jump to navigation

KAPITULLI 2: PERËNDIA PO PËRGATIT KORRJEN

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes më: 07, 19, 2008

Sot, më tepër se kurrë, lutja jote për shpirtrat mund të jetë me të vërtetë e vlefshme, sepse Perëndia, në sovranitetin e Tij, po koordinon ngjarjet që të përgatisë një korrje të bollshme. Nëse do t’i jepnim përparësinë lutjes dhe bindjes, mund të kishim pa dyshim një bollëk frytesh. Jo të gjithë besimtarët mund të kontribuojnë financiarisht për përparimin e Ungjillit të Krishtit; por të gjithë, pa asnjë kufizim, mund të ofrojmë kontributin e lutjes!

SHPËRTHIMI DEMOGRAFIK

Statistikat e rritjes së popullsisë na informojnë se popullsia e tokës në kohën e Krishtit ishte rreth 250 milionë banorë. Do të duheshin më tepër se një mijë e tetëqind vjet, pra, rreth vitit 1850, që popullsia botërore të arrinte në një miliard. Tetëdhjetë vjet më vonë, rreth vitit 1930, arriti në dy miliard. Rreth vitit 1960, pra, 30 vjet më pas, popullsia botërore u rrit tre miliard. Katër miliard banorë shkoi më 1975. Në fund të 1986 kemi kaluar nivelin e pesë miliard njerëzve dhe një miliard tjetër mund të jetë shtuar në më pak se 10 vjet.

Botimi i fundit i “Operation World”, i Patrich Johnstone dhe Jason Mandryk informon se popullsia botërore në vitin 2000 ka arritur në 6,065,000,000 banorë. Mendohet se në vitin 2002 popullsia botërore të jetë 6,808,000,000 banorë. Shpërthimi demografik ka qenë kaq i shpejtë saqë ndihemi të sfiduar nga detyra për t’i çuar të gjithë popujve lajmin e Krishtit. Si mund t’ia arrijmë? Vetëm nëpërmjet lutjes.

URBANIZIMI I SHPEJTË

Perëndia vepron në mënyrë që njerëzit të spostohen drejt qyteteve për të thjeshtësuar detyrën për të arritur njerëzit. Në çdo pjesë të botës, fshatrat dhe qëndrat e vogla kalojnë një periudhë krize. Si rrjedhim, qytetet e mëdha ofrojnë mundësi më të mëdha pune, shkollimi dhe, duke disponuar shërbime më të zhvilluara, ushtrojnë një ndikim të madh, veçanërisht tek të rinjtë, që duan të përmirësojnë kushtet e tyre shoqërore. Eksodi drejt qyteteve është një fenomen që u rrit në mënyrë të shpejtë në vitet 80. Megjithatë mendohet se në dekadën tonë dhe në atë që do të vijë do të intensifikohet fenomeni i urbanizimit.

Është llogaritur se vetëm në vitet 80, një miliard njerëz të ardhur nga vendet jo të zhvilluara kanë emigruar drejt qyteteve. Për shembull, shikoni qytetin e Meksikos. Ky qytet po rritet në 80,000 banorë në muaj. 20% e popullsisë së Meksikës banojnë në kryeqytet. Më tepër se 50% e banorëve të Argjentinës banon në Buenos Aires. Më tepër se 50% e banorëve të Uruguaj jeton në Montevideo. Aktualisht, gjysma e fëmijëve të botës lindin në qytete. Qytetet me një milion banorë ose me më shumë banorë janë përkufizuar si “qytete tip”. Ndërsa ishte duke u përgatitur ky botim ekzistonin 273 qytete. Qyteti “tip” dyfishohet çdo 14 vjet; disa qytete e dyfishojnë popullsinë brenda 10 vjetëve.

Tani, përqëndrimi më i dendur i njerëzve brenda një rreze të vogël, bën që të arrihen shumë më tepër njerëz, në një kohë më të shkurtër në një qytet, se sa në një qendër të vogël. Pali i kishte përqëndruar në qytete fuqitë e tij ungjilltare dhe, kur në një qytet themelohej kisha, atëherë mund të arriheshin edhe fshatrat. A mundemi edhe ne sot të aplikojmë këtë teknikë apostullore, që e ka kaluar provën me sukses?

Qytetet janë pjekur për korrje. Më përpara nuk ka patur asnjëherë një periudhë kohe kaq të duhur. Pse? Gjatë dhjetë pesëmbëdhjetë vitet të fundit, pas mbërritjes së tyre, banorët e rinj të qyteteve, janë më të hapur dhe të gatshëm për të dëgjuar. Kur ata jetonin në fshat, të kontrolluar nga familja, të vëzhguar prej armiqve dhe nën tutelën e hoxhës apo të priftit priftit, ishte më e vështirë që të ishin të gatshëm të dëgjonin Ungjillin dhe të merrnin një vendim vetjak për Jezusin. Ndërsa në çastin kur mbërrijnë në qytetet e mëdha, ata ndjehen si të huaj në shtëpinë e tyre dhe shpesh janë të pakënaqur e të zhgënjyer ngaqë nuk gjejnë të gjitha gjërat që kishin ëndërruar.

Në këtë pikë ata janë të gatshëm të pranojnë mesazhin e Ungjillit. Ne duhet t’i çojmë në këtë pikë. Në harkun kohor të dhjetë-njëzet viteve ky fluks migrimi drejt metropoleve do të pakësohet dhe njerëzit do të stabilizohen. Pra, sot është më e nevojshme se kurrë që të angazhohemi për të punuar për mbretërinë e Perëndisë dhe të lutemi. Lutja është mjeti i vetëm në veprim që i bën të vlefshme përpjekjet tona në mënyrë që të mund të korrim në kohë të shkurtër sipas planit të Perëndisë.

BOTA JONË E TË RINJVE

Qoftë falenderuar Perëndia që, në mënyrë të veçantë i ka bërë të rinjtë të hapur ndaj mesazhit të Ungjillit. Pjesa më e madhe e besimtarëve e ka pranuar Krishtin në moshën e rinisë së tyre. Statistikat tregojnë se në epokën tonë, popullsia botërore ka mesatarisht më të rinj se sa në të kaluarën. Gjysma e popullsisë së Amerikës Latine dhe Azisë ka aktualisht një moshë që rrjedh nga 20 vjeç e sipër dhe nën saj. Dyzet përqind e banorëve të të gjithë tokës është aktualisht nën moshën 15 vjeç. Popullsia po rritet në mënyrë kaq të shpejtë saqë në 25 vitet e ardhshme do të lindin më shumë fëmijë se ç’kanë jetuar që nga koha e Adamit deri më 1960. Sot në botë ekziston 7 përqind e gjithë racës njerëzore që ka jetuar nga Adami deri më sot. Ja, pse thirrja për lutje, që Fryma e Shenjtë i drejton Kishës, sot është më e fortë dhe më urgjente se sa në shekujt e kaluar.

BOTA JONË ËSHTË E ZHGËNJYER DHE E DEKURAJUAR

Bota perëndimore po fillon të kuptojë se idhulli i materializmit ka dështuar. Edhe vendet e Lindjes së Largët po e kuptojnë dhe këtë e tregon rritja e vetëvrasjeve në Japoni. Si rrjedhim, bota e tretë që, në mënyrë të dëshpërueshme, po përpiqet që të kapet pas mirëqënies materiale, si zgjidhje e problemeve të tyre, do e kuptojë se “kur shtohet pasuria shtohen edhe ata që e përpijnë” (Predikuesi 5:11).

Në të kaluarën, komunizmi ka ushtruar një ndikim të madh në shoqërinë tonë. Komunizmi e merrte forcën e tij nga qeveritë që dështonin në përpjekje për të kënaqur shpresat dhe nevojat materiale të masave. Por, më pas, ky idhull qëndroi në këmbë me dhunë, me totalitarizmin mbytës të të gjitha lirive. Pjesa më e madhe e botës ish-komuniste, e zhgënyer dhe e shkurajuar, tani ka gjetur lirinë dhe kërkon diçka më bindëse. Një ish-marksist ka shkruar një libër që titullohet “Idhulli i dështuar”. Miliona njerëz kanë menduar me të vërtetë si një shkatërrim të një idhulli. Pa dyshim, kjo është një nga arsyet që në dhjetë vitet e kaluara, në Kinë, pati një rritje të madhe të Kishës, e cila, pavarësisht nga përndjekja, ka patur një zhvillim të Krishtërimit, që është unike në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Pa dyshim, një rol vendimtar ka patur koherenca e jetës së besimtarëve kinez, dëshmia dhe shpirti i tyre i durimit, angazhimi i vazhdueshëm në lutje, qoftë në Kinë apo gjetkë, si edhe pa harruar shërbesën e kryer nga radiot ungjillore.

Miliona njerëz kanë mbetur të zhgënjyer nga idhujt e kulturës dhe materializmit. Kjo gjë shpjegon edhe rizgjimin që po kalojnë disa fe tradicionale, përveç Islamizmit. Por njerëzit janë më mosbesues dhe më të zhgënjyer gjë që nuk ka ndodhur kurrë më përpara. Idhujt e tyre kanë deklaruar dështim. Por ne dimë se përgjigja që po kërkojnë është Jezusi. Koha jonë është një nga periudhat më të jashtëzakonshme për të korrur për Të.

PERËNDIA NA THËRRET

Në rrjedhën e historisë nuk ka patur periudha më të pasura me mundësira për ne besimtarët sa kjo e sotmja. Ngjarja e kthimit të Krishtit, që do të ndodhë së shpejti, i shtyn të krishterët të çojnë Ungjillin në mbarë botën; por edhe ata që nuk mund të shkojnë në mision, mund të japin kontributin e tyre. Sot, besimtarët ungjillorë, që mbështesin vepra të ndryshme misionare, kanë mundësinë të frenojnë fuqinë e Satanit dhe të përgatisin rrugën e Zotit nëpërmjet lutjes. Ne i nxisim të gjithë ta përdorin këtë mjet. Le të bashkojmë lutjet tona me ato të të gjithë vëllezërve të tjerë, që të piqet e korra dhe që të ketë një rizgjim në kisha. Kjo është dita që Zoti ka krijuar, dita që Perëndia ka përgatitur për bashkëpunëtorët e Tij. Ky libër është shkruar me shpresën dhe lutjen që mund të të ndihmojë të bëhesh ashtu siç Krishti dëshiron.

Share|