jump to navigation

KAPITULLI 12: TË MBJELLËSH ME LOT

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes më: 01, 10, 2010

“Ata që mbjellin me lot, do të korrin me këngë gëzimi. Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet me këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij” (Psalmi 126:5-6). Lotët janë të çmuara në sytë e Perëndisë kur derdhen gjatë një ndërmjetësimi ose nga gëzimi që Ai ka përmbushur lutjet tona. Biri i Perëndisë e di çfarë do të thotë të qash në lutje. Kujtojmë se vetë Jezusi qau në Gjetseman ndërsa luftonte kundër forcave të errësirës (Hebrenjve 5:7).

Sqarojmë se këtu nuk po flasim për lot të derdhura për një problem vetjak. Këta lot janë kryesisht mishërorë dhe shërbejnë për të ulur tensionin, edhe pse “e qara” ndikon në mënyrë positive në gjendjen e shpirtit të një personi të trishtuar ose me depresion. Lotët që shoqërojnë ndërmjetësimin tonë janë të mirë dhe nuk duhet të na vijë turp për to. Në fakt, ato i tregojnë Perëndisë intensitetin e indentifikimit tonë me ata për të cilët po ndërmjetësojmë dhe, përveç kësaj, është edhe një provë që Fryma e Shenjtë lutet nëpërmjet nesh.

Kjo ndodh më shpesh kur je vetëm me Perëndinë. Normalisht lutja jonë private mund të jetë më e thellë dhe më e dendur se ajo që bëjmë publikisht. Shiko se mund të qash edhe në thellësinë e shpirtit, edhe nëse asnjë lot nuk lag faqet e tua. Perëndia, mbi të gjitha, shikon zemrën tënde (1 Samuelit 16:7). Lotët, ashtu si dhe fjalët, janë të rëndësishëm, edhe pse Perëndia të sheh dhe të njeh ashtu siç je në të vërtetë (2 Samuelit 7:20; Gjoni 21:17). Perëndia i njeh dëshirat e tua më të thella, më tepër nga sa di t’i shprehësh. Duke u bërë një me ata për të cilët lutesh, tregoje qarjen tënde të përgjërimit ndaj Perëndisë, por mos u përpiq të prodhosh me forcë lot sipërfaqësor: Kjo do të ishte një hipokrizi! Pranoji lotët kur Fryma e Shenjtë t’i jep, por përpiqu të ndjesh, në thellësinë e zemrës, intensitetin e dëshirës që Fryma ndjen.

KUR ËSHTË KOHA PËR TË QARË

Fjala e Perëndisë na thotë se ka një kohë për të qarë (Predikuesi 3:4) dhe është koha në të cilën ndërmjetësojmë për nevojat e të tjerëve. Ne qajmë ngaqë bëhemi njësh me ata që vuajnë dhe ndërmjetësojmë për ta. Ne duhet t’i kuptojmë nevojat e tyre më tepër se sa t’i akuzojmë dhe dënojmë. Kështu, për shembull, në vend që të lutemi: “O Zot, fali për ftohtësinë e tyre”, duhet të lutemi duke thënë: “Zot , na fal si kishë, sepse jemi të ftohtë. Na ndihmo të jemi më të dashur, të lutemi më shumë, të jemi më veprues për ty”. Në këtë mënyrë arrihet indentifikimi në nevojë. Situata aktuale e botës kërkon vajtimin tonë: Ne duhet të qajmë, sepse njerëzimi ka braktisur Perëndinë! (Psalmi 9:17). Ata nuk kujdesen për ta njohur Atë (Romakëve 1:28). Ata përçmojnë dashurinë dhe durimin e Tij (Romakëve 2:4). Si rrjedhim janë ngurtësuar nga gjykimi i Perëndisë dhe korrin atë që kanë mbjellë (Romakëve 2:5; Zbulesa 16:21). Ne duhet të qajmë për botën në të cilën jetojmë: “O Zot, fale brezin tonë rebel!”.

Ne duhet të qajmë sepse mëkati po shtohet! Njerëzit e këqinj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq duke gënjyer dhe duke u gënjyer (2 Timoteut 3:13). Lista e mëkateve tek 2 Timoteut 3:2-5 është shumë e dukshme: “…Njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mizorë, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të ashpër, armiq të së mirës, të perëndishëm në dukje por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu”. Të gjitha këto mëkate e kanë ngurtësuar ndërgjegjen e njerëzve. Terrorizmi, sadizmi dhe krimet e paramenduara kanë arritur përmasa të paimagjinueshme. Lufta po bëhet gjithnjë e më e tmerrshme dhe paqja po zhduket. Njeriu është në pikën e vetëshkatërrimit. Si mundet të mos qajmë dhe të mos ndërmjetësojmë për brezin tonë të mbrapshtë?

Ne duhet të qajmë, sepse si kishë, jemi pa jetë dhe fuqi! Ne mund ta falenderojmë Perëndinë për besimtarët e përkushtuar, të shpërndarë në shumë vende të botës dhe për atë që Ai bën nëpërmjet nesh. Por në shumë vende kisha kalon një periudhë me kriza të mëdha. Ne kemi emrin se jetojmë, por shpesh jemi të vdekur frymërisht (Zbulesa 3:1). Ne na mungon ajo forcë që duhet t’i dëshmojmë botës besimin tonë (2 Timoteut 3:5). Ka shumë moskokëçarje dhe largim nga doktrina e shëndoshë dhe sektet sa vinë e shtohen (2 Timoteut 4:3-4). Shpeshherë gjendja jonë frymërore është e njëjtë me atë të kishës së Laodicesë. Ne nuk e vëmë re vaktësinë, varfërinë tonë frymërore, verbërinë dhe lakuriqësinë në sytë e Perëndisë (Zbulesa 3:17). Vetëm një përqindje e vogël e kishave të krishtera karakterizohet nga rizgjimi, fitimi i vazhdueshëm i shpirtrave nga ana e shumicës së anëtarëve dhe angazhimi veprues në veprën misionare. Ne kemi nevojë të qajmë për veten tonë: “O Zot, na rizgjo akoma!”.

Ne duhet të qajmë, sepse, si popull i Perëndisë, jemi frymërisht të përgjumur. “…Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam. Nata u thye dhe dita u afrua!…” (Romakëve 13:11,12). Për ne është turp të flejmë gjatë korrjes (Fjalët e Urta 10:5). Kemi humbur dëshirën për dëshminë dhe fitimin e shpirtrave, gjë e cila ishte një karakteristikë e Kishës së parë. Ne na turbullon mëkati, por nuk e kuptojmë se ka edhe mëkate të moskryerjes së detyrës, si për shembull, të mos bërit asgjë për të çuar një shpirt tek Krishti ose të luturit vetëm për veten. Përpara nesh kemi korrjen më të madhe dhe më të pasur të të gjitha kohrave e, megjithatë, kalojmë një jetë të krishterë teorike: e marrim me lehtësi mandatin e ungjillëzimit dhe i shohim misionet, thjesht, si një “hob”, në vend që ta konsiderojmë si detyrën më të rëndësishme të kishës. Perëndia na bëftë të mallëngjehemi edhe me lot: “O Zot, më rizgjo dhe ndiz gjithmonë e më tepër entuziazmin në mua dhe në kishën time!”. Ne duhet të qajmë sepse kthimi i Krishtit është më afër dhe detyra jonë nuk është përmbushur akoma!

Ka gjasa se një e katërta e popujve të botës nuk e ka dëgjuar kurrë emrin e Jezu Krishtit. Të paktën gjysma e kësaj popullsie nuk do të ishte në gjendje të merrte një vendim të zgjuar për ta pranuar si Shpëtimtar vetjak. Ndoshta të dhënat e ngurta statistikore nuk na çudisin, por është e mira të kujtojmë se çdo numri i korrispondon një individi që do ta kalojë përjetësinë në qiell ose në ferr. Disa vite më parë, kur isha drejtor i një shkolle biblike në Indi, së bashku me studentët e mi, përdorëm një semestër shkollor për të shkuar, qytet më qytet, me lajmin e Ungjillit dhe me literaturë të krishterë. E kishim bërë zakon të qëndronim nëpër fshatra që të kishim lidhje me njerëzit dhe t’u flisnim për Ungjillin.

Një natë, gjatë një takimi në një fshat, lexova historinë e lindjes së Jezusit, tek Lluka 2. Sapo fillova të flisja, një plak, i ulur në tokë, më ndërpreu me këtë pyetje: “Sa kohë ka kaluar që nga ajo ditë e madhe kur lindi Biri i Perëndisë? I thashë se kishin kaluar rreth dy mijë vjet. Ai m’u drejtua me një ton akuzues: “Ju thoni se e dini prej dy mijë vjetësh. Kush e ka mbajtur të fshehur atë libër për tërë këtë kohë?

Si do t’i përgjigjeshe ti? Nëse do të bëhej fjalë për vëllanë tënd, çfarë shfajësimi do të kishe gjetur për faktin se nuk i kishe dhënë, deri më sot, një mundësi të vetme për tu shpëtuar? Çfarë shfajësimi mund t’i paraqesim Perëndisë për paqëndrueshmërinë tonë në lutje? Gjendja e botës tonë duhet të na bëjë të qajmë. Një nga kujtimet e mia më të dashura është ajo e nënës time që qante ndërsa, çdo ditë, lutej për shpëtimin e popujve që akoma nuk ishin të ungjillëzuara. “O Zot, jepna lotët ndërsa lutemi!”.

ATA QË QANË

Jobi thoshte: “A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi dhe a nuk jam hidhëruar për të varfërin (Jobi 30:25). Moisiu qau për popullin e tij (Psalmi 69:10). Isaia qau për gjendjen e popullit të tij (Isaia 16:9). Perëndia i tha mbretit Jozia: “Sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vëndi… dhe grise rrobat dhe qave përpara meje dhe unë të dëgjova, tha Zoti” (2 Mbretërve 22:19). Kur Ezdra qau për popullin e tij edhe populli filloi të qajë dhe të lutej (Ezdra 10:1). Nehemia u ul dhe qau (për Jerusalemin), mbajti zi për disa ditë me rradhë, agjëroi, dhe u lut përpara Perëndisë së qiellit (Nehemia 1:4).

Jeremia njihej si “profeti që qante” për shkak të angazhimit të madh në lutje për popullin e tij. “Për plagën e bijës së popullit tim jam i dëshpëruar, po mbaj zi, jam i tmerruar… Oh sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë të vrarët e bijës së popullit tim” (Jeremia 8:21; 9:1). Por në rast se nuk e dëgjon këtë, shpirti im do të qajë në fshehtësi, për shkak të kryelartësisë tuaj, sytë e mi do të qajnë parreshtur dhe do të derdhin lot”(13:17). “Të derdhin lot ditë e natë sytë e mi pa pushim; sepse bija e virgjër e popullit tim u godit nga një fatkeqësi e madhe, nga një plagë e thellë” (14:17). “Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim”(Vajtimet 2:11).

“Rrëke uji derdein nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim. Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje derisa Zoti im të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë. Syri im i sjell dhembje shpirtit tim (3:48-51). Edhe Pali, apostulli i madh, ishte i mësuar me lotët. “Ju shkrova me shumë lot dhe me pikëllim të madh…” (2 Korintasve 2:4). “…Ju e dini dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë duke i shërbyer Zotit me gjithë përulësi e me shumë lot e me prova që m’u bënë nga tinëzitë e Judenjve (Veprat e Apostujve 20:18,19). “Prandaj rrini zgjuar dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot!” (Veprat e Apostujve 20 :31).

PERËNDIA NA NXIT TË LUTEMI ME LOT

Nëpërmjet profetit Joel Perëndia nxit: “Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj me agjërime, me lot dhe me vajtime (Joeli 2:12). Ai nxit përgjegjësit të luten me lot për popullin: “Fale, o Zot, popullin tënd, sepse do të thonë midis popujve: Ku është Perëndia i tyre?” (2:17). Perëndia njeh dhe regjistron lutjet tona: “Vendosi lotët e mia në calikun tënd, a nuk i ke regjistruar në librin tënd” (Psalmi 56:8). Koha jonë është e ngjashme me atë që duhej të përballonte Isaia: “Zoti, Zoti i ushtrive, ju thirri që të qani” (Isaia 22:12). Efekti i lutjes nuk varet nga lotët, por nga një “zemër e thyer dhe e penduar” (Psalmi 51:17). Të qëndrosh i pandjeshëm dhe të lutesh vetëm rastësisht, ndërsa bota po shkon drejt humbjes, është krim frymëror. Duhet të jemi si Krishti, domethënë të qajmë për ata që qajnë dhe të kemi dhembshuri ndaj atyre që janë të munduar, të lidhur dhe të shkatërruar nga mëkati (Romakëve 12:15).

Për të krishterin lutja nuk është luks apo argëtim, por bën pjesë në punën normale për mbretërinë e Perëndisë. Të lutesh do të thotë të bashkohesh me zemrën e dhembshur të Atit, të kryepriftit Jezu Krisht dhe të Frymës së Shenjtë, i cili ndërmjetëson, duke marrë pjesë në kujdesin e dashur të Perëndisë për njerëzit.

Të lutesh me lot do të thotë të bësh një investim të përjetshëm dhe të mbjellësh për korrjen e përjetshme. Asnjë lot i derdhur në një ndërmjetësim të zjarrtë nuk do të harrohet nga Perëndia. Ndërmjetësimi i lagur nga lotët e tu është një nga format më të frytshme të lutjes. Ashtu siç është e vërtetë se Perëndia është në qiej, “ata që do të mbjellin me lot do të korrrin me këngë gëzimi. Vërtetë ecën duke qarë, ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet me këngë gëzimi duke sjellë duaj e tij (Psalmi 126:5,6).

Share|