jump to navigation

Përkujdesja për nxitjen e dishepullizimit dhe rritjes së krishterë

Postuar tek: Nëntë Shenja të një Kishe të Shëndetshme
  1. Rritja e krishterë
  2. Shenjtëria është dëshmi e rritjes
  3. Neglizhimi i disiplinës pengon rritjen
  4. Rritja e përbashkët e bashkësisë
  5. Rritja (vetëm) në dukje
  6. Perëndia përlëvdohet në rritje
  7. Pyetje për Reflektim

Një shenjë tjetër dalluese e kishës së shëndetshme është preokupimi i përgjithshëm për rritjen e kishës – jo thjesht për shtimin e numrit, por për rritjen e anëtarëve. Sot, disa mendojnë se dikush mund të jetë “i krishterë foshnjë” për gjithë jetën. Rritja shihet si një alternativë shtesë për dishepujt tepër të zellshëm. Por rritja është një shenjë e jetës. Pemët që rriten janë pemë të gjalla dhe kafshët që rriten janë kafshë të gjalla. Rritja përfshin shtim dhe përparim. Në shumë fusha të eksperiencës sonë, kur diçka ndalon së rrituri, ajo vdes.

Pali shpresonte që korintasit do të rriteshin në besimin e tyre të krishterë (2Korintasve 10:15). Ai shpresonte se efesianët do të “rriteshin në çdo gjë drejt Atij që është kreu, Krishti” (Efesianëve 4:15; krs. Kolosianëve 1:10; 2Thesalonikasve 1:3). Pjetri i këshillonte disa të krishterë të hershëm që “posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij” (1Pjetrit 2:2). Është tunduese për pastorët që t’i kthejnë kishat e tyre thjesht në statistika të menaxhueshme të pjesëmarrjes, të pagëzimeve, të dhurimeve dhe të anëtarësisë, në të cilat rritja është e prekshme; megjithatë, statistika të tilla nuk e përmbushin aspak rritjen e vërtetë të përshkruar nga Pali dhe të dëshiruar nga Perëndia.

Në librin e tij “Traktat për ndjenjat fetare” (Treatise Concerning Religious Affections), Xhonatan Eduards sugjeron se rritja e vërtetë në dishepullizimin e krishterë nuk është, në fund të fundit, vetëm ngazëllim, përdorim më i shpeshtë i gjuhës fetare, apo njohje gjithnjë e më e madhe e Shkrimeve. Ajo nuk është, madje, as një rritje e dukshme në gëzim, dashuri apo përkujdesje për kishën. Edhe rritjet në zell apo në lavdërimin e Perëndisë dhe siguria në besimin që ka dikush nuk janë prova të pagabueshme të rritjes së vërtetë të krishterë. Çfarë është atëherë? Sipas Eduardsit, ndërkohë që të gjitha këto mund të jenë prova të rritjes së vërtetë të krishterë, shenja e vetme e sigurt dhe e vëzhgueshme është një jetë me shenjtëri gjithnjë e më të madhe, që i ka rrënjët në vetëmohimin e krishterë. Kisha duhet të karakterizohet nga një shqetësim jetik për këtë lloj perëndishmërie më të madhe në jetën e anëtarëve të saj.

Siç e pamë te shenja e shtatë, një nga pasojat e padëshiruara që vjen nga lënia pas dore e disiplinës së duhur nga kisha është vështirësia gjithnjë e më e madhe për të rritur dishepuj. Në një kishë të padisiplinuar, shembujt janë të paqartë dhe modelet të pështjelluara. Asnjë kopshtar nuk niset me qëllimin për të mbjellë barëra të këqija. Barërat e këqija janë në vetvete të padëshirueshme dhe ato mund të kenë efekt negativ mbi bimët përreth. Plani i Perëndisë për kishën lokale nuk na lejon që t’i lëmë barërat e këqija jashtë kontroll.

Ndikimet e mira në bashkësinë e besëlidhjes së besimtarëve mund të jenë mjete në dorën e Perëndisë për të rritur njerëzit e Tij. Ndërkohë që njerëzit e Perëndisë ndërtohen dhe rriten së bashku në shenjtëri dhe dashuri sakrifikuese, ata duhet të përmirësojnë aftësinë e tyre për të administruar disiplinën dhe për të inkurajuar dishepullizimin. Kisha ka një detyrim për të qenë një mjet i Perëndisë për t’i rritur njerëzit në hir. Nëse në vend të kësaj ata janë vende ku vetëm mendimet e pastorit përvetësohen, ku Perëndia vihet në pikëpyetje më tepër sesa adhurohet, ku ungjilli dobësohet dhe ungjillëzimi shtrembërohet, ku anëtarësia e kishës bëhet e pakuptimtë dhe një kult personaliteti sipas botës lejohet të rritet rreth pastorit, atëherë nuk mund të presim që të shohim një bashkësi të bashkuar apo që po ndërtohet. Një kishë e tillë sigurisht nuk do të përlëvdojë Perëndinë.

Perëndia përlëvdohet nga kisha që janë duke u rritur. Kjo rritje mund të shfaqet në mënyra të ndryshme: nga numri gjithnjë e më i madh i njerëzve që thirren në misione; nga mbajtja e një qëndrimi të ri përgjegjësie nga anëtarët më të vjetër në ungjillëzim; nga funeralet ku marrin pjesë shumë nga anëtarët më të rinj të bashkësisë, thjesht nga dashuria e tyre për anëtarët më të vjetër; nga shtimi i lutjeve dhe nga dëshira për më tepër predikim; nga takimet e kishës, të karakterizuara nga biseda vërtetë shpirtërore; nga shtimi i dhurimeve dhe nga njerëz që japin oferta gjithnjë e më sakrifikuese; nga një numër më i madh anëtarësh që e ndajnë ungjillin me të tjerët; nga prindërit që rizbulojnë përgjegjësinë që kanë për t’i edukuar fëmijët e tyre në besim. Këto janë vetëm disa shembuj të llojit të rritjes së kishës për të cilën luten dhe punojnë të krishterët.

Kur shohim një kishë që është e përbërë nga anëtarë që rriten në ngjashmërinë me Krishtin, kush e merr meritën ose lavdinë? “Perëndia i bëri të rriten. Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit” (1Korintasve 3:6b-7; krs. Kolosianëve 2:19). Kështu, bekimi i fundit i Pjetrit për ata të krishterë të hershëm, të cilëve u shkroi, ishte një lutje e shprehur në mënyrën urdhërore: “Rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë! Amen” (2Pjetrit 3:18). Ne mund të mendojmë se rritja jonë do të na sjellë neve lavdi. Por Pjetri e di se kjo është gabim. “Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t’ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së Tij, për shkak të veprave tuaja të mira” (1Pjetrit 2:12). Duket qartë se ai kujton fjalët e Jezusit: “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira” – dhe sigurisht këtu mund të mendonim se do të ishte e natyrshme që të binim në grackën e vetadmirimit, por Jezusi vazhdon më tej – “dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16). Të punuarit për të nxitur dishepullizimin dhe rritjen e krishterë është një shenjë tjetër e kishës së shëndetshme.

Pyetje për reflektim

  1. Lexoni 1Pjetrit 2:1-3. Cila është shpresa e Pjetrit për këta të krishterë? Çfarë nënkupton ai me “rritje” në shpëtim?
  2. Disa njerëz mendojnë se “rritje e kishës” do të thotë vetëm rritje e numrit. Lexoni Veprat 2:41. Sipas mendimit tuaj, pse është dokumentuar numri i të kthyerve në besim? Tani lexoni pjesën e mbetur të kapitullit 2 A do të kishte qenë përlëvdues për Perëndinë numri i madh i të kthyerve në besim nëse ata nuk do të ishin duke u rritur edhe në shenjtëri? Pse po, ose pse jo?
  3. Autori shkruan se barërat e këqija mund të kenë një efekt negativ te bimët përreth. Në çfarë mënyrash mund të ndikojnë negativisht te të krishterët përreth, anëtarët mëkatarë dhe të padisiplinuar të kishës? Si mund të jenë mjete në dorën e Perëndisë për rritjen e njerëzve të Tij ata që kanë ndikim të mirë në kishë? A mund të sillni ndër mend disa shembuj në kishën tuaj?
  4. Cilat janë disa nga mënyrat se si përlëvdohet Perëndia nga një kishë që rritet në pjekurinë shpirtërore? Sa nga këto gjëra i shihni vazhdimisht në jetën e kishës suaj?