jump to navigation

I besoj Jezusit, por si mund ta di që jam i shpëtuar?

Postuar tek: Rreth Shpëtimit më: 05, 5, 2010

Kur ju pranoni Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tuaj diçka madhështore ndodh. Ju shpëtoheni! Ju kaloni nga pushteti i errësirës në mbretërinë e Birit të Perëndisë. Ju s’jeni më fëmijë i Satanit, por bëheni pjesë e familjes së Perëndisë. Vetë Perëndia bëhet Ati juaj dhe ju fëmija i Tij. A s’është kjo e mrekullueshme?

Por a jeni i sigurt që jeni i shpëtuar nga mëkati dhe gjykimi? Sa e vërtetë është kjo për ju? Si mund ta dini pa dyshuar që jeni fëmijë i Atit qiellor?

Babai juaj qiellor e kupton që ju keni nevojë për siguri. Ai do që ju ta dini të vërtetën dhe ta besoni pa dyshuar. Prandaj, në dashurinë e Tij, Ai i jep sigurinë e shpëtimit zemrës tuaj përmes këtyre tri mënyrave:

1. Fjala e shkruar e Zotit e vërteton.

Nëse ke pranuar Jezusin si Zotin tënd personal, atëherë Shkrimi i Shenjtë të siguron që jeta e përjetshme është trashëgimia jote! Fjala e Shkruar e Perëndisë është autoriteti më i lartë që na tregon cili ështe vullneti i Zotit dhe rrjedhimisht çfarë ne duhet të besojmë. Vetë Jezusi i tha Atit: “Fjala jote është e vërteta!” (Gj 17:17). Atëherë ky është lajm i mirë, sepse është vetë Fjala e Zotit që na thotë “Ai, që ka Birin, ka jetën”.

“Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e Tij. Ai, që ka Birin, ka jetën.” (1 Gjonit 5:11-12)

“sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.” (Romakëve 10:9)

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:16)

Ne dimë se jemi shpëtuar, sepse e kemi pranuar dhe pohuar Jezus Krishtin si Zotin tonë. Ne mjafton të sigurohemi që kemi vendosur besimin në Birin e Perëndisë dhe që Jezusi është në zemrën tonë, sepse besimi është dera e hapur që dhurata e shpëtimit të hyjë në jetën tonë. Kushdo që beson në Jezusin është i shpëtuar. Vetë Perëndia ta jep sigurinë dhe ta vërteton që ti ta dish mirë që je i shpëtuar. Kjo është diçka që Perëndia ynë e bën për ne.

A banon Jezusi në ty? Nëse po, atëherë sipas Biblës, ti ke jetën e përjetshme dhe je i shpëtuar!

2. Fryma e Shenjtë dëshmon brenda nesh.

Ati ynë qiellor është një Baba i mrekullueshëm. Ai nuk të lë në errësirë, por të nxjerr në dritë sepse do që ti ta dish cila është e vërteta.

Kur Jezusi ishte me dishepujt, Ai ishte mësuesi i tyre, ndihma, ngushëllimi dhe forca e tyre. Prania dhe fjalët e Jezusit ishin siguria e tyre.

Por Jezusi nuk do të rrinte gjithmonë me ta. Para kryqëzimit, Ai u tha dishepujve, që do të largohej, por nuk do t’i linte vetëm. Ai do t’u dërgonte Dikë tjetër, që do të ishte njëlloj si Jezusi për ta, sepse do të vazhdonte të bënte të njëjtat gjëra që edhe Jezusi bënte për dishepujt. Ky ishte Fryma e Shenjtë. Kur Fryma erdhi bëri të njëjtat gjëra për dishepujt që dhe Jezusi bënte. Fryma i ngushëlloi dishepujt, i udhëhoqi në çdo të vërtetë, u mësoi çdo gjë, u kujtoi gjërat që Jezusi kishte thënë. Ndryshe nga Jezusi, Fryma e Shenjtë jo vetëm që qëndroi gjithmonë me dishepujt, por Ai banoi dhe jetoi brenda tyre.

Kjo po ndodh edhe sot në mbarë botën brenda çdo besimtari të rilindur. Kur Jezusi ishte me dishepujt ai u jepte sigurinë që Perëndia ishte me ta. Kurse tani është shërbesa e Frymës së Shenjtë që të na vërtetojë dhe të na japë sigurinë që Perëndia është Babai ynë dhe ne jemi fëmijë të Tij. Lavdi Perëndisë për Frymën e Tij!

Ai, që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete (1 Gjonit 5:10)

Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë (Romakëve 8:16)

Kur vjen Fryma e Perëndisë në jetën tënde? Ai vjen të banojë brenda teje ditën kur ti pranon Jezusin si Shpëtimtar. Njëra nga shumë gjërat që Ai bën është që të dëshmojë dhe të të japë sigurinë e brendshme që ti ta dish qartë dhe të mos kesh dyshime në zemrën tënde që tashmë je fëmijë i Perëndisë.

3. Sepse i duam vëllezërit.

Është e natyrshme për një besimtar të rilindur t’i dojë vëllezërit. Për shkak se ne jemi bërë krijesa të reja, tashmë kemi një natyrë të re. Ne jemi fëmijë të Perëndisë që i ngjajmë Atit tonë qiellor. Ne kemi natyrën e Tij dhe dëshirat e Tij në zemrën tonë të rilindur. A nuk thotë Romakëve 5:5 që “dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë”? Halleluja! Lavdi Zotit tonë që na bëri si Vetja! Tani ne i ngjajmë Atij. Ai na mbushi me Veten e Tij që ne të jetojmë si Ai. Na dha të njëjtën dashuri që Ai ka në zemrën e Tij, që të veprojë në zemrën tonë duke dashur përmes nesh. Tani që ne kemi të njëjtën dashuri në zemrën tonë ne mund të ecim si Ai, të duam si Ai, të japim si Ai, të sakrifikojmë si Ai. Sepse s’jemi më “ne” që jetojmë, por Krishti në ne!

Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. (1 Gjonit 3:14)

Nëse dikush nuk i do vëllezërit dhe motrat thellësisht në zemrën e tij, por është i mbushur vazhdimisht me urrejtje dhe nuk i vjen aspak keq për këtë, është për t’u dyshuar fakti nëse ai është vërtet i shpëtuar apo jo. Ai duhet të rishohë për kë po jeton dhe me cfarë është i mbushur!

Por për një fëmijë të rilindur të Perëndisë është ndryshe; madje edhe kur mendja jonë mendon mendime zemërimi apo urrejtje, dashuria e Perëndisë në zemrat tona vlon shumë më fort dhe triumfon. Por, a është e mundur që një i krishterë të ketë mendime urrejtje dhe zemërimi në mendje, por dashuri dhe mirëdashje në zemër? Po, patjetër. Sepse rilindja ka ndodhur në zemër, dhe jo në mendje. Ne vazhdojmë të kemi të njëjtën mendje që kishim edhe para shpëtimit, por ajo duhet të ripërtërihet me Fjalën e Perëndisë. Fryma e Shenjtë banon në zemrën tonë dhe jo në mendjen tonë. Ne e përdorim mendjen tonë, por nuk udhëhiqemi nga ajo. Patjetër që ne si të krishterë udhëhiqemi nga zemra jonë, dhe jo nga mendja. Ne dëgjojmë Frymën e Shenjtë brenda nesh. Ne drejtohemi nga dashuria e Perëndisë që ka ardhur e plotë brenda nesh. Ndaj duam. Ndaj japim. Ndaj ndihmojmë.

Gjoni na thotë që dashuria që kemi për vëllezërit, është prova e nevojshme që na vërteton që tashmë kemi kaluar nga vdekja në jetë. A s’prodhon kjo gëzim dhe paqe në zemrën tonë? Sepse Mbretëria e Perëndisë në të të cilën ne jetojmë është drejtësia, gëzimi dhe paqja në Frymën e Shenjtë!

Dhe është pikërisht “sepse i duam vëllezërit” që “ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë”.

Vini re dhe një herë vargun:

Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. (1 Gjonit 3:14)

a) Në këtë varg nuk shkruhet që “ne mendojmë se” apo “neve na kanë thënë”, por që “ne e dimë”. Kjo është siguri. Pra, ne E DIMË me siguri që kemi kaluar nga vdekja në jetë.

b) Gjithashtu, Gjoni nuk thotë që ne “mund të kalojmë nga vdekja në jetë” apo “kemi mundësi” të kalojmë nga vdekja në jetë. Ai thotë thjesht, saktë dhe qartë që “ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë”. Pra flitet për një shpëtim të sigurt, për një kalim një herë e mirë nga vdekja frymërore në jetën e Perëndisë.

c) Dhe e treta; vini re kohën kur ndodh kalimi nga vdekja në jetë? A po flet Gjoni për të ardhmen? A po thotë që në një moment të caktuar në të ardhmen do të kalojmë nga vdekja në jetë. Jo! Gjoni sqaron që kalimi nga vdekja në jetë është diçka e të shkuarës. Eshtë dicka që tashmë ka ndodhur. Sepse ai thotë që tashmë ne “kemi kaluar nga vdekja në jetë”. Pra, tashmë është një fakt. Tashmë ka ndodhur që ne kemi kaluar nga vdekja në jetë. Kur? Ditën që pranuam Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. Halleluja!

Amen!

Share|