jump to navigation

KAPITULLI 10: MBRETI TË OFRON ÇELSAT

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Jezu Krishti është Perëndia, Sovrani i gjithësisë. Ai është Krijues i të gjitha gjërave, të dukshme dhe të padukshme; i botës fizike, i qënies njerëzore dhe i botës së engjëjve (Gjoni 1:3; Kolosianëve 1:16). Çdo qënie qiellore, përveç tre Personave hyjnorë, është krijuar nga Jezusi. Të gjitha qeniet frymërore që ranë në mëkat dhe ndoqën Satanin, në fillim u krijuan nga Jezusi, që edhe tani është Sovrani i tyre. Tashmë ata nuk i nënshtrohen më Atij, por një ditë do ta bëjnë jo nga bindja, sepse do të jetë tepër vonë, por për të pranuar se vetëm Ai është Zoti. Satani dhe të gjithë ndjekësit e tij nuk mund t’i kalojnë caqet e caktuara nga Jezusi (Jobi 1:10,12; 1 Mbretërve 13:4). Po afrohet dita në të cilën djalli dhe të gjithë frymërat e këqija do të hidhen në liqenin e zjarrit dhe nuk mund ta kundërshtojnë më as Perëndinë dhe as njeriun.

Shkencëtarët së bashku me mjetet e tyre të fundit teknologjike që kanë në dorë, nuk janë në gjendje të zbulojnë të fshehtën e energjisë që rregullon gjithësinë. Cili është burimi energjitik që mban elektronet e çdo atomi, të cilët rrotullohen rreth qendrës, me një shpejtësi të krahasuar me atë të dritës? Cila është fuqia, që shekuj pas shekujsh, drejton moritë e yjeve në rrethin e tyre qiellor? Bibla na jep përgjigjen: emri i tij është Jezus (Hebrenjve 1:3). Ai vetë ka thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell dhe në tokë” (Mateu 28:18).

JEZUSI MBAN ÇELSAT E HISTORISË

Në Dhjatën e Vjetër, Jahveh (Jezusi në formën e Tij para mishërimit) ka shpallur për dy herë: “Unë jam i pari dhe i fundit” (Isaia 44:6; 48:12). Te Zbulesa 1:17; 22:13, Jezusi nxjerr edhe një herë në pah këtë të vërtetë. Ai është i pari, ngaqë është Krijuesi i gjithshkaje dhe i fundit ngaqë vendos për gjithçka. Ai do ta realizojë planin e Tij të përjetshëm pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e njerëzve dhe demonëve për ta shkatërruar. Jezusi është Zoti i historisë. Ai nuk do t’ia dorëzojë askujt zotërinë e Tij. Nuk do të bësh asnjëherë gabim po ta vendosësh jetën tënde në duart e Zotit të historisë.

JEZUSI MBAN ÇELSAT E MBRETËRISË SË TË VDEKURVE

Jezusi është Sovran mbi të vdekurit dhe Hadesin. Ai deklaron: “Unë jam i pari dhe i fundit, i gjalli; isha i vdekur por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e vdekjes dhe të Hadesit (Zbulesa 1:18). Pa lejen e Tij, asnjë sëmundje, kriminel apo terrorist nuk mund të ketë fuqinë mbi ty. Pa lejen e Tij, asnjë stuhi apo përmbytje, asnjë kafshë e egër apo çfarëdo gjëje tjetër, nuk mund të të bëjë keq.

Kjo nuk do të thotë aspak se jeta jote do të jetë pa vuajtje ose që do të jetosh shumë. Nëse nuk do t’i marrësh parasysh ligjet e Perëndisë, rreth shëndetit fizik dhe do të lësh mënjanë normat e higjenës, do të korrësh atë që ke mbjellë. Megjithatë Jezusi vepron që të gjitha gjërat të bashkëpunojnë për të mirën tënde (Romakëve 8:28).

John Wesley ka thënë: “Unë nuk do të vdes derisa të mos kem mbaruar punën time”. Ai donte të thoshte se, nëse i nënshtrohemi vullnetit dhe jemi të ndjeshëm dhe të bindur ndaj udhëheqjes së Frymës, duke mos lënë mënjanë kujdesin e nevojshëm për trupin tonë, kontrolli i jetës tonë dhe çasti i vdekjes nuk varen nga rastësia, ngjarje natyrore apo Satani, por nga Perëndia. Jezusi nuk do të lejojë që të na ndodhë asgjë dhe çdo gjë Ai e përdor për lumturinë tonë të përjetshme. Qoftë lavdëruar Perëndia, sepse Jezusi mban çelësat e vdekjes dhe Hadesit dhe nuk do t’ia dorëzojë askujt tjetër.

JEZUSI KA ÇELSAT E DAVIDIT

“Këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll dhe askush nuk hap” (Zbulesa 3:7). Dyert që Jezusi hap nuk mund të mbyllen nga njerëzit apo demonët, kurse ato që Ai mbyll nuk mund të hapen megjithë sulmet e fuqisë së ferrit. Pali e pranonte se Krishti ishte Zoti që hapte dyert (2 Korintasve 2:12; Kolosianëve 4:3).

JEZUSI DO TË TË JAPË ÇELSAT E MBRETËRISË

Edhe pse ka çelësa që Jezusi nuk do t’ja japë askujt, Ai është në pritje të të japë ty dhe mua çelësat e mbretërisë. “…Unë do të ndërtoj kishën time, dhe fuqitë e ferrit nuk do ta mundin. Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që do të kesh lidhur mbi tokë do të jetë lidhur në qiej dhe gjithçka që do të kesh zgjidhur mbi tokë do të jetë zgjidhur në qiej” (Mateu 16:18,19). Jezusi u kishte besuar dishepujve të parë çelësat e mbretërisë. Jezusi u tha atyre: “Po ju kush thoni se jam unë?” (Mateu 16:15). Si përgjigje ndaj asaj të Pjetrit: “Ti je Krishti, Bir i Perëndisë së gjallë” (Mateu 16:16), Jezusi u dha atij dhe të tjerëve një autoritet të pabesueshëm, me qëllim që të përhapin në tokë veprën e mbretërisë së Tij.

Si i përdori Pjetri këto çelësa? Si lidhi dhe si zgjidhi? Jezusi kishte garantuar se Ai do të ndërtonte Kishën e Tij. Meqë nuk do të qëndronte vetë në tokë, për të përfunduar veprën e Tij, Ai ia besoi këtë përgjegjësi Pjetrit dhe dishepujve të tjerë. Interesi i Krishtit për të lidhur dhe zgjidhur nuk kishte të bënte me disiplinën në Kishën e Tij, por me ndërtimin dhe zgjerimin e saj. Kur libri i Veprave të Apostujve na flet për vitet e para të jetës së Kishës, na thuhet se lutja dhe dëshmia ecnin së bashku, ndërsa Fryma e Shenjtë vepronte nëpërmjet dishepujve.

Në ditën e Rrëshajave, Krishti i dha një çelës Pjetrit dhe ai u bind duke i hapur derën e Kishës tremijë besimtarëve të rinj. Edhe Stefani mori një çelës dhe e përdori për të shkuar në qiell. Vdekja e tij ndikoi tek Sauli, i cili çoi më tepër shpirtra te Zoti, në kohën e Kishës së parë. Krishti i dha një çelës Filipit që i hapi Samaritanëve derën e Kishës…; pastaj i dha një çelës tjetër dhe e ftoi në shkretëtirë. Filipi iu bind dhe në rrugën e Gazës i hapi derën ministrit etiopas dhe, si rrjedhim, popullit të Afrikës.

Krishti i dha një çelës tjetër Pjetrit dhe ai i hapi derën e Kishës Kornelit. Në vazhdim, kjo gjë lejoi t’i hapej dera e shpëtimit romakëve paganë. Pali vazhdoi t’i japë çelësa Palit që të zgjeronte mbretërinë e Tij, duke themeluar kisha në çdo qytet: Në Filipi, Thesaloniki, Athinë, Korint, Efes, Kolos dhe në shumë vende të tjera. Pali vazhdoi t’i bindej duke predikuar, lutur dhe ndërtuar Kishën. Jezusi ka nevojë për të krishterë që vazhdojnë veprën e Tij në çdo moshë. Kjo e vërtetë është kaq e rëndësishme saqë Jezusi më vonë e ka përsëritur mandatin e Tij në librin e Mateut, duke përdorur formën në shumës të përemrit ju për të përfshirë të gjithë besimtarët që do të ndiqnin Pjetrin: “Në të vërtetë po ju them se të gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell.

Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje kjo do tju jepet atyre nga Ati im që është në qiej. Sepse kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:18-20). Perëndia Atë përgjigjet kur besimtarët janë dakort me kërkesat e tyre. Pse? Sepse kudo dy ose tre luten së bashku në emrin e Jezusit, vetë Jezusi do të jetë aty dhe do të lutet për ta, duke miratuar dhe plotësuar lutjen e tyre. Krishti është gjithmonë i gatshëm dhe është në pritje t’u japë çelësat besimtarëve që duan t’i përdorin. Disa i pranojnë dhe i vihen punës; të tjerët mbeten pas dhe qëndrojnë të papunë. Edhe sot Krishti po përhap mbretërinë e Tij. Ai dëshiron të punojë me ne. Ti dhe unë mund të çojmë shpirtra të tjerë te Zoti nëpërmjet bindjes dhe shumë të tjerë nëpërmjet lutjes tonë. Krishti, Zoti i historisë, po ndërton sot Kishën e Tij dhe kjo vepër do të ecë përpara deri sa besimtarët do të angazhohen në lutje. Nëse ti dhe unë nuk jemi besnikë në përdorimin e çelësave të bindjes dhe të lutjes, Ai s’do të na japë të tjerë.

PARAJSA APO FERRI?

Tani vendimi të përket ty, por duhet të jesh i ndërgjegjshëm për faktin se fati i përjetshëm i shumë njerëzve të tjerë për në parajsë apo ferr varet nga përdorimi i çelësave që Krishti të ka dhënë. Pas ringjalljes, Jezusi, u takua për herë të parë, me dishepujt e Tij, i bekoi, u tregoi atyre duart e brinjën dhe u tha: “Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu po ju dërgoj ju (Gjoni 20:21). Pastaj hukati mbi ta dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë” (vargu 22). Në këtë mënyrë Ai u dha dishepujve dhe gjithë atyre që do t’i ndiqnin një përgjegjësi të madhe: “Kujt do t’ia falni mëkatet do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani do t’i jenë mbajtur (vargu 23).

Por, ti mund të pyesësh veten: “Si mund të ndodhë? A nuk është vetëm Perëndia që mund të falë mëkatet?” Po, sigurisht. “A nuk ka paguar Krishti çmimin, që kushdo që do t’i drejtohet Atij të falet?” Po, falë Zotit! “Atëherë si ka mundësi që falja e të tjerëve varet nga unë dhe jo nga Perëndia? Arsyeja është e thjeshtë: Krishti na ka zgjedhur për t’i çuar lajmin e Tij botës. Ai ka paguar çmimin për të gjithë, por tani zërat që Ai përdor për t’i shpallur botës janë zëri im dhe yti. Nëse i flet shokut tënd, ai mund marrë faljen. Nëse nuk e bën Ai nuk mund ta falë. Nëse ti dhe unë i flasim botës, ajo mund të shpëtohet. Nëse nuk e bëjmë këtë, bota do të humbasë përgjithmonë. Parajsa dhe ferri janë tani në duart tona. Krishti e ka bërë pjesën e Tij; kurse ne akoma jo.

E gjitha kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me lutjen. Aktualisht, shumë njerëz nuk kanë mundësi të kenë pranë një të krisherë përpara se të vdesin. Kjo është arsyeja për të cilën Jezusi të urdhëron ty dhe mua, t’i lutemi Zotit të të korrave që t’u afrojë atyre mundësinë për të dëgjuar, besuar dhe shpëtuar. A do të përfitojnë? A do të arrijnë të kuptojnë? A do ta lënë pas dore mesazhin për shkak të paragjykimeve? Lutja jote dhe e imja duhet të sjellin rrugëzgjidhje. Perëndia na ka bërë ne shpresën e vetme të shpëtimit të tyre. Disa vende myslimane dhe komuniste janë të mbyllura ndaj misionarëve. Në disa nga këto shoqëri me rregjim shtypës, dëshmia e Ungjillit nuk ekziston fare. Për qytetarët, e vetmja mundësi për të dëgjuar mesazhin e Ungjillit ofrohet me anë të radios. Por, duke mos patur lidhje me të krishterë, është e vështirë që ta kuptojnë plotësisht domethënien. Një ditë Krishti do të të pyesë: “Çfarë ke bërë ti me çelësat që të kisha dhënë? Për sa persona je lutur? Krishti po ndërton Kishën e Tij dhe po zgjeron mbretërinë e Tij. Ty të ka dhënë çelësat e mbretërisë së qiejve. A do t’i përdorësh me besnikëri?