A e njohu Gjon Pagëzori Jezusin apo s’e njohu atë pas pagëzimit?
Postuar tek: Mospërputhjet në BibëlA e njohu Gjon Pagëzori Jezusin (Gjoni 1:32-33) apo s’e njohu atë (Mateu 11:2) pas pagëzimit të tij?
(Kategoria: Është keqkuptuar teksti)
Në këtë fragment të Gjoni 1:29-36 është plotësisht e qartë që Gjoni e njohu Jezusin. Ne nuk duhet të kemi asnjë dyshim për këtë gjë. Mateu 11:2 ndodh më vonë, dhe shumë gjëra kanë ndodhur në ndërkohë. Njohuria fillestare e Gjonit për Jezusin ishte e kufizuar dhe duket se ngjarjet e mëpasme e kishin zhgënjyer paksa. Ai nuk e dintë se si do të merrte formë shërbesa e Jezusit. Neve na është thënë nga Mateu 3:11,12 diçka nga ajo që Gjoni dinte: “Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë dhe me zjarrin. Ai mban në dorë tërplotën dhe do ta pastroj plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledh në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm. “Ky është një portretizim klasik i Mesisë si mbret fitimtar që do të sjellë gjykimin e Perëndisë mbi të gjithë ata që do ta refuzojnë atë, duke u sjellë paqe dhe drejtësi atyre që e ndjekin atë. Gjoni me siguri e kuptoi këtë gjë. Megjithatë, Mesia gjithashtu është portretizuar në shkrimet si një shërbëtor vuajtës që do të vuante për popullin e Perëndisë. Kjo është treguar qartë tek Isaia 53, veçanërisht tek vargu 12: “Ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve”.
Gjoni e kuptoi këtë gjë gjithashtu, siç është treguar në pohimin e tij tek Gjoni 1:29: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” Ajo që nganjëherë nuk është kuptuar aq mirë është se si bashkëvepronin të dyja portretizimet e Mesisë. Shumë mendonin që sapo të vinte Mesia ai do të sillte gjykimin e tij të tmershëm. Në fakt, kjo do të ndodhë kur ai të kthehet sërish (kthimi i tij është përmendur, për shembull, tek Veprat 1:11). Prandaj, disa ishin të hutuar nga ngurrimi i Jezusit që të vepronte si një drejtues ushtarak dhe ta çlironte kombin e Izraelit nga shtypja e romakëve në atë kohë.
Ky ngatërrim është i ilustruar nga Luka 24:13-33, ku Jezusi foli me dy nga ndjekësit e tij, në rrugën për në Emaus, pas ringjalljes së tij. Ata fillimisht ishin penguar që ta njihnin atë (v. 16). Ata i thanë atij se si “kishin shpresë se ai do të ishte ai që do ta çlironte Izraelin”(v. 21). Ata kishin të drejtë për këtë shpresë, por dështuan që të kuptonin fazën e parë të procesit shpengues të Perëndisë. Jezusi e korrigjoi këtë keqkuptim në v. 25, 26: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej Krishti të vuajë gjëra të tilla dhe të hyjë kështu në lavdinë e tij?” (theksimi është i shtuar). Ka shumë mundësi që një keqkuptim i tillë nxiti pyetjen e Gjonit tek Mateu 11:2.
Përkundër sigurisë që ai kishte për identitetin e Jezusit si Mesia i Izraelit, ngjarjet pasuese e kishin turbulluar sigurinë e tij. Pasi që priste që Jezusi do t’i përzinte Romakët dhe të restauronte mbretërinë e Izraelit në ditët e mbretit David, ai përkundrazi e pa Jezusin duke “mësuar dhe predikuar në qytetet e Galilesë” (Mateu 11:1), duke mos përmendur asnjë fushatë ushtarake, Gjoni me siguri e pyeste veten se çfarë kishte shkuar gabim: a e kishte keqkuptuar rolin e Mesisë, apo, kishte bërë gabimin edhe më të madh duke menduar se Jezusi vërtet ishte Mesia.
Përgjigja e Jezusit tek Mateu 11:4-6 e qartëson këtë gjë: “Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni: Të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve. Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë!” Këto aktivitete ishin privilegjet mesianike, siç ishin parathënë nga Isaia 29:18; 35:5,6; 61:1-3. Edhe pse zhgënjimi i Gjonit ishte një reagim natyror dhe njerëzor, ai kishte pasur të drejtë herën e parë. Jezusi e përfundoi përgjigjen duke i dhënë një nxitje Gjonit që të mos humbiste shpresën. Mesia padyshim ishte këtu dhe e tëra do të zbulohej në kohën e duhur.