jump to navigation

Miku më i mirë

Postuar tek: Të Ecurit Me Perëndinë

Ky është miku im - Kantiku i Kantikëve 5:16

Shoku është një nga bekimet më të mëdha në këtë botë, megjithatë miqtë e vërtetë janë të rrallë. Shumë do jenë miq me ju kur të jeni të pasur, por një mik që do qëndrojë me ju në sëmundje, në varfëri, në vështirësi, është i rrallë. Mbi të gjitha, ka pak miq që kujdesen për shpirtin tënd. Por unë dua t’ju rekomandoj një mik të vërtetë. Ai është një mik që është më i lidhur se një vëlla (Fjalët e Urta 18:24). Ai është i gatshëm të jetë miku yt në çdo kohë e madje në përjetësi. Ky mik që dua të njihni është Zoti Jezus Krishti. Ju do jeni vërtet të lumtur nëse do keni atë si mikun tuaj më të ngushtë!

1. Zoti Jezus është miku i nevojtarëve

Për shkak të mëkatit, ne që të gjithë jemi nevojtarë shumë. Nga natyra ne jemi të sëmurë me një sëmundje vdekjeprurëse. Ne po vdesim prej mëkatit. Por Krishti erdhi të na çlirojë nga kjo vdekje. Nga natyra ne që të gjithë jemi debitorë. Ne i detyrohemi Perëndisë një borxh që s’mund ta paguajmë kurrë. Por Krishti erdhi të paguajë borxhin tonë. Nga natyra ne që të gjithë jemi të mbytur e të humbur. Ne kurrë nuk do mundnim të arrinim brigjet e jetës së përjetshme. Por Zoti Jezus erdhi të shpëtojë atë që ishte humbur, dhe të na drejtojë të sigurt drejt parajsës.

Siç e shikoni, nuk ka asnjë rrugë shpëtimi për ne përveç ardhjes së Krishtit në botë për të çliruar mëkatarët (1 Timoteu 1:15). Ai nuk ishte i detyruar të kryente diçka të tillë, por dashuria, mëshira dhe keqardhja e tij e lirë, e sollën vullnetarisht të na shpëtojë. Kjo është miqësi e vërtetë! Nuk ka mik tjetër si Jezus Krishti!

2. Zoti Jezus është një mik që vepron

Një mik i vërtetë njihet nga veprat dhe jo nga fjalët. Askush nuk ka treguar me vepra miqësinë e tij më shumë sesa Krishti. Ndonëse nga natyra ishte Perëndi, ai mori trajtë njerëzore dhe u bë njeri për hatrin tonë. Për ne, ai jetoi tridhjetë e tre vjet në këtë botë të ligë, i shtypur e i mohuar prej njerëzve, njeri i dhimbjes dhe njohës i vuajtjes. Për ne ai iu nështrua vdekjes së tmerrshme të kryqit. Ai vdiq për ne. Ai nuk ishte i detyruar të vepronte kështu. Por ai e dinte se asgjë tjetër s’mund të na shpëtonte, dhe dashuria e tij ishte aq e madhe sa erdhi e vdiq për ne. Kjo është miqësi përtej imagjinatës sonë. Kush mund të gjejë një njeri të gatshëm të japë jetën për armiqtë e tij? Po, kjo ishte çfarë Jezusi bëri. Nuk ka mik tjetër si ai!

3. Zoti Jezus është një mik i fuqishëm

Shpesh, miqtë tanë janë të gatshëm të na ndihmojnë por nuk munden. Ata na kuptojnë kur jemi në vështirësi, por nuk kanë aq fuqi sa të na çlirojnë prej problemeve. Por Krishti është i gjithëpushtetshëm. Ai kurrë nuk ndodhet në një situatë ku është i gatshëm të na ndihmojë por nuk ka fuqi të na ndihmojë.

Ai është i aftë të falë edhe mëkatarin më të madh. Çfarëdo që në kemi qenë e kemi bërë, gjaku i tij na pastron nga çdo mëkat. Ai është i aftë të kthejë madje dhe zemrën më të ngurtë, dhe të krijojë një frymë të re tek njeriu. Ai është i aftë të ruajë deri në fund ata që besojnë në të. Ai mund t’u japë hirin për të mposhtur botën, mishin dhe djallin, dhe të na ruajë deri në fund. Ai është i aftë t’u japë dhuntitë më të mira atyre që e duan atë. Në këtë jetë ai jep paqe, gëzim, shpresë dhe ngushëllim të brendshëm, të cilat paraja s’mund t’i blejë, dhe pas vdekjes një kurorë lavdie që kurrë nuk ndryshket. Kjo është një fuqi e vërtetë! Askush nuk ka një mik kaq të fuqishëm si Jezusi!

4. Zoti Krisht është një mik i dashur

Dashuria e tij quhet dashuri që tejkalon çdo njohuri (Efesianët 3:19). Ai e tregon dashurinë e tij me gatishmërinë që ka për të pranuar mëkatarët. Ai nuk refuzon askënd, pavarësisht sa të mëdha janë mëkatet. Ai është i gatshëm të falë e të pastrojë çdo njeri që vjen tek ai. Ai tregon dashurinë e tij në mënyrën si trajton mëkatarët që kanë besuar në të, të cilët janë bërë miqtë e tij. Ai është gjithmonë i duruar me ta, i gatshëm të dëgjojë ankesat e tyre, i gatshëm të bashkohet me hidhërimin e tyre. Ai nuk lejon të tundohen përtej fuqive të tyre. Ai pranon shërbimin e tyre, të varfër siç është. Ai ka shkruar edhe në Bibël se gjen kënaqësi tek populli i tij (Psalmi 147:11).

Dashuria e Zotit Jezus nuk është përgjigje e gjërave të mira në ne, por rrjedh nga mëshira e tij e pastër, joegoiste. Nuk ka dashuri në botë të krahasohet me të!

5. Zoti Jezus është një mik i mençur

Jo të gjithë miqtë tanë janë të mençur. Ndonëse me qëllim të mirë ata mund të na japin këshilla të gabuara. Disa miq na tërheqin prej rrugës kristiane, dhe na përfshijnë në kotësinë e botës. Por miqësia e Zotit Jezus gjithmonë na sjell të mira, dhe kurrë nuk na lëndon.

Zoti Jezus kurrë nuk i dembelos miqtë e tij duke ua plotësuar gjithçka që ata kërkojnë, por u jep atyre gjithçka që është në të mirë te tyre. Ai u jep atyre gjithçka që është e mirë për ta, por gjithashtu u kërkon atyre të kalojnë përmes vështirësive dhe të mbajnë kryqin e tyre. Ndonëse ata nuk do e pëlqejnë në fillim, ai e di që kjo është e mirë për ta, gjë të cilën ata do e kuptojnë në parajsë. Zoti Jezus nuk gabon kurrë me miqtë e tij.

Ne shohim shumë raste se si shumë njerëzit lëndohen prej miqve të tyre. Shpesh miqtë inkurajojnë njëri-tjetrin në gjërat e botës dhe në kotësi më shumë sesa në dashuri dhe vepra të mira. Kur takohen së bashku më të shumtën e kohës lëndojnë sesa i bëjnë mirë njëri-tjetrit. Por sa ndryshe është miqësia e Zotit Jezus, Miku i mëkatarëve! Kujtoni si i trajtoi dishepujt e tij, duke i inkurajuar, qortuar, dhe duke i nxitur me një mençuri të përsosur. Kujtoni vizitën në kohën e duhur tek Maria dhe Marta në Betani (Gjoni 11). Kujtoni se me sa mençuri dhe hir e trajtoi Pjetrin në bregun e Galilesë (Gjoni 21). Prezenca e tij i bëri miqtë e tij më të shenjtë. Dhuntitë e tij janë për të mirën tonë shpirtërore. Mirësia e tij zbatohet me mençuri. Nuk ka asnjë mik kaq të mençur si Jezus Krishti!

6. Zoti Jezus është një mik i sprovuar

Ai ka treguar miqësi ndaj çdo lloj kombi dhe kushtesh të ndryshme. Disa nga miqtë e tij kanë qenë mbretër e pasanikë, si Davidi dhe Solomoni, të tjerët kanë qenë të varfër, si barinjtë e Betlehemit. Disa kanë qenë zotërinj, si Abrahami, disa kanë qenë skllevër, si të krishterët në shtëpinë e Neronit. Disa u miqësuan me të në fëmijërinë e tyre, si Samueli dhe Timoteu, të tjerët nuk e njohën gjersa u rritën, si Manasi. Disa ishin tipa të hapur, si Pjetri, ose plot me punë si Marta, disa të tjerë të qetë si Maria. Miqtë e Zotit Jezus janë zgjedhur nga çdo komb i botës. Gjithsecili prej tyre e ka konsideruar këtë miqësi si të mirë. Asnjë mik tjetër nuk është sprovuar si Zoti Jezus Krisht!

7. Zoti Jezus është një mik i pathyeshëm

Ndërsa çdo gjë në këtë botë ndryshon, miqësia e Zotit Jezus nuk ndryshon kurrë. Madje dhe burrat ndonjëherë braktisin gratë e tyre, edhe prindërit ndonjeherë braktisin fëmijët e tyre. Por Krishti kurrë nuk ka braktisur ndonjë nga miqtë e tij, ose ka ndryshuar ndjenjat kundrejt atyre. Ai është i njëjtë, dje, sot e përjetë. Nuk ka asnjë largim midis tij dhe popullit të tij. Kur ai banon në zemrën e një mëkatari, ai kurrë nuk largohet nga aty. Ai thotë, Nuk do të të lë, nuk do të të braktis (Hebrenjtë 13:5).

Përfundimi

Më lejoni ta mbyll me disa fjalë praktike. Unë nuk e di gjendjen e shpirtit tuaj, por e di që çfarë po them duhet t’i kushtoni vëmendje. Unë ju lutem që t’i kushtoni vëmendje Zotit Jezus Krisht dhe gjendjes suaj shpirtërore.

1. Së pari, dua që të shqyrtoni seriozisht nëse Krishti është miku juaj, dhe ju jeni miku i Krishtit. Me hidhërim duhet të them se me mijëra njerëz që e quajnë veten të krishterë, nuk janë aspak miqtë e Krishtit. Ata janë të krishterë vetëm në dukje, por nuk janë miqtë e Zotit Jezus. Ata nuk urrejnë mëkatet për të cilat Krishti vdiq për t’i larguar. Ata nuk e duan Shpëtimtarin që erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. Ata nuk gjejnë kënaqësi në ungjillin e pajtimit. Ata nuk flasin përmes lutjes me Mikun e mëkatarëve, apo kërkojnë miqësi të ngushtë me të. Njerëz të tillë nuk janë miq të Krishtit. Ju bëj thirrje ta shqyrtoni veten. Jeni apo nuk jeni ju një nga miqtë e Krishtit?

2. Së dyti, dua që të dini se, nëse ju nuk jeni një nga miqtë e Krishtit, jeni një qenie e varfër dhe e mjerë. Ju jeni në një botë që po shuhet, në një botë me dhimbje, dhe ju nuk keni asnjë burim ngushëllimi apo strehë në kohë nevoje. Një ditë duhet të vdisni, por ju nuk jeni gati të vdisni. Mëkatet nuk ju janë falur. Do gjykoheni, por ju nuk jeni gati të takoni Perëndinë. Mund të ishit, por ju refuzoni të vetmin Ndërmjetës dhe Avokat që mund t’ju shpëtojë. Ju doni botën më shumë se Krishtin. Ju refuzoni Mikun e mëkatarëve. Po jua them përsëri, ju jeni një qenie e varfër dhe e mjerë.

3. Së treti, dua t’ju them se nëse vërtet doni një mik, Krishti është i gatshëm të bëhet miku juaj. Ai po ju fton përmes këtyre fjalëve që po shkruaj. Ai është gati t’ju pranojë, pavarësisht sa të pavlefshëm ju ndiheni, dhe t’ju rendisë ndër miqtë e tij. Ai është i gatshëm t’ju falë të shkuarën tuaj, t’ju veshë me drejtësi, t’ju japë Frymën dhe t’ju bëjë fëmijën e tij. Çfarë ai po pret është që ti të shkosh tek ai. Të kërkon të shkosh me të gjitha mëkatet e tua, të pohosh ligësinë tënde dhe të rrëfesh turpin tënd. Eja kështu siç je, mos prit për gjë tjetër. Ti nuk meriton asgjë, por ai ju kërkon të vini e të bëheni miku i tij. Vallë a nuk do shkosh ti?

4. Së fundi, dua që të dini se, nëse Krishti është Miku juaj, ti ke privilegje të mëdha, ndaj duhet të jetosh një jetë të denjë për to. Çdo ditë, kërko më shumë miqësi me të, për të njohur më shumë prej hirit dhe fuqisë së tij. Kristianizmi i vërtetë nuk është thjesht të besosh disa të vërteta abstrakte. Përfshin një jetë ditore me miqësi të ngushtë me një person. Apostulli Pal tha: Për mua të jetuarit është Krishti (Filipianët 1:21). Kërko që në çdo ditë të lavdërosh Krishtin në çdo gjë. Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik (Fjalët e Urta 18:24). Askush nuk është nën një detyrim më të madh se ai që është miku i Krishtit. Shmang çdo gjë që e hidhëron atë. Luftoni ashpër kundër mëkateve mbizotëruese, paqëndrueshmërisë, dhe frikës për të shpallur atë përpara njerëzve. Në kohë tundimi, i thoni shpirtit tuaj: “A është kjo besnikëri ndaj mikut tënd?”

Mbi të gjitha, mendo për mëshirën që ai ka treguar ndaj teje, dhe mëso të gëzohesh çdo ditë në Mikun tënd! Ti mund të sëmuresh, të jesh me probleme të mëdha, miqtë tokësorë mund t’ju braktisin dhe mund të jeni të vetëm në këtë botë. Por nëse je në Krishtin ti ke një Mik - një Mik që është i fuqishëm, i dashur, i mençur, i pathyeshëm. Mendo shumë për Mikun tënd!

Së shpejti, Miku yt do vijë e t’ju marrë në shtëpi, e ju do jetoni me të përgjithmonë. Në atë kohë e gjithë bota do mësojë se, vërtet i pasur dhe i lumtur është njeriu që ka patur Mik Zotin Jezus Krisht.