jump to navigation

Miti i Plakut të Vitit të Ri

Postuar tek: Vrite Mëndjen

Mirë, Perëndi po të jap një mundësi për të provuar ekzistencën tënde”, tha Evisi i gjunjëzuar para krevatit të tij. Evisi është një djalë 7 vjeç dhe dëshiron me të vërtetë që të besojë te Perëndia. Kështu duke përkulur kokën e tij të kuqe dhe krenare vazhdoi: Unë dua me të vërtetë të besoj tek ti, Perëndi. Unë do të besoj me të vërtetë në qoftë se nesër në mëngjes do të gjej 1 milion dollarë, atëherë ti për mua ekziston vërtetë dhe nuk do të dyshoj kurrë për këtë gjë”.

Por të nesërmen ai nuk i gjeti paratë poshtë krevatit. Arsyeja pse nuk i gjeti ka të bëjë me idenë e gabuar për Perëndinë. Evisi e imagjinonte Perëndinë si një nga ato makinat ku depoziton një lutje dhe mjafton të shtypësh sustën e duhur dhe dëshira plotësohet. Ai e imagjinonte Perëndinë si Plakun e Vitit të Ri, i cili lëviz nëpër hapësirën e pamasë për të plotësuar listën e tij të dëshirave. Nëse do të besonte sa duhet dhe do të lutej sa duhet, Perëndia patjetër do të hidhte nga lart gjithçka që zemra e një 7 vjeçari dëshironte. Kjo është e kuptueshme për një fëmijë, por fatkeqësisht dhe shumë të rritur kanë mendimin se Perëndia do të na japë çfarë të dëshirojmë. Ata kurrë nuk e kapërcejnë mitin e Plakut të Vitit të Ri në botëkuptimin e tyre për Perëndinë.

Perëndia dëshiron që t’ju përgjigjet lutjeve. Ai thotë “M’u drejto dhe unë do të përgjigjem” (Jeremia 33:3). Ai madje premton “Dhe do të ndodhë, para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe unë do t’ua plotësoj “(Isaia 65:24). Por lutja nuk është si ajo monedha që futet në një makinë automatike shitjeje dhe besimi nuk është susta që ju shtypni. Perëndia nuk u nënshtrohet dëshirave dhe tekave tona. Nuk ka rëndësi sesa shumë u lut Evisi për 1 milion dollarë. Nuk ka rëndësi se sa shumë besonte, ai përsëri nuk do t’i gjente paratë poshtë krevatit të nesërmen në mëngjes. Jo sepse Perëndia nuk e donte atë dhe jo sepse Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve. Jo sepse nuk kishte vend poshtë krevatit. Paratë nuk u gjetën, sepse Evisi nuk po lutej, ai po lakmonte diçka.

Krejt ndryshe nga Plaku i Vitit të Ri, Perëndia nuk është një makinë shitjeje automatike qiellore për shpërndarjen e dhuratave dhe privilegjeve. Ai i tejkalon kufijtë e dëshirave tona të vogla dhe të parëndësishme. Ai është Perëndia i Plotëfuqishëm, Mishërimi i Dashurisë. Ai pret me padurim që fëmijët e tij t’i kthejnë dashurinëqë Ai ka hedhur me bollëk mbi ta. Ai dëshiron që ne të duam Atë, jo gjërat. Ai dëshiron që ne të kërkojmë Atë, jo përgjigjet e lutjeve lakmitare. Ai dëshiron që ne t’i bindemi Atij, jo për të marrë 1 milion dollarë, por sepse ne e duam Atë dhe duam ta kënaqim. Dhe fakti është që pikërisht kur ne e njohim personalisht Atë, përtej imazhit të një makine automatike, Fjala e Tij na premton se ne “kemi siguri para Perëndisë; dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij. ” (1 Gjoni 3:21-–22).

Ushtrim

Praktikohuni si ta përballoni mitin e Plakut të Vitit të Ri me anë të këtij ushtrimi. Secili nga vargjet e mëposhtme jep një kusht për plotësimin e lutjes dhe ky kusht mund të shprehet me një fjalë. Shkruajeni këtë fjalë përbri vargut të dhënë.
2 Korintasve 7:14 ____________________________________
Jeremia 29:13 _______________________________________
Mark 11:24 _________________________________________
Jakobi 5:16 _________________________________________
1 Gjonit 5:14 ________________________________________