Shfajësimi
Postuar tek: Doktrinat e BiblësA. Citimi.
Ne jemi “shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Romakëve 3:24). “Por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë” (Romakëve 4:24-25). “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). “Dhe të tillë [vjedhësit, lakmuesit, pijanecët, etj.] ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë” (1 Korintasve 6:11). Shihni gjithashtu Romakëve 3:26; 5:9; Galatasve 2:16-17; Titit 3:7.
B. Shpjegimi.
Të shfajësosh do të thotë të llogaritësh ose të shpallësh të drejtë. Të shfajësosh nuk do të thotë të bësh të drejtë. Perëndia e shpall besimtarin të jetë i drejtë; Ai nuk e bën atë të drejtë. Shfajësimi është një term i ligjshëm: një qëndrim i mirë.
Në gjykatat e ligjit njerëzor, ligji është mbi gjykatësin. Nëse gjykatësi është i ndershëm dhe i drejtë, ai nuk mund të tregojë mëshirë. Ai duhet ta shpallë të pandehurin fajtor ose të pafajshëm, sipas ligjit. Në gjykatën e ligjit të Perëndisë, besimtari, një njeri fajtor, sillet përpara gjykimit të Perëndisë dhe shpallet i pafajshëm. Perëndia është mbi ligjin e Tij.
Në gjykatën e ligjit njerëzor, një person fajtor mund të falet, krimi falet, por nuk paguhet. Në gjykatën e ligjit të Perëndisë nuk është kështu. Duhet paguar për të gjitha mëkatet dhe mëkatari duhet ndëshkuar. Tre gjëra janë të ndërthurura në shfajësimin e Perëndisë.
1. Falja. “Por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje. Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut” (Veprat 13:37-39). Një i krishterë nuk është një kriminel i falur; ai është një njeri i drejtë. Perëndia e shpall të tillë. Ai vetë ka paguar për mëkatet e tij me anë të një tjetri, zëvendësuesit të tij, Zotit Jezus Krisht. Perëndia nuk fal kurrë, përveçse nëpërmjet Krishtit.
2. Llogaritja (numërimi i mëkateve, në anglisht “imputation”). “Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi” (Psalmi 32:2). “Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t’ia numërojë mëkatin” (Romakëve 4:8). “Sepse para se të vinte Ligji, mëkati ishte në botë; por mëkati nuk llogaritet kur nuk ka ligj” (Romakëve 5:13, CHC). Llogaritja do të thotë “të vendosesh diçka në llogari të dikujt”. Prandaj drejtësia e Krishtit është vënë në llogarinë e mëkatarit. Të gjitha mëkatet e besimtarit u vunë në llogarinë e Krishtit. Ai pagoi plotësisht për to dhe kështu, drejtësia e Tij u vu në llogari të besimtarit dhe besimtari shpallet i drejtë.
3. Bashkësia. “Një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë” (Efesianëve 4:6). Kjo është bashkësia e Perëndisë dhe e besimtarit si Atë dhe Bir. Mbani mend, Perëndia është Atë vetëm i fëmijëve të Tij dhe jo i jobesimtarëve.
C. Kushti.
1. Negativ.
a. Jo nga veprat. “Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi” (Romakëve 4:4, 5). Shihni gjithashtu Romakëve 11:6.
b. Jo nga veprat e ligjit. “Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: ‘I drejti do të rrojë me anë të besimit’” (Galatasve 3:11). Shihni edhe Romakëve 3:20; Galatasve 2:16.
2. Pozitiv.
a. Nga Perëndia. Perëndia dërgoi Jezus Krishtin “për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit” (Romakëve 3:26). Shihni gjithashtu Romakëve 8:33.
b. Me anë të hirit. “Që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:7). Shihni gjithashtu Romakëve 3:24.
c. Me anë të gjakut. “Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij” (Romakëve 5:9). Shihni për këtë edhe Romakëve 3:24-25.
d. Me anë të besimit. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).
e. Me anë të ringjalljes. Besimi do të na llogaritet për drejtësi në qoftë se ne “besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë” (Romakëve 4:24-25).
D. Ilustrimi.
1. Abrahami (Romakëve 4:1-5).
2. Davidi (Romakëve 4:6-8).
3. Noeu (Hebrenjve 11:7).
E. Shfaqja.
1. Në vepra. “Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: ‘Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi’; dhe u quajt miku i Perëndisë” (Jakobi 2:21-23). Dëshmia e shpëtimit është mirënjohja, që shprehet me veprat e mira. Shpesh veprat e mira janë shumë të dobëta, por Perëndia pranon vullnetin që është prapa tyre.
2. Në përvojë. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:1-5).