jump to navigation

Shtojca C

Postuar tek: Zgjedhje - Një shqyrtim sipas Shkrimit

Më poshtë paraqitet Rrëfimi Menonit (shikoni Martyrs Mirror, faqe 381) shkruar rreth vitit 1600 pas K., që flet për konceptin e zgjedhjes. Megjithëse ne NUK jemi dakord me shumë doktrina menonite (humbja e shpëtimit, këmbëngulja për ta mbajtur shpëtimin etj.), ky rrëfim mund ta ndihmojë lexuesin e këtij artikulli. Pjesë e nenit X thotë rreth:

“Parashikimit të Perëndisë, zgjedhjes së besimtarëve dhe refuzimit të jobesimtarëve. Për këtë rrëfejmë: ndërsa besojmë dhe rrëfejmë se Perëndia është i gjithëpushtetshëm, dhe se për Të asgjë nuk është e pamundur; kështu, Ai është gjithashtu paranjohës dhe i gjithëditshëm, duke mos qenë asgjë e fshehur para Tij në qiell dhe në tokë, për të gjitha gjërat që do të ndodhin deri në përjetësi, dhe për të gjitha gjërat që kanë ndodhur që nga tërë përjetësia. Dhe përmes kësaj paranjohjeje tepër të lartë, njohjes dhe diturisë së Perëndisë që janë të pafundme, Ai pa dhe diti shumë mirë nga fillimi në përjetësi deri në shkatërrimin e botës se cilët do të ishin pranuesit e vërtetë besues të hirit dhe mëshirës së Tij; dhe, përsëri, ata që do të ishin përçmues dhe refuzues mosbesues të këtij hiri.

Dhe, për rrjedhojë, Ai, nga fillimi dhe përjetësia, dinte, paranjihte, zgjodhi dhe caktoi tërë besimtarët e vërtetë që të trashëgojnë shpëtimin e përjetshëm përmes Krishtit Jezus; dhe, nga ana tjetër, refuzoi tërë përçmuesit mosbesues të këtij hiri për në dënim të përjetshëm. Kështu humbja e njerëzve vjen për shkak të tyre dhe shpëtimi i tyre vetëm përmes Zotit, Perëndisë së tyre, pa të cilin ata nuk mund të bëjnë asgjë të mirë. Por në asnjë mënyrë nuk është e vërtetë se Perëndia plot hir, i mëshirshëm dhe i drejtë (i cili, sipas natyrës së Tij të shenjtë) ka paranjohur, caktuar apo paracaktuar dhe krijuar që nga përjetësia, në një kohë të përshtatshme, një numër të madh të racës njerëzore për dënim të përjetshëm; ose, meqë ata kanë rënë përmes mëkatit të njeriut të parë, Adamit, Ai i ka lënë pa ndihmë në vdekjen dhe dënimin e përjetshëm, në të cilin ata kanë shkuar pa diturinë e tyre dhe me veprat e tyre të liga, pa parë dhe ditur në këtë rast shkakun e drejtë të refuzimit të tyre. Larg nesh një gjë e tillë, të besojmë se mund ta bëjë këtë i vetmi Perëndi i mirë dhe i drejtë!”.