jump to navigation

Ndëshkim apo shkatërrim?

Postuar tek: Një herë në Krishtin në Krishtin përgjithmonë

Sepse, o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos e dini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det, dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det, të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti. Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë. Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata, dhe që të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: «Populli u ul që të hajë dhe të pijë, dhe u ngrit për të luajtur». Dhe të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë. Dhe të mos e tundojmë Krishtin, ashtu si e tunduan disa nga ata dhe u vranë nga gjarpërinjtë. Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi. Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët. Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë. Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimit njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni. Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria. Po ju flas si të mençur, gjykojeni ju atë që them: kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë. Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit? Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka? Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët. Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve.

Kjo pjesë është përdorur shpesh nga ata që përpiqen të provojnë se siguria e përjetshme nuk është e vërtetë. Mënyra e arsyetimit duket e thjeshtë. Kjo pjesë u shkruhet besimtarëve dhe tregon se si populli i Perëndisë mëkatoi shumë rëndë në shkretëtirë. Si pasojë Perëndia i dënoi. Prandaj besimtarët e sotëm mund ta humbasin shpëtimin nëpërmjet mëkatit.

Gabimi i këtij argumentimi është se nuk bën dallimin mes ndëshkimit të Perëndisë për popullin e Tij në këtë jetë dhe dënimit të Tij të përjetshëm për të paudhët në botën që do të vijë. Le ta shqyrtojmë pjesën duke pasur parasysh këtë ndryshim.

Katër vargjet e para na flasin për privilegjet e mëdha që kishte populli: drejtim hyjnor, mbrojtje, një drejtues të emëruar nga Perëndia, ushqim dhe pije që nuk mungonin. Por privilegjet sjellin përgjegjësi. Të gjithë ushtarët 20 vjeç e sipër që kishin lënë Egjiptin vdiqën në shkretëtirë përveç Jozueut dhe Kalebit. Por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që vdiqën humbën përjetësisht. Moisiu, Aaroni dhe Miriami sigurisht nuk humbën. Ndëshkimi i Perëndisë nuk i lejoi të hynin në Kanaan, por nuk i pengoi të hynin në qiell. Mëkatet e Izraelit përmenden në vargjet 6-10: lakmi për mishin dhe ushqimet e Egjiptit, idhujtari, kurvërim, provokim i Zotit dhe ankesa. Fakti që kjo histori është shkruar si shembull dhe si paralajmërim ngre pyetjen “A mund t’i bëjë këto mëkate një i krishterë i vërtetë?”

Fatkeqësisht, përgjigjja është “Po!”. Një besimtar mund të kryejë secilin prej mëkateve për të cilat paralajmërohet në Dhiatën e Re. Dhe nëse një mëkat i tillë nuk rrëfehet, ai do të sjellë me vete ndëshkimin e Zotit dhe do ta mbajë këtë njeri larg bekimeve. Nëse jeta e një njeriu sundohet nga mëkati, nëse mënyra e tij e jetesës karakterizohet nga mëkati dhe ai e ka zakon të mëkatojë, atëherë kjo është një provë që Fryma e Shenjtë nuk ka banuar kurrë në të. Ai nuk ka rilindur kurrë.

Një i krishterë mund të ketë një mëkat që e rrethon dhe nën të cilin ai dergjet në agoni, por kjo ndryshon nga një jetë ku mëkatohet me dëshirë të plotë. Asnjë nuk duhet të mendojë se ka arritur kulmin e shenjtërisë ose se ka imunitet për të mos rënë në mëkat. Asnjë njeri nuk është i sigurt prej rënies në mëkat, derisa të jetë në shtëpi, në qiell. Çdo besimtar sulmohet nga mëkati, nga brenda dhe nga jashtë. Por ai nuk është një viktimë e pashpresë. Perëndia ynë besnik e kufizon intensitetin e mëkatit dhe jep një rrugëdalje.

Pjesa tjetër e kapitullit i drejtohet pakujdesisë që të saposhpëtuarit kishin treguar duke mos i shkëputur lidhjet me të kaluarën e tyre plot idhujtari. Pali i nxit të çlirohen prej idhujtarisë, ai u jep arsye të forta pse duhet ta bëjnë këtë. Është e rëndësishme të kujtojmë se ka ndryshim mes gjykimit që Perëndia i bën një besimtari dhe dënimit që Ai do t’i bëjë botës. Pali e zbulon këtë ndryshim tek 1 Korintasve 11:31-32.

Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.

Para se të marrim pjesë në Darkën e Zotit duhet të gjykojmë të gjitha mëkatet që dimë se kemi në jetën tonë duke i rrëfyer ato dhe duke marrë faljen e Perëndisë. Nëse e bëjmë këtë, nuk do të gjykohemi nga Zoti. Natyra e këtij gjykimi jepet te vargu 30: sëmundje, madje edhe vdekje. Kjo është ndreqja nga Zoti, një lloj ndëshkimi atëror. Është më mirë të durosh këtë ndreqje, sesa të vuash dënimin e përjetshëm. Nëse nuk përjetojmë ndreqjen e Tij, ne nuk jemi bijtë e Tij, por fëmijë të paligjshëm (Heb. 12:7-8). Vargu 32 nuk nënkupton se një besimtar mund të dënohet bashkë me botën. Përkundrazi, ai thotë se ka vetëm dy mundësi: ndreqje tani, që është fati i besimtarëve të vërtetë, ose dënimi me botën, që është fati i të pashpëtuarve.