jump to navigation

Hyrje

Postuar tek: Pergjigjet per Deshmitaret e Jehovait

Ky libër është shkruar që t’u japë lexuesve njohuri me të cilat t’i kuptojnë doktrinat e gabuara që propagandohen prej sektit Dëshmitarët e Jehovait. Shumë besimtarë të vërtetë në mbarë botën, ose nga mosnjohja e doktrinave të Biblës për arsye të mungesës së mësimit, ose nga mosnjohja e doktrinave të DJ-ve dhe burimeve të këtyre doktrinave, kur takojnë DJ-të (që në dukje e njohin shumë mirë Biblën e tyre dhe mund të citojnë edhe vargje fjalë për fjalë), çoroditen dhe, gjithashtu, nuk dinë përgjigjet e duhura që t’u japin atyre.

Po qe se një besimtar e njeh mirë Biblën dhe mësimet e saj të vërteta doktrinale, nuk e ka të vështirë të kuptojë ku e kanë gabimin DJ-të. Vërtet, ky është një parim që duhet të mbahet parasysh në analizën që u bëhet të gjitha sekteve që japin mësime doktrinale të rreme. Mënyra më e mirë për të dalluar një kartmonedhë false nuk është të shohësh gjithmonë të falsifikuarat, por të dish mirë se si janë në realitet kartmonedhat e vërteta. Në këtë mënyrë, kur del kartmonedha false, është e lehtë ta dallosh dhe të shohësh se ku qëndron falsifikimi. Kështu, në këtë libër, përveç një analize të mësimeve false të këtij sekti, do të shqyrtojmë edhe mësimet e vërteta doktrinale që Bibla na jep mbi po këto pika.

Shpresoj, atëherë, që lexuesit e këtij libri të pajisen me informacionet e nevojshme bazë që do t’i ndihmojë kur të takojnë dëshmitarët e Jehovait. E di mjaft mirë që ka disa aspekte që kanë të bëjnë me DJ-të, të cilat nuk janë trajtuar në këtë libër. Ndoshta në botimet e ardhshme të këtij libri mund t’i shtohen edhe kapituj të tjerë. Nëse lexuesit do të kenë sugjerime me vlerë do t’i shqyrtoja ato me gjithë qejf.

E falenderoj organizatën Reachout Trust që më lejoi t’i përdor materialet e tyre në këtë përkthim. Mike Brown, Korçë, maj 1995

Shpjegim

Në këtë libër, për arsye të përsëritjes së nevojshme dhe të herëpashershme të disa fjalëve të veçanta, kemi përdorur këto shkurtime:

Dhiata e Vjetër - DhV-ja Dëshmitarët e Jehovait - DJ-të
Dhiata e Re - DhR-ja Përkthimi i Biblës Bota e Re - BR-ja

Të gjitha citimet nga Bibla në gjuhën shqipe janë marrë nga versioni Diodati i Ri, botuar në vitin 1994. Të gjitha citimet nga BR-ja, përkthyer nga anglishtja në shqip në këtë libër, janë marrë nga botimi i vitit 1961.