jump to navigation

12. A do të jemi të vetëdijshëm pasi të vdesim?

Postuar tek: Përgjigjet për Dëshmitarët e Jehovait më: 01, 5, 2007

DJ-të mësojnë se kur vdes besimtari, fryma e tij nuk shkon në qiell në praninë e Perëndisë (dhe gjithashtu se një jobesimtar, kur vdes, nuk shkon në Hades, banesën e jobesimtarëve të vdekur), por se të gjithë ata, qofshin besimtarë apo jobesimtarë, futen në një gjendje që e quajmë “gjumë fryme”. Me këtë ata duan të thonë se personi nuk ka ekzistencë të vetëdijshme, por “fle” deri në ditën e ringjalljes, kur ai të ngrihet përsëri në jetë (d.m.th. zgjohet nga gjumi!). Këtë doktrinë të rreme e quajmë psikopanikia.

DJ-të e përkufizojnë vdekjen si mungesa e jetës (shih tek revista e tyre Frymërat e të vdekurve). Por duke u nisur nga ky mësim ata vazhdojnë më tej duke kaluar në mësimin që thotë se vdekja do të thotë mungesë e ekzistencës së vetëdijshme, gjë kjo që është diçka krejt tjetër. Kështu, për shembull, në rastin e vdekjes fizike, ata thonë se trupi i njeriut kthehet në pluhur dhe se fryma e tij nuk ka ekzistencë të vetëdijshme (shih tek faqet 76-80 tek libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë), në vend që të thonë se vdekja fizike është thjesht shkëputja e frymës (që mbetet e vetëdijshme) prej trupit (që kthehet në pluhur), gjë kjo e fundit të cilën na e mëson Bibla. Dhe natyrisht ata kalojnë nga ky mësim për “gjumin e frymës” gjatë gjendjes së ndërmjetme (d.m.th. gjatë periudhës mes vdekjes dhe ringjalljes) në mësimin se as ata që do të shkojnë në Gehenën pas Gjyqit të Fundit nuk do të jenë të vetëdijshëm në përjetësi por do të asgjësohen (shih te kapitulli 14).

Ata abuzojnë vargje të ndryshme të Biblës për të arritur në këtë lloj mësimi. Ata marrin vargun te Zanafilla 3:19 “…deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh” dhe komentojnë kështu: “Përpara se Perëndia ta krijonte nga pluhuri, Adami nuk ekzistonte. Kështu, pasi vdiq, Adami u kthye në po atë gjendje të joekzistueshmërisë” (Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, faqe 76). Kjo është një logjikë vërtet tepër e shtrembëruar! Trupi i Adamit u krijua prej Perëndisë nga pluhuri dhe pastaj Perëndia i fryu atij frymën e jetës në vrimat e hundës (Zanafilla 2:7). Fjalët që Perëndia i thotë atij te Zanafilla 3:19 kishin të bënin vetëm me trupin e tij fizik, jo me frymën e tij! Fryma e Adamit nuk erdhi prej pluhurit në fillim, Perëndia ia fryu atë atij në vrimat e hundës. Vetëm ai që erdhi prej dheut (d.m.th. trupi) do të kthehej në dhe. Vargu nuk thotë asgjë për atë që do të ndodhë me frymën e tij pas vdekjes. Ata nuk mund të thonë aspak se Adami hyri në një gjendje joekzistence pas vdekjes së tij fizike.

Disa vargje të tjera që ata përdorin janë këto të mëposhtmet: “Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur” (Predikuesi 3:20); “…të vdekurit nuk dinë asgjë” (Predikuesi 9:5); “Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë…” (Predikuesi 9:6); “…sepse në Sheol [varr] ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri” (Predikuesi 9:10); “Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken” (Psalmi 146:4). (Ka edhe disa vargje të tjera që ata citojnë por, për arsye vendi nuk do t’i citojmë apo shqyrtojmë ato të gjitha!).

Ashtu siç e kemi thënë edhe herë të tjera në këtë libër, duhet të bëjmë kujdes që vargjet të mos i shkëpusim nga konteksti i tyre në mënyrë që të gjejmë kuptimin e tyre të vërtetë dhe jo të përpiqemi t’ua veshim atyre një kuptim të cilin as shkruesit nuk i shkoi kurrë në mendje. Ashtu siç do të shohim më poshtë, në DhR-në ka pasazhe të ndryshme që na e bëjnë të qartë se fryma e njeriut është vërtet e vetëdijshme pas vdekjes. Kështu, nëse vargjet e mësipërme kanë atë kuptim që DJ-të thonë se kanë, atëherë jemi të detyruar të nxjerrim përfundimin se në Bibël ka mësime kontradiktore për këtë çështje, por sigurisht që ne nuk e besojmë këtë gjë.

Për shembull, le t’i shqyrtojmë vargjet e mësipërme, të cilat të gjitha citohen nga DJ-të në revistën e tyre Frymërat e të vdekurve dhe në librin e tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë për ta mbështetur këtë doktrinë të tyren. Do ta nxisnim lexuesin t’i lexonte këto vargje në Biblën e tij brenda kontekstit të tyre në mënyrë që t’i kuptojë komentet që do të bëjmë më poshtë rreth tyre.

Së pari, fjalët që citohen nga Predikuesi 3:20 në fakt nuk kanë të bëjnë aspak me atë nëse fryma e një personi është apo jo e vetëdijshme pas vdekjes. Ky varg thjesht na thotë se të gjithë njerëzit kanë të njëjtin fat në këtë jetë. Ata të gjithë do të vdesin fizikisht një ditë dhe atë ditë do të përmbushet ajo që Perëndia tha te Zanafilla 3 se ne jemi pluhur dhe në pluhur do të kthehemi. Vargu nuk thotë asgjë më tepër se kaq. Për këtë DJ-të nuk mund ta përdorin atë për të mbështetur doktrinën e tyre.

Së dyti, kemi fjalët që citohen nga Predikuesi 9:5,6,10. Vini re se të gjitha këto vargje citohen jashtë kontekstit të tyre. Konteksti i të tri këtyre vargjeve është pasazhi te Pred. 9:1-10. E rëndësishmja është që të kuptojmë mësimin e përgjithshëm që na jepet nga i gjithë ky pasazh dhe pastaj mund të kuptojmë se çfarë thotë shkruesi në këto vargje të shkëputura që DJ-të citojnë. Shkruesi, ashtu si edhe më sipër te 3:20, flet për fatin e përbashkët që ne të gjithë ndajmë, pra faktin që një ditë ne të gjithë do të vdesim fizikisht, pavarësisht nga kush apo çfarë jemi, qofshim me famë, të pasur apo të varfër. Kjo është një pjesë e argumentimit të të gjithë librit të Predikuesit, që na tregon se jeta pa Perëndinë është në fund të fundit pa kuptim. Ai flet këtu për faktin se sa i pashpresë është njeriu para vdekjes.

Ai krahason jetën dhe njerëzit e gjallë në kënaqësitë jetëshkurtra njerëzore që ata mund të gëzojnë në këtë jetë, me vdekjen dhe ata që kanë vdekur, të cilët nuk mund të marrin më pjesë në këtë jetë dhe nuk mund t’i gëzojnë më ato gjëra që i kishin në këtë jetë. Ai thotë se ata që kanë vdekur nuk i kanë më gjërat që kishin në këtë jetë. Duket qartë se ky është kuptimi i Pred. 9:5,6,10 të marra si vargje të plota. Vdekja do të të marrë të gjitha ato gjëra që ti pate dhe gëzove në këtë jetë. Ti do të ndahesh prej njerëzve të kësaj jete dhe nuk do të dish asgjë për ato që ndodhin këtu (9:5); dashuria, urrejtja dhe zilia që ti ke shprehur në këtë jetë nuk do të jenë më këtu në këtë botë, dhe të gjallët nuk do të kenë më asnjë përvojë me ty apo me këto gjëra të tuat (9:6); gjërat e kësaj jete marrin fund kur arrijmë tek varri (9:10). Kështu, thotë ai, gëzoje jetën sa e ke. Një qen i gjallë vlen më tepër (ose, e ka më të mirë) se një luan i ngordhur (9:4)!

Këto vargje nuk japin ndonjë mësim për gjendjen e njeriut pas vdekjes, për atë nëse ai është i vetëdijshëm apo jo; nga këto vargje nuk mund të nxjerrim asnjë mësim për gjendjen e ndërmjetme. Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë kontekstin e shkruesit që e sheh jetën nga këndvështrimi i një njeriu pa Perëndinë, një njeri që nuk mund të gjejë kënaqësi në jetë edhe pse përpiqet me të gjitha mënyrat për ta gjetur atë. Por për këdo që e njeh Krishtin, puna është krejt e ndryshme. Çfarë shprese dhe çfarë prespektivash që ka ai për të ardhmen dhe jetën pas vdekjes! Vdekja nuk është diçka e pashpresë, ajo është thjesht porta për realizimin e një shprese më të madhe. Në vend që të flasë për vdekjen si diçka që të merr gjithçka dhe që nuk të lë asgjë, duke të lënë kështu të pashpresë në këtë jetë, ashtu siç thotë edhe shkruesi i Predikuesit, besimtari mund të flasë për shpresën e lavdishme dhe gëzimin që e pret te Perëndia kur lë prapa këtë jetë. Shkruesi i Predikuesit flet për gjërat e mira që mund të gëzohen në këtë jetë dhe nuk sheh asnjë shpresë përtej vdekjes; besimtari në Krisht nuk sheh gjë tjetër përveç lavdisë dhe shpresës në anën përtej vdekjes. Për ne që besojmë, kjo është një punë krejt tjetër!

Së treti, kemi fjalët te Psalmi 146:4. Së pari, vargu na mëson diçka që DJ-të nuk e pëlqejnë aspak! Ai flet për vdekjen si shkëputje e frymës nga trupi. Trupi futet në varr dhe fryma ikën. Arsyen pse ata zgjedhin këtë varg në përpjekje për ta mbështetur doktrinën e tyre, unë nuk e di! Por shih komentin që ata i bëjnë vargut: “Kur njeriu vdes, fryma, fuqia e tij jetësore…«del jashtë». Nuk ekziston më.” (Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, faqe 77). Përsëri logjikë e shtrembër, ose, shprehur më mirë, pa kurrfarë logjike! Ata thonë se kur fryma e lë trupin, kjo do të thotë që ajo nuk ekziston më. Por vargu, në mënyrë kategorike, nuk e thotë këtë. Ai thotë se fryma ikën. Kjo do të thotë që fryma ikën prej trupit dhe vetëm kaq! Vargu nuk ka të bëjë aspak me atë nëse fryma vazhdon të ekzistojë më apo jo. Ky varg nuk e mbështet aspak doktrinën e tyre. Në fakt, tek Predikuesi 12:7 na thuhet se kur një person vdes, trupi i tij kthehet në pluhur dhe fryma e tij kthehet te Perëndia që e dha.

Gjithashtu, shih kontekstin e këtij vargu në vargjet 3-5 (dhe më pas). është një inkurajim për besimtarët ta vënë shpresën e tyre te Perëndia (v5 e më pas) në vend që ta vënë atë te njeriu i vdekshëm (v3-4). Vargjet 3 dhe 4 flasin për kotësinë e të besuarit përfundimisht tek njeriu që nuk mund të të shpëtojë dhe e ilustron këtë duke thënë se ai i nënshtrohet vdekjes dhe kjo u jep fund gjithë planeve dhe shpresave që ai kishte për këtë jetë (pikërisht ashtu siç e pamë edhe te libri i Predikuesit). Këto vargje nuk thonë asgjë për gjendjen e njeriut pas vdekjes.

Kështu, siç mund ta shohim, nëse lexohen në kontekstin e tyre, asnjë nga këto vargje (që DJ-të citojnë në mbështetje të doktrinës së tyre) nuk mbështet në fakt atë që DJ-të duan të besojnë.

Ezekieli 18:4,20

Një tjetër nga pasazhet e preferuara të DJ-ve është Ezekieli 18:4,20 “Shpirti që mëkaton ka për të vdekur”. Ata përsëri e shkëpusin këtë frazë nga konteksti dhe e interpretojnë sikur do të thotë se shpirti i njeriut vdes d.m.th., sipas tyre, pas vdekjes fizike shpirtrat e njerëzve pushojnë së ekzistuari.

Nëse shohim kontekstin menjëherë do të shohim se nuk është kjo domethënia e këtyre fjalëve. Fjala “shpirt” këtu nuk thuhet për jetën e brendshme të shpirtit të njeriut (psychen e tij), ajo nënkupton njeriun si një të tërë, d.m.th. i referohet njeriut si person. Një përkthim më i mirë do të ishte ky: “Njeriu që mëkaton është ai që do të vdesë”. Shqyrtoji të gjitha këto pasazhe vargjesh: 5-13,14-18,19-20,21-23,24,25-30. Konteksti këtu bën fjalë për atë që çdo person mban përgjegjësinë për mëkatin e vet. Çdo person do të gjykohet për mëkatin e vet, jo për ato të atit të tij.

Vini re gjithashtu se na jepet edhe mësimi paralel, pra në vargun 9 lexojmë: “ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar” (shih edhe vargjet 19,21,22). Me fjalë të tjera, nëse një njeri është i drejtë për vete, atëherë ai ka për të jetuar dhe nuk ka për të vdekur për mëkatet e një personi tjetër; ose, nëse ka qenë mëkatar dhe heq dorë prej paudhësive të tij, atëherë ai ka për të jetuar dhe nuk ka për të vdekur.

Por, për të qenë konsekuentë ndaj atyre që thonë, DJ-të duhet ta marrin këtë mësim paralel dhe të thonë që shpirti i një njeriu të drejtë do të vazhdojë të jetojë d.m.th. që pas vdekjes fizike shpirti i një njeriu të drejtë do të vazhdojë ekzistencën e vetëdijshme (sipas interpretimit të tyre). Por, sigurisht, këtu ata nuk qëndrojnë konsekuentë ndaj atyre që thonë dhe kështu, as që duan të mendojnë rreth këtyre nënkuptimeve që rrjedhin prej vetë interpretimeve të tyre të gabuara!

Kështu, përsëri, shohim se këto vargje që ata përdorin në asnjë lloj mënyre nuk mbështetin doktrinën false të tyre.

Gjumi i vdekjes

Në vende të ndryshme Bibla përdor një gjuhë metaforike për ta përshkruar vdekjen si gjumë (p.sh. Danieli 12:2; 1 Selan. 4:13). DJ-të nganjëherë përpiqen t’i përdorin këto vargje që flasin për “gjumin e vdekjes” në mbështetje të besimit të tyre se frymërat e njerëzve nuk do të kenë ekzistencë të vetëdijshme pas vdekjes. Kjo është prejardhja, pra, e termit “gjumë i frymës”. Tek faqja 80 e librit të tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë ata thonë: “Kur një njeri ndodhet në një gjumë shumë të thellë, ai nuk mban mend asgjë. Njësoj është edhe me të vdekurit. Ata nuk kanë ndjenja. Nuk ekzistojnë më”. Por shih që përsëri logjika e DJ-ve është djallosur! Ata thonë që vdekja është si gjumi dhe se ashtu si personat që flenë nuk janë të vetëdijshëm për këtë botë e nuk kujtojnë asgjë edhe njerëzit e vdekur nuk janë të vetëdijshëm. Por nga kjo ata hidhen e thonë se për këtë të vdekurit nuk ekzistojnë. Përsëri, logjika e tyre është krejt e gabuar. Të qenët i pavetëdijshëm nuk është e njëjta gjë me joekzistencën! Një person që fle është i pavetëdijshëm, por akoma ekziston dhe, për më tepër se kaq, ai është akoma i gjallë (madje ëndërron!), ai thjesht nuk është i zgjuar! Nëse vdekja është metaforikisht si gjumi, atëherë ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të nxjerrim përfundimin se të vdekurit akoma ekzistojnë.

Në fakt, kjo gjuhë metaforike flet për vdekjen me këndvështrimin e atyre që janë akoma gjallë, jo të atyre që kanë vdekur. Vdekja krahasohet me gjumin në kuptimin që personi i vdekur nuk është më i vetëdijshëm për ndodhitë e kësaj jete dhe që me të të gjallët nuk mund të komunikojnë. Personi që është në gjumë nuk është i vetëdijshëm për këtë botë (ose më mirë është i pavetëdijshëm por akoma i gjallë) dhe të gjallët nuk mund të komunikojnë me të. Përsëri, nuk na thuhet asgjë për atë nëse personi vetë është i vetëdijshëm apo jo përtej vdekjes, një gjendje kjo për të cilën as vetë të gjallët nuk janë të vetëdijshëm, as janë të ndërgjegjshëm dhe as dinë ndonjë gjë në këtë jetë.

DJ-të abuzojnë me historinë e ngjalljes së Llazarit për t’u përpjekur ta mbështetin doktrinën e tyre. Jezui përdor këtu këtë metaforë, duke folur për vdekjen si gjumë (Gjoni 11:11,13,14). DJ-të thonë se për këtë Llazari, kur ishte i vdekur, ishte i pavetëdijshëm dhe nuk ekzistonte, por ata e mbështesin arsyetimin e tyre mbi një supozim që nuk ka kurrfarë baze në Bibël. Shih se çfarë thonë ata: “Në çfarë gjendje ishte Lazari gjatë këtyre katër ditëve që ishte i vdekur? A ishte në qiell? Ai ishte njeri i mirë. Megjithatë, Lazari nuk tha asgjë rreth shkuarjes në qiell, gjë që sigurisht do ta bënte në qoftë se do të kishte qenë atje. Jo, Lazari kishte vdekur me të vërtetë… Lazari i vdekur ishte i pavetëdijshëm…” (Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, faqe 80).

Përse u dashka pritur që Llazari të kishte thënë ndonjë gjë rreth të shkuarit e tij në qiell, nëse vërtet kishte shkuar atje? Si mund ta përdorin DJ-të këtë lloj arsyeje për të thënë se ai nuk kishte shkuar në qiell? Ky është një hamendësim i pabazë! Nga e dimë ne se çfarë tha apo nuk tha Llazari pasi u ngjall së vdekuri? Asgjë nga këto nuk na jepet në Shkrimet nga Gjoni. Nuk dimë se çfarë ndodhi më pas apo se çfarë Llazari u tha njerëzve. Ky fakt, që në Bibël nuk na jepet ajo që tha apo nuk tha ai, nuk ka të bëjë aspak me atë që i ndodhi atij gjatë atyre katër ditëve në të cilat ishte i vdekur. Nga kjo histori nuk mund të nxjerrim asnjë lloj përfundimi për gjendjen e ndërmjetme. Vërtet vetë apostull Pali, që përjetoi rrëmbimin deri në qiellin e tretë ndërsa ishte akoma i gjallë, thotë se kur ishte atje, ai dëgjoi gjëra të cilat ishin të palejueshme të thuheshin prej njeriut. Kështu, më pas, ai kurrë nuk i tregoi tjetërkujt ndonjë nga hollësitë e përvojës që pati (2 Kor. 12:2-4).

Të vdekurit janë të vetëdijshëm

DhR-ja na jep disa pasazhe prej të cilave mund të nxjerrim dy përfundime më se të qarta: 1. Të vdekurit janë të vetëdijshëm dhe 2. Ata janë ose në qiell ose në Hades.

Te Fil. 1:22-23, Pali na e thotë mjaft qartë diçka me të cilën DJ-të kanë probleme, pra me atë që ai thotë se, kur të vdesë, do të shkojë menjëherë në praninë e Krishtit dhe do të jetë me Të: “Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë…” Kjo na mëson dy gjëra. Së pari, na thotë se pas vdekjes, do të vazhdojmë të jemi të vetëdijshëm (d.m.th. se nuk futemi në një ekzistencë të pavetëdijshme deri në ringjalljen) dhe, së dyti, se besimtarët (në Krisht) do të shkojnë në qiell kur të vdesin. Shih edhe tek 2 Kor. 5:8 ku shkruhet: “…jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin”.

Ka edhe një pasazh tjetër interesant te Zbulesa 6:9-11 ku shohim shpirtrat e atyre që kanë rënë si martirë për besimin e tyre në Jezuin. Edhe këtu ka dy gjëra. Së pari, duket qartë që ata janë njerëz që kanë vdekur por shihen të gjallë (d.m.th. që vazhdojnë në një ekzistencë të vetëdijshme) dhe, së dyti, ata janë nën altar në qiell.

Lluka 16:19-31

Ky pasazh na mëson disa gjëra mjaft të qarta për gjendjen e ndërmjetme. Ai na tregon se besimtari është i vetëdijshëm në parajsë dhe se jobesimtari është po ashtu i vetëdijshëm në Hades ku shihet se vuan. Por, meqenëse nuk duan të besojnë se njerëzit do të vuajnë përjetësisht në Gehenë (shih te kapitulli 14), DJ-të mohojnë edhe mësimin e qartë të këtij pasazhi te Lluka që flet për Hadesin dhe për vuajtjet që jobesimtarët do të përjetojnë atje (por, në të njëjtën kohë, nuk mohojnë lumturinë e vendit në të cilin ndodhej Llazari! Sa kontradiktore!). Komentet që ata bëjnë, në librin e tyre Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, përdorin një tipologji që është krejtësisht e gabuar dhe që efektivisht e zhvesh këtë pasazh nga gjithë kuptimi që ka dhe kështu kjo histori nuk ka asnjë pikë domethënieje. Për shembull, nëse lypësi Llazar do të merret sikur përfaqëson njerëzit e thjeshtë që besuan në Krishtin gjatë shërbesës që Ai pati para vdekjes së Tij, atëherë kjo gjë i bën të gjithë ata besimtarë të vërtetë të jenë si lypësit plagët e të cilëve lëpiheshin prej qenve! Sigurisht që ata do ta konsideronin këtë shumë fyese. Vetë Jezui tha se ata ishin kripa e botës! A ishte Maria, nëna e Jezuit, si një lypëse plagët e së cilës i lëpinin qentë? Për më tepër, fjalët e tyre: “Vdekja e të pasurit dhe Lazarit nënkupton një ndryshim në gjendjen e tyre. Ky ndryshim ndodhi atëherë, kur Jezui filloi në mënyrë frymore t’i ushqejë njerëzit e lënë pas dore, ngjashëm Lazarit, me ç’gjë ata arritën nën mëshirën e Abrahamit më të Madh, Perëndisë Jehova” janë fare dokrra! Lexo se çfarë thonë ata tek faqet 88-89. Ata mendojnë se ky është vetëm një ilustrim figurativ me një kuptim shpirtëror për kohën në të cilën jetoi Krishti. Më vjen keq, o dëshmitarë të Jehovait, por interpretimi juaj është i gabuar dhe doktrina juaj e rreme!

Në këtë pasazh Jezui na tregon se lypësi shkoi në gjirin e Abrahamit pas vdekjes dhe e shohim atë të jetë mirë dhe vërtet i vetëdijshëm (v22,26,27) dhe pasaniku shkon në Hades, ku e shohim të vetëdijshëm dhe në mundime (v22,24,28).

Ne besojmë se Jezui vetë nuk do ta kishte treguar këtë shëmbëlltyrë nëse vetë doktrinat për të cilat Ai po fliste nuk do të ishin të vërteta. Ai shumë mirë mund të ketë përdorur një shëmbëlltyrë me personazhe të trilluara (si p.sh. shëmbëlltyra e djalit plangprishës - Lluka 15:11-32), por këtë e bëri Ai si mjet për t’u mësuar të tjerëve të vërteta shpirtërore dhe kjo nënkupton edhe të vërteta doktrinale. Përndryshe shëmbëlltyra nuk do të kishte kuptim. Ai na i paraqet qartë të dy, si lypësin ashtu edhe pasanikun, si njerëz që, pas vdekjes, janë të vetëdijshëm. Nëse do të ishte e vërtetë që njerëzit nuk janë të vetëdijshëm pas vdekjes, përse, fundja, vetë Jezui përdori një histori të tillë? Kështu Ai do të akuzohej prej judenjve se u mësonte njerëzve doktrina të gabuara!

Share|