jump to navigation

KAPITULLI 21: PERËNDIA DËSHIRON QË T’I TË PËRGATITËSH RRUGËN

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

“Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: “Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë. Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jetë sheshuar, vendet dredha dredha të drejtuar dhe vendet e vështira të sheshuar. Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur” (Isaia 40:35).

NEVOJA JONË MË E MADHE

Kombi ynë ka nevojë për një rizgjim të madh frymëror që të përhapet nga njeri cep në cepin tjetër të vendit. Pjesa më e e madhe e njerëzve e kanë harruar Perëndinë. Korruptimi i të gjitha niveleve, dhuna dhe krimi po e shkatërrojnë shoqërinë tonë. Mjetet e komunikimit përhapin një koncept materialist të jetës dhe të rinjtë rriten pa asnjë ideal tjetër përveç atij të një jete të thjeshtë, ku gjithçka lejohet. Fatkeqësisht, ne besimtarët ushtrojmë një ndikim të vogël në shoqërinë tonë. Populli ynë ka nevojë të kthehet tek Perëndia. Kur do të ketë një rizgjim frymëror në këtë botë? Kur të përgatisim rrugën e Zotit.

Në dhjetëvjeçarët e kaluar, pjesa më e madhe e botës ishte e detyruar të pësonte ndikimin e ideologjisë marksiste dhe materializmi i një komunizmi që shpallte ateizmin dhe pengonte predikimin e Ungjillit dhe veprës misionare. Aktualisht po përhapet fondamentalizmi islamik, që si të tjerët sulmon Ungjillin dhe, në mënyrë fanatike, përndjek të krishterët. Edhe fetë lindore, gjithashtu, po përhapen.

Në këto kushte, si mundet Kisha t’i çojë lajmin brezit tonë me anë të televizionit? Si mund t’i shpallin Ungjillin popujve që nuk e njohin Krishtin nëse ndalohet hyrja e misionarëve në këto vende? Si mund të krijojmë grupe besimtarësh në ambjente kaq kundërshtuese? Ka vetëm një përgjigje për të gjitha këto pyetje: Lutja duhet të përgatisë rrugën.

Nëse duam të hapen dyert që janë të mbyllura, është i nevojshëm përqëndrimi në lutje. Nëse duam të shohim nje rizgjim në shkallë botërore, ekziston një nevojë urgjente për lutje të zjarrta. Ftesa e Isaisë vlen edhe për ditët tona: “Përgatisni udhën e Zotit”. Shpresa jonë e vetme.

Perëndia ka kryer vepra të fuqishme vetëm atëherë kur ka ekzistuar një përgatitje e përshtatshme. Ai kishte caktuar të nxirrte jashtë nga Egjipti bijtë e Izraelit për t’i çuar në vendin e tyre të ri, në tokën e Kanaanit. Sipas planit të Tij ata duhej të bëheshin populli, ruajtësi i zbulimit dhe vegla e shpëtimit të Tij për të gjitha kombet nëpërmjet Mesisë, por më parë qe e domosdoshme një përgatitje e gjatë.

Moisiut iu desh të kalonte dyzet vjet në shkretëtirë përpara se të merrte misionin për të udhëhequr Izraelin. Nëpërmjet gjykimit me anë të plagëve në Egjipt, Perëndia përgatiti atë komb që të lejonte hebrenjtë të largoheshin. Nëpërmjet këtyre ngjarjeve, Izraeli u përgatit për të pranuar të vërtetën që vetëm Jahve është Perëndia dhe të merrte dhjetë urdhërimet dhe ligjin e Dhjatës së Vjetër.

Më vonë, robëria babiloneze i shëroi hebrenjtë nga vesi i idhujtarisë, kështu që Krishti erdhi në tokë kur kulti i idhujve ishte braktisur plotësisht. Përveç kësaj, hebrenjtë u shpërndanë nga njeri cep në cepin tjetër të botës së civilizuar dhe ndërtuan sinagogat në qendrat më të mëdha dhe më vonë këto sinagoga u përdorën nga lajmëtarët e kryqit në dhjetëvjeçarët e parë pas Rrëshajave. Gjuha greke u bë gjuha tregtare e botës mesdhetare dhe kjo gjë thjeshtoi përhapjen e lajmit të krishterë, saqë apostujt e përdorën këtë gjuhë për shkrimet e Dhjatës së Re. Në të njëjtën mënyrë, rrugët e mëdha të komunikimit dhe civilizimi i perandorisë romake u përdorën nga Perëndia për përhapjen e Ungjillit. Pas Malakisë, për katërqind vjet nuk kishte dalë asnjë profet tjetër: qielli dukej i heshtur. Ashpërsia e sundimit romak detyroi hebrenjtë të prisnin me padurim ardhjen e Mesisë dhe më në fund “në përmbushjen e kohrave”, gjithçka qe gati. Përgatitja e fundit publike qe ajo e bërë nga Gjon Pagëzori. Kur e pyetën se kush ishte, Gjon Pagëzori e përkufizoi vetveten si “zëri i atij që bërtet në shkretëtirë” për të “drejtuar rrugën e Zotit”. Kjo ishte një përmbushje e profecisë tek Isaia 40:3-5.

Isaia kishte përdorur një imazh të rëndësishëm për ato kohë. Kur një mbret kishte ndërmend të vizitonte një zonë ose një krahinë të mbretërisë së tij, përpara dërgonte lajmëtarë me detyrën që të paralajmëronin popullsinë, që të përgatiste “rrugën e mbretit”. Atëherë shtroheshin rrugët ku do të kalonte kortezhi mbretëror. Në zonat malore hapeshin qafat e malit, zonat e rrezikshme sheshoheshin. Shtigjet e vështira drejtoheshin dhe të gjitha pengesat hiqeshin. Bëhej fjalë për një punë të lodhshme ku kërkohej një mundim i madh nga shumë njerëz, por ishte e nevojshme për të përgatitur një rrugë të denjë për një mbret.

Vetëm Perëndia e di se sa ndërmjetës të fshehtë kanë përgatitur rrugën për ardhjen e parë të Krishtit. Ashtu siç e ka patur parasysh ndërmjetësimin e Ezdrës dhe Nehemisë, për kthimin në vend të hebrenjve të mërguar në Babiloni (Eksodi 32:32; Psalmet 56:8; 87:6; Malakia 3:16). Kështu, regjistrat qiellorë përmbajnë emrat e ndërmjetësve që në shekuj i kanë përgatitur rrugën Perëndisë së mishëruar. Roli që ata kanë kryer do të ketë një mirënjohje publike përballë gjykatës së Krishtit (2 Korintasve 5:10). Midis këtyre qe Simeoni, një njeri i drejtë (Lluka 2:25-35) dhe Ana, një profeteshë që i shërbente Perëndisë me agjërime dhe lutje (Lluka 2:36-38). Ata bënin pjesë në një grup të madh njerëzish të perëndishëm (Lluka 2:38), që prisnin ardhjen e Mesisë. Midis tyre qe edhe Jozefi nga Arimatea (Lluka 23:51). Çfarë nderi do të kenë ata në përjetësi, sepse kanë marrë pjesë në përgatitjen e ardhjes së Krishtit! Por i njëjti privilegj na përket edhe ne sepse me ndërmjetësimin tonë, mund të përgatisim ardhjen e Tij të dytë.

Çdo rizgjim i madh paraprihet nga një kohë përgatitje e veprës së popullit të Perëndisë. Perëndia përdor disa për t’u predikuar turmave të mëdha, por përdor shumë më tepër në lutje. Shpesh kjo përgatitje nuk vëzhgohet derisa nuk shfaqet ndërmjetësimi i fuqishëm i Perëndisë. Për shembull, në Amerikë, në mes të shekullit të kaluar, takimet e lutjes, në bashkësi, u përhapën nga një cep në cepin tjetër të Shteteve të Bashkuara, të cilat dhanë fryt, duke u kthyer te Zoti rreth një milion njerëz. E njëjta gjë ndodhi në Wells, ndërmjet viteve 1904 dhe 1905, kur më shumë se një milion njerëz u kthyen te Krishti. Kjo vlen edhe për ne sot dhe në çdo vend tjetër të botës. Historia e misioneve tregon se, pa përgatitjen e lutjes, nuk mund të ketë një ndërhyrje të fuqishme të Perëndisë.

PSE ËSHTË E NEVOJSHME PËRGATITJA?

Shpëtimi i shpirtrave dhe rizgjimet e mëdha janë vepër e jashtëzakonshme e Frymës së Shenjtë. Besimtarët më të zjarrtë, me forcat e tyre, nuk mund të prodhojnë asgjë nëse mungon vepra e Perëndisë. Është e vërtetë, Zoti përdor gjithmonë qeniet njerëzore, por puna frymërore mbetet vepra e Tij. Përpjekjet tona nuk mund t’i zëvendësojnë dhe as meritojnë bekimet e Perëndisë. Meritat e njeriut, sado të mëdha qofshin ato, nuk e detyrojnë Perëndinë të përmbushë lutjet.

Ne mund të përsosim strukturën dhe cilësinë e organizatave tona, mund të rrisim numrin e personave të angazhuar në ungjillëzim, mund të shtojmë përhapjen e literaturës dhe orët e transmetimit në radio dhe televizion, me lajme ungjillore e, megjithatë, të mos shohim asnjë rezultat. Mund të përdorim të gjitha fjalët, Shkrimet, metodat dhe deri personat e duhur, por nëse Perëndia nuk ndërhyn, rezultatet tona do të jenë vetëm rezultate njerëzore. Nga ana frymërore do të mbetemi shterpë.

Kur Perëndia dëshiron të kryejë një vepër të fuqishme shpëtimi, Fryma e Shenjtë vendos një dëshirë të zjarrtë në zemrën e atyre bijve të Perëndisë që janë shumë afër Atij për të dëgjuar zërin e Tij. Ndërsa zemrat e tyre i thërrasin Atij, Ai i bën t’i përkushtohen më shumë kohës në lutje, i drejton të bashkohen me të tjerët në të cilët ka vënë të njëjtat ndjenja. Shumë herë Perëndia përdor pastorët ose shërbëtorë të tjerë të Tij që t’i drejtojnë kishat e tyre në lutje dhe agjërim, por më shpesh Ai i udhëheq besimtarët një e nga një të thellojnë jetën e tyre të lutjes. Një numër i madh rizgjimesh lokale të drejtuara nga Fryma e Shenjtë janë kryer si rrjedhim i lutjeve të dy ose tre personave që i janë drejtuar Perëndisë në mënyrë individuale ose së bashku për muaj dhe për vite me rradhë. Këtë gjë kërkon Perëndia edhe nga ty.