jump to navigation

Seksualiteti nuk është një fjalë e keqe

Postuar tek: Vrite Mëndjen

Miti i puritanizmit

Një nga arsyet e popullaritetit të personazhit të Dana Sharvetit, një grua nga Kisha (e cila u bë e famshme me “Të shtunave në mbrëmje drejt për së drejti”) është se ajo reflekton në mënyrë të përkryer mendimin që shumë njerëz kanë për krishterimin. Qëndrimi hipokrit dhe i matur i kësaj zonje me fustan të gjatë dhe me flokë të mbledhur prapa personifikon mënyrën si disa të krishter ë e shikojnë seksin, si një fjalë të keqe. Shumë persona mendojnë që ata që ndjekin Jezusin besojnë në një Perëndi, i cili e dënon seksualitetin.

Ky është një mit.

Seksi nuk është një fjalë e keqe. Nuk është e gabuar, as e mëkatshme dhe as e turpshme. Perëndia nuk e urren seksualitetin. Ai e krijoi vetë atë! Historia e krijimit tek Zanafilla thotë: “Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin dhe femrën.” (Zanafilla 1:27). Ai e krijoi burrin dhe gruan me organe seksuale, me seksualitet të plotë dhe me ndjeshmëri natyrale. Dhe Ai i pa këto dy krijesa seksualisht të zhvilluara dhe Bibla thotë se: “Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.” (Zanafilla 1:31)

Seksualiteti ka qënë në planin e Perëndisë qysh në fillim. Që kur Ai i tha burrit dhe gruas: “Jini të frutshëm dhe shumëzohuni”. Ai donte që ata t’i bindeshin atij nëpërmjet aktivitetit seksual. Bibla përmban disa pasazhe që flasin shumë hapur për seksin. Kënga e Këngëve është një poemë dashurie, që përmban një gjuhë që do ta skandalizonte këtë zonjë. Apostulli Pal ofroi një këshillë tepër të hapur mbi sjelljen seksuale për çiftet e martuara në kishën e Korintit. Megjithatë, Bibla nuk flet hapur për faktin që seksualiteti duhet të jetë i kënaqshëm për burrin dhe për gruan. “Martesa duhet të nderohet nga të gjithë,” thotë autori i letrës drejtuar Hebrenjve, dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do t’i gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit” (Hebrenjve 13:4).

Perëndia e krijoi seksin, por është njeriu ai që e ka nxjerrë atë jashtë besëlidhjes martesore dhe e ka përlyer atë. Perëndia donte që seksi të ishte një përjetim plotësues, i kënaqshëm, i pëlqyeshëm midis burrit dhe gruas, të cilët i dorëzohen plotësisht njëri-tjetrit duke u kënaqur me seksualitetin e tyre; por është njeriu ai që e ka keqpërdorur këtë dhuratë të Perëndisë.

Kur Perëndia thotë: “Ju nuk duhet të kryeni tradhti bashkë- shortore” ose imoralitet seksual, Ai nuk e bën këtë gjë sepse do që të vrasë gëzimin tonë, por pikërisht sepse Ai e do atë. Perëndia dëshiron t’ju mbrojë nga mosbesimi ose dyshimi dhe do që të sigurojë për ju një nga faktorët më të rëndësishëm për një dashuri, martesë dhe marrëdhënie seksuale sa më të plotë dhe ky është besimi.

Ai dëshiron që të na mbrojë nga sëmundjet që ngjiten me anë të organeve gjinore, dëshiron të na mbrojë nga marrëdhëniet e këqia, që mbahen artificialisht dhe shpesh çojnë në martesa tragjike vetëm për shkak të tërheqjes seksuale. Së fundi, Ai dëshiron të mbrojë virgjërinë tonë, për të siguruar për ne një nga dhuratat më të mëdha të dashurisë që një person mund t’i bëjë partnerit të tij natën e parë të martesës.

Ushtrim

Praktikohuni si ta përballoni Mitin e Puritanizmit me anë të këtij ushtrimi:

Lexoni Fjalët e urta 5:1-–23. Vini re kontrastin që autori i zgjuar ofron midis marrëdhënieve seksuale jashtë martese dhe atyre brenda martese. Vini re veçanërisht në vargjet 18 dhe 19 pikëpamjen për marrëdhëniet seksuale midis një burri dhe një gruaje.

Lexoni lirikat sensuale te Këngët e Këngëve 3-–5. Kjo poemë dashurie përshkruan kënaqësinë sensuale, (jo vetëm atë seksuale) që Perëndia i jep njeriut nëpërmjet gruas së tij dhe gruas nëpërmjet burrit të saj.