jump to navigation

Për Racën Njerëzore

Postuar tek: Çfare Besojne Ungjilloret

Të gjithë burrat dhe gratë, duke qenë të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, kanë nga natyra vlerë dhe dinjitet të barabartë. Qëllimi i tyre më i lartë është që të duan, adhurojnë dhe t’i binden Perëndisë. Si pasojë e Rënies së prindërve tanë në mëkat, çdo aspekt i natyrës njerëzore është korruptuar dhe të gjithë njerëzit janë pa jetë shpirtërore, mëkatarë plot faj dhe armiqësorë ndaj Perëndisë. Çdo njeri është si pasojë nën mallkimin e drejtë të Perëndisë dhe ka nevojë që të lindë sërish, të falet dhe të pajtohet me Perëndinë me qëllim që ta njohë dhe kënaqë atë.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Është e habitshme sa pak mësim dhe predikim dëgjojmë për racën dhe natyrën njerëzore. E çuditshme, sepse vetë Bibla ka kaq shumë për të thënë. Bibla na paraqet një pikëpamje të qartë dhe bindëse, por rrënjësore, për njerëzimin, gjë që e dallon atë nga çdo fe apo filozofi tjetër.

Themeli për të kuptuar natyrën njerëzore është se të gjithë njerëzit janë të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Kjo është e vërtetë jo vetëm për gruan dhe burrin e parë (Zanafilla 1:26-27) dhe për racën njerëzore në përgjithësi (Psalmi 8:4-5), por dhe për çdo individ, për ty dhe nër mua (Psalmi 139:13-14). Të krishterët Bibëlbesues ndryshojnë për nga mënyra me të cilën ata e lidhin të vërtetën e krijimit me teoritë e evolucionit, por fakti themelor është i pashmangshëm: raca njerëzore dhe çdo individ në të është i krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë.

Ndërsa Zanafilla 1 nuk e përshkruan në detaj shëmbëlltyrën e Perëndisë, në Zanafillën 2 mund të shihet qartë se burri dhe gruaja e parë pasqyronin natyrën e Perëndisë si të qenët shpirtëror, moral, i arsyeshëm dhe i lirë. Në këtë mënyrë Perëndia dhe njerëzimi mund të shijonin shkallën më të lartë të bashkësisë personale. Po kështu, është e qartë se ata u krijuan të drejtë dhe të pastër nga mëkati (Predikuesi 7:29).

Nëse secili prej nesh është krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, atëherë sigurisht që ne kemi nga natyra dinjitet dhe vlerë të barabartë, dhe se kjo mbetet e vërtetë pavarësisht nga fakti i Rënies (Jakobi 3:9; Mateu 10:31; 12:12; Marku 8:36-37). Asnjë racë apo ngjyrë lëkure nuk është më e mirë se të tjerat në sytë e Perëndisë (Veprat e Apostujve 10:34-35; 17:26; Romakët 2:11). Racizmi, seksizmi, dhe çdo lloj forme diskriminimi dhe shfrytëzimi, janë në kundërshtim me planin e krijimit të Perëndisë.

Ne duhet që kësaj t’i shtojmë menjëherë se Perëndia e krijoi njerëzimin me një qëllim mrekullisht të lartë. Ky qëllim është jo vetëm që njerëzimi të kujdeset për krijimin tokësor të Perëndisë (Zanafilla 1:28), por mbi të gjitha dhe në mënyrë unike që t’i bindet, ta adhurojë dhe ta dojë Perëndinë (Eksodi 19:5; Psalmi 86:9; Mateu 22:37; 1 Korintasit 10:31).

Kjo pikëpamje e krishterë se natyra njerëzore ka origjinë hyjnore dhe një dinjitet dhe qëllim kaq të lartë duhet të mbahet fuqimisht kundër pikëpamjeve që i mendojnë qeniet njerëzore si makina apo kafshë të rëndomta. Në fakt vetëm kur konsiderojmë mrekullinë e njerëzimit të parë në mëkat, kemi për të vlerësuar pasojat e Rënies, dhe do të mund ta kuptojmë paradoksin e njerëzve sot se megjithëse janë krijuar në mënyrë të lavdishme, ata janë tragjikisht të rënë në mëkat.

Bibla mëson se si pasojë e Rënies së prindërve tanë të parë, çdo aspekt i natyrës njerëzore është korruptuar. Zanafilla 1 dhe 2 tregon se njerëzimi në fillim ishte i drejtë. Zanafilla 3 shënon mëkatin e parë kundër Perëndisë si një ngjarje historike. Por është domethënëse se efekti i mëkatit të parë nuk ra vetëm mbi Adamin dhe Evën, por edhe mbi të gjithë njerëzimin e mëvonshëm. Natyra njerëzore është ndryshuar. Ne jemi një racë e rënë (Romakët 5:12-19). Bibla nuk përpiqet që të shpjegojë ‘mekanikën’ e transmetimit të mëkatit përgjatë historisë. Por mund të themi se Adami ishte si kreu dhe përfaqësuesi natyral ashtu dhe ‘zyrtar’ i njerëzimit, kështu që të gjithë ne përfshihemi në disfatën dhe rënien e tij nga pafajshmëria.

Çdo aspekt i jetës njerëzore është korruptuar në një farë mënyre: trupi (Romakët 8:10), mendja (Efesianët 4:17-18), zemra (Jeremia 17:9), ndërgjegjja (Titi 1:15), vullneti (Romakët 7:18-19). E gjithë jeta jonë fizike, mendore, emocionale dhe morale tani është e korruptuar nga mëkati.

Shkrimi madje na mëson se të gjithë njerëzit janë pa jetë shpirtërore (Efesianët 2:1), kështu që ne nuk mund të nisim asnjë hap shpirtëror drejt Perëndisë pa hirin e Tij. Ne jemi mëkatarë plot faj (Psalmi 51:5; Romakët 3:19-20). Gjithashtu jemi armiqësorë ndaj Perëndisë (Romakët 8:7; Gjoni 3: 19), kështu që u kundërvihemi ligjeve dhe qëllimeve të tij të mira për jetën tonë.

Por kjo nuk mund të na justifikojë sepse është fakt që çdo individ është i përgjegjshëm për mëkatin e tij ose të saj (Jakobi 1:14). Megjithatë, nëse duam që të kuptojmë se sa thellë duhet të shkojë vepra e shpëtimit, ne duhet të përballohemi me faktin se asnjëri prej nesh nuk lindet me pafajësinë e pakorruptuar origjinale të prindërve tanë të parë, por me një natyrë njerëzore tashmë të cunguar nga mëkati dhe të lënë pa jetë të vërtetë shpirtërore. Këtij themeli të trishtueshëm ne i shtojmë pastaj edhe mëkatin dhe dështimin tonë personal.

Mësimi biblik për Rënien dhe pasojat e saj për gjithë racën njerëzore është sulmuar në mënyrë të pandërprerë. Por megjithëse ky mësim është solemn, asgjë tjetër nuk mund ta përshkruajë më qartë natyrën njerëzore siç na e përshkruan Bibla, dhe asgjë tjetër nuk mund të shpjegojë kaq bindshëm kontradiktat që vërejmë çdo ditë në jetën njerëzore. Mendja e pandihmë nuk është në gjendje që t’i kuptojë këto të vërteta (1 Korintasit 2:14), por ato janë besnike të Shkrimit dhe përvojës.

Përveç faktit që mëkati e ka prekur natyrën njerëzore, dhe në këtë mënyrë edhe karakterin dhe sjelljen, në Bibël mësohet qartë se çdo njeri është nën mallkimin e drejtë të Perëndisë. Perëndia, si Gjykatësi i të gjithëve, nuk mund të mos i deklarojë të gjithë mëkatarët fajtorë dhe nën gjykimin e tij, dhe ai gjykim do të bjerë në mënyrë të pashmangshme mbi ta nëse ky proces nuk ndërpritet nga vetë hiri i Perëndisë (Romakët 1: 18; Efesianët 2:3).

Përsri, këto janë të vërteta që sulmohen, gërryhen dhe lihen plotësisht mënjanë në ditët e sotme, por nëse ne nuk jemi të bindur për to, atëherë s’kemi për ta kuptuar kurrë madhështinë e shpëtimit që kemi në Krishtin Jezus. Ngaqë dilema njerëzore është kaq e fuqishme dhe e rrënjosur thellë është e nevojshme që çdo njeri të lindë sërish, të falet dhe të pajtohet me Perëndinë me qëllim që ta njohë dhe kënaqë atë (Gjoni 3:3, 5-8; Romakët 4:7; 2 Korintasit 5:18-19; Efesianët 1:7). Megjithëse shprehja ‘i lindur sërish’ e ka humbur vlerën nga përdorimi i sotshëm, kjo nuk duhet ta fshehë faktin se çdo qenie njerëzore ka nevojë jo vetëm të falet nga mëkate të caktuara, por edhe për një punë të thellë jetëdhënëse dhe jetëndryshuese të Frymës së Perëndisë të cilën Jezusi e quan lindje e re.

Por, nuk është ky fundi i muhabetit. Në Jezu Krishtin si Adami i ri, të krishterët nuk e humbasin vlerën e tyre si njerëz nga ‘rafinimi’ ose përpirja në Perëndinë, por plotësohen, dhe përfundimisht transformohen dhe lavdërohen ndërsa marrin pjesë në shëmbëllimin e Njeriut të përkryer të Perëndisë, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.

Pyetje për Studim

  1. Çfarë vlere duhet të ketë për ne fakti se jemi krijesa të Perëndisë, të bërë në shëmbëlltyrën e tij, dhe jo rastësi të evolucionit?
  2. Cilat aspekte të shëmbëlltyrës së Perëndisë në Adamin mund të zbulohen në ngjarjet e Zanafillës 2?
  3. Si mund ta kundërshtojmë pretendimin se doktrina e ‘mëkatit të parë’ është disi e padrejtë?
  4. Cilat janë faktet që shikon ti në lidhje me të vërtetën e hidhur se të gjithë njerëzit janë armiqësorë ndaj Perëndisë?
  5. Pse duhet që mëkatarët të linden sërish?