jump to navigation

Tre kohët e shpëtimit

Postuar tek: Ja Dallimi

Kur bëhemi të krishterë, shumë prej nesh mendojnë vetëm për një lloj shpëtimi: shpëtimin e shpirtit tonë. Në studimin tonë biblik ne menjëherë mundohemi t’i japim këtë kuptim sa herë që e gjejmë këtë fjalë. Por shpejt arrijmë të kuptojmë se kjo fjalë nuk ka gjithmonë të njëjtin kuptim.

Pastaj arrijmë të kuptojmë se shpëtimi është një fjalë shumë e përgjithshme që nënkupton çlirim, siguri ose shëndoshmëri. Për shembull, në Filipianëve 1:19, Pali e përdor atë në lidhje me lirimin e pritur nga burgu:

E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezus Krishtit.

Në Filipianëve 2:12 shpëtimi ka kuptimin e diçkaje krejt të ndryshme; nënkupton zgjidhjen e një problemi që ka lindur në kishën në Filipi. Një rast serioz i përçarjes kishte ngjarë (Fil. 2:1-4; 4:2). Pali i kujton të krishterët se përgjigjja ndaj problemit ishte që ata të gjithë të kishin një frymë të përulur dhe vetë-flijuese të Zotit Jezus. Pastaj në vargun 12 ai thotë:

Prandaj të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje.

Me fjalë të tjera: «Unë ju kam treguar rrugën e çlirimit nga problemi që ju ka mbërthyer. Tani punoni për zgjidhjen e tij me frikë e me dridhje». Në tre pjesë, shpëtimi përdoret për të përshkruar shpëtim nga mbytja:

Por duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin sandallen në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi, Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: «Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni» (Veprat 27:30, 31).

Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij… (Heb. 11:7).

… ai shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg, që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit (1 Pje. 3:19,20).

Por përdorimi i fjalëve «shpëtim» ose «i shpëtuar», në të cilat ne jemi të interesuar, janë ato që kanë të bëjnë me çlirim nga mëkati. Ky është kuptimi më i zakonshëm në Dhjatën e Re.

Këtu ne duhet të mësojmë të dallojmë tre kohët e shpëtimit—të kryerën, tëtashmen dhe të ardhmen:

E kryer—Jam shpëtuar nga dënimi i mëkatit.

E tashme—Unë po shpëtohem nga fuqia e mëkatit.

E ardhme—Unë do të shpëtohem nga prania e mëkatit.

Koha e kryer

Ja disa vargje që flasin kryesisht për shpëtimin nga dënimi i mëkatit:

Ju në fakt jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë (Ef. 2:8).

(Perëndia) që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë… (2 Tim. 1:9).

Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së Tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë (Tit. 3:5).

Shënim: Në të tre këta shembuj fjala «shpëtuar» është në kohën e kryer. Sidoqoftë, gjenden vargje të tjerë që flasin për çlirimin tonë nga dënimi i mëkatit, ku folja nuk është në kohën e kryer.

Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi (Veprat 4:12).

Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh (Rom. 10:9).

Kështu ju duhet të dalloni aspektin e shpëtimit nga përmbajtja e vargut më tepër sesa nga koha e foljes, nëse koha e kryer e shpëtimit është nënkuptuar. Në qoftë se çështja është për çlirim një herë e përgjithmonë nga mëkati, atëherë ju e dini se është koha e kryer e shpëtimit.

Koha e tashme

Megjithëse është e vërtetë se jam shpëtuar, është njëlloj e vërtetë se po shpëtohem ditë për ditë. Unë jam shpëtuar nga mallkimi; unë po shpëtohem nga pasojat e mëkatit. Unë jam shpëtuar nga dënimi i mëkatit; unë po shpëtohem nga fuqia e mëkatit. Unë jam shpëtuar nëpërmjet veprës së kryer të Krishtit në Kryq; unë po shpëtohem nëpërmjet jetës së Tij dhe shërbimit të Tij që Ai bën për mua në krahun e djathtë të Perëndisë. Për shembull, kjo është çfarë nënkuptohet në Romakëve 5:10:

Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të Tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së Tij.

Koha e tashme e shpëtimit është e ngjajshme me shenjtërimin, d.m.th. procesin e të qenit i ndarë nga mëkati e ndyrësia për Perëndinë. Ky shpëtim është një proces në vazhdimësi, për të cilin lexojmë në Hebrenjve 7:25:

Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të Tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

Koha e ardhme

Së fundi, është aspekti i ardhshëm i shpëtimit. Kur të takojmë Shpëtimtarin ballë për ballë ne do të shpëtohemi nga prania e mëkatit. Trupat tanë do të shpengohen dhe përlëvdohen. Vargjet e mëposhtme përshkruajnë të ardhmen e lavdishme të shpëtimit tonë.

… sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam (Rom. 13:11).

Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit. Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht (1 Thes.5:8, 9).

… do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim (Heb. 9:28). (Ju) që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit (1 Pje. 1:5).

Të tri kohët

Në qoftë se keni vështirësi në përshtatjen e një vargu në një nga këto klasifikime, kujtoni se mund të jetë i zbatueshëm në të tri kohët. Ja dy shembuj:

… ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre (Mat. 1:21).

Në Të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit
(Ef. 1:13).

Kështu në këto raste ju nuk duhet të zgjidhni, sepse ato i aplikohen me forcë të njëjtë të tri fazave të shpëtimit.