jump to navigation

A na nevojitet martesa?

Postuar tek: Martesat Bëhet Në Qiell

Ekziston një prirje në rritje për ta vështruar martesën si të dalë nga moda. «A ka me të vërtetë rëndësi nëse ne vendosim të jetojmë bashkë, qoftë edhe si masë e përkohshme, për të parë nëse shkojmë aq mirë, sa të martohemi?» - thonë disa. Ky lloj bashkimi është aq i lirshëm, saqë nuk shërben si siguri për asnjërin prej partnerëve: është aq i lehtë, saqë secilit mund t’i velet partneri e të bashkohet me dikë tjetër, dhe kjo mund të përsëritet pa mbarim. Krahas kësaj, fëmijët e një «bashkimi» të tillë janë në pozitë të pavolitshme, qoftë edhe në këto të ashtuquajtura ditë «të ndriçuara». Në qoftë se prindërit janë të lidhur kaq lirshëm me njëri-tjetrin, ç’rëndësi do të ketë fëmija për të bërë një jetë të lumtur e të sigurt? Vërejmë herë pas here në Bibël se si fëmijëve të lindur jashtë martese u mohohen të drejtat e qytetarisë (Ligji i Përtërirë 23:2) dhe të trashëgimisë (Zanafilla 25:6). Vëllezërit e Jefteut i shprehën hapur ndjenjat e tyre për këtë çështje, ndonëse më vonë nuk ishin kundër pranimit të aftësisë së tij si udhëheqës ushtarak.

Në historinë e Ruthit na jepet një tablo e mrekullueshme e një martese të lumtur. Ruthi kishte ardhur nga një vend i largët dhe nuk kishte të drejta, por e vjehrra e lidhi atë me të afërmin e pasur që ishte në gjendje t’i rikthente pasuritë e familjes. Ai e kishe vërejtur sjelljen e qetë të Ruthit, si dhe përkujdesjen e saj besnike ndaj të vjehrrës Naomit, prandaj, kur erdhi puna ta merrte atë për grua, ai nuk pati dyshim se kjo ishte zgjedhja hyjnore. Në kapitullin e fundit të librit të shkurtër të Ruthit lexojmë se si Boazi u kujdes që i gjithë qyteti të mësonte se ai e kishte blerë trashëgiminë dhe se e kishte marrë Ruthin për grua. U bë çmos që ky veprim të dëshmohej sipas ligjit hebre, dhe madje të pranishmit që e dëshmuan veprimin, thanë një urim për çiftin e lumtur: «Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde, si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit». Pastaj lexojmë se «Boazi e mori Ruthin, e cila u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë». Ky djalë do të ishte paraardhës i Davidit, si dhe i Zotit tonë të bekuar që erdhi në mish.

Kështu, gjëja më vogël që duhet të bëjmë, është të veprojmë në përputhje me ligjet e vendit ku jetojmë, dhe të kujdesemi që të regjistrohemi ligjërisht si burrë e grua. Disa mund të mendojnë se kjo mjafton, por për një besimtar është shumë më mirë nëse u japim mundësi vëllezërve dhe motrave tona në besim që të luten me ne dhe t’ia besojmë Zotit rastin tonë. Sa gëzim mund të sjellë kjo! Zoti ynë e kreu mrekullinë e Tij të parë në një martesë në Kanë. Nuk e dimë se kush u martua atë ditë, ndonëse disa kanë qenë të mendimit se mund të ketë qenë Nathanaeli, për të cilin lexojmë në kapitullin paraardhës, dhe që ishte me siguri nga Kana e që e ftoi Zotin në dasmën e tij.

Cilido që të ketë qenë, mund të jemi të sigurt se ai u kënaq kur i pari i festës i tha se e kishte ruajtur verën e mirë deri në fund. Lexojmë se ishte ftuar Jezusi bashkë me dishepujt e Tij. Është ditë e lumtur kur i premtojmë njëri-tjetrit dashuri dhe besnikëri, të ndërgjegjshëm se e bëjmë këtë në praninë e Zotit tonë dhe të atyre që janë të Vetët. Kjo është dita e parë e një jete të re së bashku, e cila do të ndiqet, me lejen e Zotit, nga shumë ditë të tjera të një jete të lumtur familjare, në të cilën një ndër gëzimet më të mëdha është të tregojmë mikpritje. Një shtëpi ku Zoti nderohet, do të jetë një vend ku veçanërisht besimtarët janë të mirëpritur, qoftë vetëm për një filxhan kafe a për një vizitë më të gjatë.

Tek Hebrenjve 13 na sillet ndër mend se, duke treguar mikpritje, shumë vetë kanë argëtuar engjëj pa e ditur. Edhe kur jemi vetëm, çdo vakt mund të jetë një kohë përbashkësie, siç lexojmë te 1 Timoteut 4:4-5: «Çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë nuk është për t’u hedhur, nëse merret me falënderim, sepse është shenjtëruar nga Fjala e Perëndisë dhe nga lutja». Kur fëmijët lindin në një shtëpi të tillë, ku secilin vakt e shoqërojnë lutja dhe leximi i Fjalës, hidhet themeli për një jetë të krishterë të qëndrueshme. Sigurisht, çdo fëmijë duhet të ketë besim vetjak në Zotin Jezus. Prindërit nuk mund të besojnë për fëmijët e tyre. Sidoqoftë, shprehia e mirë është mbjellë qysh në vogëlinë e tyre, dhe, të rritur nga lutjet e prindërve të tyre qysh përpara se të lindnin, mund të kemi besim se Perëndia plot hir do t’i sjellë ata te Vetja në kohën e Tij të mirë.