jump to navigation

Si e vlerësonte Jezusi Dhiatën e Vjetër?

Postuar tek: Përgjigje dhe Argumente

Ne mund të citonim shumë argumente për të provuar që Dhiata e Vjetër është Fjala e Zotit. Por argumenti më i fortë na vjen nga vetë Zoti Jezus. Si Zot me trup njeriu Jezusi flet plot pushtet vendimtar. Dëshmia e Tij për Dhiatën e Vjetër është kumbuese dhe e qartë.

Jezusi besonte që Dhiata e Vjetër ishte e frymëzuar hyjnisht, Fjala e vërtetë e Zotit. Ai tha: ‘Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë’. (Gjoni 10:35). Ai i drejtohet Shkrimit si ‘Urdhër Perëndie’ (Mateu 15:3) dhe si ‘Fjalë e Zotit’ (Mateu 15:6). Ai, gjithashtu, theksoi se Shkrimi ishte i pathyeshëm. Derisa qielli dhe toka do të kalojnë, asnjë shkronjë a pikë e Ligjit nuk do të kalojë, para se të plotësohet gjithçka. (Mateu 5:18). Vini re se Ai përmend, madje edhe fjalët e shkronjat.

Kur merrej me punët e njerëzve kur rrinte me dishepujt apo me udhëheqësit fetarë, Jezusi vazhdimisht i drejtohej Dhiatës së Vjetër. A nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia?. (Mateu 22:31) Po, dhe a nuk keni lexuar ndonjëherë se ‘Nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave në gji, ti ke përgatitur lavdi?’ (Mateu 21:16 duke cituar Psalmin 8:2) dhe A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi?. (Mateu 12:3) Shembujt janë të shumtë për të vërtetuar se Jezusi e njihte Dhiatën e Vjetër. Ai citonte shumë prej saj dhe i besonte ato. Ai vërtetoi shumë tregime nga Dhiata e Vjetër si: shkatërrimin e Sodomit dhe vdekjen e gruas së Lotit (Luka 17:29,32), vrasjen e Abelit nga i vëllai, Kainit, (Luka 11:51), thirrjen e Moisiut (Marku 12:26), manën e dhënë në shkretëtirë (Gjoni 6:31.51), gjyqin për Tir dhe Sidon (Mateu 11:32) dhe shumë e shumë raste të tjera.

Jezusi, jo vetëm që vërtetoi historinë e këtyre dëshmive, por shpalli të mirëfillta edhe disa prej personazheve më të diskutuara sot. Shumë dijetarë modernë nuk besojnë që Moisiu shkroi pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër, por Jezusi e besonte (shih Mateu 19:8, 9;6;7:19; Marku 12:29.31)

Disa dijetarë moderne besojnë si të vërtetë se kanë jetuar më shumë se një Isaia, kurse Jezusi besonte vetëm në një. Te Luka 4:17.21 ai citon Isainë 61:1,2 (të ashtuquajturin Isaia i dytë ose Deutero-Isaia), ndërsa te Mateu 15:7,8 ai i referohet pjesës së parë të veprës së Isaisë (Is 6:9) për më shumë se një autor. Tregimi i Danielit si një e dhënë e vërtetë nga vetë pena e tij, është hedhur poshtë sot prej shumëkujt, kurse Zoti Jezus e beson atë si profet. (Mateu 24:15). Tregimi për Adamin dhe Evën shpesh vihet në lojë sot si legjendë, por Jezusi e besonte atë si histori të vërtetë. (Mateu 19:1.6)

Në të njëjtën mënyrë, tregimi i Noahut dhe përmbytja e madhe jo vetëm që është e mirëfilltë për Jezusin (Mateu 24:37), por dhe është shembull i ardhjes së Tij të dytë. Së fundi, edhe më e pabesueshmja për të gjithë, tregimi për Jonën dhe peshkun e madh, është përdorur prej Jezusit si shenjë e ringjalljes së Tij. (Mateu 12:39).

Të duket sikur Jezusi pothuajse kishte parashikuar kritikën biblike të shekullit të njëzetë, duke i konsideruar të mirëfillta të gjitha këto tregime. Përfundimi është i thjeshtë. Nëse Jezu Krishti besohet tërësisht prej një njeriu, ai njëri duhet të besojë tërësisht edhe Dhiatën e Vjetër, duke i konsideruar tregimet e tij krejt të sakta. Shumë duan ta pranojnë Jezusin, por duan edhe të flakin një pjesë të Dhiatës së Vjetër. Kjo zgjedhje nuk është e mundur: ose Jezusi nuk dinte çfarë thoshtë, ose e dinte shumë mirë atë. Është e qartë se Jezusi e shihte Dhiatën e Vjetër si Fjalën e Zotit, qëndrimi i Jezusit ndaj tij nuk ishte veçse besimi i plotë në të.