jump to navigation

Pozitë apo praktikë?

Postuar tek: Një herë në Krishtin në Krishtin përgjithmonë

Disa nga vargjet që përdoren për të kundërshtuar sigurinë e përjetshme qartësohen kur kujtojmë ndryshimin mes pozitës së një besimtari dhe praktikës së tij.

Kur një mëkatar kthehet, që në atë moment e tutje, Perëndia e sheh atë në Krishtin. Ai e pranon këtë person, jo për atë që ai është, por sepse ai është në të Dashurin. Meqenëse besimtari është në Krishtin, ai është i plotë, kjo do të thotë se ai nuk ka nevojë për asgjë tjetër që ta bëjë të përshtatshëm për në qiell. Ai ka një pozitë të përkryer para Perëndisë, jo për shkak të meritave të tij, por vetëm për shkak të meritave të Krishtit. Ai është aq pranë me Perëndinë, sa është edhe Krishti. Perëndia e do ashtu si do Krishtin.

Kjo pozitë arrihet me anë të hirit nëpërmjet besimit dhe pa vepra. Kur arrihet një herë, nuk mund të shfuqizohet më kurrë. Para se të humbasë një bir të Perëndisë, Krishtit i duhet të humbasë pozitën e Tij si i pranuar para Perëndisë. Nga ana tjetër është edhe praktika e të krishterit. Kjo ka të bëjë me jetën e tij të përditshme. Ashtu si pozita e tij është çfarë ai është në Krishtin, praktika e tij është ajo që ai është në vetvete. Është sikur Zoti të kishte thënë: “Shiko, unë të kam shpëtuar me anë të hirit Tim. Tani shko dhe jeto (me mjetet që të kam dhënë) në mënyrë të denjë për thirrjen tënde të lartë. Dua që praktika jote të jetë në harmoni me pozitën tënde. Sa më në harmoni të jenë ato, aq më shumë do të të shpërblej”.

Perëndia e di se praktika jonë në këtë jetë nuk do të përputhet asnjëherë përsosmërisht me pozitën tonë. Praktika jonë nuk do të jetë asnjëherë e njëjtë me pozitën tonë, derisa të shohim Shpëtimtarin dhe të bëhemi si Ai. Por vullneti i Perëndisë është që, ndërsa jemi këtu në tokë, ne të rritemi në ngjashmëri me Krishtin. Ky njihet si shenjtërimi rritës.

Kështu shpjegohet, pra, prania e shumë nxitjeve për shenjtëri në Dhiatën e Re. Ato nuk janë urdhërime të shoqëruara nga kërcënimi i dënimit të përjetshëm. Përkundrazi, ato janë udhëzime në drejtësi për ata që janë shpëtuar me anë të hirit. Ato janë rrugë praktike sipas të cilave mund ta harmonizojmë praktikën me pozitën tonë.

Kjo është mënyra që Perëndia përdor për të prodhuar shenjtërinë. Hiri thotë: “Unë të jap një pozitë të përsosur si dhuratë hiri. Tani, nga dashuria për Shpëtimtarin që vdiq për ta bërë të mundur këtë, jeto në një mënyrë që është e denjë për këtë pozitë”.

Ligji, nga ana tjetër thotë: “Fitoje dhe mbaje pozitën tënde me anë të veprave (gjë që është e pamundur) dhe nëse nuk e bën, je i dënuar përjetësisht”. Tani, le të shohim se si kjo shpjegon e qartëson disa pjesë të vështira:

Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë. Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir. Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë! A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi? Por qoftë falënderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar. Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë. Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qenë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim. Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë. Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja. Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë (Rom. 6:11-23).

Në dhjetë vargjet e para të këtij kapitulli, apostulli Pal ka folur për pozitën tonë. Ne vdiqëm për mëkatin (vargu 2). Njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me Të (vargu 6). Ne u shfajësuam nga mëkati (vargu 7). Meqenëse vdiqëm me Krishtin, do të jetojmë gjithashtu me Të (vargu 8).

Pjesa tjetër e kapitullit ka të bëjë kryesisht me praktikën tonë. Meqenëse për nga pozita vdiqëm për mëkatin, ne duhet ta konsiderojmë veten të vdekur për mëkatin, domethënë duhet t’i përgjigjemi mëkatit ashtu siç bën një njeri i vdekur (vargu 11). Meqenëse jemi çliruar nga mëkati (ai nuk na sundon më), duhet të jetojmë si shërbëtorë të drejtësisë (vargjet 13, 16). Është e çuditshme që vargu i fundit i kapitullit përdoret për të mbështetur shpëtimin e kushtëzuar. Arsyetohet në këtë mënyrë: Është e qartë se ky kapitull është shkruar për të krishterët. Pse duhet t’i paralajmëronte ata Pali se paga e mëkatit është vdekja nëse nuk do të mund ta humbisnin shpëtimin dhe të dënoheshin?

Ky lloj arsyetimi nuk shkon aspak me linjën e mësimit të apostullit. Ai po krahasonte si qenë lexuesit e tij para shpëtimit dhe si janë tani me anë të hirit. Ata kishin qenë shërbëtorë të mëkatit; tani janë shërbëtorë të drejtësisë. Kishin qenë shërbëtorë të papastërtisë, shkelës të ligjit; tani janë shërbëtorë të Perëndisë. Për ta plotësuar krahasimin, apostulli u kujton se para se të vinin te Krishti, ata kishin fituar pagën e mëkatit, domethënë vdekjen. Tani si besimtarë ata gëzonin dhuratën e Perëndisë, domethënë, jetën e përjetshme në Krishtin Jezus, Zotin tonë. Ai nuk po përpiqet të provojë se vdekja frymërore mund të jetë fundi i tyre; ai po deklaron se jeta e përjetshme është pjesa e tyre tani dhe përgjithmonë.

Në fakt, kjo pjesë jep një ndër arsyet më të fuqishme pse shpëtimi ynë është i sigurt. Ne s’mund ta humbasim shpëtimin duke mëkatuar, sepse kemi rilindur dhe nuk kemi më prirje për të mëkatuar. Spurgeon komenton:

…Nëpërmjet ndikimit të vdekjes së Krishtit mbi shpirtrat tanë, Fryma e Shenjtë na ka bërë tani me të vërtetë “të vdekur për mëkatet”: domethënë ne nuk i duam më ato dhe ato nuk na sundojnë. Mëkati, në zemrat tona, nuk është më si në shtëpinë e tij, edhe nëse futet ai futet me forcë. Ne nuk jemi më me dëshirë shërbëtorë të tij. Mëkati na thërret në tundim, por ne nuk i përgjigjemi, sepse jemi të vdekur për zërin e tij. Mëkati na premton shpërblim të madh, por ne nuk pranojmë, sepse jemi të vdekur ndaj joshjeve të tij. Ne mëkatojmë, por dëshira jonë nuk është të mëkatojmë. Do të mendonim se jemi në parajsë nëse do të ishim përsosmërisht të shenjtë. Jeta dhe zemra jonë rendin pas përsosmërisë, por mëkati është i urryer për shpirtrat tanë. “Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua”. Vetja jonë më e vërtetë dhe më reale ndjen neveri për mëkatin; dhe megjithëse biem në të, ajo është veç rënie, nuk jemi më vetja jonë dhe largohemi shpejt nga e keqja. Jeta e re që ka lindur brenda nesh s’ka të bëjë me mëkatin; ajo është e vdekur për mëkatin.[1]

Vargu 14 jep përfundim: “Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir”. Të pashpëtuarit janë nën ligj. Ligji u thotë ç’duhet të bëjnë, nuk u jep fuqi të binden dhe i mallkon nëse bien. Hiri u thotë ç’duhet të bëjnë, u jep fuqi ta bëjnë dhe i shpërblen për ato që bëjnë. Nëse mëkati është zot, atëherë njeriu nuk është rilindur. Krishti është Zoti i të gjithë atyre që janë bij të Perëndisë.

Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua (Gjo. 15:4). Edhe tani, djema, qëndroni në të që kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para tij (1 Gjo. 2:28).

Kemi parë se pozita e një të krishteri para Perëndisë përmblidhet në fjalët “në Krishtin”, “në Të” ose “në të Dashurin”. I krishteri nuk ka merita të tijat për të shkuar në qiell. Por në Krishtin, ai është plotësisht i përshtatshëm për të shkuar atje dhe për këtë arsye është i gatshëm për shtëpinë e Atit.

Si një degë në Hardhinë e vërtetë, besimtari ka përgjegjësinë të qëndrojë në Krishtin. Kjo do të thotë të qëndrojë në bashkësi me Të, të rrëfejë dhe të braktisë gjithë mëkatet për të cilat është i ndërgjegjshëm dhe t’i bindet Fjalës së Tij. Vetëm kështu mund të japë fryt për Perëndinë, mund të ketë një jetë me lutje të frytshme, mund të përlëvdojë Atin, mund të bëhet dishepull në një kuptim më të plotë dhe mund të përjetojë gëzim të plotë. Por edhe pas gjithë kësaj, ai duhet të kujtojë se pa Krishtin nuk mund të bëjë asgjë.

Disa herë fjala “qëndroj” dhe forma të tjera të kësaj fjale përdoren për të përshkruar të gjithë besimtarët. Në këtë rast flitet për pozitën e tyre para Perëndisë. Perëndia i sheh ata ndërsa qëndrojnë në Krishtin. Herë të tjera kjo fjalë përshkruan si duhet të jetë praktika e tyre. Ata duhet të qëndrojnë në Krishtin, ashtu si shermendi qëndron te hardhia. Së pari, le të shqyrtojmë vargjet që flasin për qëndrimin si për diçka që është e vërtetë për të gjithë bijtë e Perëndisë.

Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai (1 Gjo. 2:6).

Në këtë varg qëndrimi në Të është i barabartë me lindjen e re. Kushdo që thotë se është i krishterë duhet të ecë, ashtu si ka ecur Shpëtimtari mbi tokë. Sigurisht që është e vërtetë që edhe nëse një bir i Perëndisë thotë se ecën në bashkësi me Zotin, ai duhet të ecë si ka ecur Zoti. Por preferohet më shumë interpretimi i parë, sepse në vargjet 3-5, Gjoni krahason jobesimtarët me besimtarët.

Ai që do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bën të bjerë (1 Gjo. 2:10).

Këtu apostulli përsëri bën dallimin mes të pashpëtuarit (ai e urren vëllanë e tij) dhe të shpëtuarit (ai e do vëllanë e tij). I pashpëtuari është në errësirë. I shpëtuari qëndron në dritë.

Kush qëndron në të, nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur (1 Gjo. 3:6).

Këtu ai që qëndron në Zotin është besimtar. Kjo është pozita e tij. Këtë e dimë, sepse vetëm ata që kanë jetë hyjnore janë të lirë nga pushteti i mëkatit. Vargu 9 sqaron: “Kush lind nga Perëndia nuk kryen mëkat”, domethënë nuk e praktikon mëkatin, nuk kontrollohet nga mëkati, nuk vazhdon në mëkat. Vargjet 6 dhe 9 flasin për të njëjtin njeri.

Në fakt, Perëndia i thotë secilit prej bijve të Tij: “Të shoh sikur ti qëndron në Krishtin; kjo është pozita jote”. Por pastaj Ai shpejt shton: “Unë dua që ti të qëndrosh në Krishtin. Kjo duhet të jetë praktika jote”.

Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij (Gjo. 15:4, 5, 7, 10).

Në të gjitha këto vargje fjala “qëndroj” është përdorur duke iu referuar praktikës dhe jo pozitës. Nxitje të tilla si te vargu 4 shërbejnë gjithmonë për të treguar se jeta e përditshme e besimtarit duhet të harmonizohet me pozitën e tij. Ai që qëndron në Hardhi (vargu 5) është besimtari që ecën në bashkësi me Zotin duke iu bindur Atij. Ai që qëndron në Krishtin dhe në të cilin qëndron Fjala e Krishtit (vargu 7) është i krishteri që jeton pranë Zotit Jezus. Bindja është shenjë e birit të vërtetë (vargu 10). Kjo ishte e vërtetë për Shpëtimtarin, kur Ai ishte këtu në tokë dhe ky tipar duhet të karakterizojë të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë.

Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë dhe nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi. Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para tij (1 Gjo. 2:24, 27, 28).

Në vargjet 24 dhe 28, thirrja për të qëndruar është nxitje. Vargu 27 përkthehet ndonjëherë në formën urdhërore (“qëndroni në Të”) dhe disa herë përkthehet si siguri (“ju do të qëndroni në Të”). Në të dy rastet flitet për praktikën dhe jo për pozitën. Pozita jonë nuk varet kurrë nga ajo që bëjmë. Tema e qëndrimit trajtohet më hollësisht në shpjegimin që i bëhet Gjonit 15 në kapitullin me titull “Fryte apo shpëtim?”.

Shënime
1. Charles Haddon Spurgeon, “Till He Come”, Houston, TX: Christian Focus Publications, 1989, faqja 339.