jump to navigation

A e ndërron mendjen Perëndia apo jo?

Postuar tek: Mospërputhjet në Bibël

A e ndërron mendjen Perëndia (Zanafilla 6:7, Eksodi 32:14, 1Samueli 15:10-11,35) apo nuk e ndërron mendjen e Tij (1Samueli 15:29)?

(Kategoria: është keqkuptuar mënyra se si Perëndia vepron në histori dhe është keqkuptuar përdorimi i hebraishtes)

Kjo “mospërputhje” shfaqet zakonisht vetëm në përkthimet më të hershme angleze të dorëshkrimeve biblike. Kjo akuzë ngrihet nga vështirësitë e përkthimit dhe zgjidhet duke shikuar në kontekstin e ngjarjes. Perëndia e dinte që Sauli do të dështonte në detyrën e tij si Mbret i Izraelit. Megjithatë, Perëndia e lejoi Saulin të bëhej Mbret dhe e përdori atë shumë për të bërë vullnetin e tij. Sauli ishte tepër efektiv si drejtues i Izraelit, në nxitjen e popullit të tij, për të pasur kurajo dhe të mburreshin me kombin e tyre, dhe në përballimin e armiqve të Izraelit gjatë kohëve të luftës. Mirëpo, Perëndia e bëri të qartë shumë më përpara kësaj kohe (Zanafilla 49:8-10) që Ai do të vendoste mbretërit nga fisi i Judës të cilët do të sundonin mbi Izraelin.

Sauli ishte nga fisi i Benjaminit. Për këtë arsye nuk kishte fare dyshim që Sauli dhe pasardhësit e tij nuk ishin zgjedhja permanente e Perëndisë për t’u ulur në fronin e Izraelit. Mirëpo pasuesi i tij, Davidi, ishte nga fisi i Judës, dhe linja e tij do të vazhdonte. Për këtë arsye Perëndia, i cili di të gjitha gjërat nuk “e ndërroi mendjen e tij” në lidhje me Saulin, sepse Ai e dinte që Sauli do të largohej nga Ai dhe që froni do t’i jepej një tjetri. Fjala që përdoret në gjuhën hebraike për të shprehur atë çfarë Perëndia mendoi dhe çfarë Perëndia ndjeu në lidhje me largimin e Saulit prej tij është “niham” që përkthehet “pendim” në vargun e përmendur. Por, ashtu siç është e zakonshme tek gjuhët, ajo fjalë mund të nënkuptojë më tepër se vetëm një gjë. Për shembull, gjuha angleze ka vetëm një fjalë për “dashuri”. Gjuha greke ka së paku katër dhe ajo hebraike ka më tepër.

Fjala hebraike ose greke për dashuri nuk mundet gjithmonë të përkthehet “dashuri” në gjuhën angleze nëse ne duam të ruajmë më tepër nga kuptimi origjinal. Ky është një problem që e kanë përkthyesit. Ata që kanë përkthyer Biblën nën urdhërin e Mbretit Xhejms (prandaj quhet përkthimi i Mbretit Xhejms, nga e cila citon Shabiri) kanë përkthyer këtë fjalë “niham” 41 herë si “pendim” nga 108 paraqitjet e fromave të ndryshme të fjalës niham në dorëshkrimet hebraike. Këta përkthyes vareshin më shumë në pak dorëshkrime të cilat ishin në dispozicionin e tyre sesa përkthyesit e tanishëm; këta të fundit kanë patur hyrje në dorëshkrimet shumë më të vjetra si dhe më tepër kuptim të fjalëve në hebraishten biblike që ato përmbanin. Prandaj, përkthyesit e kohëve të fundit e kanë përkthyer shumë më saktë fjalën ‘niham’ në gjuhën angleze, duke e bërë të ditur më tepër kuptimin e saj në gjuhën hebraike (si lëshoj pe, hidhërohem, ngushëlloj, rehatoj, ndërroj mendjen e tij, etj. Ashtu si e komunikon konteksti i tekstit hebraik).

Me këtë gjë në mëndje, një përkthim më i saktë i hebraishtes do të ishte që Perëndia ishte “hidhëruar” që e kishte bërë Saulin mbret. Perëndia nuk gënjen, dhe as nuk e ndërron mendjen e tij; sepse ai nuk është njeri që të ndërrojë mendjen e tij. Perëndia ishte i hidhëruar që e kishte bërë Saulin mbret. Perëndia tregon në Bibël që ai ka emocione reale. Ai ndjen keqardhje për dhimbjet e njerëzve, dhe i dëgjon lutjet e tyre për ndihmë. Zemërimi dhe tërbimi i tij zgjohen kur Ai shikon vuajtjen e njerëzve nga veprat e të tjerëve. Perëndisë dhe popullit të Izraelit ju shkaktua dhimbje si rezultat i mosbindjes së Saulit.

Por gjithashtu, Perëndia e kishte në planin e tij që nga fillimi, që familja e Saulit, edhe pse nuk ishte nga fisi i Judës, nuk do të qëndronte në fron. Për këtë arsye, kur Sauli i lutet Samuelit që të rregullohet me Perëndinë dhe që të mos hiqet nga froni, në vargun 25 deri 26 Sauli i përgjigjet që Perëndia ka thënë që do të jetë kështu - Ai nuk do të ndërrojë mendjen e tij. Ishte thënë që do të jetë kështu qindra vjet më parë para se Sauli të ishte mbret. Këtu nuk ka fare mospërputhje. Pyetja ishte “A e ndërron Perëndia mendjen e Tij?” Përgjigja është, “Jo”. Por ai i përgjigjet situatave dhe sjelljeve të njerëzve me dhembshuri dhe me zemërim, dhe për këtë arsye Ai mund të hidhërohet kur ata bëjnë të keqen. (Archer 1994).