jump to navigation

Përkufizimi i frymëzimit

Postuar tek: Mospërputhjet në Bibël më: 03, 10, 2008

Tek letra e dytë e Timoteut kapitulli i tretë, vargu 16 (2 Timoteu 3:16) na është thënë që i tërë Shkrimi është i frymëzuar. Fjala e cila përdoret për frymëzim është “theopneustos” që do të thotë “i frymëzuar nga Perëndia” që lë të kuptohet se ajo që është shkruar e ka pasur origjinën e saj tek Perëndia vetë. Tek 1 Pjetri 1:2 ne lexojmë që shkrimtarët kanë qenë të “shtyrë” nga Perëndia. Në këtë mënyrë, Përëndia e përdori secilin shkrimtar, duke përfshirë këtu edhe personalitetin e tij për të arritur një punë hyjnore autoritative, sepse Perëndia nuk mund të frymëzojë gabimin. Bibla flet shpesh herë për frymëzimin e saj: Tek Luka 24:27.44; Gjoni 5:39; dhe tek Hebrenjtë 10:7, Jezusi thotë që ajo që është shkruar për të në Dhiatën e Vjetër do të përmbushej.

Romakët 3:2 dhe Hebrenjtë 5:12 i referohen Dhiatës së Vjetër si Fjala e Perëndisë. Ne lexojmë tek 1 Korintasit 2:13, “Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Shpirti i Shenjtë”. Kjo është konfirmuar tek 2 Timoteu 3:16, siç e pamë edhe më lart. Tek 1 Selanikasve 2:13, Pali kur i referohet asaj që ai kishte shkruar thotë, “…e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie..”. Pjetri gjithashtu flet për frymëzimin e Shkrimeve të Palit tek 2 Pjetri 3:15-16, ku ai pohon që “… ju ka shkruar vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha; ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij…”. Më herët, tek 2 Pjetri 1:21, Pjetri shkruan,

“Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur të shtyrë nga Shpirti i Shenjtë. “Dhe në fund tek Zbulesa 22; 18,19 shkrimtari Gjon, duke iu referuar librit të Zbulesës thotë, “…se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heq pjesën e tij nga libri i jetës …” Charles Wesley përmbledh këtë pikëpamje të lartë të frymëzimit në mënyrë të shkëlqyer kur thotë, “Bibla duhet të jetë ose një shpikje e njerëzve dhe engjëjve të mirë ose e njerëzve të këqinj dhe demonëve, apo nga Perëndia”. Mirëpo, ajo nuk është shkruar nga njerëzit e mirë, sepse njerëzit e mirë nuk do të tregonin gënjeshtra duke thënë “kështu thotë Zoti” nuk është shkruar nga njerëzit e këqinj sepse ata nuk do të shkruanin për kryerjen e veprave të mira, ndërsa njëkohësisht dënojnë mëkatin, dhe veten e tyre me ferrin pra, duhet të jetë shkruar me anë të frymëzimit Hyjnor” (McDowell 1990; 178). Si i frymëzon Perëndia shkrimtarët?. A i frymëzon ai shkrimtarët duke i sfiduar zëmrat e tyre që të arrijnë lartësi të reja, ashtu si e gjejmë tek veprat e Shekspirit, Miltonit, Homerit dhe Dikensit, të cilat janë të gjitha kryevepra letrare njerëzore?.

Ose ajo që ai frymëzon përmban fjalë të Perëndisë - së bashku me mite, gabime dhe legjenda, duke krijuar kështu një libër në të cilin mund të gjejmë pjesë të Fjalës së Perëndisë, së bashku me ato të njerëzve të kufizuar dhe të gabueshëm?. Ose, a janë Shkrimet në tërësinë e tyre, Fjala e pagabueshme e Perëndisë?. Me fjalë të tjera, myslimanët do të pyesnin, si është kryer ky frymëzim?. A përdor Perëndia diktimin mekanik, i ngjashëm me atë që ne e gjejmë të pretendohet për Kuranin, apo përdor mendjet dhe përvojat e shkrimtarëve?. Përgjigja e thjeshtë është që kontrolli i Perëndisë ka qenë gjithmonë me ta në shkrimet e tyre, e tillë që Bibla nuk është asgjë më tepër se “Fjala e Perëndisë me fjalë të njerëzve” (McDowell 1990:176).

Kjo do të thotë që Perëndia përdori kulturën dhe traditat e mjedisit të shkrimtarëve të tij, një mjedis që Perëndia e kontrollon në providencën e tij sovrane. Kështu që historia duhet të trajtohet si histori, poezia si poezi, hiperbola si hiperbolë dhe metafora si metaforë, përgjithësimi dhe vlerësimi i përafërt si të tilla, dhe kështu me rradhë. Dallimi midis traditave letrare në kohët Biblike dhe ato në kohën tonë duhet të studiohen gjithashtu. Pasi që, për shembull, të treguarit në mënyrën jokronologjike dhe citimi i pasaktë ishin konvencional dhe të pranueshëm dhe nuk prishnin asnjë pritje në ato ditë, ne nuk duhet t’i trajtojmë këto gjëra si gabime kur i gjejmë tek shkrimtarët e Biblës.

Gjersa nuk është pritur një saktësi totale e llojit të caktuar dhe nuk është synuar drejt kësaj, nuk është pra gabim nëse kjo gjë nuk arrihet. Shkrimi është pa gabim, jo në kuptimin e të qënit absolutisht i saktë sipas standardeve moderne, por në kuptimin e provimit të pretendimeve të tij dhe në arritjen e asaj përmase të së vërtetës së fokusuar drejt së cilës kanë synuar autorët e tij. Vërtetësia e Shkrimeve nuk shfuqizohet me shfaqjen e parregullsive gramatike dhe ato shkrimore në të, përshkrimeve fenomenale të natyrës, raportet e deklaratave të pavërteta (p.sh. gënjeshtrat e Satanit), ose mospajtimet e dukshme midis një fragmenti dhe një tjetri. Nuk është e drejtë të vendosësh të ashtuquajturin “fenomen” të Shkrimit kundër mësimit të Shkrimit në lidhje me vetveten. Nuk duhet të injorohen mospajtimet e dukshme.

Zgjidhja e tyre, kur ajo mund të arrihet në mënyrë bindëse (ashtu si ne jemi përpjekur në këtë letër), do të inkurajoj besimin tonë. Mirëpo, aty ku tani për tani asnjë zgjidhje bindëse nuk është e pranishme, ne do ta nderojmë dukshëm Perëndinë duke i besuar zotimit të tij që Fjala e tij është e vërtetë, përkundër këtyre gjërave, dhe duke mbajtur besimin tonë që një ditë ato gjëra do të zbulohen të kenë qenë iluzione. Kjo nuk është një shpresë e verbër. Për shembull, një shekull më parë ishin përafërsisht 100 pjesë të trupit, funksioni i të cilave ishte misterioz për mjekët, dhe njerëzit do të thonin “ky është një fakt për evolucionin sepse këto pjesë janë pjesë të lëna anash që nuk na nevojiten më”. Megjithatë, për shkak të kërkimeve të kujdesshme dhe të vazhdueshme tani kemi mbetur vetëm me një organ në trup i cili duket të jetë i tepërt. Me kohë, ndoshta ne do të gjejmë përdorim për atë organ. Ky parim mund të shihet gjithashtu edhe me Biblën. Ka aq shumë “mospajtime” që janë sqaruar për shkak të kërkimeve dhe kuptimit më të madh. Nëse Shabbir-i do të ishte para një shekulli ose 25 vite më parë lista e tij do të ishte shumë lehtë me 1001 mospërputhje.

Pasi fakte të reja po zbulohen, ne vazhdimisht jemi duke gjetur përgjigje për shumë nga misteret historike. Prandaj ne kemi çdo arsye për të besuar që, në kohën e Perëndisë, pjesa tjetër do të zgjidhet gjithashtu. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që kriteri i të krishterëve për zbulesën nuk është i pranueshëm për myslimanët, pasi që është në kundërshtim të dukshëm më atë të tyrin. Tani, duke krahasuar thjeshtë konceptin Biblik kundër Nazilit ose Tanzilit (“të zbritur”) që ata pretendojnë për Kuranin e tyre, myslimanët dënojnë veten e tyre me hipokrizi, pasi që kërkojnë nga Dhiata e Re diçka që ata nuk e kërkojnë nga zbulesat e mëparshme, Tevrati dhe Zeburi, edhe pse të dyja nderohen nga të gjithë myslimanët si zbulesa të frymëzuara njëlloj. Myslimanët besojnë që Mojsiu shkroi Tevratin dhe Davidi shkroi Zeburin. Mirëpo, asnjëri prej tyre s’ka pohuar që i kanë marrë zbulesat e tyre përmes transmetimit nazil (“të zbritur”). Prandaj, pse insistohet në një gjë të tillë për Dhiatën e Re, veçanërisht kur dokumenti nuk deklaron diçka të tillë për vetveten? Arsyeja themelore ndoshta ndodhet në besimin e myslimanëve që Kurani, pasi që është zbulesa e vetme që erdhi “e papenguar” nga ndërhyrja njerëzore, është kështu shpallja më e qartë e fjalës së Allahut, dhe prandaj tejkalon të gjitha zbulesat e mëparshme, aq sa edhe i anulon ato, pasi që supozohet që ato janë korruptuar përmes kufizimeve të autorëve njerëzor.

U la pa u përmendur edhe ironia verbuese që pretendon se zbulesa nazile për Kuranin vjen nga një burim i vetëm, nga njeriu të cilit supozohet se i është zbuluar, pra Muhamedit. Deri tani nuk ka dëshmitarë të jashtëm, si përpara ashtu edhe në atë kohë që mund ta vërtetojnë dëshminë e Muhamedit. Nuk janë siguruar as mrekullitë për të mbështetur me prova pohimet e tij, dhe nuk ka asnjë dokument të njohur për një Kuran të tillë nga shekulli në të cilin pretendohet të jetë zbuluar (shiko fletën në lidhje me historinë e Kuranit kundrejt asaj të Biblës). Edhe nëse ne nuk do të merrnim parasysh problemet historike për Kuranët e hershëm, një problem tjetër ka të bëj me traditat e shumta myslimane të cilat flasin për kopjet e ndryshme të dorëshkrimeve Kuranore që kanë qenë mbizotëruese gjatë sistemimit të recensionit Uthmanik të Kuranit në mes të shekullit të shtatë, dhe që të gjitha kopjet konfliktuoze janë shkatërruar, kështu që ne nuk mund ta dimë sot nëse Kurani që kemi ne është i ngjashëm me atë që është zbuluar që në fillim.

Atë që myslimanët duhet ta kuptojnë është që të krishterët gjithmonë kanë pohuar që Fjala e Perëndisë, Bibla, vërtet është shkruar nga njerëzit, por këta njerëz kanë qenë gjithnjë nën frymëzimin e drejtëpërdrejtë të Shpirtit të Shenjtë (2 Pjetri 1:20-21). Gjersa Kurani është i deklaruar të jetë i lirë nga çdo element njerëzor, Perëndia në Bibël ka zgjedhur qëllimisht që të zbulojë Fjalën e Tij përmes individëve që kanë qenë profet dhe apostuj të frymëzuar, kështu që Fjala e Tij do t’i komunikohej njerëzimit jo vetëm në mënyrë të saktë dhe gjithëpërfshirëse, por do t’i komunikohej gjykimit dhe aftësive të tyre kuptuese gjithashtu. Këtë gjë Kurani nuk mund ta bëjë nëse nuk ka asnjë element njerëzor, siç është deklaruar në përgjithësi. Ekzistojnë edhe probleme të tjera me pohimin që mbajnë myslimanët që Bibla është plot me mospërputhje. Për shembull, çfarë do të bëjnë atëherë myslimanët me autoritetin që Kurani i tyre ia jep Biblës?.

Share|