jump to navigation

Për Shembull

Postuar tek: Kujdes Me Biblën

Një nga teknikat e të mësuarit që ka siguruar përparimi i shpejtë në teknologjinë e komunikimit është video-replay (kthimi i mesazhit të regjistruar në video). Kjo i lejon pjesëmarrësit në ngjarjet e sportit të ‘flasin përmes’ vetë ngjarjes në të cilën morën pjesë ata. Kështu, për shembull, një futbollist mund të përshkruajë mendimet që kishte në mendje kur u kthye dhe shënoi gol; një lojtar golfi mund të përshkruajë goditjen të cilën ai e konsideroi si pikën e kthesës në raundin e tij; një boksier mund të kujtojë momentin kur ai e kuptoi se grushtat e tij e kishin dobësuar kundërshtarin.

Ka shumë gjëra që mund të mësohen prej të tjerëve nga ky lloj ndarjeje eksperience, metodash, planesh e kështu me radhë. Kjo është e vërtetë edhe për studimin tonë të Biblës. Ne mund ta ndihmojmë shumë thjesht njëri-tjetrin duke diskutuar mënyrën se si të rrokim një pasazh apo libër. Kur i dëgjojmë të tjerët duke predikuar ose mësuar, ne mund të marrim mësime për vetë studimin tonë të Biblës duke vërejtur mënyrën se si e trajton një pasazh dikush tjetër; mënyrën se si ai ia nxjerr mësimin kryesor; dhe mënyrën sesi ai e aplikon atë. Kur dëgjojmë predikime, për shembull, ne nuk po mësojmë vetëm mësime të menjëhershme prej një pasazhi apo teksti, por shpesh në mënyrë të pavetëdijshme ne mësojmë se si (apo se si të mos!) e kryejmë vetë studimin tonë të Biblës. Në fakt, shumica prej nesh mësojnë ta studiojnë Biblën pak a shumë në të njëjtën mënyrë që i dëgjojmë të tjerët ta shtjellojnë atë.

Në këtë kapitull, unë dua të ‘flas përmes’ një studimi Bible me ju. Për këtë qëllim kam zgjedhur librin e Ruthit, pasi ai përmban një shembull të mirë për shumë prej parimeve të studimit brenda hapësirës së katër kapitujve të rrëfimit.

Cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekim gjatë studimit? është gjithmonë një gjë e mirë përpjekja për të kapur shtrirjen e përgjithshme të tokës përpara se të merremi me ndonjë detaj. Kur jemi duke studiuar ndonjë libër relativisht të shkurtër, si Ruthi, këtë mund ta bëjmë duke e lexuar atë shpejt, duke kapur atmosferën e përgjithshme, dhe duke vlerësuar drejtimin qendror në të cilin shpaloset libri. Kështu ne mund të kuptojmë rëndësinë e disa episodeve të cilat mund të na dukeshin përndryshe relativisht të pakuptimta. Pasi kemi vepruar kështu, ne jemi gati të punojmë më ngadalë përmes kapitujve.

Kapitulli Një:

Cila është skena? Shpesh, për ne ky do të jetë çelësi i parë për pjesën tjetër të librit. Këtu, si në shumë libra të tjerë, fjalët hapëse japin përgjigjen: Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët. Çfarë rëndësie ka kjo? Ajo na tregon se historia vendoset brenda periudhës së përshkruar në librin e mëparshëm, Gjyqtarët. Kur i kthehemi prapa atij, zbulojmë se ishte një periudhë paqëndrueshmërie të madhe. Faqja e mëparshme e Biblës na tregon se Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij (Gjyqtarët 21:25). Gjatë gjithë librit të Gjyqtarëve ka shumë fakte të tjera të krizave që po përballonte populli i Perëndisë, dhe sa shpesh Perëndisë i është dashur t’i shpëtonte (p.sh.,Gjyq. 2:16-19).

Në këtë pikë mund të mendojmë nëse ka ndonjë paralel ndërmjet atyre ditëve dhe ditëve në të cilat jetojmë ne. Me sa duket, disa libra të Shkrimit mund të duken në shikim të parë se kanë një rëndësi të veçantë për kohën dhe vendin ku jetojmë. Përveç kësaj, mund të na bëjë përshtypje se ajo që kemi në librin e Ruthit është shumë e ndryshme nga libri i Gjyqtarëve. Atje historia zhvillohet në nivel kombëtar; kurse këtu, në nivel personal dhe individual. Kjo na jep neve një çelës tjetër të mesazhit të përgjithshëm të librit. Perëndia që është i preokupuar për të themeluar popullin e tij në Gjyqtarët, është i njëjti Perëndi që është thellësisht i preokupuar për individët. Asnjë lloj peshe nevoje kombëtare nuk ia largon kurrë mendjen Perëndisë prej situatave të fëmijëve të tij, sado të parëndësishme që të duken ata, madje edhe në sytë e vetë atyre.

Këto mendime të përgjithshme do të na udhëheqin për të shqyrtuar pjesën tjetër të kapitullit të parë. Çfarë shohim këtu? Zbulojmë se megjithëse libri është quajtur Ruth, kapitulli i parë flet kryesisht për Naomin. Me qëllim që të kuptojmë jetën besimtare të Ruthit, shkruesi duket të thotë se së pari duhet të shohim jetën e Naomit. Vetëm atëherë kemi për të parë domethënien e plotë të planit të Perëndisë. Ky është një mësim si në studimin tonë të Biblës ashtu dhe në jetë!

Çfarë zbulojmë rreth Naomit? Ka disa veçori interesante për këtë, megjithëse mund të na duhet pak ndihmë përpara se t’i kemi zgjidhur të gjitha! Ajo na prezantohet në mes të një katalogu tragjedie dhe dhimbjesh (1:1-5). Vini re emrat e renditur në vargjet hapëse. është shpeshherë një gjë e mençur përpjekja për të zbuluar kuptimin e emrave të Dhiatës së Vjetër, sepse shpesh ata kanë domethënie. Naomi do të thotë e Këndshme; Elimelek do të thotë Perëndia im është Mbret; Mahlon dhe Kilion sugjerojnë emra si I Dobët dhe I Tretur. Ja historia e një familjeje e cila, në një kohë krize ekonomike, la tokën e premtuar (duke tradhtuar kështu emrin e burrit); e një nëne me barrën e dy djemve shëndeti i të cilëve me sa duket ishte shpesh një ankth. Tragjedia ndoqi tragjedinë në vdekjen e babait, martesën e djemve, dhe vdekjen e tyre të parakohshme.

Këtu, siç shihet, përballemi me një problem serioz, edhe sikur të mos mundemi t’i japim një përgjigje përfundimtare. A ishin këto ngjarje një gjykim hyjnor mbi këtë familje? Kur këmbëngulim në dhënien e pyetjeve si kjo, shpesh, kemi për të zbuluar se pyetjet tona janë pikërisht ato që do prodhojnë përgjigje prej pasazhit; por ka për të patur gjithashtu raste kur do të zbulojmë se Perëndia nuk ka për qëllim që të na japë përgjigje. Ka për ta patur gjithashtu raste kur nuk kemi për ta kuptuar përgjigjen, dhe mund të na duhet të presim për më shumë njohuri dhe ndriçim përpara se të na qartësohet ndonjë zgjidhje. Por ky lloj metode pyetjeje shpesh ka për të na udhëhequr drejt zemrës së çështjes.

Gjatë vazhdimit të historisë zbulojmë një zhvillim të ri në jetën e Naomit. Ajo përgatitet të kthehet në tokën e premtuar (v.6). Pa dyshim që kjo është shumë domethënëse. Kthimi në tokën e premtuar është një temë që shfaqet shpesh në Dhiatën e Vjetër, pasi toka është e lidhur me premtimin e Perëndisë në besëlidhjen e tij. është atje, dhe vetëm atje, që ai ka premtuar ta bekojë popullin e tij. Për më tepër, siç na thotë ky pasazh, ishte pikërisht atje që Perëndia po bekonte popullin e tij (v.6). Ajo që kemi këtu, pra, është një pikturë e njërës prej fëmijëve të Perëndisë që ka qenë e ndarë prej të gjitha mjeteve të zakonshme të hirit, e cila kthehet tek ai. Pavarësisht nëse tragjeditë në jetën e Naomit duhet të lexohen si gjykim apo jo, ne mund të shohim tani se Perëndia i përdori ato për ta kthyer atë në bashkësi me veten e tij dhe popullin e tij.

Ky është një mësim i rëndësishëm në karakterin dhe strategjinë e Perëndisë. Ai është lloji i fushës së studimit të Biblës ku mund të dëshirojmë të ndalojmë dhe ta ndjekim temën më me rrënjë. Do të duam patjetër të ndalojmë për t’u soditur mbi sjelljen e Perëndisë në vetë jetët tona, dhe për të bërë pyetjet me vend: A po sillet kështu Perëndia me mua? A e kam njohur unë dorën e tij mbi jetën time në këtë mënyrë? A hedh dritë kjo mbi eksperiencën timë, ose a më ndihmon mua për të pranuar ndonjë situatë në të cilën e kam gjetur veten? Ajo sigurisht më mëson se Perëndia është i përgatitur të lejojë shumë gjëra misterioze me qëllim që t’ua tërheqë fëmijët krahëve të tij. Mund të vërejmë se në fund të kapitullit Naomi është shumë e dijshme për dorën përulëse të Perëndisë mbi të (v.20 - I Plotfuqishmi më ka mbushur me hidhërim), por ajo gjithashtu shikon në të hirin dhe qëllimin hyjnor (v.21 - Unë u nisa me bollëk dhe Zoti më ktheu në shtëpi të zhveshur nga çdo gjë).

Pjesa qendrore e kapitullit (1:16-18) na paraqet një skenë shumë të ndryshme. Këtu Naomi qëndron në udhëkryqin midis Moabit dhe Betlehemit, bashkë me dy nuset e saj. Gjëja e parë që vëmë re është se restaurimi i saj shpirtëror dhe dëshira e saj e re për të qenë me popullin e Perëndisë e kanë inkurajuar për të qenë dëshmuese për të tjerët. Ajo nuk qëndron më e heshtur për nënkuptimet e anëtarësisë në popullin e Perëndisë! Çmimi i një dishepujtarie të tillë del si i tepërt për Orpahun. është e pamundur që të mos vëmë re se cila ishte pikërisht çështja në rrezik; Naomi e nënvizon atë në vargjet 11-14. është çështja e martesës. Ajo përbën një problem të madh për shumë të krishterë. A jemi të gatshëm për të shkuar me popullin e Krishtit me një çmim kaq të lartë? Përsëri, këtu, do të duam të pushojmë pak për më shumë reflektim, shqyrtim të vetvetes dhe lutje.

A do të kishte qenë përgjigjja jonë si ajo e Ruthit? E saja është dhënë me fjalët më të famshme të të gjithë librit. Por, shpesh ne kemi për të parë në studimin tonë se fjalët e famshme duhet të konsiderohen me kujdes. Nëse reflektojmë mbi Shkrimin, dhe mbi llojin e gjuhës së fjalëve të Ruthit, kemi për të filluar të kuptojmë se në to ka më shumë sesa një shprehje të përkryer të miqësisë dhe besnikërisë personale. Deklarimi i saj merret shpesh në këtë nivel. Por ajo duhet të tingëllojë ndryshe në mendjen e atyre që studiojnë Biblën. Sepse fjalët e saj janë kujtuese të fuqishme të premtimeve të besëlidhjes së Perëndisë (p.sh., Eksodi 6:7) në të cilat ai premton të jetë Perëndia i njerëzve të tij dhe i lidh ata me veten. Ajo që po bën këtu Ruthi është dorëzimi i saj në një besëlidhje personale me Perëndinë. Në thelb, ajo po i përgjigjet premtimit të ungjillit të Dhiatës së Vjetër, dhe po e beson gjithë jetën e saj në duart e Perëndisë. Shkurt, ajo u kthye besimtare.

Përsëri do të duam të pushojmë për një meditim praktik. Vini re se vetëm tani është përdorur dëshmia e Naomit për ta sjellë Ruthin në popullin e besëlidhjes së Perëndisë, pavarësisht nga afria e marrëdhënieve të tyre për një kohë kaq të gjatë. Vetëm tani është hequr pengesa, dhe hiri i Perëndisë ka filluar të rrjedhë lirisht në të tjerët. Këtu, sigurisht, ka disa pyetje hetuese personale që duhet t’i bëjmë vetes. Pastaj do të duam të konsiderojmë këtë çështje: Këtë kuptim ka besimi im në Krishtin? A kam filluar unë të vlerësoj se Perëndia është Perëndia im dhe se unë i përkas popullit të tij? Ç’kuptim mund të ketë kjo për mua?

Kështu Ruthi kthehet me Naomin në Betlehem (vargjet 19-22). I gjithë qyteti trazohet. A nuk duhet që reagimi të jetë gjithmonë i tillë kur fëmijët e Perëndisë dalin si po aq besnikë atij sa edhe Ruthi dhe Naomi? Sa larg duhet të shkojmë ne për të ngjallur këtë reagim! Kështu, ndërsa mbyllim këtë studim të parë tonin, e gjejmë veten të përulur përpara fjalës së Perëndisë, duke u lutur që ai t’i përdorë njerëzit e tij për të lënë të tilla përshtypje në botën përreth tyre. Duhet të lutemi që jeta jonë të jetë një dëshmim i tillë.

Kapitulli Dy:

Kapitulli i dytë fillon me një thënie që vendos tonin për vargjet që vijojnë. Prezantohet Boazi. Ashtu si historia e Ruthit e ka zanafillën në mënyrat me të cilat dora e Zotit erdhi në fillim mbi vjehrrën e saj, redaktori i librit të Ruthit na thotë tani se Perëndia kishte një dimension tjetër për planin e tij. Komente të tilla redaktori në Shkrim kanë për qëllim të jenë tabela rrugore. Ato na ndihmojnë më plotësisht për të vlerësuar domethënien e asaj që vijon. Këtu mësimi është i qartë. Qëllimi i Perëndisë në jetën tonë përfshin mbledhjen së bashku të shumë fijeve të punës së tij në jetët e të tjerëve. Ky mësim duhet të na udhëheqë në habi dhe adhurim. A mund ta përdorim atë në jetën tonë, ndërsa zbulojmë përmes tyre shembujt e Perëndisë?.

Nëse redaktori na vë në gatishmëri kundrejt faktit se duhet t’i mbajmë sytë hapur për providencën e Perëndisë në jetën tonë, nuk kemi nevojë të shkojmë larg për të zbuluar se nganjëherë ajo mund të duket shumë e rëndë për t’u duruar. Ruthi dhe Naomi ishin me të vërtetë të këputura. Përkushtimi ndaj Perëndisë, mësojmë se nuk është një garanci se jeta do të jetë pa vështirësi dhe vuajtje (a menduan ato për një moment se jeta mund të kishte qenë fare mirë më e rehatshme në Moab?). Pse ky parim është kaq i rëndësishëm për t’u mësuar? Sepse ai mund të na shpëtojë prej një pikëpamjeje për jetën shpirtërore që do të na çonte në një zhgënjim të patreguar. Shpesh mësimi biblik na jepet jo vetëm për t’u marrë me situatën tonë të tanishme, por për të siguruar atë lloj njohurie për rrugët e Perëndisë e cila do ta mbështesë jetën tonë në ditët e errësirës dhe vështirësisë. Njeriu i lajmëruar, gjysmë i shpëtuar!.

A mund ta imagjinojmë tani veten në pozitën e këtyre grave? Si do të reagonim ne? Si kemi reaguar ne në vështirësi të ngjashme? Këto janë pyetjet që mund të na ndihmojnë për të parë në një dritë të re punën plot hir të Perëndisë në jetën tonë. A jemi ndonjëherë të hidhëruar? apo ndoshta të paralizuar në pasivitet? Mund të mendojmë për të tjerë në Shkrim që ishin - si Jeremia (Jer. 20:7) ose Psalmisti (Ps. 102:10). Por këto gra duken të shfaqin një shpirt kënaqësie pavarësisht nga gjendja e tyre. Shembulli i tyre më vë të mendohem gjatë studimit tim të Biblës për mënyrën se si ta zhvilloj këtë gjë në vetë jetën time. Kjo më çon në pasazhe të tilla si Psalmi 131 dhe Filipianët 4:11,12.

Ruthi shkoi për të mbledhur kallëza (v.2). Cila është rëndësia e vërtetë e të mbledhurit të kallëzave? Ndoshta për këtë mund të na nevojitet ndihma e një renditjeje alfabetike fjalësh [zakonisht një listë e tillë e pjesshme gjendet në fund të Biblave në gjuhën angleze] ose të një fjalori biblik, për të zbuluar se Perëndia kishte siguruar për mbledhjen e kallinjve në Ligjin e tij (Eks. 19 dhe 23; LiP 24:19). Këtu ka një mësim tjetër shumë praktik për mua. Kur Ruthi dhe Naomi ishin në vështirësi ato e gjetën përgjigjen për nevojat e tyre duke jetuar brenda kufijve dhe furnizimeve në Ligjin e Perëndisë. Gjatë leximit në vazhdim të historisë zbulojmë se kjo ishte rruga që i çoi ato jo vetëm në plotësimin e nevojave të tyre të atypëratyshme, por në plotësimin e qëllimit të tij përfundimtar për jetën e tyre. Ai qëllim, siç e zbulojnë vargjet mbyllëse të librit, ndikoi në gjithë pjesën tjetër të planit shpëtues të Perëndisë përgjatë gjithë historisë!.

Historia fillon të shpaloset. Boazi i ndihmon gratë, dhe ua plotëson nevojat (v.5,16,17). Jeta e tij ia vlen për një studim më vete. Kush ishte ai? Çfarë cilësish shfaq ai për të cilat ne duhet t’i kërkojmë Perëndisë për të na ndihmuar që t’i imitojmë? Ne e dimë nga leximi fillestar që i kemi bërë librit se ai do të martohet me Ruthin. Por cilat karakteristika të jetës së tij e bënë atë një partner të përshtatshëm për këtë vejushë të re e cila i ishte kushtuar kaq qartë shërbimit ndaj mbretërisë së Perëndisë dhe popullit të tij? Nëse kontrollojmë në pemën gjenealogjike të tij gjejmë se ai nuk ishte aspak një çifut ‘puro’. Ai, në fakt, ishte siç e tregon Dhiata e Re, një pasardhës i prostitutës Rahab (Mat. 1:5). A i shkonin sfondi familjar dhe përvoja personale e tij për të patur një interes të veçantë dhe për të zhvilluar një ndjenjë të veçantë për këtë Moabite? Asnjë detaj qoftë dhe i jetës sonë familjare nuk është aksidental apo i rastësishëm për Perëndinë!.

Hera-herës gjatë studimeve të tilla mund të jetë një gjë e dobishme të bëjmë një hap pas prej veprimit të momentit në mënyrë që të përpiqemi për të ndier planin që po ndjek Perëndia në këtë rrëfim historik. Sikur këto dy gra të mos i kishin humbur burrat e tyre, ndoshta, nuk kishin për t’u kthyer kurrë në Betlehem. Sikur të ishin kthyer plot, Ruthi mund të mos i kishte treguar kurrë ato cilësi plot hir që tregoi. Sikur të mos kishte mbledhur ndonjëherë kallëza, historia nuk do të kishte filluar të merrte kthesën e habitshme që mori. Asgjë prej kësaj nuk mund të parashikohet gjatë leximit të rreshtave të parë të librit. Providencat (furnizimet, sigurimet) e Perëndisë, tha një njeri i urtë, janë si fjalët hebraishte - ato mund të lexohen siç duhet vetëm mbrapsht! Do të kujtojmë fjalët që Jezusi u tha dishepujve: Do ta kuptosh mbas kësajZoti… nuk e ka hequr mirësinë e tij (2.20). (Gjoni 13:7). Nëse e kemi mësuar këtë mësim nga Ruthi 2, kemi mësuar shumë. Dhe do të jemi të aftë të themi me Naomin:

Kapitulli Tre:

Bibla na vjen nga një botë shumë e ndryshme prej sonës. Ne jetojmë në një mjedis tërësisht të ndryshëm, gjeografikisht, intelektualisht, historikisht dhe nga ana kulturore. Pak veçori të jetës kanë mbetur relativisht të pandryshuar që nga koha që u shkrua Libri i Ruthit. Ne e dimë se zemra e njeriut është e njëjtë; e dimë se Perëndia dhe rrugët e tij me njerëzit janë të njëjta. Pyetja, në të vërtetë problemi, me të cilin përballemi nganjëherë në studimin tonë, pra, është: Si e përkthej unë atë që bëri Perëndia në botën e atëhershme në atë që po bën ai në botën e sotme?.

Hera-herës, interpretimi i fjalës së Perëndisë për vetë jetën dhe kohën tonë kërkon që ne të familjarizohemi me botën kulturore të Biblës. Këtë na u desh ta bënim në Kapitullin Dy të Ruthit, me qëllim që të kuptonim domethënien e mbledhjes së kallëzave. Në Kapitullin Tre shtrihet pas historisë një tjetër parim i Dhiatës së Vjetër. Këtu përmendet njeriu që ka të drejtën e shpengimit (v.12; gjithashtu 2:20; 3:2).

Përsëri, në këtë pikë, mund të kemi ndoshta nevojë ose për një fjalor a komentar biblik ose për disa kryq-referime shumë të mira në anë të Biblës [në gjuhën angleze]. Duke përdorur këtë ndihmë mund të zbulojmë se në botën izraelite, mbi jetën familjare vihej një theks shumë më i madh sesa në botën tonë. Bekimet dhe stabiliteti që solli kjo, balancoheshin nga përgjegjësi përkatëse për të ndihmuar një anëtar të familjes që ishte në nevojë. Për shembull, dikush mund të detyrohet të shesë tokën për të paguar borxhet. Në këtë rast, një pjesëtar i familjes (njeriu që ka të drejtën e shpengimit) pritej që të çonte çmimin e blerjes, kështu që prona të mund të mbahej brenda familjes, dhe mundësisht të riblihej në një kohë të mëvonshme nëse do ta lejonin rrethanat. Ne shohim një pasqyrim të kësaj në mënyrën se si e trajton Boazi Ruthin në Kapitullin Dy (krah. 2:20).

Por në jetën e familjes çifute kishte dhe një institucion tjetër të vendosur nga Ligji i Perëndisë. Ai është i njohur si martesa levirate. Nëse një burrë vdiste pa bërë fëmijë, vëllai i tij duhej të martohej me vejushën e tij dhe biri i tyre i parë do të numërohej si biri i burrit të vdekur. Ndoshta për shkak të rrethanave të ndërlikuara të asaj kohe, kjo përgjegjësi me sa duket është përhapur përtej kushërinjve të afërm dhe i është kaluar edhe atij që ka të drejtën e shpengimit. Me sa duket është dija e saj se Boazi ishte një nga ata që kishte të drejtën e shpengimit që ia rriti shpresat Naomit në 2:20 se Perëndia mund të kishte një qëllim të veçantë në këtë takim, në pamje të parë rastësor, midis atij dhe Ruthit.

Kapitulli Tre tregon sesi Naomi i tha Ruthit që të reagonte ndaj situatës së krijuar. Ruthi duhet të lahet dhe të parfumoset, të veshë rrobat e saj më të mira, dhe, pas festimeve të darkës, të shkojë në vendin ku është shtrirë Boazi. Atje, ajo duhet t’ia zbulojë këmbët atij dhe të shtrihet qetësisht. Kur Boazi zgjohet, Ruthi e fton atë ta shtrijë skajin e mantelit të tij mbi të (v.9). Kjo me sa duket ka qenë e barazvlershme me propozimin! (Shih Ezek. 16:8.) Boazi vë në dukje se ajo në fakt ka një të afërm tjetër më afër se ai, por premton se, nëse ai refuzon të martohet me Ruthin, atëherë ai (Boazi) do ta bënte.

Në pamje të parë, ky kapitull duket të jetë një zonë më pak pjellore për studim biblik sesa Kapitujt Një dhe Dy. Por ne duhet të hetojmë disa rrugë shumë praktike mendimi në lidhje me këtë. Këtu, mbi të gjitha, gjendet historia e shquar e njohjes dhe martesës në Dhiatën e Vjetër. Çfarë mund të na mësojë neve ajo rreth më së çmuarës së gjithë marrëdhënieve njerëzore? A ka këtu, parime të cilat na pajisin me udhëzime?

Është interesante të kujtojmë se si Naomi foli për domethënien e martesës në 3:1. Fjala që ajo përdori ishte ‘shtëpi’ apo vend paqeje. Kjo na kthen pas në shprehjen e ngjashme te 1:9. Kjo ide mban me vete, siç shihet, stabilitetin, qëllimin, sigurinë dhe fuqinë që jep një familje.

Kjo nuk do të thotë se pikëpamja e Biblës për jetën e gruas është se ajo duhet të jetë përherë në shtëpi në kuzhinë. Shih Fjalët e Urta 31:16 për ‘gruan ideale’ e cila merret edhe me pasurinë e patundshme, por edhe me vreshtin, pra, vitikulturën! Jo vetëm kaq, por ajo është edhe një tregtare e suksesshme (v.18). Por ajo na mëson diçka për njërën prej nevojave themelore të mëdha të një gruaje të re, dhe të cilën burri, apo burri i ardhshëm, duhet ta konsiderojë si një prej përgjegjësive të tyre më të mëdha për hyrjen në një besëlidhje martesore. Kjo shprehet shumë bukur në ftesën piktoreske të Ruthit që i thotë Boazit ‘të shtrijë krahët e tij’ mbi të. Kjo mund të na çojë për t’iu drejtuar Efes. 5:25, që të meditojmë mbi këshillat e Dhiatës së Re ndaj burrave që t’i duan dhe të kujdesen për gratë e tyre.

Një çështje e mëtejshme që del në këto vargje është dashuria reciproke dhe respekti i ndërsjellë që kishte filluar në mënyrë të qartë të ekzistonte midis Ruthit dhe Boazit. Këtu përsëri na kujtohet Efes. 5:33. Kemi për të vënë re dëlirësinë e Boazit (v.13,14); ndershmërinë e tij ndaj të njohurve të tij (v.12); mirësinë e tij ndaj Naomit, vjehrrës së tij të ardhshme! (v.17); kuptimi i tij për Perëndinë (v.13, ndoshta edhe në lutjen e tij në v.14). Boazi e përmbledh këtë në vargun 10. Dashuria e tij është më shumë sesa një joshje kalimtare.

Këtu ka pa dyshim një sasi të madhe udhëzimi për moshat dhe stadet e ndryshme në kishën. Sot ka një nevojë të ngutshme që ne të mësojmë këto standarde biblike përsëri. Kështu pra, ne zbulojmë se, me gjithë hendekun e dukshëm kulturor midis nesh dhe ditëve të Gjyqtarëve, fjala e Perëndisë flet ende për njërën prej çështjeve më themelore në shoqërinë e sotme.

Një vijë e dytë mendimi që mund të dëshirojmë të ndjekim në këtë kontekst është rruga në të cilën ky kapitull na tregon diçka rreth rëndësisë së karakterit dhe ndershmërisë së vërtetë në gjithë marrrëdhëniet tona. Ne nuk u shtojmë asgjë qëllimeve të Perëndisë duke rrëmbyer atë që mund të dëshirojmë me gjithë zemër. Pa dyshim, Boazi e kupton se ai ka ndjenja kundrejt Ruthit. Ai e thotë kaq gjë në vargun 10. Por ai e kupton, gjithashtu, detyrën e besnikërisë ndaj Perëndisë, ligjit të tij, dhe njerëzve të tjerë. Boazi, në dallim nga shumë prej nesh, e kuptoi se rruga e bekimit duhet të jetë gjithmonë një rrugë bindjeje parimore ndaj fjalës dhe ligjit të Perëndisë - çfarëdo që të fitojmë apo humbim në këtë proces. Nëse e dimë librin e Predikuesit, kanë për të na u kujtuar fjalët: Vlen me tepër një grusht me pushim sesa dy grushte, me mundim, duke u përpjekur të kapësh erën. (Predikuesi 4:6)

Është interesante të shihet se Ruthi përshkruhet si një grua e virtytshme (3:11). Këtu, ne mund të duam të marrim pak kohë për të ristudiuar shembullin e jetës së saj dhe për të zbuluar çfarë cilësish duhen për të krijuar një fisnikëri të tillë shpirtërore. A nuk shohim ne nevojën për një fisnikëri të vërtetë të krishterë që të ndriçojë përmes jetës sonë në shoqërinë bashkëkohore? E njëjta e vërtetë pasqyrohet në komentin që Naomi bën për Boazin: Ai burrë nuk do të rrijë deri sa ta ketë sistemuar sot çështjen (3:18). Këtu, angazhimi dhe përkujdesja janë shkrirë në një. Ndoshta, kjo është një dëshmi e hirit të Perëndisë në zemër që neve na mungon. Studimi i Ruthit Kapitulli Tre, do të na bëjë, pra, të lutemi që Perëndia të përpunojë një karakter fisnik dhe një hir të vërtetë në jetën tonë dhe në gjithë marrëdhëniet tona, veçanërisht në ato që ne i konsiderojmë si më të rëndësishmet.

Kapitulli Katër:

Vijmë kështu te pjesa e fundit e studimit tonë mbi Ruthin. Deri tani kemi arritur të zbulojmë karakterin e Perëndisë dhe udhëheqjen providenciale të fëmijëve të tij përmes përjetimesh të errëta. Kemi njohur gjithashtu edhe tiparet e karakterit të një dishepulli të vërtetë në secilin prej tri karaktereve kryesore të librit. Tani zbulojmë në Kapitullin Katër se fillimi i trishtueshëm i historisë çon faktikisht në një fund të lumtur të papritur. Përsëri pjesa më e madhe e interesit përqendrohet mbi Boazin. Ndoshta ne kemi supozuar se Ruthi është një histori me rëndësi praktike vetëm për gratë! Në këtë shkallë të studimeve tona kemi për të njohur më mirë. Në Kapitullin Katër, disa tipare të tjera të jetës së tij na bëjnë përshtypje disa mësime të rëndësishme shpirtërore.

Boazi shfaq një besim të fortë në mirësinë e Perëndisë. Në Kapitullin Tre pamë disa aluzione të kësaj, por tani ato vijnë shumë qartë në sipërfaqe. Nuk ka dyshim se ai dëshiron të martohet me Ruthin (3:13). Por vargjet hapëse theksojnë se ai beson se nëse ecën në detyrat e tij ndaj Perëndisë, të vendosura në Ligj, fundi ka për të qenë vetëm e mira dhe bekimi i tij përfundimtar. Ai nuk kishte asnjë garanci se kjo kishte për të qenë e njëjtë me aspiratat e tij natyrore. Por, ndoshta ai kishte aq eksperiencë me marrëdhëniet e Perëndisë me të sa t’i thoshte vetes:

A nuk ke parë ti

Se si kanë qenë dëshirat e zemrës sate

Të plotësuara në atë që ka urdhëruar ai?

Gjatë reflektimit të mëtejshëm mbi Boazin arrijmë në konkluzionin se ai shfaq një kombinim të aktivitetit me durimin, gjë që mund të prodhohet në ne vetëm nga bindja kundrejt ligjit të Perëndisë. Ai vepron; por meqë ai vepron në përputhje me udhëzimet që Perëndia ka vendosur në fjalën e tij dhe nuk i shkel ato, atij i përmbahet t’i marrë çështjet në dorën e tij. Zbatimet praktike të këtij parimi janë të shumta. Në studimin tonë personal, kemi për ta parë veten tonë pashmangshmërisht, duke shqyrtuar ato situata të shumta në jetën tonë kur kemi dështuar. Ndoshta ne tashmë ndodhemi në një situatë në të cilën ky parim i madh hedh dritë në rrugën ku ne duhet të hedhim hapin tjetër.

Gjatë reflektimit mbi përjetimin e Ruthit dhe Naomit të regjistruar në këtë kapitull zbulojmë se ai ilustron premtimin e madh të Jezusit. Asnjë dishepull i cili bën sakrifica për t’i shërbyer Perëndisë nuk ka për të qenë ndonjëherë më i varfër (Lluka 18:29). Ruthi kishte lënë shtëpinë dhe familjen për hir të Perëndisë dhe të hirit të tij në besëlidhje; ajo mori në këtë botë, shtëpi dhe familje, gëzime dhe plotësim që përndryshe nuk kishte për t’i njohur kurrë. Këtu ka një vijë mendimi e cila na udhëheq me siguri drejt një shqyrtimi të vetes sonë, por në të njëjtën kohë duhet të na inkurajojë në falënderim dhe lavdërim.

Reagimi i pleqve kundrejt gjithë kësaj - e rregjistruar në 4:11,12 - është shumë interesant. Këtu kemi një pikturë të komunitetit të popullit të Perëndisë që kërkojnë të njohin vullnetin e tij së bashku. Kjo aludon për shumë mësime në jetën tonë si anëtarë të bashkësive të krishtera, mbi kujdesin e ndërsjelltë, respektin, dashurinë dhe lutjen që ajo përfaqëson. Ajo që është veçanërisht mahnitëse është mënyra me të cilën përkujdesja dhe lutja e këtyre njerëzve është kredhur në format e mendimit të vetë Shkrimit. Në të vërtetë ata po bëjnë pikërisht atë që bëjmë dhe ne në studimin tonë të Biblës: ata reflektojnë mbi hirin dhe mirësinë që Zoti ka treguar ndaj fëmijëve të tij në të kaluarën. Ata i besojnë atij si Atit besnik të popullit të tij i cili nuk ndryshon, që ai të shfaqë të njëjtën fuqi dhe dashuri në jetën e Boazit dhe Ruthit. Ç’mësim për lutjen tonë të përbashkët!.

Konkluzioni i librit jep mësimin më të spikatshëm të të gjithë mësimeve. Boazi bëhet baba, Ruthi një nënë e lumtur, dhe Naomi një gjyshe e gëzuar! Ky është një fund ‘rruan dhe u trashëguan’. Në të vërtetë, kjo është thellësisht më e vërtetë sesa mund ta mendojmë ne. Sepse libri përfundon me një gjenealogji. Por çfarë gjenealogjie se! Ajo na tregon se Salmonit i lindi Boazi; Boazit i lindi Obedi; Obedit i lindi Isai dhe Isait i lindi Davidi. Pemët e gjenealogjisë familjare në Mat.1 dhe Llukën 3 nënvizojnë faktin se kjo gjenealogji e shkurtër më në fund çon në lindjen e Jezusit, Shpëtimtarit. Privilegji më i madh për tri karakteret në Librin e Ruthit është se ata u bënë hallka thelbësore të zinxhirit i cili do të çonte përfundimisht në plotësimin e premtimit të besëlidhjes së Perëndisë ndaj Abrahamit, dhe ardhjen e mbretërisë së Perëndisë. Plotësimi i planit të përjetshëm të Perëndisë varej nga plotësimi i detajeve të tij në jetën e këtyre njerëzve në dukje të parëndësishëm. Gjithashtu, bindja e tyre në atë kohë ndaj vullnetit të tij ishte porta përmes së cilës do të vinte një bekim më i madh. Perëndia punon në jetën tonë jo vetëm për kohën tonë, por edhe për brezat që ende nuk kanë lindur. Ky është mësimi i madh. Sfida është e qartë. A e kemi ne ndjesinë e privilegjit të jashtëzakonshëm që na ka dhënë Perëndia duke na bërë të zëmë vend në qëllimet e tij? A jemi të gatshëm ne që t’ia dorëzojmë veten tonë plotësisht vullnetit të tij?

Kështu, studimit tonë mbi Ruthin, të paktën për momentin, i erdhi fundi. Do të duam të kalojmë te ndonjë libër tjetër për t’u marrë me metalet e pasura që Perëndia do të na ndihmojë të rrëmojmë prej tij. Akoma nuk kemi mësuar gjithçka që është për t’u mësuar prej këtij libri të vogël. Por kemi mësuar diçka. Kjo do të na ndihmojë që të ndiejmë se Perëndia ka më shumë dritë akoma për të shpërthyer prej fjalës së tij.