jump to navigation

Tiparet e Perëndisë

Postuar tek: Doktrinat e Biblës

Tiparet e Perëndisë janë cilësitë thelbësore të një Qënieje të përsosur.

A. Gjithëpushtetshmëria e Perëndisë.

Kjo do të thotë se Perëndia është i gjithëpushtetshëm dhe i plotfuqishëm: “Dhe dëgjova një zë si një turmë të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë shumë bubullimash të forta, që thoshte: ‘Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi!’” (Zbulesa 19:6). “Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ta tha: ‘Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur’” (Mateu 19:26). “A ka ndonjë gjë që është shumë e vështirë për Perëndinë?” (Zanafilla 18:14a).

Vetëm një gjë mund ta kufizojë Perëndinë, dhe kjo është vullneti i Tij i shenjtë. Ndonjë i pamend mund të propozojë 2 Timoteu 2:13 që thotë: “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund ta mohojë vetveten”. Ky person mund të thotë: “Ja ku është diçka që Perëndia nuk mund ta bëjë”. Nuk bëhet fjalë se çfarë mund të bëjë Perëndia, por çfarë do të bëjë Perëndia.

1. Perëndia ka pushtet mbi natyrën. “Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij. Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare. Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij banorët e botës. Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai urdhëroi dhe gjëja u shfaq” (Psalmi 33:6-9). “Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Edhe një herë, pas pak, unë do t’i bëj të dridhen qiejtë dhe dheun, detin dhe sterenë’” (Hagai 2:6). Shihni gjithashtu Zanafilla 1:1-3 dhe Nahumi 1:3-6. Njeriut i duhen vegla për të bërë gjëra, kurse Perëndia vetëm flet dhe ajo gjë bëhet.

2. Perëndia ka pushtet mbi njeriun. “Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër? Dhe tani, ju që thoni: ‘Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë’, ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? është një avull që duket për pak dhe pastaj humbet. Në vend që të thoni: ‘Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë’” (Jakobi 4:12-15). Shihni edhe Eksodi 4:11.

3. Perëndia ka pushtet mbi engjëjt. “Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: ‘Çfarë po bën?’” (Danieli 4:35).

4. Perëndia ka pushtet mbi Satanin. Tek Jobi 1:12 dhe 2:6 vëmë re se Satani i është nënshtruar Perëndisë: “Zoti i tha Satanait: ‘Ja të gjitha ato që ai zotëron janë nën pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij’. Kështu, Satanai u largua nga prania e Zotit … Zoti i tha Satanait: ‘Ja ai, është në pushtetin tënd, por mos ia merr jetën’”. Ne e dimë fundin e Satanit nga Shkrimet e mëposhtme: “Tani Perëndia i paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja …” (Romakëve 16:20). “Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet, … atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve” (Zbulesa 20:2, 10). Shihni për këtë edhe Luka 22:31-32.

5. Perëndia ka pushtet mbi vdekjen. Pali lutet që efesianët mund ta dinë se “cila është madhështia e jashtëzakoshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet dhe fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme” (Efesianëve 1:19-21). “Pastaj vdekja dhe hadesi [ferri] u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë” (Zbulesa 20:14).

B. Gjithëdituria e Perëndisë.

Gjithëdituri do të thotë “i gjithëdijshëm”. Perëndia është “i Gjithëdijshmi” Perëndi. Ai di çdo gjë! “Sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë” (1 Gjoni 3:20).

1. Gjithëdituria përfshin krejt natyrën. Perëndia, Krijuesi, di gjithçka që lidhet me krijesat e Tij.

a. Për krijesat e Tij pa jetë. “Ai llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre” (Psalmi 147:4). “Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarsia e tij është e panjohshme” (Isaia 40:28).

b. Për krijesat e Tij shtazore. “A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj” (Mateu 10:29).

c. Për krijesat e Tij njerëzore. Perëndia e njeh njeriun plotësisht. “Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilët keni nevojë, para se ju t’i kërkoni” (Mateu 6:8). Ai i njeh mjaft mirë nevojat e njerëzve. Ai i di edhe mendimet e njeriut: “Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim” (Psalmi 139:2). “Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veç kotësi” (Psalmi 94:11). Shihni gjithashtu 1 Kronikave 28:9 dhe Hebrenjve 4:13. Perëndia e njeh zemrën e njeriut: “Ti dëgjoje nga qielli, vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve)” (1 Mbretërve 8:39). Shihni edhe Psalmi 44:21 dhe Veprat 1:24. Zoti i njeh përvojat nëpër të cilat kemi kaluar: “Zoti tha: ‘Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjypt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij’” (Eksodi 3:7). është absurde që njeriu të përpiqet të mashtrojë Perëndinë!

2. Gjithëdituria mbulon gjithë kohën. “Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij” (Veprat 15:18). Kjo mbulon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Të kaluarën e sheh Perëndia, sepse na ka dhënë gjëra që kanë ndodhur mijëra vjet më përpara (p.sh. Libri i Zanafillës); e tashmja është një libër i hapur për Atë: “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari” (Hebrenjve 4:13); edhe e ardhmja njihet ashtu siç njihen e kaluara dhe e tashmja. Ai e di fundin që nga fillimi, “i cili ishte i paranjohur para krijimit të botës por i shfaqur për ju kohët e fundit” (1 Pjetri 1:20). 1 Mbretërve 13:2 është një ilustrim i mrekullueshëm i asaj që Perëndia e di të ardhmen. Një foshnjeje ia vunë emrin treqind vjet më para se të lindte, iu caktua familja ku do të lindte dhe gjërat që do të bënte në jetën e mëvonshme. “Me urdhër të Zotit klithi kundër altarit dhe tha: ‘Altar, altar, kështu thotë Zoti. Ja, në shtëpinë e Davidit do të lindë një djalë i quajtur Josia, i cili ka për të flijuar mbi ty priftërinjtë e vendeve të larta dhe do të djegë mbi ty kocka njerëzore’”. Shihni Isaia 44:28, Jeremia 1:5, Galatasve 1:15-16, Eksodi 3:19 dhe Danieli 2:8. Duke qenë se Perëndia e njeh të ardhmen, ne duhet ta lëshojmë veten tonë në duart e Tij.

3. Gjithëdituria përfshin të gjitha mundësitë. Vetëm Perëndia e di se si do kishte shkuar puna, në qoftë se do të ndodhte diçka që nuk ndodhi. “Dhe ti, o Kapernaum, që u ngrite deri në qiell, do të fundosesh deri në ferr, sepse nëse do të ishin kryer në Sodomë veprat e fuqishme që janë kryer në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite” (Mateu 11:23). Shihni edhe 1 Samueli 23:12 dhe Isaia 48:18.

C. Gjithëzgjuarsia e Perëndisë.

Kjo do të thotë që Perëndia ka gjithë mençurinë. Ka një ndryshim të madh në mes të zgjuarsisë dhe njohurisë. Njohuria është ajo që di një njeri, kurse zgjuarsia është shfaqja e përsosur e kësaj njohurie. Zgjuarsia përfshin dallim dhe gjykim.

1. Vendim për synimin më të lartë. Të gjitha gjërat janë zgjedhur në mënyrë të atillë, që do të realizojnë synimin më të lartë për lavdinë e Perëndisë.

2. Rruga më e mirë për të arritur këtë synim. Këtu zgjuarsia mbron vetveten jo vetëm duke zgjedhur atë që sjell plotësimin e synimit më të lartë, por duke caktuar edhe rrugën më të mirë për të arritur atë qëllim. “O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!” (Romakëve 11:33). Shihni gjithashtu Romakëve 16:27, 1 Korintasve 2:7, Efesianëve 1:8, 3:10 dhe 1 Timoteut 1:17.

D. Kudopranishmëria e Perëndisë.

Ka shumë ide të paqarta sot për kudopranishmërinë e Perëndisë. Perëndia është i pranishëm kudo. Perëndia është kudo, por nuk është në gjithçka. Besimi se Perëndia është në gjithçka, quhet panteizëm. Në qoftë se Perëndia do të ishte në gjithçka, mund ta adhuronim duke u përkulur para një guri, peme, tavoline, ose çdo objekti tjetër. Perëndia nuk është në gjithçka, por Ai është kudo! Ilustrimi më i mirë për këtë është mësuesi para klasës së tij. Mësuesi është i pranishëm për çdo student në klasë, por ai nuk është i pranishëm për ata që janë jashtë, as për ata që janë në katin e dytë dhe as për ata që janë në klasën tjetër. Pse? Sepse muret, dyshemetë dhe hapësira janë pengesa në mes tij dhe atyre që janë në pjesët e tjera të ndërtesës. Por Perëndia depërton përtej çdo pengese, hapësire dhe materiali.

Megjithatë ne besojmë se është një vend i caktuar ku Ai e shfaq vetveten dhe ku Ai rri. Nga ai vend Ai është i pranishëm tek çdo gjë në gjithësi. “Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal” (1 Mbretërve 8:30). Shihni edhe tek Jeremia 23:24, Efesianëve 1:20 dhe Zbulesa 21:2.

Ndërsa vendbanimi i Perëndisë është në Parajsë, e dimë se Ai e ka shfaqur vetveten edhe në vende të tjera: në tokë, si atëherë kur qëndroi në ferrishten që po digjej (Eksodi 3:4); edhe në mish, në mishërim në Jezus Krishtin: “Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezus Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e Tij duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme si njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:5-8).

Fryma e Shenjtë është gjithkund. Ai është në besimtarët: “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju” (Gjoni 14:16-17). Ai është me jobesimtarët: “Megjithatë unë ju them të vërtetën: është më mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova nuk do të vijë Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj. Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:7-8).

Perëndia është me ne, pavarësisht se ku jemi. Ai është gjithkund i pranishëm. Ai gjendet kudo!

E. Përjetësia e Perëndisë.

Kjo është një gjë që nuk është rrokur kurrë nga mendja njerëzore: Perëndia është pa fillim dhe pa fund. Ai është “i Përjetshmi Tani”. Ai është i vetmi që është. Nuk ka as të kaluar dhe as të ardhme në përjetësi. Perëndia është i përjetshëm, prandaj nuk ka as të kaluar, as të ardhme me Perëndinë. “Kam thënë: O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi. Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua; ata do të zhduken por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t’i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen. Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë marrë kurrë fund” (Psalmi 102:24-27). Shihni gjithashtu Psalmi 90:4.

Dikush mund të pyesë: “Cili është ndryshimi ndërmjet Zanafilla 1:1 dhe Gjoni 1:1?” Zanafilla 1:1 thotë: “Perëndia krijoi qiellin dhe tokën”. Gjoni 1:1 thotë: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi”. A janë të dy “fillimet” të njëjta? Në qoftë se po, atëherë Fjala, Jezus Krishti, kishte një fillim! Të dy pjesët e Shkrimit nisin në të njëjtën pikë që është fillimi. Zanafilla 1:1 nis me fillimin dhe shikon përpara drejt përjetësisë, ndërsa Gjoni 1:1 nis me fillimin dhe shikon prapa në përjetësi. Prandaj Fjala, Zoti Jezus Krisht, nuk kishte fillim.

F. Pandryshueshmëria e Perëndisë.

Me fjalë të tjera “Perëndia nuk ndryshon”. Qenia e Tij, qëndrimet dhe aktet e Tij janë pa ndryshim: “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj; prandaj o bij të Jakobit nuk jeni konsumuar” (Malakia 3:6). “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17). “Kështu Perëndia, duke dashur t’u tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin” (Hebrenjve 6:17).

Për diskutim të pendesës së Perëndisë shihni kapitullin e parë, III, C, 3, b.

G. Dashuria e Perëndisë.

1. Citimi i dashurisë .”Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri … ne e njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të” (1 Gjoni 4:8, 16). Ky është përkufizimi i Perëndisë. Ka shumë mbiemra që cilësojnë Perëndinë. Mund të themi që Perëndia është i dashur, por këtu zbulojmë që Ai është vetë dashuri! Dashuria e Perëndisë vjen prej zbulesës. Nuk vjen nga njohuria e ndokujt. Ajo nuk mund të shihet në natyrë. Ajo njohuri që Perëndia është dashuri, vjen vetëm nga Fjala e Perëndisë. Ka nga ata që mohojnë frymëzimin e Shkrimit të Shenjtë, por thonë që Perëndia është dashuri. Në qoftë se Bibla nuk është Fjala e Perëndisë, si mund ta dimë ne që Perëndia është dashuri? Ju mund të kërkoni në gjithë botën dhe nuk mund të gjeni thënien “Perëndia është dashuri” mes paganëve. Ata kanë zotët dhe idhujt e tyre, por një Perëndi që është “Perëndia është dashuri” është i panjohur për ta. Bibla është Fjala e Perëndisë. Ajo dhe vetëm ajo na tregon që “Perëndia është dashuri”.

2. Objektet e dashurisë. Në qoftë se Perëndia është dashuri, atëherë kjo dashuri duhet t’i drejtohet dikujt dhe i është drejtuar, sepse nga Shkrimet mësojmë që objektet e dashurisë së Tij janë:

a. Biri i Tij. Perëndia e do Birin e Tij më shumë se ç’mund të donte njeriu fëmijën e vet. “Dhe ja një zë u dëgjua nga qielli, duke thënë: Ky është Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur” (Mateu 3:17). Shihni edhe Mateu 17:5. Dashuria e Perëndisë është e përsosur dhe tejkalon çdo kufi: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës” (Gjoni 17:24).

b. Të gjithë besimtarët. Të gjithë ata që besojnë në Zotin Jezus Krisht, janë objekt i dashurisë hyjnore të Perëndisë. Ai e shfaq këtë dashuri çdo ditë. “Ati vetë ju do sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia” (Gjoni 16:27). “Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu siç më ke dashur mua” (Gjoni 17:23).

c. Izraeli. Jini të kujdesshëm se si flisni për “çifutët”. Ata janë objekt i dashurisë së Perëndisë, ashtu si edhe ne të krishterët: “Shumë kohë më përpara Zoti m’u shfaq duke thënë: Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme, prandaj të kam tërhequr me dashamirësi” (Jeremia 31:3).

d. Mëkatarët. Perëndia nuk ndryshon në lidhje me qëndrimin e Tij ndaj mëkatit. Perëndia e urren mëkatin, por i do mëkatarët! “Por Perëndia që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit)” (Efesianëve 2:4-5). “Sepse, ndërsa ishim akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët. Vështirë në fakt nëse vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:6-8).

3. Shfaqjet e dashurisë.

a. Në dhuratën e Birit të Tij për njerëzit mëkatarë. “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e Tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij” (1 Gjoni 4:9). Shihni gjithashtu Gjoni 3:16 dhe Romakëve 5:6-8. Njeriu nuk mund të shikojë drejt Kalvarit dhe të thotë: “Perëndia nuk më do mua”. Një burrë i dashur po tregonte për çastet kur djali i tij ishte në grahmat e fundit të vdekjes. Gjëja më e vështirë që i duhej të bënte, ishte të thoshte: “U bëftë vullneti yt. Nëse Ti e do djalin tim Ti mund ta marrësh atë”. O, të dorëzoj djalin tim të vetëm! Por njerëzia ia japin djemtë e tyre Perëndisë, i cili kujdeset për ta më mirë sesa njerëzit. Perëndia e dha Birin e tij të vetëm për mëkat, për të paguar për mëkatin e mëkatarëve! Po, ne mund t’i shohim fëmijët tanë në thonjtë e vdekjes, por Perëndia e pa Birin e Tij duke vuajtur më shumë se askush tjetër. Fëmija më i dashur në botë është për ne një i huaj, në krahasim me dashurinë e Perëndisë ndaj Birit të Tij. Perëndia bën shenjë drejt Kalvarit dhe thotë: “Shihni Birin Tim! Shikojeni Atë, të tallur, të rrahur e të mavijosur?” Perëndia e pa Atë. Perëndia i pa mëkatarët ndërsa e kryqëzuan. Perëndia mund t’i kishte fshirë nga faqja e dheut, por nuk e bëri këtë. Gozhdët që shpuan duart e Birit të Tij, shpuan edhe zemrën e Atit. Ne nuk mund ta kuptojmë kurrë këtë. “Sepse Perëndia e deshi aq botën sa dha …” Ati e dorëzoi Atë në duart e drejtësisë për të paguar për mëkatet tona. Shumë vrasës kanë paguar me jetën e tyre për krimet që kanë bërë, por Jezusi u dorëzua për të paguar për krimet tona.

b. Duke dhënë jetë dhe pozitë në Krishtin. Vetëm besimtarëve u jepet kjo pozitë e shenjtë, pra, “në Krishtin”. Ja ku jemi, të shpëtuar dhe të padënuar. “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por e dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjoni 3:2); “Edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të dhe na vuri me të në vendet e larta qiellore, në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:5-6).

c. Duke na siguruar se quhemi bij të Perëndisë. “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë” (1 Gjoni 3:1).

d. Duke i qortuar të dashurit e Tij. “Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen. Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korrigjon i ati? Por, po të mbetemi të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij. Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar? Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu si u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij. Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij” (Hebrenjve 12:6-11). Mbani mend që qortimi i Zotit është për të mirën dhe përfitimin tonë. Ne kemi nevojë për qortim, dhe kjo është e domosdoshme në jetën e të krishterit. Këtë e marrim nga Ati ynë qiellor.

e. Duke i kujtuar fëmijët e Tij në çdo rrethanë të jetës. Në lidhje me kujdesin e prindërve, në Bibël bëhet pyetja: “A ka një dashuri më të madhe se dashuria e nënës?”. Dhe dëgjoni çfarë thotë Zoti: “A mund ta harrojë një grua fëmijën e saj të gjirit, që të mos ketë dashuri për birin e barkut të saj?”. Pra, a është e mundur që një nënë të braktisë fëmijën e saj? Përgjigjja është “Po”. Në ditët tona ka mjaft fëmijë të braktisur nga prindërit e tyre. Me të vërtetë është një turp! Sepse duhet të ketë ligje që i detyrojnë prindërit të kujdesen për fëmijët e tyre. Megjithatë kjo është natyra e mishit; kjo është natyra prej Adamit, natyra mëkatare, që prindërit braktisin fëmijët e tyre. Ndoshta mund të njihni dikë që ka braktisur fëmijën e tij. Ndoshta edhe juve ju ka braktisur dikush. Por dëgjo pjesën tjetër të Fjalës së Perëndisë: “Unë nuk do të të harroj” (Isaia 49:15). është DIKUSH në këtë botë që nuk i braktis fëmijët e Tij!

f. Duke u gëzuar për kthimin e birit plangprishës. Kjo histori e mrekullueshme gjendet në Luka 15:11-24. është historia e një biri, jo e një mëkatari. Një mëkatar nuk është një bir. Vetëm një bir është bir dhe nuk mund ta zhbirësosh një bir. Një bir është i lindur bir përgjithmonë. Megjithatë, këtu kemi një bir që kishte rënë aq poshtë, sa dëshmia e tij si bir kishte humbur. Kujtoni që ai ishte akoma një bir, si në fusha kur ushqente tufën e derrave, ashtu edhe në shtëpinë e Atit të tij. Marrëdhënia akoma ekzistonte, por miqësia ishte thyer. Ju mund të humbisni miqësinë, por nuk mund të humbisni birninë. Ai vendosi se si do t’i thoshte atit të tij kur të kthehej, por nuk pati rast. Ai me siguri tha: “Unë kam mëkatuar kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt”; por, përpara se ai t’i thoshte: “Trajtomë edhe mua si një nga meditësit e tu”, Ati, duke mbajtur birin e tij në duar, u thirri me zë të lartë shërbëtorëve: “Sillni rroben më të mirë për t’ia veshur, dhe i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë; dhe sillni këtu viçin më të majmë dhe thereni; le të hamë e të gëzohemi se ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë; kishte humbur dhe u gjet” (Luka 15:21-24).

Le ta dijë plangprishësi që, në qoftë se ka lindur njëherë nga lart, ai është akoma fëmijë i Perëndisë. Lëreni që të vendosë dhe “të ngrihet dhe të shkojë” tek Ati i tij. Ati qëndron krahëhapur, gati për të puthur fëminë e Tij të larguar, kur ai pendohet. “Ngrihu dhe shko!”

4. Format e dashurisë së Perëndisë.

a. Në mirësinë e Perëndisë.

(1) E shfaqur në krijimin. “Perëndia pa … që ishte mirë”. Kjo frazë përmendet shpeshherë në kapitullin e parë të Zanafillës. Perëndia është i mirë dhe të gjitha gjërat që Ai krijon dhe bën, janë për të mirën e njeriut.

(2) E shfaqur në kujdesin e Tij për krijesat shtazore. “Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje dhe presin; dhe ti ua jep atyre ushqimin e tyre në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde, dhe plotëson dëshirën e çdo qenie të gjallë” (Psalmi 145:15-16).

(3) E shfaqur në kënaqësitë për krijesat e Tij. Pse do të ishte gjithë bukuria e natyrës, po të mos ishte krijuar ta shijojë syri i njeriut?

(4) E shfaqur në dhuratën e Birit të Tij. Kjo vërteton mirësinë e Perëndisë, që Perëndia është i mirë.

(5) E shfaqur në lejimin e mëkatarëve të pendohen. “Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?” (Romakëve 2:4).

b. Në dashamirësinë e Perëndisë. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?” (Romakëve 8:32). Përderisa Perëndia na ka dhënë dhuratën më të madhe, Birin e Tij, duhet të jemi të sigurt se bashkë me të vjen edhe “paketimi”. Biri është dhurata dhe “paketimi” janë gjërat e mbështetjes së Tij që i ngazëllojnë frymërat tona.

c. Në ngadalësinë e zemërimit të Perëndisë. “Zoti nuk vonon në plotësimin e premtimit të tij siç disa mendojnë se ai bën, por është i durueshëm ndaj nesh dhe nuk do që ndokush të humbasë por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetri 3:9). “Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: ‘Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri’” (Eksodi 34:6). Shihni gjithashtu Numrat 14:18.

Sa nga ne e lavdërojmë Zotin që Shpëtimari ynë na dha kohë për t’i besuar Atij për shpëtimin tonë? Sa mirë që pritja e Perëndisë është shfaqur ndaj nesh, në atë mënyrë që ne kemi dëgjuar ungjillin dy herë, në një kohë kur ka miliona në botë që nuk e kanë dëgjuar kurrë ungjillin!

d. Në durimin e Perëndisë. “Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime me njëri-tjetrin, sipas Jezus Krishtit” (Romakëve 15:5). Këtu vëmë re që durimi i Perëndisë është një titull hyjnor, sepse Ai është Perëndi i durimit! Kjo është shfaqur më së miri në këto pika:

(1) Trajtimi i mëkatarëve përpara përmbytjes nga ana e Tij. “Që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë, gjithsej tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit” (1 Pjetrit 3:20). Zoti e shfaqi durimin e Tij, së paku, për njëqind vjet. Gjatë kohës që arka ishte duke u përgatitur, ungjilli u predikua, njerëzit u paralajmëruan. Më në fund, durimi i Tij mbaroi dhe përmbytja i zhduku të gjithë jobesimtarët. E tillë do të jetë ajo që do të ndodhë me ardhjen e Birit të Njeriut, në zbulesën e Tij në fundin e Rrëmujës. Të gjithë ata që nuk gjenden në “arkë”, që është Jezus Krishti, do të shkatërrohen.

(2) Trajtimi i Izraelit. “Megjithatë kur do të ndodhen në vendin e armiqve të tyre, unë nuk do t’i përçmoj dhe nuk do t’i urrej sa t’i asgjësoj krejt dhe të prish besëlidhjen time që kam lidhur me ta; unë jam Zoti Perëndia i tyre; por për dashurinë ndaj tyre do të kujtohem për besëlidhjen e lidhur me stërgjyshërit e tyre, që i nxora nga vendi i Egjiptit para syve të kombeve për të qenë Perëndia i tyre. Unë jam Zoti” (Levitiku 26:44, 45).

Izraeli sot është pa Perëndi, dhe me këtë nuk duam të themi se Izraeli është më keq se çdo komb tjetër, por vetëm duam të themi se ai është pa Perëndinë. Jehova ka dërguar profetë tek ai, por ai i ka vrarë me gurë. Ai u dërgoi edhe Birin e Tij, edhe Atë e kryqëzuan. Ata janë shpërndarë në gjithë skajet e dheut për shkak të mëkatit të tyre. Megjithatë, Perëndia ka treguar durimin e Tij dhe ky durim do të shpaguhet, sepse ai komb do të rilindë brenda një dite, dhe gjithë Izraeli (të gjallët në kohën e zbulesës së Jezus Krishtit) do të shpëtohet!

(3) Trajtimi i Botës sot. Pse nuk godet sot Perëndia? Pse lejohen njerëzit të blasfemojnë Perëndinë e qiellit dhe Birin e Tij Jezus Krishtin? Arsyeja gjendet në durimin e Perëndisë.

H. Mëshira e Perëndisë.

1. Në citimet e saj. “(sepse Zoti, Perëndia yt, është një Zot mëshirëplotë); ai nuk të ka braktisur dhe nuk do të të shkatërrojë, nuk do të harrojë besëlidhjen për të cilën iu betua etërve të tu.” (Ligji i Përtërirë 4:31). “Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi … Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve” (Psalmi 103:8, 17).

2. Në shpjegimin e saj. Ka një ndryshim i vogël në kuptim ndërmjet fjalëve “mëshirë” dhe “hir”. Mëshirë, në përgjithësi, është përdorur në Dhiatën e Vjetër, kurse hir në Dhiatën e Re. Mëshira dhe dashamirësia e Dhiatës së Vjetër shkojnë së bashku. Dikush ka thënë që mëshira është negative dhe dashamirësia është pozitive. Mëshira u jepet të pabindurve, kurse dashamirësia u jepet të bindurve dhe të dyja së bashku përbëjnë hirin.

3. Në shfaqjet e saj.

a. Duke falur mëkatarin. “Që më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm; por m’u dha mëshira, sepse i bëra nga padija, në mosbesimin tim” (1 Timoteut 1:13).

b. Duke hequr fajin dhe ndëshkimin. “Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai i ka larguar nga ne fajet tona” (Psalmi 103:10-12).

c. Duke çliruar ata që janë në rrezik. “Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mëshirës sate” (Psalmi 6:4).

d. Duke shpëtuar objektet e saj. Luka 10:33-37 jep shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë. Pasi e ka treguar shëmbëlltyrën, Jezusi pyet: “Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?” Dhe përgjigjja erdhi: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij”. S’ka asnjë dyshim që Jezusi ishte tipizuar në Samaritanin e Mirë dhe është Ai që me anë të mëshirës së Tij shpëton objektet e përkujdesjes së Tij.

I. Hiri i Perëndisë.

1. Citimi i tij. “Ai na shpëtoi, jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së Tij, me anë të larjes së rilindjes dhe ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, të cilën e derdhi me mbushulli mbi ne, me anë të Jezus Krishtit, shpëtimtarit tonë, që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:5-7). “Në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurisë së hirit të tij” (Efesianëve 1:7). “Dhe Perëndia i çdo hiri që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel” (1 Pjetri 5:10). Shihni edhe 1 Korintasve 6:1.

2. Shpjegimi i tij. Thuhet që hiri është i papërcaktueshëm. Hiri rrjedh gjithmonë pa ndërprerje. Ne mund të duam një që është i barabartë me ne, ose një që është më i madh se ai që është i barabartë me ne, madje ndonjëherë ndonjë që është më i vogël se ne, por shikoni ndryshimin e madh ndërmjet nesh dhe Perëndisë. Këtu nuk mund të ketë asnjë krahasim. Hiri i Perëndisë ndaj nesh është një nder i pameritueshëm.

3. Shfaqjet e tij.

a. Hiri shfajëson. Hiri i shpall shenjtorët të drejtë: “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Romakëve 3:23-24).

b. Hiri vendos drejtësinë. Kjo do të thotë që me aktin e hirit të Perëndisë, drejtësia e Perëndisë i ngarkohet mëkatarit që beson: “Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, i numërohet për drejtësi” (Romakëve 4:4-5). “Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë” (Zanafilla 15:6).

c. Hiri kumton një natyrë të re. “Ju në fakt, jeni shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit dhe kjo nuk vjen nga ju, por është dhuratë e Perëndisë, jo nga veprat, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij e krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira që Perëndia pregatiti që më parë, që ne të ecnim në to” (Efesianëve 2:8-10).

d. Hiri shpëton. Pse, vallë, na ka shpëtuar Perëndia? E vetmja përgjigje është: hiri! “Ju në fakt, jeni shpëtuar me anë të hirit nëpëmjet besimit; dhe kjo nuk vjen nga ju por është dhuratë e Perëndisë” (Efesianëve 2:8).

e. Hiri mëson. “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë” (Titit 2:11-12).

J. Besnikëria e Perëndisë.

Mungesa e besnikërisë është mëkati më i madh i ditëve të sotme. Kjo është e vërtetë në çdo rrugë të jetës, qoftë në biznes, në kishë apo në shtet. Por ne kemi një Perëndi që është besnik në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Fjala e Tij e nxjerr në pah besnikërinë e Perëndisë me anë të:

1. Citimit. Shumë pjesë të Shkrimit e theksojnë besnikërinë e Perëndisë: “Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt është Perëndia, Perëndia besnik që repekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe zbatojnë urdhërimet e tij” (Ligji i Përtërirë 7:9). “Besnik është Perëndia nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të Tij Jezus Krishtit, Zotit tonë” (1 Korintasve 1:9). “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13). Shihni për këtë edhe Ligji i Përtërirë 32:4, 1 Thesalonikasve 5:24, 2 Thesalonikasve 3:3, 1 Gjoni 1:9.

2. Shpjegimit. Kuptimi i besnikërisë është qëndroj, mbështetem, ndihmoj. Perëndia është mbështetja jonë; është Ai mbi të cilin mund të mbështetemi, kur ne rrëzohemi. Ai është ndihma jonë në çdo kohë!

3. Shfaqjes. Si vërtetohet se Zoti është besnik?

a. Në mbajtjen e premtimit të Tij. “Le ta mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse është besnik ai që premtoi … sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë të merrni gjërat e premtuara. Edhe fort pak kohë edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë” (Hebrenjve 10:23, 36-37). Premtimi i lindjes së birit nga e virgjëra në Isaia 7:9 është përmbushur në Luka 1:26-38, 2:7, premtimi i Perëndisë ndaj Abrahamit në Zanafilla 15:13, që fara e tij do të shkonte në Egjipt dhe do të qëndronte atje për katërqind vjet, është përmbushur në Eksodi 12:41. Shihni gjithashtu Ligji i Përtërirë 7:9, 1 Mbretërve 8:23-24, 56.

b. Në ruajtjen e njerëzve të Tij. Shihni Jeremia 51:5 dhe Vajtimet 3:22-23 dhe mund të vini re se, kur një popull bëhet popull i Perëndisë, është i Tij përgjithmonë. Kjo ndodh sepse Perëndia është besnik: “është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote” (Vajtimet 3:22-23). “Sepse Izraeli dhe Juda nuk kanë qenë braktisur nga Perëndia i tyre, nga Zoti i ushtrive, megjithëse vendi i tyre ishte plot me faje kundër të Shenjtit të Izraelit” (Jeremia 51:5). Shkrime të tjera nxjerrin në pah besnikërinë e Perëndisë në ruajtjen e popullit të Tij: “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën” (1 Pjetri 4:19). Shihni edhe Psalmi 89:20-26, 2 Timoteu 2:13.

c. Në qortimin e fëmijëve të Tij. Perëndia është besnik në realizimin e “rrahjes” së bijve të tij të larguar: “Unë e di, O Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde” (Psalmi 119:75). Korrigjimi është i nevojshëm kur ne nuk i bindemi Zotit tonë dhe mund të mbështetemi të sigurt tek besnikëria e Perëndisë për të mbajtur këtë shprehje me respekt: “Sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen” (Hebrenjve 12:6).

d. Në faljen e mëkateve tona. “Në qoftë se i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjoni 1:9).

e. Duke iu përgjigjur lutjeve tona. Si mund ta dimë që lutjet tona marrin përgjigje? Perëndia na urdhëron që t’i lutemi pa pushim. Si e dimë që kjo do të sjellë ndonjë të mirë? Ne e dimë se Perëndia u përgjigjet lutjeve tona, sepse besnikëria e Perëndisë na siguron që veshët e Tij do të jenë gjithmonë të hapur ndaj thirrjeve të bijve të Tij: “Dëgjoje lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde” (Psalmi 143:1).

4. Zbatimi.

a. Do të na ruajë nga shqetësimi.

b. Do të kontrollojë mërmëritjet tona.

c. Do të rritë besimin tonë tek Perëndia.

K. Shenjtëria e Perëndisë.

Kur përmendim shenjtërinë e Perëndisë, si tipari i fundit i Tij, nuk duhet të mendojmë se është i parëndësishëm. Trajtoni së pari:

1. Shenjtërinë natyrore. Ky është quajtur tipari themelor me të cilin Perëndia do që njerëzit ta njohin Atë. Disa studiues të Biblës deklarojnë se ky është tipari më i rëndësishëm i Perëndisë. Kjo ndodh sepse shenjtëria është përmendur më shpesh se tiparet e tjera në Shkrimet e Shenjta, madje edhe më shumë sesa fuqia e tij. Shenjtëria është me të vërtetë “tipari i tipareve”. Kur nuk mendojmë shumë për shenjtërinë e Perëndisë, atëherë do të mendojmë pak për mëkatin.

Sot po jetojmë në ditë të mbrapshta kur njerëzit bëjnë marrëveshje dhe kanë mendime të lehta. është shumë e vështirë t’i bësh njerëzit të kuptojnë gjendjen e tyre të humbjes dhe rrezikun e ferrit që është përpara tyre. Ata nuk mendojnë pothuajse fare për shpëtimin, sepse kanë një ide të zbehtë për shenjtërinë e Perëndisë: “Kush barazohet me ty midis Perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?” (Eksodi 15:11). “Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë sepse unë jam i shenjtë; mos u infektoni me asnjë prej këtyre kafshëve që zvarriten mbi tokë. Sepse unë jam Zoti që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit, për të qenë Perëndia juaj; jini të shenjtë pra se unë jam i shenjtë” (Levitiku 11:44-45). “Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishin gjashtë krahë; me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njëri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: ‘I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij’” (Isaia 6:2-3). “Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i ‘Shenjti’: <<Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur në frymë, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve>>” (Isaia 57:15). “Tani unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne!” (Gjoni 17:11). “Mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilën jeni vulosur për ditën e shpengimit” (Efesianëve 4:30). Shihni gjithashtu Levitiku 19:1-2, Jozueu 24:19, Psalmi 22:1-3, 99:5, 9 dhe 1 Pjetri 1:15-16.

2. Aspektet e shenjtërisë. Kjo nënkupton përbërësit e saj, që janë:

a. Pastërtia.

(1) Citimi i saj. “Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire” (1 Gjoni 1:5).

(2) Shpjegimi i saj. Në Atë është drita. Në Atë nuk ka kurrë errësirë. Drita është gjithmonë e pastër. Nuk mund të gjesh kurrë dritë të papastër dhe askush nuk mund të krijojë dritë të papastër. Perëndia është dritë, i pastër, i veçuar nga paudhësitë. Janë dy faza të pastërtisë: negative, i lirë nga çdo paudhësi dhe pozitive, i pastër. Perëndia në shenjtërinë e Tij është i pastër, i lirë nga çdo paudhësi dhe i pastër në thelb.

b. Drejtësia (legjislative, në anglisht “righteousness”, në italisht “rettitudine”). Ky është një tjetër element i shenjtërisë.

(1) Citimi i saj. “Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë” (Ligji i Përtërirë 32:4). “Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?” (Jeremia 12:1). “O Atë, i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur, dhe këta e kanë njohur se ti më ke dërguar” (Gjoni 17:25).

(2) Shpjegimi i saj. Formula e drejtësisë gjendet në Ezekielin 18:5, 9: “Në qoftë se dikush është i drejtë dhe zbaton ndershmërinë dhe drejtësinë …”, që do të thotë t’i bësh gjërat me drejtësi, “ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar, thotë Zoti, Zoti”. Perëndia është gjithmonë në të drejtën. I tillë është karakteri i Tij. Drejtësia gjithmonë kërkon atë që është e drejtë në karakter. Perëndia kurrë nuk kërkon atë që nuk është e drejtë. Perëndia kurrë nuk urdhëron për diçka që na shtyn në gabim.

c. Drejtësia (juridike, në anglisht “justice”, në italisht “giustizia”).

(1) Citimi i saj. “Zoti është i drejtë në mes të Tij, ai nuk kryen paudhësi. Çdo mëngjes ai sjell në dritë drejtësinë pa munguar asnjëherë, por i çorodituri nuk njeh turp” (Sofonia 3:5). Shihni gjithashtu Ligji i Përtërirë 32:4.

(2) Shpjegimi i saj. Fjala në greqisht dhe hebraisht për drejtësi ka të njëjtin kuptim. Drejtësia (righteousness, rettitudine) është kërkesa legjislative e Perëndisë për shenjtëri. Drejtësia (justice, giustizia) është më shumë shenjtëri juridike, ose, ndryshe, akti juridik i Perëndisë që kërkon ndëshkim për ata që nuk i mbajnë urdhërimet e drejta të Perëndisë. Drejtësia, pra shenjtëria juridike, qeveris ata që janë të gjykuar dhe sjell ekzekutimin e atyre që nuk mbajnë ligjin e Zotit. Drejtësia juridike është ekzekutuesi i atyre që nuk mbajnë urdhërimet e shenjta të Perëndisë. Drejtësia e njeriut është shpeshherë gabim, por drejtësia gjyqësore e Zotit është gjithmonë e drejtë, kështu është edhe shenjtëria!

d. E vërteta e Perëndisë.

(1) Citimi i saj. “Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim, unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës … Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij” (Psalmi 25:5, 10). “Perëndia nuk është një njeri që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë nuk do ta kryejë?” (Numrat 23:19). “Në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave” (Titit 1:2). Shihni edhe Ligji i Përtërirë 32:4 dhe Psalmi 31:5, 86:15.

(2) Shpjegimi i saj. Ajo që Perëndia ia ka shfaqur njeriut në Fjalën e Tij, është e vërtetë e përjetshme. Perëndia nuk e kundërshton kurrë Vetveten. Një pjesë e Fjalës së Tij nuk e kundërshton kurrë një pjesë tjetër. A nuk jemi të gëzuar që Fjala e Zotit nuk ka qenë dakord me gjithë teoritë e vdekura të së kaluarës? Për të mos qenë në ankth, a nuk duhet të jetë dakord Bibla me teoritë e ditëve moderne lidhur me krijimin, njeriun, etj.? Njeriu, kur është i ndarë prej Fjalës së Perëndisë, nuk di asgjë. Gjithçka, përveç zbulesës së Perëndisë, është thjeshtë supozim.

3. Shfaqjet e shenjtërisë së Perëndisë.

a. Me anë të veprave të Tij. Çdo gjë që ka krijuar Perëndia, është e përsosur dhe e shenjtë. Perëndia nuk e krijoi mëkatin. Perëndia nuk krijoi një natyrë mëkatare që është në njeriun e pashpëtuar. Perëndia krijoi njeriun, i cili mëkatoi. Njeriu, duke mëkatuar, ia ka kaluar njerëzisë natyrën e çoroditur, natyrën Adamike, ose, siç quhet ndryshe, “natyra mëkatare”. Perëndia krijoi njeriun që ishte i aftë për të mëkatuar. Në qoftë se Perëndia do të krijonte një njeri që nuk mund të mëkatonte, atëherë Ai do të kishte bërë një makinë dhe jo një qenie me vullnet të lirë. Nga ana tjetër, në qoftë se Perëndia nuk do të krijonte njeriun që nuk mund të mëkatonte dhe njeriun që nuk ishte mekanizëm, atëherë njeriu jo vetëm do të ishte si Perëndia, por do të ishte Perëndi vetë. Perëndia nuk krijon Perëndi. Njeriu është më i ulët se Perëndia. Perëndia nuk mund të mëkatojë, sepse nuk është në natyrën e Tij. Njeriu do të kishte qenë Perëndi, në qoftë se nuk do të mund të mëkatonte.

b. Me anë të ligjeve të Tij. Të gjitha ligjet janë të drejta, ato janë vërtetësi. Nuk ka asnjë gënjeshtër në Ligjin e Perëndisë. Kështu Ligji i Perëndisë shfaq shenjtërinë e Tij.

c. Me urrejtjen e Tij për mëkatin. A e dini pse të krishterët e sotëm janë dorëlëshuar ndaj mëkatit të një tjetri dhe ndaj mëkatit të jobesimtarëve? Sepse ata nuk e urrejnë mëkatin siç e urren Perëndia. Shpesh themi se Perëndia e urren mëkatin, por Ai nuk urren mëkatarin. Kjo nuk është e vërtetë. Perëndia e urren mëkatarin: “Ata që lëvdojnë veten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tu; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi” (Psalmi 5:5). Kjo mund të jetë një zbulesë për disa nga ne. Perëndia e urren mëkatarin për shkak të mëkatit të tij dhe jo për shkak të vetes së tij. Perëndia e urren mëkatarin, por edhe e do, sepse Ai e di që, edhe pse i dërrmuar nga mëkati, njeriu është i aftë për shenjtëri. Pse e dënon Perëndia mëkatarin? Ai e bën këtë për shkak të mëkateve të mëkatarit. Kështu Perëndia e urren mëkatin, pavarsisht se ku gjendet, si tek mëkatari i pashpëtuar, ashtu edhe te besimtari i Tij. Qëndrimi dhe sjellja e Perëndisë ndaj mëkatit shfaq shenjtërinë e Perëndisë.

d. Me dashurinë e Tij për drejtësinë. Perëndia e do drejtësinë aq shumë, sa urren mëkatin: “Ti dëgjon nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë atë që i takon sipas së drejtës së tij” (1 Mbertërve 8:32). “E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të vajosi përmbi shokët e tu … sepse Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë mundimet tuaja të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve” (Hebrenjve 1:9, 6:10).

e. Me shfajësimin e mëkatarit që beson. Në qoftë se njeriu do të merrte atë që meriton, nuk do të mbetej gjë tjetër veç ferrit; por është mëshira dhe hiri i Perëndisë që i ofrojnë atij planin e shpëtimit, që, në qoftë se e pranon, e shpall të drejtë mëkatarin që beson: “Atë e ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që e ka besimin në Jezusin” (Romakëve 3:25-26).

f. Me kujdesin e Tij për shenjtorët. “Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve” (Psalmi 103:6). “Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli: ‘Shumë më kanë shtypur prej rinisë sime por nuk kanë mundur të më mposhtin. Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata’. Zoti është i drejtë, ai i preu litarët e të pabesëve” (Psalmi 129:1-4). Shihni gjithashtu Psalmi 98:1-3, 145:15-19 dhe 2 Timoteu 1:6-9.

g. Me kryqin e Tij. “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?” (Psalmi 22:1). Ne mund të kemi një shikim të shpejtë të kryqit duke lexuar vargun e mësipërm dhe vargjet e tjera të Psalmit 22. Ky psalm është profetik, i folur apo i shkruar rreth nëntëqind vjet përpara se Krishti të vdiste në kryqin e Kalvarit. Vdekja e Krishtit është një shfaqje e përsosur e shenjtërisë së Perëndisë. Krejt natyrshëm dikush mund të pyeste se si mund të ndodhë kjo. E dimë që Perëndia e urren mëkatin, prandaj, as kur Biri i Tij u bë “mëkat për ne, që nuk njihte mëkat”, qëndrimi i Perëndisë ndaj mëkatit nuk ndryshoi. Perëndia e urreu mëkatin aq sa e kishte urryer gjithmonë, edhe kur e bëri Birin e Tij mëkat. Biri i Tij nuk ia ndryshoi fare Atij mendimin. Prandaj Jezusi u bë i urryer nga Ati për shkak të mëkatit. Jezusi nuk u bë kurrë mëkatar, por u bë mëkat. Meqenëse Perëndia e urreu mëkatin (“Dhe i pëlqeu ta rrihte dhe ta bënte të vuante”, Isaia 53:10a), e braktisi Birin e Tij, sepse Perëndia do ta braktisë gjithmonë mëkatin. Shenjtëria e Perëndisë nuk ndryshoi.