jump to navigation

KAPITULLI 11: NJË ZINXHIR LUTJESH

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Perëndia merr dhe dërgon vazhdimisht thirrje urgjente. Disa ngjarje që për ne janë të papritura kërkojnë ndërhyrjen e Tij të menjëhershme. Pastaj ka situata që kanë arritur kulmin. Në fakt bëhet fjalë për fakte që nuk e çudisin Perëndinë, sepse ka qenë Ai që i ka parashikuar, por që ne na duken si raste urgjente. Sot Krishti ulet në fron, në të djathtë të Perëndisë, duke udhëhequr botën me anë të ndërmjetësimit dhe shokëve të Tij të lutjes që janë në tokë. Ka raste që na përgatit, duke na kërkuar të lutemi para se të na paraqitet nevoja; përkundrazi, herët e tjera, Ai na drejton një kërkesë urgjente ndihme në çastet e nevojës.

SI TË BASHKOHEMI NË ZINXHIRIN E LUTJEVE

Sigurohu që je i mbushur me Frymën e Shenjtë. Kjo është themelore për gjithçka që ka të  bëjë me jetën frymërore. Ndërsa Fryma e Shenjtë mund të të drejtojë dhe të të përdorë në çdo çast, ti mund ta dëgjosh shumë thjesht zërin e Tij, kur Ai ka kontrollin e plotë në jetën tënde. Te çdo i krishterë i rilindur banon Fryma (Romakëve 8:9; 1 Korintasve 12:13), por jo të gjithë e lejojnë Frymën t’i udhëheqë.

Kjo gjë kërkon një përkushtim të plotë ndaj Perëndisë (Romakëve 12;1,2), duke u mbështetur në pastrimin, fuqinë dhe mbushullinë që Ai jep (Veprat e Apostujve 15:8.9). Çdo i krishterë sot mund të jetë i mbushur me Frymën, ashtu siç ishin apostujt (Veprat e Apostujve 2:38,39). Nëse, përkundrazi, nuk lejojmë që Fryma e Perëndisë të na udhëheqë, por luftojmë kundër vullnetit të Tij, duke i lënë vend kështu dëshirave të mishit. Një besimtar i tillë nuk është i mbushur me Frymën, për shkak të mosbindjes së tij. Nëse ky është rasti yt, rrëfeji mëkatet e tua dhe vendosu plotësisht nën kontrollin e Perëndisë, duke i kërkuar që të forcojë besimin tënd dhe të të rimbushë sërish.

Jeto një jetë të zjarrtë lutjeje. Sa më tepër provon jetën e lutjes, aq më shumë Perëndia mund të të përdorë në çaste të veçanta nevoje. Perëndia ka nevojë të vazhdueshme për luftëtarë të vërtetë të lutjes. Duke u lutur mëson të lutesh. Edhe pse është i dobishëm leximi i librave që trajtojnë temën mbi lutjen, ti do të marrësh besim dhe forcë në lutje vetëm kur lutesh.

Fol shumë me Zotin. Përsërit gjthmonë se sa e do dhe e adhuron. Ndaj me Të gëzimin dhe fshehtësinë e shpirtit tënd, falënderoje për çdo bekim të ditës: për dritën e diellit, bukuritë e krijimit, buzëqeshjen e miqve, ndihmën e Tij në punën që bën. Kërkoji të jesh një bekim për ata që të rrethojnë. Lutu për ata që takon, lutu ndërsa punon dhe nget makinën. Rri gati për ta dëgjuar. Si bir i Perëndisë ke privilegjin të udhëhiqesh nga Fryma e Shenjtë (Romakëve 8:14). A e ke bërë zakon të dëgjosh Perëndinë? Asnjë besimtar nuk e mëson kurrë deri në fund këtë mësim, por Perëndia mund të të ndihmojë të zhvillosh një vesh të vëmendshëm. Zoti mund të të bekojë nëpërmjet këtyre këshillave të mëposhtme:

Kërkoji Perëndisë të të mbajë zgjuar. Çdo mëngjes kërkoji që të të bëjë të shohësh njerëz dhe situata për të cilat të lutesh. Bëj një listë me qëllim që Perëndia të të udhëheqë të shtosh, dora-dorës, subjekte të reja. Listat mund të të shërbejnë edhe si një kronikë historike, që ti të kujtosh lutjet e përmbushura.

Ji i gatshëm të marrësh përgjegjësinë ndaj çdo lloj angazhimi në lutje që Perëndia dëshiron të të japë. Përpiqu çdo ditë të jesh besnik që të përmbushësh çdo lloj detyre lutjeje që Ai do të të japë. Konsideroje si shenjë të veçantë të mirëbesimit të Tij ndaj teje.

SI TËNJOHËSH NJË DETYRE LUTJEJE

Perëndia mund të të ngulisë dikë në mendjen tënde. Kjo gjë mund të të ndodhë ndërsa je duke u lutur, ndërsa lexon Biblën ose në ndonjë çast tjetër të ditës. Nëse i ke bërë të ditur Perëndisë gatishmërinë tënde dhe të vjen ndërmend një person, ka mundësi që ai ka nevojë për lutjet e tua. Mund të kesh një paramendim. Drejtohu menjëherë Zotit, duke ndërprerë atë që je duke bërë.

Më 12 dhjetor 1939, ndërsa po ndërmjetësoja për ata që vuanin pasojat e Luftës së Dytë Botërore, u ndjeva mjaft i angazhuar në një situatë të veçantë: një anije tregtare gjermane  “Graf Spee”, që ishte shndërruar në anije lufte e tipit ” koracatë e vogël”, po fundoste shumë anije tregtare, duke shkaktuar humbje njerëzish. I kërkova Perëndisë të ndërhynte me autoritetin e Tij të veçantë. Më vonë, folësi i radios, njoftoi se “Graf Spee” ishte i detyruar të zinte vend në portin e Moltevideos, në Uruguaj. Pas disa ditësh, anijen e nxorën jashtë nga porti dhe e fundosën. Nuk pati asnjë humbje jete njerëzore, përveç komandantit që kishte vendosur të fundosej bashkë me anijen. Ndoshta Perëndia kishte vendosur në zemrën e shumë të tjerëve të njëjtën detyrë lutjeje në të njëjtin çast kur ma kishte dhënë dhe mua.

Zonja Hulda Andrus, nëna e kapitenit Jakob De Shazer, një nga njerëzit e plagosur në shpërthimin ajror mbi Tokio, gjatë luftës së dytë botërore, tregoi se si Perëndia i kishte besuar një detyrë në lutje. Ajo nuk e dinte se ku ishte djali i saj. “Një natë, u zgjova papritur me një ndjenjë të çuditshme sikur po bija gjithmonë e më shumë në një boshllëk. Çfarë peshe e tmerrshme shtypte shpirtin tim! Në ankthin tim thirra Perëndinë dhe, papritur, kjo peshë u lehtësua”. Më pas mësova se djali ishte plagosur dhe ndodhej në duart e japonezëve. Më pas ajo e kuptoi se Perëndia e kishte zgjuar pikërisht në çastin në të cilën djali i saj po binte me parashutë nga aeroplani që po rrëzohej. Një herë tjetër, Perëndia e ngarkoi të lutej për shpëtimin e djalit të saj. Ndërsa ajo këmbëngulte në lutje, Perëndia i solli ndërmend premtimin e Isaisë 55:9. Në atë çast Fryma i foli zemrës së Jakobit, i cili gjendej në qelinë e burgut, dhe ai ia përkushtoi jetën e tij Krishtit.

Një ditë u dha shpallja se një grup i vogël të burgosurish, midis të cilëve ishte edhe Jakobi, do të pushkatohej. Ndërsa po thërriste Perëndinë, nëna provoi një ndjenjë lehtësimi. Në fakt tre nga shokët e tij u pushkatuan, por Jakobi shpëtoi, në mënyrë të  mrekullueshme. Sapo mbaroi lufta, Perëndia donte ta thërriste në shërbimin e Tij. Në  fakt, Ai u kthye në Japoni, si misionar. Një nga anëtarët e Këshillit Administrativ të shoqërisë tonë misionare kishte një djalë që kishte qenë misionar, por që tani, fatkeqësisht, ishte larguar nga Zoti dhe po ushtronte një profesion të botës. Për disa muaj babai i tij u lut intensivisht për të. Një ditë, ndërsa ndodhej larg familjes për një takim, ndjeu se duhej të lutej akoma edhe më shumë për djalin e tij. U mbyll në dhomën ku ishte ftuar dhe u lut për orë të tëra, duke lënë mënjanë edhe drekën. Pasdite, zonja e shtëpisë trokiti në derën e dhomës dhe i tha: “Ke një telefonatë që merr jashtë qytetit”. Ai vrapoi për tek telefoni dhe fjalët e para që dëgjoi ishin: “Baba, u ktheva përsëri te Zoti”.

Perëndia mund të të japë detyrën që të lutesh për një qëllim të caktuar, në mënyrë të vazhdueshme. Ai ka nevojë për ndërmjetës besnikë që luten për kishat, misionet, qytetet, kombet. Ai i krahason këta ndërmjetës me rojet: “Mbi muret e tua, o Jerusalem, kam vënë roje që nuk do të heshtin kurrë, as natën, as ditën: ‘Ju që i kujtoni Zotit premtimet e Tij, mos rrini në heshtje dhe mos e lini të pushojë, derisa ta ketë rivendosur Jerusalemin dhe ta bëjë atë lavdimin e gjithë botës’” (Isaia 62:6,7). Pa dyshim, vetë Isaia ishte një nga këta, sepse në vargun një ai thotë: “Për hir të Sionit unë do të hesht dhe për hir të Jerusalemit unë nuk do të gjej prehje derisa drejtësia e saj të mos dalë si agimi dhe shpëtimi i saj si një pishtar flakërues”. Ti mund të bësh pjesë tek këta rojtarë që rrinë zgjuar duke u lutur.

Çdo besimtar i angazhuar në veprën e Perëndisë, në kohë të plotë, ka nevojë për një “grup lutjeje” që të ndërmjetësojë për të. Çdo vepër e krishterë ka nevojë për një skuadër ndërmjetësish që ta mbrojë dhe forcojë. Fryti i veprës do të varet nga përkushtimi i grupit  dhe fuqia me të cilën luten. Perëndia do të bekojë çdo vepër për të cilën këta ushtarë do të luten. I bekuar është ai person ose vepër që jo vetëm zotëron mbështetjen e ndihmësve që luten, por edhe të ndërmjetësve roje që “nuk heshtin as natën, as ditën”. Ky ishte sekreti i misionit të Charles G. Finney, vepra e të cilit ka dhënë fryt, duke  kthyer tek Zoti me qindra e mijëra persona. Takimet e tij ungjillore në vitet 1858-1859 shënuan fillimin e një prej rizgjimeve më të mëdha të botës. Vetë Finney ishte një njeri i lutjes dhe kishte shumë të tjerë që luteshin për të. Katër nga njëzet e dy mësimet e tij të famshme, të titulluara “Rizgjohu”, trajtojnë pikërisht lutjen.

Kur Finney udhëtonte nga një vend në tjetrin shoqërohej nga dy pleq, Clery dhe Nash. Gjatë një ungjillëzimi në Britaninë e Madhe, që zgjati disa javë, këta dy besimtarë, meqë nuk kishin në dorë shumë burime financiare, morën me qera, me çmim të ulët, një dhomë të errët dhe të lagësht dhe aty kaluan pjesën më të madhe të kohës, në gjunjë, duke u lutur. Kur u bë rizgjimi i madh në Wells, Evan Roberts, protagonisti i atij rizgjimi, mbështetej nga një grup ndërmjetësuesish të rinj. Unë ruaj me kujdes të madh një kartolinë që Roberts i dërgonte njërit prej këtyre ndërmjetësuesve.

SI MUND TA BËSH MË TË FRYTSHME DETYRËN TËNDE TË NDËRMJETSIT

Kur Perëndia të beson një detyrë të veçantë në ndërmjetësim, pranoje me gëzim dhe ji besnik: bëhet fjalë për një detyrë që vjen nga Zoti. Jepi përparësinë lutjes. Kur është e mundur, lëre mënjanë atë që po bën dhe kushtoju plotësisht lutjes, për atë nevojë. Shpesh, veprimi në kohën e duhur është jashtëzakonisht irëndësishëm: mos e shtyj për më vonë. Nëse nuk është e mundur të vihesh mënjanë menjëherë, lutu në çdo çast kur ke mundësi, derisa të jesh plotësisht i lirë për lutjen. Ji i gatshëm të lutesh edhe me orë të tëra. Shpeshherë është e nevojshme të marrësh nga Perëndia sigurinë e përgjigjes.

Gjatë viteve 30, një miku im i dashur, George Sherrick, berber, dëshmitar i zellshëm i Zotit, një pasdite, ndjeu të lutej për shpëtimin e zëvendës sherifit të zonës, me të cilin kishte folur herë të tjera. Mbylli dyqanin atë pasdite, mbylli qepenat, në mënyrë që njerëzit të mos e shikonin brenda dhe filloi të lutej. Vazhdoi të lutej gjithë pasditen dhe tërë natën. Rreth orës dy të mëngjesit, dikush trokiti në derë. Sigurisht, askush nuk e dinte që George ndodhej në dyqanin e tij në atë orë të natës. Kur ai shkoi tek dera, gjeti zëvendës-sherifin që iu dorëzua Zotit.

Lutu derisa Zoti të të heqë peshën që të ka vënë në zemër. Rreth vitit 1949, një grup misionarësh që po ktheheshin nga Kina, morën pjesë në një takim lutje, së bashku me vëllezër të tjerë në qytetin e Adelaidës, në Australi. Qëllimi ishte të luteshin për Hajden Melsap, një misionar në Kinë. Ata u lutën derisa të gjithë patën një ndjenjë paqeje dhe lehtësimi. Disa vite më vonë, Hajden Melsap ndodhej në Australi, dhe misionarët e pyetën nëse kishte ndonjë kujtim lidhur me atë çast të veçantë. Hajden u përgjigj se atë ditë dhe, në të njëjtën orë, ai dhe dy misionarët e tjerë ishin vënë me shpatullat pas murit, në një oborr në Kinë, gati për t’u pushkatuar nga ana e komunistëve. Pikërisht në çastin kur oficeri do të jepte urdhërin për të qëlluar, dera e oborrit u hap dhe hyri një oficer me gradë më të lartë i cili thirri: “Ndalni”. Ai u afrua, vuri njërën dorë mbi shpatullën e Melsapit dhe i shpëtoi jetën atij dhe të tjerëve. Këtë dëshmi e kam dëgjuar nga vetë Hajden Melsap dhe një mik Australian më ka dërguar edhe kopje të shkruar.

Perëndia mund të udhëheqë për të inkurajuar të tjerët që të luten me ty. Shpesh Fryma e Shenjtë i përgjigjet më tepër lutjeve të drejtuara, për të njëjtën qëllim, nga një grup i mbledhur. Shumë kisha lokale kanë parapërgatitur edhe zinxhira lutjesh për raste urgjente. Kur ka një kërkesë, pesë ose gjashtë persona thirren menjëherë. Me radhë, secili thërret personin e parë në listën e tij dhe, për një minutë, shumë vihen në lutje. Edhe ne, në stafin e drejtimit të Shoqërisë Misionare Lindore, kemi një organizim të tillë. Gjatë kryengritjes së Mau Mau-t ndodhur në Kenia, më 1960, misionarët Matt dhe Lora Higgens, një natë po ktheheshin nga Nairobi duke kaluar për nga territori i Mau Mau-t (një sekt i fshehtë i përhapur midis zezakëve Kikuyu, ku misionarë të tjerë dhe qytetarë Kenianë ishin vrarë dhe gjymtuar). Tridhjetë kilometra nga Nairobi Land Roveri i tyre ndaloi. Në errësirë Higgens u përpoq të riparonte makinën, por nuk arriti ta riparonte. Që të dy e kaluan gjithë natën në makinë duke cituar Psalmin 4:8: “Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri”. Në mëngjes arritën ta riparonin makinën dhe të arrinin qëllimin.

Pas pak kohësh u erdhi për vizitë një pastor nga Nairobi i cili u tregoi atyre se si një anëtar i fisit Mau Mau i kishte thënë se atë natë, ai dhe tre të tjerë, i ishin afruar me fshehtësi makinës për t’i vrarë. Por kur kishin parë se Land Roveri ishte i rrethuar ngagjashtëmbëdhjetë njerëz, patën frikë dhe ishin larguar. “Gjashtëmbëdhjetë njerëz?” – u përgjigj Higgens. “Nuk po e kuptoj!”. Më vonë Higgens ishin me pushime në Amerikëdhe miku i tyre Clay Brent i pyeti nëse kishin qenë ndonjëherë në rrezik më 23 mars. Higgens kërkoi arsyen e kësaj pyetje. Atëherë Clay i tha se në atë ditë Perëndia i kishte vënë në zemër të lutej me urgjencë për ta. Ai kishte thirrur gjashtëmbëdhjetë vëllezër të kishës të cilët u mblodhën në lutje, derisa pesha e detyrës u lehtësua. Për t’iu përgjgjur lutjeve dhe të shpërblente besimin e tyre, mos vallë Perëndia kishte dërguar gjashtëmbëdhjetë engjëj? Një ditë, në qiell, do ta mësojmë se si Perëndia ka përdorur shumë zinxhira lutjesh për përparimin e qëllimit dhe mbrojtjen e popullit të Tij.

Comments are closed.