jump to navigation

KAPITULLI 4: NJË AUTORITET NË DISPOZICIONIN TËND

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes më: 08, 5, 2008

Gjatë javës së fundit të jetës së Tij në tokë, përpara vdekjes së Tij ndërmjetësuese dhe të ringjalljes, Jezusi u dha dishepujve të Tij disa urdhëra të veçanta, në lidhje me lutjen. Këto urdhëra bëjnë pjesë në mësimet e Tij më të thella. Një nga gjërat që u ka kushtuar më tepër rëndësi është se, që atëherë e më pas, dishepujt e Tij do t’ua paraqitnin kërkesat e tyre Atit në emrin e Tij. Asnjë kryetar nuk u ka dhënë asnjëherë dishepujve të Tij një autoritet kaq të jashtëzakonshëm. Për të përdorur një autoritet të tillë, për lavdinë e Jezusit dhe për përparimin e Mbretërisë së Tij, duhet t’u përgjigjemi këtyre tri pyetjeve:

a. Çfarë do të thotë fjala “emër” sipas mendimit hebraik?
b. Çfarë do të thotë të lutesh në emrin e Jezusit?
c. Si mund ta përdorim, me efikasitet më të madh, emrin e Jezusit, kur lutemi?

DOMETHËNIA E “EMRIT” SIPAS KONCEPTIT HEBRAIK

Fjala “emër”, siç përdorej në epokën e Krishtit, do të thotë tri gjëra: Emri përfaqëson personin. Të lavdërosh emrin e Jezusit do të thotë të lavdërosh vetë Atë. Të duash emrin e Jezusit do të thotë ta duash Atë. Të çnderosh emrin e Jezusit do të thotë të fyesh Atë.

Emri përfaqëson gjithshka që dimë për personin. Kur Moisiu dridhej se po i afrohej akoma edhe më shumë Jahves, ai i kërkoi të shihte lavdinë e Tij. Perëndia iu përgjigj se një qenie njerëzore nuk do të mbijetonte ndaj një takimi të tillë me Të, sepse lavdia e Tij është më e madhe nga sa mund ta durojë trupi fizik. Por Perëndia i premtoi se do t’i zbulohej në mënyrë të pjesshme. Ai e vuri Moisiun në një të çarë të shkëmbit, e mbuloi me dorën e Vet dhe kaloi para tij. Më pas tërhoqi dorën për një çast në mënyrë që Moisiu të mund të shikonte lavdinë e Tij.

Duke bërë këtë, ai thirri dy herë emrin e Tij, një emër që zbulonte karakterin e Tij: “Zoti Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk lë pa ndërshkuar fajtorin” (Eksodi 34:6-7). Të njihje Perëndinë do të thoshte të njihje gjithçka që përfaqësonte emri i Tij. Të njihje emrin do të thoshte të njihje Perëndinë. Emri i Jezusit përfaqëson gjithçka që ne dimë për Të, nga Shkrimi dhe nga përvoja vetjake. Emri përfshin fuqinë e Tij për të shndërruar dashurinë, mëshirën, kundërshtimin ndaj hipokrizisë, dëshirën e Tij që të jemi të shenjtë, ashtu siç Ai është i shenjtë. Ai përfshin njohjen tonë për Të, në lavdinë e Tij të përjetshme, krijimin e gjithësisë, mishërimin, vdekjen shlyese, ringjalljen dhe ardhjen e Tij të dytë.

Emri tregon praninë vepruese të personit. Për të krishterët e parë të mbledhurit “në emrin e Jezusit” (Mateu 18:20) nënkuptonte që Jezusi ishte i pranishëm në mes tyre, pikërisht siç është sot. Të ishe i dërguar “në emrin e Jezusit” dhe të veproje “në emrin e Jezusit” (Kolosianëve 3:17) do të thoshte të veproje nëpërmjet autoritetit të Jezusit, duke treguar personalitetin e Tij. Sot, kur veprojmë “në emrin e Jezusit” besojmë se nuk veprojmë vetëm, por se Jezusi është në anën tonë, edhe pse nuk e shohim me sytë tanë.

DOMETHËNIA E LUTJES NË EMRIN E JEZUSIT

Para se të lutemi në emrin e Jezusit duhet të kemi parasysh disa koncepte të rëndësishme: Të lutesh në emrin e Jezusit është e mundur nëse je “në Jezusin”. Ai tha: “Çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj” (Gjoni 14;13,14). Gjatë të njëjtës bisedë me dishepujt e Tij, pak përpara vdekjes, u tha atyre: “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet” (Gjoni 15:5,7). Te Gjoni kapitulli 14 e 15 Jezusi përmend shumë herë shprehjen “në mua” dhe “qëndron në mua”.

Të jesh “në Jezusin” do të thotë:

Për t’u lutur në emrin e Jezusit duhet të kemi këtë marëdhënie: “të bashkuar me Krishtin”.

Të lutesh në emrin e Jezusit do të thotë të jesh i njëjtë me natyrën e Tij. Tek Gjoni 13 na jepet shembulli i Jezusit, i cili, si një shërbëtor, u lan këmbët dishepujve. Kur njeh të vërtetën duhet ta vësh në praktikë (13:17). Kur bën vullnetin e Tij me gëzim, duke pasqyruar Krishtin, atëherë ti mund të lutesh në emrin e Jezusit. Të lutesh në emrin e Jezusit do të thotë të lutesh për dashurinë e Tij. Duhet të dëshirosh atë që Jezusi dëshiron, deri në atë pikë sa që çdo kërkesë e jotja të jetë sipas frymës së lutjes së Zotit: “U bëftë vullneti yt” (Mateu 6:10). Ky ishte qëndrimi i Jezusit ndërsa lutej në Gjetseman. Duhet të lutesh shumë dhe me zjarr derisa të njohësh vullnetin e Tij. Të lutesh në emrin e Jezusit do të thotë ta përdorësh emrin e Tij si referim.

“Duke përdorur emrin tim, ju mund të kërkoni çfarëdo lloj gjëje dhe unë do ta bëj, sepse do të përlëvdohet Ati për shkak të asaj që unë, Biri, do të bëj për ty. Po, kërkoni çfarëdo gjëje duke përdorur emrin tim dhe unë do ta bëj”. Kur t’i afrohesh Perëndisë At në lutje, Jezusi është pika jote e referimit. Kur Satani përpiqet të të pengojë ose të kundërshtojë, drejtoju Perëndisë në emrin e Jezusit, për të marrë fitoren e plotë. Të lutesh në emrin e Jezusit do të thotë të përdorësh fitoren e Kalvarit. Jezusi, haptas, ka fituar mbi Satanin dhe mbi gjithë turmën e ligë të demonëve (Kolosianëve 2:15). Satani është një armik i mundur. Ai është një pushtues që përpiqet të të frikësojë dhe të të mashtrojë, por që e ka humbur betejën përfundimtare. Në emrin e Jezusit trego fitoren e Krishti në kryq! Të lutesh në emrin e Jezusit do të thotë të njohësh rolin e Tij si Profet, Prift dhe Mbret. Si Profet Ai është Këshilltari dhe Udhëheqësi yt. Si Prift, Ai është Ndërmjetësi yt. Kur lutesh, është Ai që thotë Amen për lutjet e tua (Zbulesa 3:14).

“Në fakt të gjitha premtimet e Perëndisë janë “po” dhe ne u kemi shpallur të gjithëve se Ai është besnik, duke i dhënë lavdi Atij (2 Korintasve 1:20). Si Mbret, Ai është Zoti dhe Sovrani yt. Kur lutesh në emrin e Tij do të thotë të kërkosh më anën e lutjes tënde udhëheqjen profetike, ndërmjetësimin priftëror dhe përgjigjet e Tij. Të lutesh në emrin e Jezusit do të thotë të lutesh në plotësinë e autoritetit të Tij. Ai të ka dhënë autoritetin për t’u lutur dhe që t’i kërkosh Perëndisë të bëjë gjëra të mëdha në emrin e Tij. Në emrin e Jezusit ti mund të qortosh Satanin me mashtrimet e tij, demonët e tij dhe gjithë veprimtarinë e tij djallëzore. Kjo është mbrojtja, forca dhe fitorja jote.

SI TË PËRDORËSH NË LUTJE EMRIN E JEZUSIT

Çfarë privilegji i mrekullueshëm! Nuk ke nevojë për asnjë rekomandim dhe për asnjë prezantim për të arritur tek Perëndia. Shko menjëherë drejt fronit të Tij. Rri i qetë dhe drejto frymërisht shikimin tënd drejt Atit tënd. Perëndia po të pret dhe është në pritje që të shkosh tek Ai në lutje. Si bir i Perëndisë, mëkati dhe faji yt u falën. Nuk je më një skllav, je mik i Jezusit; je zyrtarisht shoku i Tij në lutje. Shko tek froni i hirit, jo në emrin tënd, por në emrin e Zotit Jezu Krisht, duke paraqitur interesat e Tij dhe nëpërmjet autoritetit të Tij. Ti ke detyrën zyrtare për të ndërmjetësuar. Si do ta përdorësh këtë emër të mrekullueshëm dhe të gjithëpushtetshëm? Kujto se çfarë përfaqëson emri i Tij. Emri i Jezusit përfaqëson personin, lavdinë, autoritetin e Tij dhe gjithçka që Ai është. Gëzohu në vlerën e madhe të emrit të Tij. Emri i Jezu Krishtit tregon gjithë bukurinë dhe dashurinë e Tij, përmbledh gjithë mirësinë dhe, në mënyrë të veçantë, dashurinë e Tij ndaj teje.

Emri i Tij përfaqëson dashurinë e Tij të qëndrueshme dhe vetjake për ty dhe për ata për të cilët lutesh. Kur lutesh, këndoji lavde emrit të Tij të çmueshëm (Psalmi 135:3). Shfaq dashurinë tënde nëpërmjet përdorimit të emrit të Tij. Ata që ti do, do të ishin të lumtur nëse do të përmendje emrat e tyre. Zoti Jezu Krisht të do me një dashuri të pashoqe, megjithë numrin e madh të atyre që thërrasin emrin e Tij. Ai është entuziast kur dëgjon të shpallësh emrin e Tij. Nuk ka rëndësi sa herë e ke përmendur më parë, por Ai gëzohet sa herë që përmend emrin e Tij me dashuri. Të shpallësh emrin e Tij është një flijim i vërtetë lavdërimi. Prandaj, me ndihmën e Jezusit, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, duke u folur të tjerëve për lavdinë e Tij (Hebrenjve 13:15). Beso në emrin e Tij. Kur lutesh, Zoti Jezus do që ti të vendosësh në praktikë besimin tënd duke besuar në emrin e Tij (1 Gjonit 3:12). Emri i Tij i jep shpresë dhe qëndrueshmëri besimit tënd dhe të mbush me gëzim (Romakëve 15:13; 1 Pjetrit 1:8). Besimi në emrin e Tij jep përgjigje të mrekullueshme (Veprat e Apostujve 3:16).

Drejtoji lutjet e tua në emrin e Tij (shih Gjonin 14:13-15; 15:6,7; 16:26,27). Sigurohu që të jesh në harmoni me Të. Lutu për gjithçka që i pëlqen dhe që i jep lavdi Atij. Kërkoji trashëgiminë tënde në emrin e Tij. Kërko për hir të emrit të Tij. Përdor autoritetin e emrit të Tij. Emri i Jezusit shpreh autoritetin e emrit të Tij Sovran, e bën të pranishme fitoren e Tij në Kalvar dhe sjell në mendje gadishmërinë e engjëjve që i nënshtrohen Atij. Emri i Tij miraton planin dhe programin e Tij. Ai garanton dështimin dhe humbjen e Satanit. Emri i Tij është dhënë për t’u përdorur nga ti në lutje. Ji i fortë në zotërimin e autoritetit të Tij për të kundërshtuar Satanin dhe për t’u bazuar në përparësinë e vullnetit të Tij. Shenjtëro lutjen tënde në emrin e Tij. Kur, në lutje, përdor emrin e Jezu Krishtit: emri i Tij mbron sinqeritetin dhe qëllimet e kërkesës tënde. është e vështirë të lutesh në emrin e Tij në mënyrë egoiste apo mishërore. Emri i Tij bën që t’i japësh Atij lavdinë. Emri i Tij kërkon ndershmërinë dhe bindjen tënde. Emri i Tij të shtyn të shmangësh përsëritjen e formulave supersticioze, si lutjet e paganëve (Mateu 6:7).

Përfshi pjesëmarrjen e Tij nëpërmjet emrit të Tij. Krishti është Kryeprifti yt që ndërhyn në të djathtë të Atit (1 Pjetrit 3:22; Romakëve 8:34; Efesianëve 1:20:23). Duke u lutur në emrin e Tij, ti mund t’i bashkohesh ndërmjetësimit së Tij. Të përdorësh emrin e Tij, sipas kuptimit të plotë biblik, të bën shokun e Tij në lutje. Ndero emrin e Tij. Perëndia dëshiron që të përlëvdosh emrin e Jezusit. Lutja jote në emrin e Jezu Krishtit lejon që t’i japësh lavdinë Atit (Gjon14:13-14). Perëndia e ka lartësuar Jezusin dhe i ka dhënë një emër që është mbi çdo emër (Fil 2:9). Duke u lutur në emrin e Tij, ti i jep lavdi Jezusit. Qortoje Satanin në emrin e Jezusit. Edhe engjëjt e qortojnë Satanin dhe ushtrinë e demonëve në emrin e Jezusit. Përmendi djallit se kush është Jezusi, fitoren e Tij në kryq dhe, se me anë të ringjalljes së Tij, Satani është mundur. Përmendi njësimin tënd me Jezusin dhe autoritetin që të është dhënë në emrin e Jezusit.

Përdore emrin e Tij si strehën tënde. “Emri i Zotit është një kala e fortë; tek ai turret i drejti dhe gjen siguri” (Fjalët e Urta 18:10). Gëzohu për privilegjin që mund të gjesh ndihmë me emrin e Jezusit dhe të përdorësh emrin e Tij. Kërkoji Perëndisë të kesh veprën dhe mbrojtjen e engjëjve, për ata për të cilët po lutesh dhe, në veçanti, për ata që punojnë për Zotin në vende të rrezikshme. Engjëjt kanë detyrën e vazhdueshme të të ndihmojnë ty dhe gjithë bijtë e Perëndisë (Hebrenjve 1:14). Të gjithë janë të nënshtruar ndaj Jezusit dhe të gjithë zbatojnë urdhrat e Tij. Ti je i sigurtë nën strehën e emrit të Tij. Bëj gjithçka në emrin e Jezusit. Kolosianëve 3:17 përmbledh gjithçka: “Çdo gjë që të bëni me fjalë dhe me vepra t’i bëni në emër të Zotit Jezus”. Jeto për lavdinë e emrit të Tij, mbështetu në emrin e Tij. Merre me vete emrin e Jezusit dhe, në këtë mënyë, do të jesh fitimtar kudo që të shkosh.

Share|