa mund të themi me siguri, e njëjta Dhiatë e Vjetër që përdori vetë Jezusi. Ai citoi lirshëm pjesë të ndryshme të Dhiatës së Vjetër si fjala e Perëndisë apo Shkrimi. është e qartë që ai e pranoi pikëpamjen e bashkëkohësve të tij se ajo ishte e gjithë-frymëzuar dhe përfundimisht e autoritetshme. Nuk ishte përmbajtja e Shkrimit (kanuni) ajo për të cilën ishin në kundërshti Jezusi dhe farisenjtë, por interpretimi i tij (dhe përfundimisht, pra, autoriteti i tij, meqë ata nuk e lejonin Shkrimin që t’u interpretohej vetë atyre). Kështu Zoti ynë foli për origjinën hyjnore të Pentateukut (p.sh., Mat. 19:4,5); ai foli herë pas here për nevojën që profecitë të përmbusheshin; ai komentoi mbi mënyrën me të cilën shkrimi i Davidit ishte i frymëzuar nga Fryma (Marku 12:36). Kur u takua me dy dishepujt në rrugën për në Emaus ai filloi nga Moisiu dhe nga gjithë profetët dhe shpjegoi se fjalët e tyre ishin vetëm përgatitja e ardhjes së tij (Lluka 24:27). Më vonë atë mbrëmje, Jezusi i ringjallur tregoi më qartë:
‘Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet.’ Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet. (Lluka 24:44,45)
Bibla e Jezusit dhe Dhiata jonë e Vjetër ishin të njëjta. Bibla e tij nuk ishte një libër i vetëm, por shumë rrotulla; Bibla e tij ishte e ndarë në tri ndarje të mëdha, ndryshe nga e jona. Librat kishin një renditje të ndryshme. Por përmbajtja ishte e njëjtë, dhe mbi këtë përmbajtje ai vendosi firmën e tij: ‘Kjo është fjala e Zotit’. Atë që ai e mendoi si fjala e Perëndisë edhe ne mund ta quajmë me mirëbesim ‘fjala e Perëndisë’.
Kanuni i Dhiatës së Re
Ndoshta keni dëgjuar të thuhet (ose e keni menduar edhe vetë), se nëse apostujt do të mund të shihnin se sa thellë studiohen shkrimet e tyre, pothuaj dy mijë vjet pas vdekjes së tyre; apo, nëse ata do të kishin mundësi të ktheheshin sot në kishë, do të mrekulloheshin kur të zbulonin se çfarë ndodhi me letrat e tyre. Ata nuk e prisnin kurrë që ne do t’u vinim kaq shumë rëndësi!
Por, kur hapim vetë Dhiatën e Re për të parë se çfarë na mëson ajo për qëndrimin e shkruesve kundrejt asaj që ata shkruan, ne zbulojmë se e kundërta është e vërtetë. Asgjë nuk do t’i habiste më pak apostujt sesa zbulimi se të krishterët po lexojnë akoma atë që shkruan ata. Asgjë nuk do t’i hidhëronte ata më shumë sesa kur të na shihnin se sa pak kujdes i kushtojmë shpesh mësimit të tyre. Ata e dinin se ajo që po shkruanin ishte një shtesë në fjalën e Perëndisë.
Ky mund të duket një pohim ekstrem, por nuk është i vështirë për t’u vërtetuar. Ai është një pohim kaq i rëndësishëm saqë ne duhet ta konsiderojmë më tej.
Kur autorët e Dhiatës së Re shkruan, ata e bënë këtë me qëllim që t’u komunikonin Ungjillin bashkëkohësve të tyre të atëhershëm. Por duke vepruar kështu, ata ishin të dijshëm se ajo që shkruan ishte më shumë sesa thjesht një shprehje personale e dëshmisë së tyre për Krishtin. Ajo duhej të merrej dhe lexohej si një mësim i autoritetshëm. Kështu, për shembull, Pali u thotë të krishterëve të rinj në Thesalonik: Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t’u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë (1 Thes. 5:27). Një thënie e ngjashme shfaqet në fund të Kolosianëve (4:16).
Në fund të Letrës drejtuar Romakëve ka një thënie tjetër e cila i jep peshë kësaj pikëpamjeje. Duke folur për Ungjillin e Krishtit, Pali thotë se ai tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshëm dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t’i sjellë në dëgjesën e besimit (Rom. 16:26). Këto fjalë na kujtojnë atë që shkroi ai në Efes. 3:3-6 për zbulesën që Perëndia i kishte dhënë atij. Ajo zbulesë është e shkruar tani – dhe përfshihet në ‘Shkrimet e profetëve’. Pali nuk mund ta kishte përdorur kurrë një shprehje të tillë, kaq të ngjashme me mënyrën me të cilën ai përshkruan shkrimet e Dhiatës së Vjetër, nëse ai nuk do ta kishte kuptuar rëndësinë e asaj që ai vetë po shkruante.
I njëjti sens i autoritetit hyjnor shfaqet nga fundi i diskutimit të tij të gjatë për vendin dhe përdorimin e dhuntive frymërore: Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. Dhe nëse dikush është i paditur le të jetë i paditur. (1 Kor. 14:37,38) Prova e të qenit vërtet frymëror nuk është ushtrimi i dhuntive frymërore, por pranimi plot gëzim se fjala e letrës së apostullit është gjithashtu fjala e Zotit! është e vështirë të imagjinohet ndonjë pohim më i fortë për autoritetin e qëndrueshëm të Dhiatës së Re dhe të vlefshmërisë së saj për kishën.
Pohime të ngjashme shfaqen në korrespondencën me Thesalonikun:
Prandaj dhe ne e falënderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni. (1 Thes. 2:13)
Dhe në qoftë se dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet. (2 Thes. 3:14)
Kjo nuk duhet të na habisë. Ideja e një apostulli në Dhiatën e Re është e atij që është i dërguar. Ai vishet me autoritetin e atij që e dërgoi – në këtë rast, vetë Krishti. Kjo është arsyeja që Pali nganjëherë e mbron pushtetin e tij apostolik kaq fort (krahaso 1 Kor. 9:1 e sipër; Gal. 1:1,11-24). Këtë ai e bën jo ngaqë është i shqetësuar për namin e tij personal, siç e bën të qartë (në 2 Kor. 11, 12), por sepse ai është thellësisht i shqetësuar që fjala e Zotit nëpërmjet tij të mos braktiset, injorohet apo përbuzet. Ai është po aq apostull sa dhe apostujt e tjerë. Ai e transmeton fjalën e autoritetshme të Mjeshtrit, po ashtu si ata (krah. Mat. 10:40; Gjoni 13:20; 14:26; 15:26; 16:13-15; Vep. 1:2). Prandaj dhe në Heb. 2:2 apostujt krahasohen me engjëjt të cilët ishin ndërmjetës në dhënien e ligjit në Sinai. Asgjë nuk mund ta shprehte më qartë se ajo që ata thanë ishte fjala e Perëndisë për popullin e Perëndisë. Kështu, kur u shkruajt Ungjilli sipas Gjonit, autori i tij përdori të njëjtën shprehje për librin e tij me atë që ai kishte përdorur për librat e Dhiatës së Vjetër – janë shkruar (Gjoni 20:31; krah. Gjoni 2:17; 6:31,45; 10:34; 12:14; 15:25).
Është ky themel që e bën të mundur që Letra e Dytë e Pjetrit të përmbajë thënien e shquar:
Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit, sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha; ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre. (2 Pjetri 3:15,16)
Pjetri i vendos letrat e Palit në të njëjtin nivel me Shkrimet e tjera. Shkrimet që Perëndia i ka dhënë kishës nëpërmjet apostujve duhet të konsiderohen pjesë e Shkrimit.
Apostujt vetë ishin të dijshëm se kjo ishte arsyeja që Krishti i kishte thirrur ata në shërbimin e tyre të veçantë. Ishte kjo që i bënte ata dëshmitarë unikalë për të. Të tjerë mund të flisnin për fuqinë e tij shpëtuese; të tjerë mund të përdoreshin për ungjilltarë, pastorë dhe mësues. Por ata kishin marrë një premtim të veçantë prej Zotit Krisht, se ai do t’u dërgonte Frymën e tij për t’i aftësuar që ata të shkruanin faqet e Dhiatës së Re. Ai u dha atyre autoritetin për t’i dhënë kishës një grup literature për të gjitha kohërat si rregull të besimit dhe jetës. Ai kishte autoritetin e plotë në qiejt dhe tokën; ata duhej pra, të shkonin, në autoritetin e tij, për t’u mësuar kombeve gjithçka që ai u mësoi atyre.
Përfundimisht, pra, përmbajtja e Dhiatës së Re pasqyron mësimin e autoritetshëm të vetë Jezusit (shih Gjoni 14:25,26; 15:26,27; 16:12-15; Mat. 28:18-20).
Natyrisht, u desh pak kohë përpara se çdo i krishterë në çdo pjesë të botës së ungjillizuar të kuptonte se 27 librat e Dhiatës së Re të sotme ishin fjala e Perëndisë. Disa kisha zotëronin vetëm disa pjesë të Dhiatës së Re, dhe Letrat dhe Ungjijtë u shkruan në kohë dhe vende të ndryshme. Ishte e paevitueshme që të formoheshin versione të vogla të Dhiatës së Re, dhe të shfaqeshin kanune të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Dhe kështu, në një zonë do të dilnin pyetje nëse librat që ishin pranuar në një zonë tjetër duhej apo jo të përfshiheshin në Dhiatën e tyre të Re.
Pa dyshim, këtij procesi iu desh kohë. Megjithatë që nga periudha e hershme kisha e krishterë e kuptoi se Perëndia kishte qenë duke i shtuar fjalës së tij nëpërmjet apostujve. Shkrimet më të hershme të shekujve të dytë dhe të tretë tregojnë se pjesë të Dhiatës së Re po përdoreshin si fjalë e Perëndisë. Nga fundi i shekullit të katërt ishte e pranuar gjerësisht se 27 librat që ne i quajmë tani Dhiata e Re ishin fjala e Perëndisë për epokën e re të Ungjillit.
Rëndësia
Ndoshta ju mund të pyesni se çfarë vlerë të mundshme praktike ka e gjithë kjo, sado që është interesante. Në fakt, rëndësia e saj është shumë e gjerë.
Gjashtëdhjetë e gjashtë librat e Dhiatës së Vjetër dhe të Re i janë dhënë kishës nga Zoti Jezu Krisht dhe nga apostujt si fjala e Perëndisë. E gjithë Bibla është fjala e Perëndisë. Perëndia flet përmes saj thjesht dhe qartë. Perëndia na flet neve sot vetëm nëpërmjet fjalës së tij. Vetëm ajo që gjejmë në faqet e Biblës na aftëson të themi: ‘Këtë e ka thënë Perëndia.’
Pse duhet që kjo të jetë kaq e rëndësishme? Sepse njerëzit e krishterë, të cilët rrëfejnë se vetëm Bibla është rregulla e besimit dhe jetës së tyre, se vetëm Bibla është fjala e Perëndisë, shpesh nuk veprojnë në përputhje me rrëfimin e tyre. Megjithëse ata e pranojnë me gojë pikëpamjen se vetëm fjala e Perëndisë është udhëzuesi ynë, në fakt ata jetojnë sikur Perëndia të ketë mënyra të tjera ‘të foluri’.
Më kujtohet shumë qartë kur udhëhiqja një mision veror me një grup të rinjsh. Vonë një mbrëmje, tre të rinj – të cilët nuk i njihnim – arritën në qendër. ‘Zoti na ka thënë të qëndrojmë me ju sonte’, thanë ata.
Mua m’u duk pak interesante që Zoti nuk u kishte dhënë asnjë njoftim udhëheqësve të ekipit tonë për këtë! I interesuar të zbuloja se çfarë qëndronte pas ‘udhëzimit’ që kishin marrë këta të panjohur, unë pyeta më tej: ‘Nga e dini ju se Zoti ju tha të rrini me ne?’ Përgjigjja u dha menjëherë, ‘Ai na ka thënë.’ Kur unë pyeta më tej, përgjigjja u zgjerua në ‘Ai vetëm na e tha.’ ‘Mirë,’ thashë unë, ‘Unë mendoj se nëse Zoti do të kishte planifikuar që ju të qëndroni me ne sonte ai do t’ju kishte siguruar shtretër për ta bërë të mundur këtë gjë – dhe ne nuk kemi asnjë shtrat të tepërt për ju!’
Diskutimi i nxituar solli një ndryshim planesh: ‘Zoti po i thotë njërit prej nesh që të qëndrojë, dhe dy të tjerët të shkojnë’ erdhi përgjigjja.
Në këtë kohë unë mendova se do të ishte një gjë e urtë ta pranoja propozimin e tyre, por në të njëjtën kohë të diskutoja me ta mënyrën me të cilën Perëndia udhëheq dhe udhëzon fëmijët e tij në jetë. Unë u përpoqa t’u sugjeroja atyre se normalisht (madje ndoshta dhe rrallë), Perëndia nuk i udhëheq fëmijët e tij nëpërmjet këtyre lloj nxitjesh të pashpjegueshme dhe të menjëhershme që kishin përjetuar këta të rinj. ‘Nga e dini ju se ai që po fliste ishte Perëndia, dhe jo djalli?’ pyeta unë, ‘si mund të jeni të sigurt?’ ‘Ne jemi të sigurt’ ishte përgjigjja.
Kur njerëzit pretendojnë të kenë një udhëzim të drejtpërdrejtë nga Perëndia veçan shkrimeve, është praktikisht e pamundur ta diskutosh çështjen me ta dhe t’i bindësh se vullneti i Perëndisë njihet me rrugë të tjera. Për më tëpër, edhe ata të krishterë inteligjentë që janë të bindur se Perëndia na udhëheq gjerësisht nëpërmjet nxitjesh të brendshme, parandjenjash dhe ‘ndjenjash’, kundërshtojnë zakonisht që t’ia nënshtrojnë këtë lloj udhëzimi provës, dhe ta sjellin atë te guri provë i Shkrimit.
Kur ne vijmë për të kuptuar domethënien e kanunit të Shkrimit – se Perëndia e ka zbuluar vullnetin e tij në mënyrë të autoritetshme për kishën në Bibël – një nga bekimet që kjo sjell në jetën tonë është se ne çlirohemi nga varësia mundësisht shkatërruese ndaj parandjenjave dhe përshtypjeve. Ne çlirohemi nga mendimi ‘si rrufeja në qiell të pastër’ ndaj udhëzimit i cili, megjithëse me dukje shpirtërore, është më tepër i mundur të vijë nga e nënvetëdija jonë, apo madje edhe nga një frymë e keqe, sesa nga Fryma e Shenjtë. Ne nuk kemi për të gjetur më udhëzim të autoritetshëm në ndjenjat tona subjektive, por në drejtimet, premtimet, shembujt dhe urdhërimet e Perëndisë në Bibël. Çdo mendim që do të kemi për atë që mund të jetë vullneti i Perëndisë ne do të duam të sjellim te mesimi i Biblës, dhe ta shqyrtojmë nën dritën e saj.
Edhe kjo ka nënkuptime të gjera për kishën sot në fushën e dhuntive frymërore, apo ‘frymëroreve’ (1 Kor. 12:1). Unë kam parasysh veçanërisht përjetime të tilla si vizione, ëndrra, dhuntitë e profecive dhe të folurit në gjuhë të panjohura. Në epokën tonë (që karakterizohet nga një reagim ndaj racionalizmit steril dhe moralit viktorian) ka një prirje pothuaj të natyrshme për t’u tërhequr në valën e entuziazmit për përjetim shpirtëror. Ishte në një situatë çuditërisht të ngjashme në kishën e Korintit që apostulli Pal (i cili dinte për këto gjëra më shumë se çdokush tjetër!) e ndjeu të nevojshme që të jepte shumë fjalë paralajmërimi. Do të bënim mirë që t’ia vinim veshin asaj që ka për të thënë ai.
Ne mund të jemi në rrezik sot që t’u ngjitim një autoritet të tillë ëndrrave, vizioneve, profecive dhe mesazheve në gjuhëra që nuk u ishte dhënë kurrë prej apostujve. Shumë të krishterë sigurisht i kanë parë këto përjetime të pandërmjetme si një prej rrugëve më kryesore në të cilat Perëndia e udhëheq popullin e tij individualisht dhe bashkarisht.
Përsëri, mund të jetë e dobishme që ta ilustrojmë këtë pikë. Unë kam njohur njerëz që u është thënë, nëpërmjet një mesazhi të folur në gjuhë të panjohur, dhe të interpretuar, se ata duhet të fillonin të takoheshin, dhe se kjo duhej të çonte në martesë. Në mënyrë të ngjashme, janë bërë profeci për sferën e ardhshme të shërbimit, apo të çfarëdo gjëje tjetër, të një krishteri të veçantë. Ç’mund të themi për këtë? Në rastin e dy të rinjve të cilët ‘u drejtuan’ drejt njëri-tjetrit nga një mesazh në gjuhë të panjohura, mua më kujtohet mirë se do të kishte qenë e vështirë për Perëndinë të bashkonte dy njerëz të tjerë më pak të përshtashëm për njëri-tjetrin! ‘Ky është thjesht një gjykim njerëzor!’ mund të thotë dikush. Por çfarë nëse parimet e mëdha biblike për dashurinë, njohjen dhe martesën, dhe magazina e pasur e udhëzimit për qëllimin e Perëndisë kur na bëri burrë dhe grua, na sugjeron se dy të rinj do të ishin partnerë të papërshtatshëm jete për njëri-tjetrin? Çfarë nëse, kur vendoset pranë mësimit të Biblës, mesazhi në gjuhë të duket një kontraditë? Kush ka autoritet përfundimtar?
Në të njëjtën zonë të përgjithshme të përjetimit ka një histori shumë me kripë në Veprat e Apostujve. Kur Pali ishte në Cezare, profeti Agabus (ndoshta i njëjti njeri i cili profetizoi saktësisht në Vep. 11:28) profetizoi se Pali do të burgosej në Jeruzalem (Vep. 21:11). Njerëzit iu lutën Palit që të mos shkonte në Jeruzalem. Pse atëherë ai shkoi? Sepse ai u shty nga Fryma (Vep. 20:22). Tani, është interesante të vërehet se kur Pali kishte qenë në Tiro, ai qëndroi me dishepujt për një javë: Të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem (Vep. 21:4).
Ç’kuptim ka ky rrëfim në pamje kontradiktor për atë që po thoshte Fryma? Ai do të thotë se, edhe në ditët e apostujve, shprehjet profetike duhej të provoheshin objektivisht për të dalluar se cili ishte vullneti i Perëndisë dhe çfarë ishte thjesht një thënie e njeriut dhe kështu ishte e prirur të gabonte. Ku mund të gjendeshin prova të tilla? Në besnikërinë ndaj zbulesës së Perëndisë nëpërmjet apostujve.
A nuk ka kjo diçka për t’i thënë kishës sot? Ne jetojmë në ‘një epokë të menjëhershme’. Jemi më tepër të prirur të kërkojmë një Perëndi i cili na udhëheq gjithashtu në mënyrë të menjëhershme, sesa një Perëndi i cili e ka thënë të vërtetën e tij në faqet e Shkrimit, dhe na ka ftuar për të zbuluar vullnetin e tij duke zbatuar të vërtetën e saj në jetë tonë. Pa dyshim duket sikur ka diçka më shpirtërore në udhëzimin e menjëhershëm, por kujtoni fjalët e Palit për Korintasit: Do të lutem me frymën, POR DO TA BËJ EDHE ME MENDJEN. Do të këndoj me frymën, POR DO TË KËNDOJ EDHE ME MENDJEN (1 Kor. 14:15). Ne duhet të themi: Do të udhëhiqem me frymën time – por do të udhëhiqem edhe me mendjen.
Ja pra, çfarë ndodh nëse ne e kërkojmë vullnetin e Perëndisë në fjalën e Perëndisë. Në vend që të na i ngushtojë apo kufizojë jetën, një udhëzim i tillë e bën atë më të fortë dhe më të qëndrueshme – dhe, ndryshe nga udhëzimi i menjëhershëm, ai na e transformon karakterin. Siç kemi për ta parë, Perëndia na e ka dhënë Biblën pikërisht për të na e forcuar karakterin. Pra, në fund të fundit, kanuni ka ndikimin.