jump to navigation

Për Kishën

Postuar tek: Çfare Besojne Ungjilloret

Kisha e përbotshme është trupi që ka për krye Krishtin dhe asaj i përkasin të gjithë ata që janë të shpëtuar. Ajo bëhet e dukshme në kishat lokale, të cilat janë bashkësi besimtarësh që i janë përkushtuar njëri-tjetrit për të adhuruar Perëndinë, për të predikuar fjalën, për shërbesën e pagëzimit dhe Darkës së Zotit, për kujdesin dhe disiplinën pastorale, dhe për ungjillizimin. Uniteti i trupit të Krishtit shprehet brenda dhe midis kishave të ndryshme me anë të dashurisë, kujdesit dhe inkurajimit reciprok. Shoqëria e vërtetë midis kishave ekziston vetëm atëherë kur ato i janë besnike ungjillit.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Krishti e dha veten e tij për Kishën (Efes. 5:25). Shpesh, ne preokupohemi kaq shumë për të theksuar dashurinë dhe planin e Perëndisë për individin, saqë nuk arrijmë t’i japim peshën e duhur dashurisë së Perëndisë për popullin e tij dhe planin e tij të madh për ta si një unitet i gjallë. Pika e fillimit në të kuptuarin tonë duhet të jetë se kisha e përbotshme është trupi që ka për krye Krishtin dhe asaj i përkasin të gjithë ata që janë të shpëtuar. Shkrimi përdor fjalën ‘kishë’ për të përfshirë të gjithë popullin e Perëndisë në çdo kohë dhe në çdo vend (Mateu 16:18; Efes. 5:23-32). Ajo nuk do të mblidhet kurrë e gjitha së bashku në këtë botë, por do të shihet në lavdi si Kisha fitimtare (Zbulesa 7:9-10).

Shkrimi na jep simbole të ndryshme për kishën në mënyrë që të na bëjë ta kuptojmë edhe më mirë. Ajo është shtëpia frymërore (Efes. 2:21-22; 1 Pjetri 2:5); është nusja e Krishtit (Efes. 5:25; Zbulesa 19:7). Por mbi të gjitha Kisha është trupi i Krishtit (Kol. 1:18; Efes. 1:22-23). Ajo është e gjallë, vepruese, në rritje, e bashkuar si një trup i vetëm dhe mjaft e larmishme. Të gjithë ata që janë të gjallë në Krishtin janë pjesëtarë të trupit të tij. Të gjithë ata që janë të shpëtuar i përkasin Kishës mbarë botërore. Ne nuk mund të jemi pjesëtarë të saj nëse nuk jemi të shpëtuar. Dhe nuk mund të jemi të shpëtuar e prapë të mos jemi pjesë e saj.

Kisha e përbotshme bëhet e dukshme në kishat lokale. Kurdoherë që fjala ‘kishë’ nuk përdoret për të përshkruar Kishën e përbotshme, ajo u referohet kishave lokale. Letrat e Palit u dërgohen kishave lokale. Shtatë kishat tek Zbulesa 2-3 janë kisha lokale. Kisha të tilla në kohën e Dhiatës së Re dhe në ditët e sotme shprehin realitetin e Kishës së përbotshme dhe e bëjnë të dukshme atë, tani dhe këtu.

Është e rëndësishme që të jemi të qartë në këtë pikë se Shkrimi nuk na lejon të flasim për Kishën në kuptimin kombëtar apo konfesional. Kjo do të thotë se kishat lokale janë të pavarura nga çdo kontroll i jashtëm apo nga çfarëdolloj forme qeverisjeje qëndrore. Ka mundësi që kishat të bashkohen me njëra-tjetrën për shoqëri, por kjo nuk do të thotë që ato ta dorëzojnë pavarësinë apo vetë-qeverisjen që u ka dhënë Krishti i cili është vetë Kreu i kishës.

Por, atëherë, çfarë janë kishat lokale? Ato janë bashkësi besimtarësh që i janë përkushtuar njëri-tjetrit. Ndonëse çdo njeri i jashtëm i një feje tjetër ose fare jobesimtar është i mirëpritur që të vijë në ndërtesat tona ku mblidhet kisha dhe të marrë pjesë në shërbesat tona, kisha lokale, ashtu si dhe Kisha e përbotshme, është e përbërë vetëm prej besimtarësh (1 Kor. 1:2). Këta besimtarë nuk janë thjesht të krishterë individualë që thjesht ndodh të takohen në të njëjtën ndërtesë; ata janë të thirrur nga Perëndia për t’u bashkuar në një shoqëri të vërtetë brenda familjes shpirtërore të kishës lokale (Veprat e Apostujve 2:42-47). Ata i janë kushtuar njëri-tjetrit për të adhuruar Perëndinë (Veprat 4:24-31; 13:2), për predikimin e fjalës (Veprat 20:7; Efes. 4:11; 2 Tim. 4:2), për shërbesën e pagëzimit (Veprat 8:12; 18:8; 19:5), dhe Darkës së Zotit (Veprat 2:42; 1 Kor. 11:18- 28), për kujdesin dhe disiplinën pastorale. (1 Pjet. 5:2-3; Mateu 18:17; 2 Thes. 3:6), dhe për ungjillizimin (Veprat 2:47).

Kisha lokale, në dallim nga organizatat fetaro-kishtare, është kuadri i vërtetë për këto veprimtari, të cilat që të gjitha të bëhen si një shprehje e jetës së Frymës së Shenjtë ndërsa ushtrohen dhuntitë që ai i jep trupit (Rom. 12:3-8; 1 Kor. 12:7-11). Kisha lokale nuk duhet të mendohet asnjëherë si një anëtarësi pasive dhe një shërbyes i vetëm ‘gjithë-kompetent’, por si një skuadër vepruese, aktive në të cilën të gjithë kanë dhuntinë, thirrjen dhe shërbesën e tyre. Për këtë arsye të gjithë pjesëtarët, së bashku me shërbyes të emërtuar rregullisht (1 Tim. 3:1-13; 5:17-18), duhet të marrin pjesë në përgjegjësinë dhe mbështetjen e kishës lokale (Veprat 6:3).

Në Dhiatën e Re kishat lokale kishin lidhje të ngushta me njëra-tjetrën. Shkrimi mëson pavarësinë por ndalon izolimin. Uniteti i trupit të Krishtit shfaqet brenda dhe midis kishave më anë të dashurisë, kujdesit dhe inkurajimit reciprok. Brenda një kishe lokale duhet që të ketë unitet midis të krishterëve. Kjo nuk është aspak e lehtë, por Dhiata e Re mëson në mënyrë të pandërprerë bazën shpirtërore për unitetin (1 Kor. 3:5-9; Efes. 2:11-22), dhe i inkurajon të krishterët për ta ruajtur dhe çuar më përpara këtë unitet (Efesianët 4:1-6; Filipianët 2:1-11). Çdo besimtar duhet të marrë pjesë aktive në rritjen e dashurisë, paqes dhe unitetit në kishën lokale.

Gjithashtu, është po kaq e rëndësishme që të ketë unitet edhe midis kishave. Pavarësia duhet të balancohet nga ndër-varësia. Në Dhiatën e Re, kishat mbaheshin gjithnjë në korrent për problemet dhe përparimin e njëra-tjetrës (1 Thes. 2:14). Ato e ndihmonin njëra-tjetrën në kohë nevoje: shembulli i qartë është ‘kontributi për të varfërit midis shenjtorëve në Jeruzalem’ (Rom. 15:26; Veprat 11:29-30; 1 Kor. 16:1-4). Letrat e Dhiatës së Re qarkulloheshin midis kishave (Kol. 4:16). Shërbimet ndaheshin për përfitimin e kishave (2 Kor. 8:18). Kishat inkurajoheshin nga shembulli i njëra-tjetrës (1 Thes. 1:7). Ato i dërgonin përshëndetje njëra-tjetrës (Rom. 16:16; 1 Kor. 16: 19-20). Pjesëtarët e një kishe të cilëve u duhej të udhëtonin apo lëviznin u rekomandoheshin kishave të tjera (Rom. 16:1-2). Shihet qartë se bashkësia midis kishave ishte shumë reale dhe e shtrenjtë për to.

Duhet gjithashtu që të kihet parasysh se shoqëria e vërtetë midis kishave ekziston vetëm kur ato i janë besnike ungjillit. Baza për unitetin në kishë nuk është vetëm një rrëfim me gojë i emrit të krishterë, as anëtarësia në ndonjë denominacion (grupim kishtar), por besnikëria ndaj Jezu Krishtit dhe themeleve të ungjillit (Gal. 1:8-9; 2 Kor. 6:17-18).

Sado që gjatë gjithë historisë Kisha e Jezu Krishtit është tallur, përçmuar, urryer dhe persekutuar, fundi i saj është triumfi, përkryerja dhe lavdia përfundimtare (Efes. 5:25-27; Mateu 24:31; Zbulesa 19:6-9). Deri atë ditë ne duhet ta konsiderojmë një privilegj shumë të madh që i përkasim Kishës dhe t’i vëmë lutjet dhe shërbimet tona në shërbim të përkryerjes sa më të plotë të kishës sonë lokale për lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht, kreut të Kishës.

Pyetje për Studim

  1. Cilat të vërteta të veçanta theksohen nga simbolet e ndryshme që përdor Dhiata e Re për Kishën e përbotshme?
  2. Çfarë mendon ti për kërkesat e anëtarësisë në një kishë lokale?
  3. Cilat janë rreziqet e veçanta për një kishë që mban një qëndrim të izoluar?
  4. Për çfarë duhet të bien dakord kishat përpara se të punojnë së bashku?
  5. Çfarë mund të mësojmë nga Dhiata e Re për ta forcuar shoqërinë midis kishave?