jump to navigation

Puna e Frymës së Shenjtë

Postuar tek: Të Lindur Sërisht

Ky kapitull diskuton për vendin që e zë Fryma e Shenjtë në punën për të sjellë një njeri tek Krishti në mënyrë që të ndodhin tek ai ndryshimet për të cilat po flasim. Fryma e Shenjtë jo vetëm që punon në jetën e një besimtari gjatë kthimit të tij dhe pas këtij kthimi, por punon gjithashtu edhe për ta çuar këtë njeri drejt Krishtit, para se ai të kthehet.

Por nga e dallojmë dhe si e kuptojmë se Fryma e Shenjtë punon në jetën e një jobesimtari për ta drejtuar atë tek Krishti? Çfarë duhet të presim që të shohim në jetën e një njeriu të tillë? Eshtë e rëndësishme që këto pyetje t’i diskutojmë duke pasur parasysh që njerëzit bëjnë nganjëherë pohime të rreme besimi në Krishtin (çfarëdo lloj motivi paçin), ose që nganjëherë ndryshimet për të cilat kemi folur duket sikur nuk po ndodhin.

Shenjat që vërtetojnë se po vepron Fryma e Shenjtë

Dhe kur të ketë ardhur, Ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.

Gjoni 16,8

Një njeri nuk mund të vijë tek Perëndia pa qenë më parë i bindur në zemër për mëkatet e tij, qoftë kjo një bindje e madhe apo e vogël. Perëndia është i shenjtë. Nën dritën e shenjtërisë së Perëndisë njeriu sheh errësirën e mëkateve të tij. Në qoftë se ai është duke kërkuar vërtet Perëndinë, do të ketë një ndjenjë trishtimi e keqardhjeje dhe një dëshirë për pendim thellë në shpirtin e tij. Këtë e bën të qartë Pali tek 2 Korintasit 7,9-11.

Së bashku me këtë ne duhet të kërkojmë një zgjim të ndërgjegjes. Ndërgjegjja bëhet e ndjeshme dhe njeriu, kur bën mëkat, është i ndërgjegjshëm se ka mëkatuar. Ai nuk mund të mos ndërgjegjësohet për mëkatin e tij. Të mos ndërgjegjësohesh për mëkatin do të thotë të vazhdosh të jetosh në errësirë. Ka raste ku kemi vetëm një pranim të përgjithshëm të mëkatit, atëherë lind pyetja a ka ky person një zgjim të vërtetë? Nganjëherë rrëfimi i përgjithshëm i mëkatit bëhet për t’i shpëtuar rrëfimit dhe trajtimit të açme.

Bibla na thotë: Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj (Jer. 29,13). Njerëzit mund ta gjejnë vërtet Perëndinë, vetëm kur tregohen të sinqertë me veten. Njeriu nuk mund ta kërkojë Perëndinë me gjysmë zemre dhe të ketë shpresë ta gjejë Atë apo të ketë këto ndryshime në jetën e tij. Ata që janë të etur e të uritur për drejtësinë janë ata të cilëve u jepet (Mat. 5,6). Atëherë si mund ta kërkojmë bekimin e vërtetë të Perëndisë kur përpiqemi të jetojmë me një dorë në bakllava dhe një dorë në revani? A është vërtet besimtar një njeri që përpiqet të jetë edhe për botën edhe për Krishtin? A është e mundur që një njeri, i cili nuk është penduar vërtet, të presë me të drejtë që në jetën e tij të veprojë fuqia e Ungjillit?

Më tepër se çdo gjë tjetër do të ketë një pranim dhe kuptim të Ungjillit thellë në zemër. Të pranuarit e Ungjillit vetëm mendërisht nuk ka për ta ndryshuar kurrë jetën e askujt. Ungjilli është diçka jetësore dhe jo një mësim apo filozofi që mund të kuptohet thjesht mendërisht. Njeriu mund ta dijë të gjithin në mendje dhe prapëseprapë të mos e ketë përvojën e rilindjes në zemrën e tij. Aftësia e ndonjërit për të recituar pasazhe të Shkrimeve të Shenjta apo për të ditur pjesë të Biblës nuk vërteton se jeta e tij ka ndryshuar.

Një njeri që është kthyer vërtet në besimtar e di që Jezui është rruga e vetme për tek Perëndia. Vetëm Ai i mbajti mëkatet tona dhe vdiq që të na çlironte. Prandaj nuk ka se si të ketë mbështetje për shpëtim në ikonat dhe hajmalitë, ritet dhe ceremonitë apo në ndonjë njeri që konsiderohet i shenjtë (qoftë ky i gjallë apo i vdekur). Asnjë nga këto nuk na ndihmon aspak që ta gjejmë Perëndinë. Të kuptuarit e vërtetë e Ungjillit si bazë për shpëtim nuk mund të përzihet me gjëra të tjera. Vërtet në jetën e besimtarëve të hershëm tek Veprat vëmë re se ata i ishin të përkushtuar plotësisht Jezuit, bile edhe nga përndjekjet nuk trembeshin. Ata e donin Atë në mënyrë sipërore dhe iu nënshtruan e përkushtuan pa rezerva Atij dhe vetëm Atij.

Kur Fryma e Shenjtë vepron vërtet në jetën e një njeriu për ta sjellë atë tek Krishti, natyrisht që do të lihen mënjanë motivet false. Ai është Fryma e së Vërtetës. Ai do t’ia futë zemrës së këtij njeriu shqetësimin për shpirtin e tij, në vend të ndonjë dëshire që mund të ketë ai për përfitime materiale apo qëllime të tjera.

Bibla na thotë se frika ndaj Perëndisë është fillimi i çdo urtësie. Në qoftë se kjo është e vërtetë, dhe sigurisht që është, atëherë a nuk duhet ta kërkojmë këtë gjë në jetën e atyre që tregojnë interes për Ungjillin? Së bashku me këtë, në jetën e tyre, ne duhet t’i shohim edhe përultësinë, dëshirën dhe gatishmërinë për t’iu nënshtruar autoriteteve shpirtërore. Njeriu që nuk u nënshtrohet autoriteteve është njeri që nuk është thyer akoma, njeri tek i cili vetja është akoma mbi gjithçka. Askush nuk mund të vijë tek Perëndia me egoizëm të fryrë dhe krenari. Gjithmonë ka një element përuljeje dhe nënshtrimi të vërtetë tek njeriu që kthehet tek Perëndia.

Besimtari i vërtetë e di se nuk mund të pretendojë se ai vetë ka ndonjë meritë për shpëtimin e tij, d.m.th. kupton se nuk e meriton atë dhe është shpëtuar vetëm me anë të hirit të Perëndisë (Efes. 2,8-9). Ai e kupton se nuk mund të pretendojë se është besimtar duke e bazuar këtë vetëm në ndonjë përvojë që ai ka pasur në jetën e tij, qoftë kjo një përvojë fetare apo e ndonjë lloji tjetër. Në fakt, ai duhet ta kuptojë se jo të gjitha përvojat, ëndrrat dhe vegimet fetare etj., vijnë prej Perëndisë. Disa prej tyre vijnë prej Djallit që mundohet të na mashtrojë në mënyrë që të shkojmë në rrugë të gabuar.

Mjaft njerëz në ditët e sotme i janë kthyer Perëndisë ngaqë lutjet e tyre morën përgjigje. Duket që kjo ka qenë një nga mënyrat që Perëndia u ka treguar vërtetësinë e ekzistencës dhe të dashurisë së Tij. Për këtë gëzojmë ne të gjithë. Por le të kemi gjithmonë parasysh se ky është vetëm fillimi dhe jo pikëarritja ku duam të arrijmë. Nuk është një qëllim në vetvete. Duhet ta çojë njeriun drejt përkushtimit ndaj Krishtit. Ne shpëtohemi duke kuptuar gjithçka mbi Kryqin, jo duke e parë dhe ndier Perëndinë si Plotësues të nevojave dhe kërkesave tona.

Nuk duam që njerëzit të mendojnë se gjithë të sipërpërmendurat kërkojmë t’i shohim menjëherë në jetën e atyre që kthehen në besimtarë. Ne e dimë se në njerëz të ndryshëm Perëndia vepron në mënyra të ndryshme për t’i sjellë tek Krishti. Shpesh kthimi është një proces dhe jo një veprim që kryhet e përfundon menjëherë. Në këto fusha do të ketë thellësi të ndryshme kuptimi. Sidoqofttë, ajo që vërtet po themi është kjo: në qoftë se pohimi i besimit i një njeriu është i vërtetë, atëherë, shpejt a vonë, fara e besimit të vërtetë që ai ka në zemrën e tij patjetër që do të ketë për rrjedhojë gjërat e sipërpërmendura. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Në qoftë se nuk i shohim këto gjëra, atëherë ngrihet pyetja: A është besimi i këtij njeriu besim i vërtetë dhe a është kthimi i tij kthimi i duhur?

Fryma e Perëndisë banon tek besimtari

Ndoshta gjëja më e lavdishme dhe përulëse që i ndodh një njeriu kur ai lind sërish është fakti që vetë Perëndia e vendos Frymën e Tij të Shenjtë në zemrën e njeriut për t’i zbatuar këto ndryshime dhe për t’i realizuar ato në jetën e tij.

Në kapitullin e mëparshëm pamë se rilindja kryhet nga puna që e bën Fryma e Shenjtë (Gjoni 3,3-8). Rilindja nuk është diçka që njeriu mund ta kryejë me forcat apo dëshirat e tij njerëzore, por është diçka që kryen Perëndia në jetën e njeriut.

Puna e parë që e kryen Fryma e Shenjtë në jetën e një individi është rigjenerimi i tij (d.m.th. sjellja në jetë e shpirtit të tij - shih tek Titi 3,5 Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së Tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë) dhe pastaj Fryma futet për të banuar tek njeriu (Rom. 8,9-11), duke ia sjellë kështu fuqinë e Perëndisë jetës së tij.

Kjo punë përshkruhet edhe tek Ezekieli 36,26-27 Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia. Besimtari ka një zemër të re dhe një shpirt të ri dhe Fryma e Shenjtë banon tek ai. Kështu i lindet dëshira që t’i bindet Perëndisë.

Rrjedhojat e të banuarit të Frymës së Shenjtë në zemrën e besimtarit janë të trefishta.

Së pari, ndodh një ndryshim karakteri, siç e shqyrtuam në kapitullin e mëparshëm. Kjo na jepet tek Galatasit 5,19-21. Këtu ne shohim një listë të frutave të Frymës në jetën e besimtarit. Pali krahason atë karakter që kishte njeriu kur ishte jobesimtar me ndryshimin e madh që ndodhi nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë me rritjen e frutave të dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, dashamirësisë, mirësisë, besnikërisë, butësisë dhe vetëkontrollit. Ky ndryshim nënvizohet në vargun 24: ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë e tij.

Së dyti, në jetën e besimtarit ndodh edhe procesi i pastrimit dhe shenjtërimit. Jeta e tij pastrohet prej mëkatit dhe efektit të tij, pastrohet në një mënyrë të tillë që veset e tij të pastrohen dhe ai nuk është më skllav i tyre; zgjyra, plehu dhe bataku i mëkatit nuk janë më pjesë e jetës së tij; janë pastërtia dhe dëlirësia shenjat dalluese të jetës së tij. Këtë e jep mjaft bukur Isaia tek Isaia 1,18 Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.

Së treti, brenda jetës së besimtarit ndodh rritja e natyrës së Krishtit. Tek Romakët 8,9 na bëhet e qartë se kur ke Frymën e Shenjtë që banon brenda teje, ke edhe Krishtin d.m.th. natyra e Tij po zhvillohet në brendësinë e zemrës sate. Kjo është fruta e pranisë së Frymës së Shenjtë. Dhe e gjithë kjo punë është një e vërtetë e lavdishme të cilën vetëm Ungjilli mund ta sjellë në jetën e një njeriu! Dalngadalë, ditë pas dite, jeta e njeriut përshtatet edhe më shumë me atë të Krishtit, ai bëhet gjithnjë e më shumë si Jezui! Kjo mund të shihet në qëndrimet e tij, në veprimet e tij dhe në pjesë të tjera të jetës së tij. Njeriu e kupton p.sh. dobinë e Predikimit në Mal dhe fillon ta zbatojë atë në jetën e tij.

Pali i inkurajon besimtarët tek Efesianët 5,18 që të mbushen me Frymën e Shenjtë. Perëndia dëshiron jo vetëm që Fryma e Shenjtë të banojë në zemrat tona, por gjithashtu që ne të mbushemi me Të dhe me fuqinë e Tij. Vargu mund të përkthehet fjalë për fjalë, kështu: “Vazhdoni të mbusheni me Frymën”, pra na përshkruhet këtu një proces i vazhdueshëm dhe i përditshëm. Dhe sigurisht, në qoftë se jeta e një besimtari mbushet vazhdimisht me Frymën dhe me fuqinë e Tij, atëherë është më se e kuptueshme se do të shihen mjaft qartë ndryshimet për të cilat po flasim në këtë broshurë. Ndryshimet do të jenë më të mëdha në jetën e njeriut dhe do të kenë gjithashtu një efekt të madh edhe në jetën e të tjerëve. Duhet kjo të jetë dëshira jonë si besimtarë.

Domosdoshmëria për të qenë i bindur

Sigurisht, të gjitha këto që i kemi thënë rreth punës së Shpirtit të Shenjtë në jetën e besimtarit dhe rreth ndryshimeve që i shkakton dhe sjell Ai, varen nga bashkëpunimi plot bindje i besimtarit. Ato kurrë nuk do të ndodhin automatikisht, shkëputur nga bindja e besimtarit. Shkrimet na flasin shumë për punën e Frymës në besimtarët, por po kaq ato flasin edhe për nevojën që besimtari t’i tregohet i bindur dhe të zbatojë Fjalën e Perëndisë. Një besimtar i pabindur nuk ka asnjë të drejtë të presë që këto të ndodhin në jetën e tij. Ai duhet të bëjë atë që i kërkohet atij. Për sa kohë nuk e bën këtë, nuk ka për t’i parë kurrë këto të pasqyrohen në jetën e tij. Eshtë besimtar i bindur ai që shikon në jetën e tij realizimin e këtyre të vërtetave.