jump to navigation

Çfarë shprese i ofron krishterimi njerëzimit?

Postuar tek: Përgjigje dhe Argumente

Ne jetojmë në një kohë kur njerëzit ndjehen pesimistë për të ardhmen e tyre. Ka patur gjithmonë pesimistë, por tani ekziston një ndjenjë e përgjithshme e mungesës së shpresës për të ardhmen. Ekzistenca e armëve bërthamore ka mbjellë një frikë të tillë që ka gllabëruar tërë planetin. Shembuj të këtij qëndrimi shihen në deklaratat e mëposhtme.

“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se nuk është zija e bukës, mikrobet, kanceri, por vetë njeriu apo armiku më i madh i njerëzimit.” (Carl Jung, “Epilogue”Modern Man in Search of a Soul, New York, Rutledge Books, 1933)

“Problemi i vërtetë qëndron në mëndjet e zemrat e njerëzve; ai nuk është problem i trupit, por i etikës. Është më lehtë të denatyrosh platoniumin sesa të denatyrosh shpirtin e lig të njeriut.” (Albert Ajnstajn, cituar nga Mead, fq.192) “Sot, vetë mbijetesa e njerëzimit është shpresë utopike. ”(Norman O’Brown, Life Against Death. London, Sphere Books, Ltd.1968,p.267)“Bota tani është bërë shumë e rrezikshme, për gjithçka më pak se utopinë.” (John Rader Platt. The Step to Man, New York, John Wiley and Sons, Ltd. 1966,p.196)

Problemi i mungesës së shpresës dhe i kuptimit të jetës nuk është vetëm për kohën tonë. Ai ishte shprehur edhe në të kaluarën, njerëzit kishin ndjer të njëjtën zbrazëtirë që ndien tani bota moderne. Për një pjesë të madhe të njerëzimit, pa asnjë shpresë përtej varrit kjo jetë është gjithçka,. Por një ide e tillë nuk është aspak e re.

Vini re dhe krahasoni se çfarë kanë thënë disa nga shkrimtarët e së shkuarës përsa i përket vdekjes. “Sapo njeriu vdes, për të nuk ka më ringjallje.” (Eskili) “Shpresa ekziston vetëm për ata që janë gjallë, jo për të vdekurit.” (Teokriti), “Menjëherë sapo drita jonë e shkurtër shuhet, vjen një natë e përjetshme në të cilën duhet të flemë.” (Katuli) Kundër këtij sfondi plot pesimizëm Jezu Krishti ofron shpresën e vërtetë. Ai i jep mundësinë njerëzimit të jetë në rregull me Zotin dhe të afermin e tij. Kështu krishterimi u ofron jetë të plotë gjithë atyre që pranojnë Jezusin. “Unë kam ardhur që të kenë jetë, e ta kenë me bollëk.” (Gjoni 10:10)

Megjithatë, jeta e plotë nuk shter kurrë. Për jetën pambarim ka shpresë që bazohet mbi premtimet e Zotit në Jezu Krishtin. Jezusi tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur ti duhet të vdesë, do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.” (Gjoni 11:25-26)

Në botën e ndryshueshme ka një Zot të pandryshueshëm, fjalët e të cilit zgjasin përjetë. “Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë sonë mbetet përjetë.” (Isaia 40:8) dhe Ai vetë nuk ndryshon kurrë: “Jezu Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.” (Hebrenjve 13:8) Ralph Barton, një nga karikaturistët më në zë të botës, la këtë shënim kapur me gjilpërë mbi jastëk, para se të vriste veten:

“Kam patur pak vështirësi, shumë miq e suksese të mëdha, kam kaluar nga një grua në një tjetër, nga një shtëpi në një tjetër; kam vizituar vende të rëndësishme të kësaj bote, por jam ngopur me sajimin e të sa e sa mënyrave për të mbushur njëzet e katër orët.” (Bill Brajt, Jesus and the Intellectual, p.14)

Shakespeare e komentoi jetën në këtë mënyrë: “nuk është veçse përrallë, prej budallai, plot bujë e plot tërbim, e pa asnjë kuptim.” (Makbethi.167 v) Çfarë kontrasti me fjalët e apostullit Pal të shkruara pikërisht para vdekjes kërcënuese: “Sa për mua, po derdhem si ofertë pije dhe koha e nisjes sime arriti. Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë dhe jo vetëm mua, por dhe gjithë atyre që presin me dashuri shfaqjen e tij.” (2 Timoteut 4:6-8) Krishterimi i ofron njerëzimit shpresën e vërtetë.