Përsëritja dhe paralelizmi Letërsia dhe letërsia biblike
Postuar tek: Femi CakolliTemat dhe gjinitë letrare të Biblës
Shkruan:
Dr. Femi Cakolli, pastor
Tematikat kryesore të Biblës janë të ngërthyera në një proces të gjatë të zhvillimit historik, pasi që koha e evidentimit të ngjarjeve të këtyre temave shtrihen në periudha të mëdha kohore, dhe se kështu nuk ndodh me asnjë libër tjetër.Kështu me tematikat biblike fillohet prej Adamit dhe vazhdon deri sot: krijimi, misteria, kureshtja, tundimi, epshi, përmbytja, lufta kozmike, suksesi, dashuria, kurvëria, mashtrimi, profecia, ëndrra, interpretimi, mëkati, dhembshuria, vrasja, dhuna, steriliteti, trashëgimia, sprovimi, altruizmi, mbretëria, flijimi, nënshtrimi, falja, besimi, mësimi, vizioni, ideja, udhëheqja, intriga, mrekullia, pozita, fuqia, bukuria, madhështia, shenjtëria, ringjallja, shpresa, qëndresa, virtyti, zbulesa etj.
Bibla, duke pasur këtë tematikë kaq të pasur, është libri që në vetvete ka gjini të ndryshme letrare, dhe se ky është argumenti kryesor pse Bibla quhet Libri i librave[1] apo Letërsia e letërsive. Në kuadër të prozës së Biblës gjendet çdo lloji tipizimi i zhanreve letrare, si: tregimi, drama, tragjedia, retorika, apologjetika, rrëfimi, fabula, kronika, eseu, epika, kallëzimi, udhëpërshkrimi, legjenda etj.
Kjo prozë për kah mënyra është:
- Prozë tregimtare
- Prozë didaktike
- Prozë dramatike
- Prozë oratorike
Ndërsa po e njëjta prozë për kah qëllimi është:
- Prozë profetizuese
- Prozë apokaliptike
- Prozë historike
- Prozë e urtësisë
Larmi e njëjtë është edhe me librat poetikë të Biblës, duke pasur: himne, poema, epose, vajtime (elegji), këngë të ndryshme, urata, psalme, gjëegjeza etj.
Ndërsa për sa i takon stilit ligjërimor të kësaj letërsie, ajo ka këto stile:
- Psikologjik
- Filozofik
- Fantastik
- Lirik
- Didaktik
- Dramatik
- Pedagogjik
- Etik
- Estetik
Figurat më të shpeshta stilistikore që hasen në Shkrimin e shenjtë janë: alegoria, shëmbëlltyra, simboli, krahasimi, metafora, hiperbola, sinekdota etj.
Kjo është pasqyra e librave të Biblës të ndara sipas gjinive letrare:
- Libra kanunorë: Zanafilla, Dalja, Kodi Priftëror, Regjistrimet, Besëlidhja e Ripërtërirë.
- Libra profetikë: Jeshaja, Jirmija, Vajtimet, Jezekieli, Hoshea, Joeli, Amosi, Ovadja, Jona, Mihaja, Nahumi, Havakuku, Cefanja, Hagai, Zeharja, Malahi dhe Apokalipsi.
- Librat poetikë: Psalmet, Fjalët e Urta, Ijovi, Kënga e këngëve dhe Koheleti.
- Librat historikë: Joshua, Gjyqtarët, 1Shëmueli, 2Shëmueli, 1Mbretërve, 2Mbretërve, Ruta, Estera, Danieli, Ezra, Nehemia, 1Analeve, 2Analeve dhe Veprat e Apostujve.
- Librat ungjillorë: Mateu, Marku, Luka, Gjoni.
- Librat epistolikë: Romakëve, 1Korintasve, 2Korintasve, Galatasve, Efesianëve, Filipianëve, Kolosianëve, 1Selanikasve, 2Selanikasve, 1Timoteut, 2Timoteut, Titi, Filemoni, Hebrenjve, Jakobi, 1Pjetri, 2Pjetri, 1Gjoni, 2Gjoni, 3Gjoni, Juda.
Një karakteristikë e kultivimit të prozës profetizuese shihet se ka qenë prezente në kohët sa më vjetra, p.sh. pjesa më e madhe e Dhiatës së Vjetër është profetizim, kurse Dhiata e Re, që është 500 vjet pas saj, ka vetëm një libër profetik. Kjo së paku na mëson se historikisht diskursi në letërsinë e Biblës ka lëvizur prej kodimit kah dekodimi.
[1] Bibla, Drita, Ferizaj, 1994, fq. 11