jump to navigation

Tavani i një personi mund të jetë dyshemeja për dikë tjetër

Postuar tek: Vrite Mëndjen

Ti nuk mund të më tregosh mua se kush është e mira dhe e keqja,” foli Ana me një zë të vendosur. “Unë jam pothuajse 18 vjeç, nuk mund të më detyrosh të pranoj normat e moralit tënd. Në qoftë se diçka është e gabuar për ty, kjo nuk do të thotë se është e gabuar dhe për mua.” Ana po grindej me prindërit e saj me qëllim që të gjente versionin e saj të “së drejtës” dhe “të gabuarës”. Ana është viktimë e gënjeshtrës së djallit që thotë: “E drejta, e gabuara, e mira dhe e keqja – gjithçka është relative…, ti duhet të gjesh se cila është e drejta për ty, ti duhet të përcaktosh vetë normat e moralit tënd.”

Sigurisht që Ana nuk është e vetmja që mendon kështu. Shumë njerëz mendojnë se mund t’i vendosin vetë normat e tyre të moralit dhe se mund të përcaktojnë vetë se çfarë është e drejtë dhe e vërtetë për ta. Alan Blumi, autori i librit “Mbyllja e mendjes amerikane” thotë në librin e tij se: “ekziston diçka për të cilën profesorët mund të jenë krejt të sigurt: çdo student që hyn në universitet mendon se gjithçka është relative.”

Por ky është një mit. Morali nuk është relativ. E drejta dhe e gabuara nuk janë për t’u diskutuar. C.S.Luis në librin e tij Krishterimi i thjeshtë thotë: Sa herë do të takoni një person që thotë se nuk beson në “të drejtën” dhe në “të gabuarën”absolute, po aq herë do të ndodhë që i njëjti person të flasë për to pak momente më vonë. Ai mund të gabojë ndaj jush pa të keq, por në momentin që ju do të gaboni ndaj tij, ai, patjetër, do të ankohet: “Kjo s’është e drejtë” sa hap e mbyll sytë.

Me sa duket, duhet të besojmë patjetër në një “të vërtetë“ e “të gabuar“ absolute. Njerëzit, shpesh, kanë një mendim të gabuar për to, por “e vërteta“ dhe “e gabuara“ nuk janë çështje shijesh ose mendimesh, që ndryshojnë tek njerëz të ndryshëm. Më e bukura është se nuk ke nevojë për gradë shkencore për të dalluar “Të drejtën” nga “E gabuara”. Apostulli Pal ka theksuar se madje dhe ata të cilët nuk i kanë lexuar kurrë 10 Urdhërimet e kanë “ligjin të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin” (Romakëve 2:15). Duke cituar përsëri C.S.Luis, “ky Ligj ose Rregull rreth së drejtës dhe së gabuarës zakonisht quhet Ligj i Natyrës… sepse njerëzit menduan se çdo njeri e njihte atë nga natyra dhe nuk kishte nevojë që të mësohej.

Por përsëri ata mendojnë se ajo që është e gabuar për ty nuk është doemos e gabuar dhe për mua. Dhe ata nuk talleshin me këtë gjë. Ata përpiqeshin të justifikonin ose të shpjegonin sjelljen e tyre me anë të mitit të relativitetit, i cili tradhtohej nga fakti se thellë në veten e tyre ata e kishin një ndjenje të “së gabuarës” dhe të “së drejtës. Ata janë si Ponc Pilati, i cili bëri pyetjen e famshme “Ç’është e Vërteta?” Gjoni 18:38. Ironia e hidhur e pyetjes së Pilatit është se e vërteta qëndronte përpara tij në ato çaste. Jezusi, i cili e kishte shfaqur veten e tij si “Rruga, e Vërteta dhe Jeta”, ishte mishërimi i përgjigjes që kërkonte Pilati, por guvernatori romak dështoi në dallimin e së Vërtetës së mishëruar tek Jezusi.

Ushtrim

Praktikohuni si ta përballoni mitin e ”relativitetit” me anë të këtij ushtrimi.

Lexoni Gjyqtarët 17:6. Miti i Relativitetit karakterizonte ditët e gjykatësve në Izrael, sepse “çdo njeri bënte atë që ishte __________”

Lexoni Fj. e Urta 14:12. Çfarë do të thotë ky proverb, që përsëritet edhe tek Fj. e Urta 16:25, në lidhje me “rrugën që i duket e drejtë njeriut”? Çfarë rezultatesh sjell? Si mendoni ju çfarë do të thotë ky rresht?

Lexoni Isaia 45:19. Kush vendos, sipas këtij rreshti, se çfarë është e drejtë?

Lexoni Osea 14:9. Në fundin e këtij vargu përmenden dy kategori. Kush janë ato? Po ju, kujt kategorie i përkisni? Me fjalë të tjera a jeni duke ecur në rrugët e Perëndisë apo jeni duke u penguar në to?

Lexoni Gjon 8:31-32. A duket sikur Jezusi mendon se nuk ka të drejtë dhe të gabuar absolute, apo fjalët e tij të japin përshtypjen e kundërt? Sipas fjalëve të Jezusit, ç’rezultat ka njohja e së vërtetës?