jump to navigation

Për Pagëzimin dhe Darkën e Zotit

Postuar tek: Çfare Besojne Ungjilloret

Pagëzimi dhe Darka e Zotit u janë dhënë kishave nga Krishti si shenja të dukshme të ungjillit. Pagëzimi simbolizon bashkimin me Krishtin dhe hyrjen në kishën e tij, por ai nuk jep jetë shpirtërore. Darka e Zotit është përkujtimi i flijimit të Krishtit që u ofrua një herë e përgjithmonë dhe nuk nënkupton asnjë ndryshim në bukën dhe verën. Të gjitha bekimet e tij merren me anë të besimit.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Përpara se të ngjitej në qiell, Zoti ynë Jezu Krisht dha udhëzime të qarta në lidhje me vendin që duhet të zinin Pagëzimi dhe Darka e Zotit në jetën e kishës. Në urdhërimin e madh, të dymbëdhjetët u urdhëruan që të pagëzonin dishepuj nga të gjitha kombet në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë (Mateu 28:18-19). Në Darkën e Fundit, Krishti e bëri të qartë se dishepujt duhet që ta ripërtërinin bashkësinë e tyre me të rregullisht në thyerjen e bukës (Lluka 22:19; 1 Kor. 11:23-26). Kështu që, Pagëzimi dhe Darka e Zotit u janë dhënë kishave nga Krishti. Prandaj, ato janë shumë të rëndësishme për jetën e krishterë.

Çdo i krishterë duhet të pagëzohet, dhe çdo i krishterë duhet të marrë pjesë rregullisht në Darkën e Zotit. Ato nuk janë dhënë vetëm për besimtarët më entuziastë, por janë dhurata dhe urdhëresa nga vetë Zoti.

Nuk është për t’u çuditur, pra, që këto gjëra janë vendosur që në fillim të kishës në Ditën e Rrëshajëve (Veprat 2:1), kur mbi 3,000 veta u pagëzuan (Vep. 2:41) dhe pastaj iu kushtuan mësimeve të apostujve, bashkësisë, thyerjes së bukës dhe lutjes (Vep. 2:42,46). Kudo që u përhap ungjilli, respektohej dhe vendosej Pagëzimi dhe Darka e Zotit (Vep. 8: 12,36-38; 9:17-18; 10:44-48; 16:14-15,31-33; 18:8; 20:7) dhe prandaj këto gjëra shërbenin si një vatër për unitetin e Kishës (Efes. 4:4; 1 Kor. 10:17).

Është një nga tragjeditë më të mëdha të historisë së Kishës që Pagëzimi dhe Darka e Zotit janë bërë një vatër kaq e madhe ngatërrese, keqkuptimi dhe ndarjeje. Këto dhurata të mrekullueshme të Krishtit rrethohen tepër shpesh nga besëtytnirat, në vend që t’u afrohet me besim. Deklarata jonë thekson gjërat mbi të cilat janë të bashkuar të gjithë të krishterët Bibëlbesues, dhe veçanërisht mohon disa pikëpamje për Pagëzimin dhe Darkën e Zotit që janë në kundërshtim të hapur me Shkrimin.

Përveç të folurit me anë të fjalës së Shkrimit, Perëndia na flet edhe në mënyrë pamore me anë të Pagëzimit dhe Darkës së Zotit. Ato janë shenja të dukshme të ungjillit, që na i përqëndrojnë mendimet në atë që ka bërë Krishti për ne. Pagëzimi simbolizon larjen dhe pastrimin që është thelbi i të kthyerit në të krishterë (Vep. 22:16; 1 Kor. 6:11; 1 Pjetri 3:21; Heb. 10:22; Efes. 5:26). Darka e Zotit simbolizon ngrënien dhe ushqyerjen për të cilën ne kemi vazhdimisht nevojë, dhe që e marrim nga Krishti i cili u kryqëzua për ne (Gjoni 6:57-58).

Pagëzimi simbolizon bashkimin me Krishtin. Ne bashkohemi me Krishtin me anë të besimit (Gal. 2:20), por Pagëzimi është një demonstrim i mrekullueshëm i asaj që përfshihet në këtë marrëdhënie. Ashtu siç vdiq dhe u ringjall Jezu Krishti, kështu dhe çdo i krishterë ka vdekur dhe është ringjallur (Rom. 6:3-4). Jeta e vjetër ka vdekur, përfunduar dhe është varrosur (Rom. 6:6). Ka filluar një jetë e re besimi, dashurie dhe shërbimi (Rom. 6:4). Krishti e bën të krishterin një njeri të ri (2 Kor. 5:17). E gjithë kjo simbolizohet në mënyrë shumë të fuqishme te Pagëzimi.
Të qenët i krishterë është një gjë shumë personale, por edhe më shumë se kaq; t’i përkasësh Krishtit do të thotë t’i përkasësh trupit të Krishtit, kishës. Të krishterët ngazëllohen kur shohin të tjerë që pagëzohen, jo vetëm sepse ata janë sjellë te Krishti, por edhe sepse me anë të Pagëzimit ne pranojmë dhe njohim se i përkasim njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë Pagëzimi është një simbol i hyrjes në Kishën e Krishtit (1 Kor. 12:12-13).

Sigurisht që ka ndryshime në theksimin, kuptimin dhe praktikën e Pagëzimit midis të krishterëve. Këto ndryshime janë të rëndësislune, por nuk janë gjëja e rëndë si slune. Të gjitha kishat ungjillore, pavarësisht nëse pagëzojnë vetëm të rritur apo edhe fëmijë, pohojnë se Pagëzimi nuk jep jetë shpirtërore. Nuk mund të përjetohet një ndryshim zemre nga ana shpirtërore thjesht sepse je pagëzuar. Pa besim, Pagëzimi është pa kuptim dhe bosh. Kishat biblike që pagëzojnë fëmijët e pranojnë se fëmija duhet të vijë në besim te Krishti për shpëtim. Ato kisha që pagëzojnë vetëm të rriturit pranojnë se kjo ka kuptim vetëm atje ku ka besim te Krishti (Marku 16:16). Për një të kuptuar të drejtë të Darkës së Zotit, çelësi është përsëri besimi. Darka e Zotit është përkujtimi i flijimit të Krishtit. Darka na bën që të kthehemi pas në histori te vdekja e Zotit tonë Jezu Krisht (1 Kor. 11:24-25). Kjo ka rëndësi të madhe. Besimi i krishterë është i bazuar në fakte të pandryshueshme Krishti vdiq. Krishti mbarti mëkatet tona. Krishti u ngjall nga të vdekurit (1 Kor. 15:3-5; 1 Pjetri 2:24). Në këto gjëra ka një provë të sigurt për dashurinë e Perëndisë për ne (Rom. 5:8). Darka e Zotit e pasuron jetën tonë si të krishterë sepse në një mënyrë të veçantë ajo na e përqëndron mendjen dhe zemrën te Shpëtimtari dhe te gjithçka që plotësoi ai për ne në Kalvar. Kur mendojmë për këto gjëra me besim, zemrat tona inkurajohen dhe fuqizohen (Gjoni 6:57-58).

Gjatë shekujve shumë kisha kanë rënë në gabime të rënda përsa i përket Darkës së Zotit. Disa mendojnë se shërbimi i Darkës është si një tjetër flijim për mëkatin. Kjo është plotësisht e gabuar. Nuk ka asgjë në Darkën e Zotit që mund të na shpëtojë. Flijimi i Krishtit u krye një herë e përgjithmonë. Ai nuk mund të përsëritet më (Heb. 9:25-28): dhe nuk ka nevojë që të përsëritet (Heb. 10:11-12). Besimi shikon gjithmonë pas te mrekullia e shpëtimit tonë. Darka e Zotit na kthen te kryqi, i cili është i vetmi vend ku është hequr mëkati (lsaia 53:4-6).

Disa mendojnë se në shërbimin e Darkës, buka dhe vera ndryshojnë, kështu që në vend që të jenë thjesht simbole të flijimit të Krishtit për ne, ato bëhen me të vërtetë gjaku dhe trupi i Krishtit të cilin ne e hamë dhe pijmë. Përsëri, kjo është plotësisht e gabuar. Darka e Zotit nuk nënkupton asnjë ndryshim në bukën dhe verën. Buka dhe vera janë simbole, dhe kështu që nuk ndryshojnë. Nuk ka rëndësi simboli, por gjëja që simbolizohet. Kur ne marrim bukën dhe verën, mendjet dhe zemrat tona të udhëhiqen për te Krishti i kryqëzuar dhe i ringjallur, në adhurim, falënderim, besim, shpresë dhe dashuri.

Kur e kuptojmë Darkën e Zotit në këtë mënyrë, bëhet e qartë se të gjitha bekimet e saj merren me anë të besimit. Nuk ndodh asgjë magjike. Buka dhe vera janë me vlerë vetëm për ata që besojnë. Megjithatë, atje ku ka besim, Darka e Zotit është me të vërtetë diçka shumë e çmuar. Në shërbesën e Darkës ka një plotësim të veçantë të premtimit të Perëndisë se kur ne i afrohemi atij, edhe ai na afrohet (Jakobi 4:8). Ka bekime të mëdha për besimtarët çdo herë që i afrohemi Shpëtimtarit tonë në falënderim për trupin e tij të thyer dhe për gjakun që u derdh për ne. Te tryeza e Zotit ne kujtohemi për unitetin tonë në një trup në Krishtin dhe sigurohemi për faljen e mëkateve. Besimi dhe dashuria forcohen dhe ne shohim drejt kthimit të Krishtit.

Pyetje për Studim

  1. Çfarë kuptoni me frazën ‘bashkim me Krishtin’?
  2. Pse është i rëndësishëm Pagëzimi?
  3. Si duhet ta përdorim një kohë të qetë gjatë një shërbimi të Darkës së Zotit?
  4. Pse kanë qenë Pagëzimi dhe Darka e Zotit burimi i kaq shumë problemeve dhe mosmarrëveshjeve në historinë e kishës?
  5. Pse është kaq i rëndësishëm besimi në ardhjen për te Darka e Zotit? A ka gjëra të tjera që janë gjithashtu të rëndësishme kur ne vijmë te tryeza e Zotit? (Shih tek 1 Kor. 11:28 dhe Mateu 5:23-24.)